loader image
November 21, 2024

Millan Pançevski dhe fjalimi i tij kundër Kosovës

Millan Pançevski, së bashku me Jakov Llazarevskin, Llazar Kolishevskin, Llazar Mojsovin, Savo Klimovskin, Svetomir Shkariqin e disa të tjerë, përbënte krahun më radikal, përkatësisht më antishqiptar brenda udhëheqjes së atëhershme politike e shtetërore të RS të Maqedonisë.

Shkruan: Qerim LITA, Shkup

Në mbledhjen e shtatë të Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë (më tej KQ i LKJ-së) u soll konkluzioni që, në njërën nga mbledhjet e ardhshme të këtij organi më të lartë partiak midis dy kongreseve, të mbahet një “debat i tërësishëm për çështjet aktuale ideopolitike në KSA të Kosovës”. Për rrjedhojë, Kryesia e KQ të LKJ-së, në mbledhjen e mbajtur më 6 maj 1987, vendosi që ky debat të zhvillohej në mbledhjen e nëntë të KQ të LKJ-së, për çka e formoi grupin punues prej 10 anëtarëve, me të cilin udhëhiqte malazezi Marko Orllandiq, ndërsa në grup merrte pjesë edhe anëtari i Kryesisë së KQ të LKJ-së, Millan Pançevski, si përfaqësues i RS të Maqedonisë. Mbledhja e paralajmëruar u mbajt m 9 qershor të vitit 1987, me ç‘rast nga ana e grupit punues ishte përgatitur një analizë e gjerë për situatën politike në Kosovë dhe për veprimin e LKJ-së, si dhe projekt-konkluzionet kushtuar problemit të Kosovës. Në analizë, e cila përbëhej prej 52 faqeve, ndër të tjera thuhej se “pasoja më e rëndë politike, morale dhe shoqëror-politike” e situatës së përgjithshme në Kosovë, ishte, gjoja “shpërngulja me dhunë e serbëve dhe malazezëve, me kanosje të zhdukjes së tyre të afërt nga Kosova dhe përmbushjes reale të qëllimit kundërrevolucionar nacionalist-separatist për një Kosovë etnikisht të pastër…”. Duke e përshkruar veprimtarinë e organeve të punëve të brendshme në “zbulimin dhe pamundësimin e veprimtarisë armiqësore nga pozitat e nacionalizmit dhe separatizmit shqiptar”, në të thuhej se në Kosovë që nga shpërthimi i demonstratave të vitit 1981 e deri në maj të vitit 1987 ishin zbuluar “89 grupe dhe 8 organizata ilegale të nacionalistëve dhe separatistëve shqiptarë. Për shkak veprimtarisë ilegale dhe veprimtarive të tjera armiqësore, vazhdon analiza, kundër 1.200 personave është zhvilluar procedurë penale, ndërsa kundër 4.000 procedurë për kundërvajtje…”.

Një ditë para mbledhjes së nëntë të KQ të LKJ-së, përkatësisht më 8 qershor 1987, në Shkup u mbajt mbledhja e 43-të e zgjeruar e Kryesisë së KQ të LKM-së, në të cilën si pikë e dytë e rendit të ditës ishte pikërisht analiza dhe projekt-konkluzionet e lartpërmendura, për të cilat para të pranishmëve foli Millan Pançevski, i cili së bashku me Jakov Llazarevskin, Llazar Kolishevskin, Llazar Mojsovin, Savo Klimovskin, Svetomir Shkariqin e disa të tjerë, përbënte krahun më radikal, përkatësisht më antishqiptar, brenda udhëheqjes së atëhershme politike e shtetërore të RS të Maqedonisë. Si të tillë, ata ishin shndërruar në vegla të zgjatura të kryetarit të KQ të LK të Serbisë, Sllobodan Millosheviq, i cili e akuzonte udhëheqjen politike të Kosovës se gjoja ajo në Kosovë “po bënte pastrimin etnik”, përkatësisht se “shpërngulja e serbëve dhe malazezëve nga Kosova” ishte si rrjedhojë e “politikës oportuniste” të drejtuesve politikë kosovarë.

Këtu duhet theksuar se antishqiptarizmi i Pançevskit kishte ardhur në shprehje menjëherë pas demonstratave të Kosovës të vitit 1981, kur në mbledhjen plenare të KQ të LKM-së, e cila u mbajt më 20 maj 1981, ai lexoi referatin të titulluar: “Çështja aktuale ideopolitike në arritjen e politikës së barazisë dhe unitetit të kombit maqedonas, kombësive dhe grupeve etnike në RS të Maqedonisë”, ku ndër të tjera, ai e akuzoi udhëheqjen e atëhershme politike të Kosovës për “sjellje paternaliste” ndaj shqiptarëve në RS të Maqedonisë:

“…Ngjarjet në Kosovë, thekson Pançevski, krahas karakterit të tyre kundërrevolucionar të drejtuar kundër themeleve të RSFJ-së kanë edhe ndikim negativ bukur të madh e të drejtpërdrejt ndaj situatës politike në republikën tonë. Përveç kësaj, duhet të theksohet se ekzistojnë edhe elemente të shumta të veprimtarisë së përbashkët e të sinkronizuar të forcave armiqësore nga Kosova dhe republika jonë. Implikime shumë të mëdha mbi RSM-në, që burojnë nga aktiviteti armiqësor në Kosovë dhe republikën tonë shprehen në cenimin e integritetit dhe sovranitetit të RSFJ-së dhe RSM-së, mbi barazinë dhe unitetin e kombit maqedonas dhe kombësive, në presionin e vazhdueshëm të vetëdijes së pjesëtarëve të kombësisë shqiptare nga RSM me ndikime nacionaliste e irredentiste, sjelljeve paternaliste të forcave nacionaliste dhe udhëheqës të caktuar nga Kosova për situatën e kombësisë shqiptare në RSM dhe indoktrinimin e vazhdueshëm se ata (shqiptarët – Q.L.) kanë më pak të drejta sesa në Kosovë etj. Po ashtu, korrelacionet e këtyre ndikimeve shprehen edhe përmes pranisë së një numri më të madh të studentëve dhe nxënësve të përkatësisë etnike shqiptare nga RSM në Kosovë, pranimi dhe dhënia e pozitave me rëndësi shoqërore e profesionale personave nga RSM në Kosovë, të cilët kanë qenë të dënuar dhe kualifikuar si nacionalistë e irredentistë etj…”.

Servilizmin ndaj Millosheviqit dhe klikës së tij serbomadhe Pançevski e shprehu në mënyrë të hapur edhe në fjalimin e mbajtur më 8 qershor 1987, duke deklaruar para të pranishmëve (në të cilën merrnin pjesë edhe disa shqiptarë), se ai dhe bashkëkombësi i tij, Jakov Llazarevski, ishin të vetmit nga Kryesia e KQ të LKJ-së që nuk e kishin pranuar raportin e Azem Vllasit lidhur me tubimet e organizuara në Fushë Kosovë nga ana e disa qarqeve shoviniste serbe, pas të cilave qëndronte pikërisht S. Millosheviqi, por edhe Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Serbisë. Pa dashur të futemi në thellësi, në vazhdim po e paraqesim të plotë fjalimin e tij, i cili ruhet në Arkivin Shtetëror të Republikës së Maqedonisë së Veriut, fondi KQ i LKM-së (427). Ai është përkthyer nga gjuha maqedonase dhe publikohet për herë të parë.

*          *          *

Fjalimi i anëtarit të Kryesisë së KQ të LKJ-së, Millan Pançevski, i mbajtur në mbledhjen e 43-të (të zgjeruar) të Kryesisë së Komitetit Qendror të LKM-së, e cila u mbajt më 8 qershor 1987

“Shkup, 8 qershor 1987

….Millan Pançevski:

Jeni të informuar se në mbledhjen e fundit të Kryesisë së KQ të LKJ-së është vendosur që mbi bazën e rasteve në Kosovë, për Kosovën të organizohet mbledhje plenare e veçantë, për të cilin qëllim Kryesia e KQ të LKJ-së ka formuar grup punues. Në prag të përgatitjes së mbledhjes së Kryesisë, pas mbledhjes së KQ të LKJ-së, shoku Milenko Renovica (Kryetar i Kryesisë së Komitetit Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë 28 qershor 1986 – 30 qershor 1987 – Q.L.), ndër të parët më ftoi mua për ta dhënë pëlqimin që unë ta drejtoj atë grup punues. Në konsultim me shokun Jakov Llazarevski, Llazar Mojsov, Llazar Kolishevski e shokët tjerë të cilët jemi në Beograd, u dakorduam se nuk do të ishte në rregull që grupin e punës ta udhëheq një maqedonas. Duke e pasur parasysh historikun e marrëdhënieve të Kosovës, do të ishte edhe më mirë nëse atë grup punues ta udhëhiqte ndonjëri nga Sllovenia, Kroacia, Vojvodina apo Bosnja e Hercegovina. Në marrëveshjen që e pata me Jakovin, për argumentimin lidhur me bisedën me shokun Milenko Renovica, thash se për këto çështje ne jemi eksponuar më shumë herë dhe qëndrimet tona janë shumë të qarta dhe të pastra, por që mos të vijmë te pozicioni që maqedonasit të jenë vazhdimisht në krye të ndonjë grupi punues dhe të bëjnë zgjidhjen e marrëdhënieve të caktuara, veçanërisht në kushte kur qëndrimet tona janë shumë të qarta e të pastra dhe për shkak se në arritjen e kësaj politike në vend, maqedonasit janë shprehur më shumë here. Njëri ndër ta është edhe shoku Llazar Kolishevski, i cili para opinionit të tërësishëm jugosllavë doli me pikëpamjet tona lidhur me kualifikimin, por edhe për orientimet e tjera të udhëheqjes së aksionit ideopolitik në Kosovë.

U dakorduam që grupin punues ta udhëheq Vidoje Zharkoviq. Ai para asaj u shpreh i rezervuar për të gjitha këto shkaqe. Mirëpo, në mungesë të tij ne vendosëm, andaj ai në mbledhjen tjetër e ngriti sërish këtë çështje. Pati një dakordim pune që grupin ta udhëheq Franc Shetinci. Ai, në marrëveshje paraprake me shokët nga Sllovenia, nuk deshi ta pranojë, dhe në mbledhje u imponua që Marko Orllandiqi ta udhëheq atë grup pune. Kryesia u pajtua me këtë dhe grupin e udhëheq Marko.

Në debatin rreth raportit që e paraqiti shoku Azem Vllasi, lidhur me kualifikimin e ndodhisë së Fushë Kosovës, morëm pjesë edhe ne. Ne jemi të vetmit që nuk e pranuam raportin e shokut Azem, në mënyrë të veçantë nuk i pranuam kualifikimet e dhëna lidhur me ngjarjet në Kosovë. Foli edhe shoku Jakov. Unë në dy raste thash se nuk e pranoj raportin dhe insistova në qëndrimet e njohura që i ka Maqedonia dhe që i realizon.

Në procesin e punës së grupit punues, por edhe në debatin e Kryesisë, janë të dukshme sjelljet kundërthënëse të më shumë shokëve që jemi në atë përbërje. Sa më është e njohur edhe në vitet e mëhershme, përkatësisht në vitin 1981, udhëheqja, si shpërndarje forcash, pati sjellje të tillë edhe në ato vite, për çka shokët nga Sllovenia dhe Kroacia, në atë mbledhje kur ne debatonim, kryetarët nuk merrnin pjesë por flisnin sekretarët ekzekutivë. Madje, edhe në vetë punën e grupit ka një sjellje e cila nuk është në kontekstin tonë siç ne, si Maqedoni, i shohim çështjet dhe si politikë të cilën duam ta ndërtojmë në kuptimin e arritjes, përkatësisht zgjidhjes së problemeve në Kosovë.

Grupi punues i formoi dhjetë nëngrupe, me qëllim të përvetësimit të njohurive nga të gjitha organet federale, përfshi edhe Sekretariatin për Punë të Jashtme, e deri te Sekretariati për Drejtësi dhe Këshilli Ekzekutiv, Oda Ekonomike etj., që të mund të përpilohet një material i cili do të paraqiste një pasqyrë të besueshme. Në atë proces të punës edhe të vetë nëngrupeve, veçanërisht në grupin, për shumë çështje kemi pikëpamje të ndryshme. Është shumë e rëndësishme për ju t’ju them se edhe në dhjetë nëngrupet pati njerëz e më gjerë, por shokët nga Kosova insistonin që në ato nëngrupe të ketë edhe nga një përfaqësues të tyre që të mund të përfaqësohet edhe Krahina, me tendencë që çështjet të parashtrohen në mënyrë të besueshme. Për sa jam i informuar, nga të gjithë njerëzit, kryesisht sjellja e të gjithë shokëve nga Kosova të paktën, ka karakter mbrojtës për të gjitha çështjet që janë lëndë të analizës, ndërsa për disa nga ato çështje ka mospajtim të drejtpërdrejtë.

Çështje me shumë interes është ajo që edhe Kryesia jonë, në elaborimin e shokut Azem Vllasi, pati pikëpamje të ndryshme lidhur me karakterin dhe përmbajtjen, përkatësisht kualifikimin e tubimit që është mbajtur në Fushë Kosovë.

Komisioni punoi për të gjitha materialet që i mori dhe për atë që vet ne mund ta perceptonim. E përpiluam këtë material, mirëpo në punën e atyre pesë gjashtë ditëve, shokët nga Kosova qenë të interesuar për secilën pikë nga këto materiale të theksohet edhe ajo se në aksionin shoqëror-politik janë arritur rezultate të caktuara. Për mua dhe për shokun Jakov, kur bëhet fjalë për kategorinë e rezultateve të caktuara, na është e qartë se edhe nëse vërtetë do të ishin, ato janë minimale, për çka nuk mund të na e arsyetojnë deri në fund aksionin shoqëror-politik të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës.

Çështja e dytë, që është lëndë e pikëpamjeve të ndryshme, është çështja e shpërnguljes së serbëve dhe malazezëve. Ata mendojnë se ka një pjesë nga serbët dhe malazezët që shpërngulen nën presion, por se pjesa më e madhe shpërngulen për shkaqe tjera shoqëror-ekonomike dhe se ai proces, siç në të vërtetë, ata pohojnë, ashtu siç realizohet në vend, ashtu realizohet edhe në Kosovë. Me këtë unë nuk pajtohem për arsye se ekzistojnë shkaqe dhe rrënjë më të thella se përse është krijuar një atmosfere e tillë dhe përse njerëzit duan të shpërngulen nga Kosova. Atmosfera e tillë dhe rrethanat e tilla, përkatësisht fatkeqësitë që i detyrojnë njerëzit e nacionalitetit malazez e serb të shpërngulen nga Kosova, e kanë gjenezën e tyre historike edhe në kushtet e veprimit të irridentës, për çka në të gjitha vendet dhe në të gjitha mënyrat sigurohen supozime të tilla që, në të vërtetë, kur do të lexohen thëniet e këtyre folësve, që besoj se i keni dëgjuar, ndërsa unë i kam lexuar edhe ato pesëqind faqe nga biseda e shokut Milenko Renovica me intelektualët. Isha i pranishëm personalisht në Kuvendin Federativ ku biseduam me afro 150 njerëz edhe para asaj në Fushë Kosovë, për çka nga thëniet e tyre në mënyrë të dukshme u prezantua se janë të pranishme metoda dhe presione nga më të ndryshmet, në të cilat njerëzit me të drejtë kërkojnë mbrojtje nga kombi amë, si dhe nga organet shtetërore dhe ato më të larta, duke e përfshirë edhe federatën, mbrojtjen e lirisë, të të drejtave, të integritetit personal dhe tërë atë që po e shohim në Kosovë.

Shokët nga Kosova mendojnë se ka edhe çështje të tilla, por se fajin më të madh për shprehje të tilla të qytetarëve, sidomos për organizimin e tubimeve, e ka nacionalizmi serb dhe ata instruktorë që nacionalistët serbë i sigurojnë dhe ata po lëvizin nëpër territorin e Kosovës, i organizojnë qendrat, përfshirë edhe “Francuska 7”. Mendimi im dhe i Jakovit është se kjo është e papranueshme si një vlerësim nga ana e kosovarëve, për arsye se edhe informatat që i kemi pranuar nga ana e organeve shtetërore dhe politike nga Krahina, Serbia dhe Federata, flasin në konotacion tjetër, për çka nuk përjashtohet se vepron edhe nacionalizmi serb, por se si faktor në rastin e dhënë konkret ai nuk mund të jetë. Ky proces ka filluar shumë më herët dhe irredentizmi vërtetë po i arrin qëllimet e veta.

Çështja e tretë e cila është shumë vështirë për t’u definuar, ndërsa unë në grupin punues e kundërshtova e do ta kundërshtojmë edhe në mbledhjen e nesërme, është kualifikimi dhe vlerësimi i volumit, metodës dhe mjeteve të veprimit dhe të punës së tanishme të irredentizmit në Kosovë. Nga kjo çështje shokët nga Kosova sikur me një shkathtësi po i shmangen dhënies së përgjigjes, ndërsa për mendimin tim aktivistët e irredentizmit nuk janë thyer, irredentizmi ekziston dhe ai është infiltruar në të gjitha institucionet publike të sistemit tonë politik. Ai po i shfrytëzon ato si instrument dhe, përmes tyre, po i realizon qëllimet ideopolitike të irredentizmit. Si mund të interpretohet mungesa pothuajse totale e pushtetit, si mund të interpretohet sjellja e tillë madje edhe të organeve të punëve të brendshme, ku janë ndryshuar 300 apo 400 njerëz, si të interpretohet sjellja e gjykatësve, pastaj sjellja e organeve të administratës, sjellja e komiteteve komunale, sjellja e tërë universitetit apo e tërë sistemit arsimor-shkollor? Edhe ky element flet se aksioni ideopolitik në Kosovë edhe më tej është duke “u pakësuar” dhe se mungon aksioni i suksesshëm kundër irredentizmit, i cili do të shkonte në linjën e eliminimit të këtyre aktiviteteve.

Problemi tjetër që u imponua nga Komisioni është, vallë, problemi i situatës në Kosovë të transferohet si një problem i keq apo i rëndë ekonomik dhe për shkak të këtyre kundërthënieve dhe problemeve të cilat krijojnë bazë sociale për veprim të irredentizmit, Jugosllavia duhet të përgjigjet me program adekuat, që të mund të bëjë zgjidhjen e atyre kundërthënieve dhe problemeve ekonomike, me atë që pasqyra ekonomike e Kosovës do të ishte në një pozitë tjetër, do të forcohej pozita klasore etj.

Unë mbroj atë që edhe propozova, ndërsa çështja ngeli kontestuese edhe më tej. Isha shumë i drejtpërdrejtë në atë se në Kosovë është i pranishëm voluntarizmi i madh politik dhe ekonomik, jo vetëm në raport me arritjen e marrëdhënieve shoqëror-ekonomike, por në radhë të parë në arritjen e konceptit për zhvillim. Kosova është e mbuluar me investime të dështuara, madje edhe zogjtë e dinë se në Kosovë ka konsum të tepruar të luksit, se ajo që nënkupton mjete nga fondi dhe përmes linjave tjera që po rrjedh një kapital i caktuar në Kosovë nuk futet në funksion të qëllimeve prodhuese dhe në realizimin e Programit për zhvillim; Kosova është një territor i mbyllur dhe nuk dëshiron të hapet në planin ekonomik, nuk dëshiron të sigurojë proces integrues as në kuadër të Serbisë, e jo më gjerë në Jugosllavi. Orientimi politik i Kosovës ndaj Jugosllavisë dhe ndaj Federatës edhe më tej është që Jugosllavia të sigurojë hipoteza të tilla ekonomike që të mund të zgjidhen problemet, ndërsa të gjitha elementet e tjera janë negative. Personalisht mendoj se është mirë të bëhet një shkëputje shumë e rëndësishme e marrëdhënieve të Kosovës, t’u jepet një vlerësim këtyre proceseve ekonomike dhe konceptit për zhvillim, përkatësisht të rivlerësohet dhe të theksohen publikisht mangësitë dhe dobësitë, madje, krahas diferencimit, që duhet të pasojë në Kosovë mbi bazën e veprimit të irredentizmit dhe separatizmit, diferencimi duhet të kryhet edhe në këtë sektor, për shkak se në Kosovë ka qenë i pranishëm për shumë vite një botëkuptim burokratik, sidomos te njerëzit përgjegjës, gjë që e dëshmuan edhe shokët nga Serbia, se i tërë distribuimi i shpërndarjes së mjeteve nga cilado formë qoftë është koncentruar në katër-pesë këste.

Problemi i radhës është diferencimi, i cili është shumë i rëndë. Edhe këtu nuk u dakorduam. U morëm vesh të bisedohet në Kryesi, për shkak se para kësaj filluam të bisedojmë për Zërzën dhe për pyetjen e parashtruar rreth sjelljes së Fadil Hoxhës, por këtë problem nuk e përfunduam dhe nuk mund të merreshim vesh. Mosmarrëveshja i përket asaj se a thua Komiteti Krahinor duhet tash ose më vonë të kryejë inspektim për ndodhitë e mëhershme, a thua këtyre shokëve që ne i emërtojmë si udhëheqës ideorë dhe organizativë t’u rishqyrtohet sjellja e tyre apo kjo t’i ngelet historisë. Konkluzioni përfundimtar ishte që kjo t’i ngelet historisë. Mirëpo, është e dukshme mosgatishmëria e Komitetit Krahinor për të kryer një revizion të sjelljes politike të drejtuesve organizativë dhe ideorë të këtij kundërrevolucioni, që për mua dhe për shokun Jakov është më se e qartë se duhet të bëhet. Kjo është nga vitet 60-ta e deri më sot. Për ne parashtrohet pyetja se si të veprohet me shokët të cilët kanë qenë nëpër funksione me përgjegjësi edhe pas vitit 1981. Shokët nga Kosova shpesh kanë sjellje mbrojtëse dhe ndaj të gjitha çështjeve, janë shumë të dhënë që çështjet dhe punët t’i relativizojnë, për ta është shumë me rëndësi që t’u thuhet se kanë rezultate në punën e tyre, të theksohet se janë në linjën jugosllave dhe thuhet shpeshherë se proceset ashtu siç janë në vende tjera, ashtu janë edhe në Kosovë, ndërsa duke e pasur parasysh specifikën kjo te ta shprehet më shumë.

Kohëve të fundit, shtypi, thuajse 90 për qind nga problemet është duke i legalizuar në opinion publik, që është mirë, mirëpo çështjet e tilla, legalizimet e tilla, është shumë më normale t’i kryejë Komiteti Krahinor, përkatësisht Komiteti Qendror i LK të Serbisë, madje edhe KQ i LKJ-së.

Gjithashtu, manipulohet edhe me tezën e disponimit antishqiptar. Shumë shokëve nuk u është e qartë se çdo të thotë kjo, por pranohet si një tezë e përgjithshme, të hidhet në opinion, ndërsa askush të mos e komentojë më gjerësisht. Tash këtë në faqet e veta është duke e bërë “Borba”. Në këtë mënyrë krijohet përshtypja se këta pjesëtarë të popujve sllavë sikur të tjerëve t’u bëjnë keq. Nuk bëhet një dallim i qartë se çfarë nënkuptohet me disponimin antishqiptar. Nëse Shqipëria zhvillon një politikë të tillë agresive ndaj Jugosllavisë, është e natyrshme të ketë disponim antishqiptar ndaj atij vendi, për shkak se ka pretendime territoriale në mënyrë të hapur e të qartë. Nëse në kombësinë e cila jeton në RSFJ ka struktura të cilat veprojnë në pozitat irredentiste dhe separatiste, ne komunistët i mësojmë se duhet t’u kundërvihen dukurive dhe politikave të tilla dhe ku qëndron pengesa nëse i kundërvihemi në mënyrën të qartë e të pastër ideore një politike të tillë. Ata shpeshherë e shfrytëzojnë me shkathtësi këtë, se një atmosferë e tillë krijohet kundër tërë kombësisë e jo kundër atyre të cilët faktikisht janë në ato pozita dhe veprojnë nga pozitat ideore që janë të huaja për ideologjinë tonë. Unë mendoj se këtu bëhet një huti e qëllimshme, me pretendime që të përputhen disa çështje, që kjo për mua nuk është e mirë. Kjo tezë duhet të demaskohet dhe të jepen dimensionet e vërteta, se jemi kundër bartësve të separatizmit dhe irredentizmit, qoftë edhe me mjete të detyrueshme.

Në grup jemi të përkushtuar për diplomacinë tonë në marrëdhëniet ndaj Shqipërisë dhe grupeve të emigracionit. Unë e shpreha një pakënaqësi në lidhje me punën e diplomacisë. Edhe sjella jonë e përgjithshme ndaj Shqipërisë nuk i përshtatet veprimit dhe shprehjes së Shqipërisë. Do të duhet të jemi më ofensivë dhe se nga ana jonë nuk duhet të koketohet ndaj aksioneve të caktuara që Shqipëria po i ndërmerr, por përmes mënyrave dhe mjeteve të njohura duhet bërë pastrimi, nëse është e nevojshme, për çdo ditë, e jo për shkak disa interesave, të cilat siç i definojnë, bëhen kompromise të caktuara, të cilat nuk mund të jenë të kuptueshme e as të qarta. Madje, edhe në doktrinën tonë mbrojtëse Shqipëria u la pas dore dhe vetëm pas intervenimit tonë kjo u ndryshua. Në kushtet e përkeqësimit të marrëdhënieve politike, që është më se evidente, opsionet e Shqipërisë përputhen me opsionet e Bullgarisë dhe të Greqisë dhe Ballkani përbën një ndër çështjet më thelbësore, siç emërtohet “fuçi baruti”. Por, në kushte të tilla, mendoj se maqedonasi është i pari të cilin do ta çonte kah pozita të jetë i kërcënuar ekzistencialisht. Nëse ne jemi politikanë, nëse punët i shohim në kontekstin e politikës sonë të jashtme, por edhe të politikës së brendshme, politikën e blloqeve, ne duhet të kemi një sjellje vigjilente ndaj atyre çështjeve dhe t’i shqyrtojmë. Edhe për këtë çështje ne e shprehëm mendimin tonë. Disa nga këto çështje ndërkohë pësuan ndryshime, por duhet theksuar edhe në këtë rast.

Për Kosovën u diskutua veçmas në mbledhjen e Kryesisë së KQ të LKJ-së dhe na qe dërguar informata e hartuar mbi bazën e debatit tonë nga 5 marsi vitin e kaluar. Rreth doktrinës, unë bisedova me Mamullën (admiral Branko Mamulla, komandant i Shtabit të Përgjithshëm të APJ-së – Q.L.) dhe kur u soll doktrina e re e Këshillit, Shqipëria është parë në katër variante. Problemi i dytë është pastruar dhe realizuar, ndërsa i pari u diskutua në Kryesinë e KQ të LKJ-së në bazë të debatit të 5 marsit dhe u sollën konkluzione përkatëse. Mirëpo, kjo edhe më tej ngeli e parealizuar. Unë nuk shoh kurrfarë aktiviteti diplomatik, së paku jo mbi bazën e telegrameve që i pranuam nga ambasadorët tanë dhe pikërisht kjo qe arsyeja që ne reaguam. Qëndron vetëm biseda e Maliles (Reis Malile, ministër i Punëve të Jashtme të RPS të Shqipërisë – Q.L.) me Raifin (Raif Dizdareviq, udhëheqës i lartë federativ nga Bosnja e Hercegovina – Q.L.), për çka unë shpreha pakënaqësi dhe ia përcolla Milenko Renovicës.

Sot ne duhet t’i shqyrtojmë këto dy materiale. Unë dhe shoku Jakov vlerësojmë se më me rëndësi është mbledhja e nesërme dhe nga ajo varet se çfarë ne do i depozitojmë Komitetit Qendror. Unë dhe shoku Jakov vlerësojmë se edhe nesër do të kemi mendime të ndara, por gjithashtu vlerësojmë se edhe në mbledhjen e KQ-së do të ketë mendime të ndara. Mendimet e para janë radikale, që, për mendimin tim, janë të arsyeshme dhe të domosdoshme në një raport të tillë të marrëdhënieve, ndërsa nga ana tjetër, mendimet e dyta shkojnë kah ajo që çështjet të relativizohen, të ngelin sikurse deri më tash. Shtrohet pyetja, po sikur ta bënim edhe ne, atëherë do të vihej në pikëpyetje si KQ i LKJ-së. Unë edhe vitin e kaluar, më 26 gusht, këtë e pohova për Komitetin Krahinor. Saktësisht, pas një viti jo të plotë Komiteti Krahinor u gjet në një situatë të pashpresë. Për këtë ua pata tërhequr vërejtjen. Mirëpo, nëse tash nuk i qasemi në mënyrë radikale, unë mendoj se do të vijë në pikëpyetje pozita dhe autoriteti i përgjithshëm i LKJ-së, nëse nuk do të gjenden forca që këto çështje të pastrohen, edhe atë në mënyrën siç është e njohur në lëvizjen tonë punëtore. Ne këtë e pohojmë që para dy tre viteve. Si mundet, kur në Kroaci, në Serbi, në Maqedoni ka pasur nacionalizëm, të pastrohen të emërtohen dhe njerëzit më me përgjegjësi të diskualifikohen politikisht, duke u nisur nga Rankoviqi, Kërste Cërvenkovski, asnjëri nga Kosova të mos jetë i lidhur, ndërsa kemi situatë kundërrevolucionare. Këto janë çështje të papranueshme.

Nga këto arsye unë dhe shoku Jakov do të gjendemi në një situatë shumë të rëndë. Unë dhe shoku Jakov për këtë temë kemi biseduar ndoshta 30 herë. Unë do ta shpreh mendimin, për çka dakordohet edhe shoku Jakov, dhe do të shkojmë në KQ, për arsye se përvoja nga këto 6 vite na tregoi se Kosova po eskalon si problem. Nëse kjo do të bëhej në vitin 1981, me siguri se situata do të ishte më ndryshe. Si Kryesi ju njoftojmë se cilat qëllime i kemi, edhe pse kemi debate të rënda, madje edhe ofendime personale. Unë jam njëri nga ata që jam ofenduar, këtë e di shoku Jakov, thuajse nga tërë udhëheqja e Kosovës. Ne nuk do të ndalemi për mendimet dhe pikëpamjet tona. Pas mbledhjes së nesërme do të ketë nevojë të takohemi sërish. Të shtunën serbët kanë biseda me shokët nga Kosova. Shoku Stamboliq duhej të na njoftonte për të parë se në cilat pikëpamje janë ndalur.

Unë kam marrë një letër, përkatësisht kjo është dërguar deri te Kryesia e KQ të LKJ-së, nga një bashkësi lokale e Beogradit të Ri në të cilën ka 1.100 komunistë dhe 1.054 luftëtarë, në të cilën kritikohet ashpër KQ të LKJ-së për të gjitha këto çështje për të cilat u bë fjalë. E dini se kërkohet kongresi i jashtëzakonshëm dhe, së dyti, ne si Maqedoni mendojmë se nuk mundemi të jemi më ndryshe nga ajo që ky KQ është duke i bërë. Kjo e ngarkon edhe shokun Jakov, mua dhe të tjerët, të sillemi kështu edhe nesër në mbledhjen e KQ të LKJ-së”.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X