loader image
December 3, 2024

Mikroshteti bektashi, lajmi që i habiti edhe mediat ndërkombëtare

Qëndrimet e mediave ndërkombëtare për idenë e krijimit të shtetit bektashi në Shqipëri janë të larmishme dhe reflektojnë një përzierje habie dhe skepticizmi. Disa prej tyre nënvizojnë sfidat ligjore dhe politike që përfshin ky projekt, ndërsa të tjerat përqendrohen në aspektet fetare dhe simbolike.

Festim RIZANAJ, Prizren

Kryeministri Edi Rama shpalli planin për krijimin e një shteti sovran bektashi, duke cituar Nënë Terezën: “Jo të gjithë mund të bëjmë gjëra të mëdha, por mund të bëjmë gjëra të vogla me dashuri të madhe”. Gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Rama theksoi se ky mikroshtet, i cili do të ngjasojë me Vatikanin, do të jetë një qendër e moderimit, tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore.

Shteti i ri do të ndërtohet në një sipërfaqe prej 27 hektarësh në Tiranë, me kufijtë, administratën dhe pasaportat e tij. Krijimi i shtetit bektashi u bë publik për herë të parë në New York Times dhe më pas u shpall zyrtarisht nga Rama në OKB.

Baba Mondi, udhëheqësi i bektashinjve, e quajti këtë nismë si një epokë të re për tolerancën fetare dhe promovimin e paqes globale.

Mediat ndërkombëtare: habi dhe skepticizëm

Qëndrimet e mediave ndërkombëtare për idenë e krijimit të shtetit bektashi në Shqipëri janë të larmishme dhe reflektojnë një përzierje habie dhe skepticizmi. Disa prej tyre nënvizojnë sfidat ligjore dhe politike që përfshin ky projekt, ndërsa të tjerat përqendrohen në aspektet fetare dhe simbolike.

Artikulli i New York Times për krijimin e shtetit bektashi në Shqipëri përqendrohet në përgatitjet e Baba Mondit, klerikut bektashi, për të udhëhequr shtetin më të vogël në botë, një enklavë sovrane e ngjashme me Vatikanin në Romë. Shteti do të ketë rregulla të lira, duke lejuar alkoolin dhe pa imponuar kufizime mbi stilin e jetesës. Kryeministri Edi Rama thekson se qëllimi është promovimi i një versioni të moderuar të Islamit, për të treguar tolerancën fetare të Shqipërisë. Shteti do të ketë kufijtë, administratën dhe pasaportat e tij, ndërsa dhe synon të jetë një qendër e paqes dhe harmonisë fetare. Sipas artikullit, ky projekt është një përpjekje për të mbrojtur dhe promovuar tolerancën fetare, por mbetet e paqartë nëse shteti do të njihet nga vendet ndërkombëtare.

Gazeta New York Times e vlerëson nismën e krijimit të shtetit bektashi në Shqipëri si një projekt unik që përfaqëson një qasje të moderuar dhe tolerante ndaj Islamit, veçmas kur kjo është e rëndësishme për imazhin global të fesë. Artikulli thekson rolin historik dhe ndikimin e urdhrit bektashi në Ballkan dhe e përshkruan këtë shtet të ri si një “Vatikani mysliman”, duke nënvizuar kontrastin me ekstremizmin islamik. Gazeta gjithashtu vlerëson përpjekjet e Baba Mondit dhe kryeministrit Rama për të krijuar një shtet sovran që promovon paqen dhe harmoninë ndërfetare, ndërsa mbetet skeptike për njohjen e mundshme ndërkombëtare të këtij entiteti.

The Washington Post përqendrohet te çështjet juridike dhe demografike, duke theksuar se nuk është e qartë se si do të arrihet sovraniteti i rendit bektashi. Kjo tregon një skepticizëm në lidhje me realizueshmërinë praktike të projektit, duke ngritur pyetje mbi kornizën ligjore të nevojshme për një shtet të tillë.

France 24 përmend historinë dhe karakterin tolerant të urdhrit bektashi, por fokusohet te aspektet kulturore dhe simbolike të iniciativës. Ky qëndrim përpiqet ta portretizojë projektin si një veprim me rëndësi historike dhe fetare, duke e lidhur me përpjekjet e mëparshme të bektashinjve për ta ruajtur identitetin e tyre.

Artikulli i radios gjermane “Domradio.de” e përshkruan në mënyrë ironike projektin e kryeministrit shqiptar Edi Rama për të krijuar një “shtet bektashi” në Tiranë, duke e cilësuar si “një pikturë abstrakte të një piktori amator”. Kjo gazetë e sheh këtë si një strategji të zgjuar komunikimi për ta përforcuar imazhin e Shqipërisë si një vend tolerant fetar, duke përmendur sfidat diplomatike dhe financiare. Projekti gjithashtu përballet me kritika nga opozita dhe përfaqësuesit fetarë, të cilët shohin një rrezik për shkeljen e kushtetutës dhe krijimin e një teokracie të re, në një vend ku dialogu fetar tashmë ekziston.

Sipas gazetës gjermane “Zeit Online”, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka shkaktuar irritim mes shqiptarëve me idenë e krijimit të një shteti sovran bektashi brenda Shqipërisë, të ngjashëm me Vatikanin. Gazeta thekson faktin se entuziazmi për këtë projekt është i ndarë. Kreu i urdhrit bektashi, Edmond Brahimaj, e mbështeti projektin si një “iniciativë të shkëlqyer” për tolerancën fetare, ndërsa Komuniteti Mysliman i Shqipërisë (KMSH) e kritikoi, duke paralajmëruar se mund ta dëmtojë harmoninë fetare dhe të krijojë precedent të rrezikshëm. Për realizimin e këtij projekti kërkohet ndryshim kushtetues, që kërkon shumicë prej dy të tretash në parlament.

Revista The Week ofron një analizë të balancuar mbi planin për krijimin e mikroshtetit bektashi në Shqipëri, duke e përshkruar origjinën e këtij rendi, i cili kombinon elemente të misticizmit dhe besimeve paraislame të Turqisë. Duke theksuar historinë e bektashinjve, revista përmend se lëvizja ka përjetuar ndjekje gjatë shekujve, veçanërisht nga elementët konservatorë brenda Islamit.

The Week vë në dukje projektin e kryeministrit Edi Rama për të krijuar këtë mikroshtet, si një përpjekje për të promovuar harmoninë fetare dhe për ta forcuar përfshirjen. Shteti i propozuar, që përfshin një sipërfaqe të vogël në Tiranë, do të ketë pavarësi të kufizuar dhe nuk do të imponojë rregulla strikte fetare për banorët e tij, duke lejuar alkoolin dhe veshjen e lirë të grave.

Revista gjithashtu tregon për skepticizmin që ka rrethuar këtë plan. Shumë analistë dhe studiues kanë shprehur dyshime në lidhje me nevojën dhe arsyetimin për krijimin e këtij mikroshteti, duke e quajtur lëvizjen të papërshtatshme dhe në kundërshtim me parimet themeluese të shtetit shqiptar. Krijimi i një entiteti të tillë mund t’i rrezikojë marrëdhëniet ndërfetare në vend dhe të sjellë pasiguri për të ardhmen e harmonisë fetare.

Revista The Economist e ka trajtuar propozimin e kryeministrit Edi Rama për krijimin e një shteti bektashi në Tiranë, duke e përshkruar si një projekt që ngjason me Vatikanin dhe që e promovon harmoninë fetare. Në artikullin e titulluar “Shpresat për harmoninë fetare vijnë në jetë në Vatikanin Mysliman”, The Economist e trajton projektin e shtetit të ri bektashi në Shqipëri me një përzierje ironie dhe vlerësimi. Charlemagne, kolumnisti i revistës, thekson përkushtimin e kryepriftit Baba Mondi për mikpritjen dhe tolerancën fetare, duke përshkruar me humor rakinë dhe mjedisin e përulur të rendit bektashi. Revista thekson se krijimi i këtij “Vatikani mysliman” është një lëvizje e papritur, e njoftuar nga kryeministri shqiptar, Edi Rama, dhe e përshkruan projektin si një shprehje e krenarisë shqiptare për tolerancën fetare. Revista shfaq skepticizëm ndaj numrit të madh të besimtarëve që bektashitë pretendojnë se i kanë dhe i përshkruan ata si më shumë filozofë sesa ndjekës të rregullt të një feje të organizuar. Megjithatë, ajo vlerëson përpjekjet e Shqipërisë për të promovuar këtë formë të moderuar të Islamit në Europë, një mesazh që Rama synon t’ia dërgojë botës. Edhe pse disa e shohin këtë nismë si një lëvizje PR nga kryeministri, The Economist e konsideron qëllimin si fisnik dhe në përputhje me natyrën tolerante të bektashinjve, duke nxjerrë në pah edhe ndikimin pozitiv të këtij veprimi në imazhin e Shqipërisë si një komb tolerant dhe i hapur.

Së fundmi, në një intervistë The Jerusalem Post lideri i bektashinjve, Baba Edmond Brahimaj, shpreh dëshirën për të krijuar një “shtet të vogël” në Tiranë, të ngjashëm me Vatikanin, për bektashinjtë. Ai e sheh veten si vëlla të popullit izraelit, duke treguar për vizitat e tij në Izrael dhe për mikpritjen e ngrohtë që ka përjetuar atje. Brahimaj shprehet se qëllimi i këtij shteti është përfaqësimi dhe mbrojtja e besimtarëve bektashi nga e gjithë bota.

Mediat greke: rrezik për Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë

Media greke ka raportuar me shqetësim dhe skepticizëm për idenë e krijimit të një “shteti bektashi” në Shqipëri, duke e lidhur këtë plan me mbështetjen e kryeministrit Edi Rama dhe presidentit turk Rexhep Erdogan. Artikujt në gazeta si “Ta Nea”, “ProtoThema” dhe “Kontra” kanë ngritur pyetje mbi qëllimin dhe ndikimin e këtij shteti të ri, që e përshkruajnë si një lloj “Vatikani islamik” në Ballkan.

Në artikuj të tillë, si ai i gazetës “Kontra”, sugjerohet se ky shtet i mundshëm është pjesë e një plani të Erdoganit dhe Ramës për të krijuar një qendër për përhapjen e ndikimit mysliman në rajon, duke përmendur se ky shtet do të ketë institucione si banka të veçanta dhe do të presë udhëheqës fetarë nga vendet arabe dhe Turqia. Sipas gazetave greke, ky projekt paraqet një rrezik për Greqinë, Serbinë dhe Bullgarinë, duke ngritur shqetësime për ndikimin e tij në politikën dhe stabilitetin rajonal. Nga ana tjetër, janë cituar reagime të komunitetit bektashi në Turqi, të cilët e kundërshtojnë idenë e krijimit të një shteti të bazuar në një besim fetar dhe e theksojnë mbështetjen për laicizmin.

Kathimerini e trajton idenë në mënyrë më neutrale, duke përshkruar elementet e strukturës administrative dhe udhëheqëse të mikroshtetit të propozuar.

Këto media theksojnë funksionet praktike që do të ketë enklava e re dhe qëndrimin e saj si një entitet autonom brenda Shqipërisë, duke e prezantuar projektin si një zhvillim potencial të rëndësishëm për promovimin e dialogut dhe tolerancës fetare.

Mediat turke: projekt i globalistëve

Media turke si Yeni Şafak shprehin shqetësime të thella në lidhje me propozimin e krijimit të shtetit të ri bektashi në Shqipëri, duke e lidhur atë me ndikime globale nga entitete si FETO, Izraeli dhe George Soros. Artikulli argumenton se ky projekt mund të jetë pjesë e një plani më të gjerë të aktorëve globalë për të testuar diçka të re në Shqipëri, duke e quajtur atë një përpjekje të “globalistëve” për të ndërhyrë në rajon.

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar planet për një shtet të ri bektashi në Tiranë, ku do të respektohen parimet e tolerancës fetare dhe nuk do të ketë kufizime për përdorimin e alkoolit ose veshjen e grave. Sipas artikullit, krijimi i këtij shteti, i cili do të drejtohet nga lideri bektashi, Edmond Brahimaj (Baba Mondi), është vlerësuar si një lëvizje që promovon dialogun ndërfetar dhe e lufton ekstremizmin e dhunshëm. Megjithatë, media turke vë në dukje lidhjet e Baba Mondit me FETO-n dhe grupe të tjera, duke përfshirë edhe kontaktet me Izraelin dhe mbështetës të Sorosit. Artikulli përmend gjithashtu mundësinë që njohja e bektashizmit si një fe e veçantë mund ta ulë përqindjen e myslimanëve në Shqipëri nën 50%. Gjithashtu, ai paralajmëron për tensione të mundshme midis grupeve fetare në Shqipëri, duke përmendur ekzistencën e fraksioneve të tjera. Krijimi i këtij shteti, sipas autorëve, është një projekt me implikime të gjera gjeopolitike që përfshin edhe Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, duke ngritur pyetje mbi qëllimet strategjike të fuqive globale në rajon.

Artikulli nga gazeta Karar e analizon propozimin për krijimin e një “Shteti të Pavarur Bektashi” në Shqipëri, duke shprehur shqetësime se ky propozim mund të ketë pasoja negative për identitetin kombëtar shqiptar dhe të nxisë ndasi mes grupeve fetare. Sipas gazetës, ky propozim nuk buron nga kërkesat e komunitetit bektashi, por është një iniciativë e kryeministrit Rama, e cila ka ngjallur shqetësime për aktorët e fshehtë që mund të jenë të involvuar. Gazeta shpreh rrezikun e ndarjes së shqiptarëve, duke theksuar se ky projekt mund t’i dëmtojë lidhjet midis shqiptarëve në rajon. Në kuadër të kësaj shprehet shqetësimi se ideja e një “Shteti Bektashi” mund të nxisë një retorikë të urrejtjes ndaj alevitëve në Turqi, duke theksuar se bektashizmi ka origjinën e tij në Turqi dhe se nuk ka nevojë për një shtet të veçantë. Po ahtu aludohet se disa elita shqiptare, të lidhura me investitorin George Soros, mund të jenë të interesuara për këtë projekt, duke argumentuar se ata dëshirojnë ta ndajnë identitetin shqiptar për ta lehtësuar integrimin europian.

Gazeta turke Sabah ofron një perspektivë skeptike dhe kritike për projektin e krijimit të shtetit bektashi në Shqipëri. Ajo thekson ndërhyrjet dhe interesat e jashtme, duke përmendur ndikimet potenciale të SHBA-së, Izraelit dhe Fondacionit të Shoqërisë së Hapur të George Soros-it. Sabah sugjeron se bektashinjtë kanë prirje proamerikane, ndërsa nënvizon se edhe Irani ka pasur përpjekje për të ndikuar mbi këtë komunitet.

Gjithashtu, gazeta lidh vizitën e fundit të presidentit izraelit Herzog në Shqipëri me projektin, duke sugjeruar se ai ka pasur takime me liderin bektashi, Baba Mondin, dhe myftiun shqiptar, duke lënë të kuptohet për një ndikim të mundshëm të Izraelit në zhvillimet rreth kësaj iniciative.

Në përgjithësi, vlerësimi i Sabah ngre dyshime mbi lidhjet ndërkombëtare të projektit, duke e paraqitur atë si një proces të ndërlikuar, të ndikuar nga aktorë të ndryshëm me interesa gjeopolitike në rajon.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X