loader image
July 27, 2024

Mbyllja e “Ballkanit të Hapur”

Kryeministrja serbe tha se ishte projekt origjinal serb, kurse Serbia e kishte dobinë më të madhe ekonomike. Kryeministri shqiptar, gjithashtu, u paraqit si ideator i nismës. Sipas disa analistëve, Rama e kishte huazuar idenë e ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili më 1990 propozoi një nismë ekonomike ballkanike, që u ndërpre për shkak të luftërave në ish Jugosllavi.

Shkruan: Salajdin SALIHU, Tetovë

“Ballkani i Hapur” u mbyll që të rrojë Procesi i Berlinit. Për kryeministrin shqiptar Edi Rama, kjo nismë e kreu misionin, kurse vendet e Ballkanit duhej t’i rikthehen Procesit të Berlinit.

“Ballkani i Hapur” ende nuk është mbyllur për Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë. Dy kryeministrat duket se besojnë se ai do të vazhdojë funksionimin.

Kjo nismë e pretendoi forcimin e bashkëpunimit ekonomik e politik ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor. Deri tani u nënshkruan disa marrëveshje për bashkëpunim ekonomik, për lëvizje më të lirë të njerëzve, për liberalizimin e shkëmbimeve tregtare dhe njohjen e licencave profesionale.

Marrëveshjet e sipërthëna parashihen nga Procesi i Berlinit, një ide e ish kancelares gjermane Angela Merkel, nga viti 2014.

Procesi i Berlinit është nismë diplomatike për zgjerimin e Bashkimit Europian me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të këtij rajoni. Nisma, që përkrahet nga shtetet e rajonit dhe BE-ja, më shumë është e fokusuar në sferën e infrastrukturës dhe zhvillimin ekonomik të shteteve ballkanike.

“Ballkani i Hapur”, që në fillim, u pa si mbivendosje ose kundërvënie ndaj Procesit të Berlinit, teksa BE-ja ishte e paqartë rreth të ardhmes së nismës.

“Ballkanit të Hapur” jo të gjithë i besuan.

Pse?

Sepse nuk pati përkrahje nga të gjitha shtetet e Ballkanit; sepse u dyshua se mund ta favorizonte Serbinë në dëm të shteteve tjera; sepse u përfshi vetëm Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, por jo edhe Kosova, Mali e Zi dhe Bosnjë e Hercegovina; sepse një nismë që s’i përfshin të gjitha shtetet e Ballkanit, s’mund të jetë funksionale dhe e suksesshme; sepse Ballkani mund të gjejë qetësi vetëm nëse pajtohen të gjitha pjesët e tij; sepse në Ballkan vazhdon të jetë e shprehur frika retrospektive dhe frika nga e ardhmja; sepse Ballkani ka liderë që s’mund të shkëputen nga e kaluara e errët; sepse nuk mund të ketë nismë për të ardhme të re me retorikë të vjetër.

“Ballkani i Hapur” nuk luajti asnjë rol as gjatë tensioneve të fundit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kurse për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, më shumë i ngjan një “Ballkani të hapur për ndikimet nga Lindja sesa një nisme për treg të përbashkët rajonal”.

Pati mendime të ndryshme edhe për ideatorin e nismës “Ballkani i Hapur”.

Kryeministrja serbe tha se ishte projekt origjinal serb, kurse Serbia e kishte dobinë më të madhe ekonomike. Kryeministri shqiptar, gjithashtu, u paraqit si ideator i nismës. Sipas disa analistëve, Rama e kishte huazuar idenë e ish-kryeministrit Fatos Nano, i cili më 1990 propozoi një nismë ekonomike ballkanike, që u ndërpre për shkak të luftërave në ish Jugosllavi.

Europës Juglindore i duhet bashkëpunimi gjithëpërfshirës, që mund të jetësohet nga BE-ja nëpërmjet Procesit të Berlinit. Por, edhe kjo nismë do të hasë në shumë pengesa.

Pse?

Sepse në rajon ka ndikim shumë të madh Rusia, e cila, nëpërmjet ingranazheve të saj, e pengon çdo nismë që rajonin e afron me BE-në; sepse shtetet e BE-së kanë qëndrime dhe interesa të ndryshme në Ballkan; sepse liderët politikë të rajonit, që qytetarëve s’u sigurojnë mirëqenie, flasin për të kaluarat e lavdishme dhe kufijtë imagjinarë; sepse s’mund të ketë rajon të hapur kur më shumë flitet për kufij të ri se heqje kufijsh; sepse për nisme të re i duhet diskurs i ri, mendësi e re, frymë e re dialogu dhe bashkëpunimi; sepse një nismë mund të jetë e suksesshme vetëm kur secili shtet sheh se ka dobi prej saj dhe jo kur ka frikë për ndonjë mbizotërim ekonomik ose politik.

Europa Juglindore, më shumë se kurrë, ka nevojë për një bashkëpunim dhe integrim rajonal e europian.

Pse?

Sepse shumë vende të saj vuajtën nga luftërat, krimet, rrënimet, shkatërrimet; sepse brezi i ri meriton të jetojë në rajon pa luftëra, pa konflikte, pa rrënoja, pa shkatërrime, pa krime, pa tensione, pa ankthe, pa dhimbje; sepse vetëm nëpërmjet frymës së bashkëpunimit mundësohet zhvillimi në planin ekonomik, që do t’i nxirrte në plan të dytë diskurset luftënxitëse në rajon.

Europa Juglindore mund të pretendojë një të ardhme më të mirë vetëm nëse çlirohet nga elitat që ende merren me beteja mitike.

Ky mbetet ideal i largët. Ballkani vlon nga zënkat dhe tensionet. Kosova ka probleme me Serbinë. Maqedonia e Veriut me Bullgarinë. Bosnjë e Hercegovina me Republika Srpska-n. Mali i Zi me Kishën Ortodokse Serbe…

Pa u zgjidhur të gjitha problemet vështirë se mund të fillojë një bashkëpunim i sinqertë dhe i dobishëm ndërballkanik. Aq më shumë kur ka elita politike, në esencë provinciale, që janë formuar e forcuar duke nxitur ksenofobi dhe ndjenjë kundër Europës. Si të tilla, ato e kanë penguar, e pengojnë e do ta pengojnë ndërveprimin dhe bashkëpunimin në kontekst më të gjerë, qoftë rajonal ose europian.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X