loader image
July 27, 2024

Marrëveshja për mosmarrëveshje!?

Propozimi “Franko-Gjerman” që ka mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe SHBA-ve, në lidhje me respektimin e integritetit territorial për zyrtarët në Prishtinë, paraqet një bazë të mirë për të vazhduar dialogun me Serbinë, për ata të Beogradit nuk është i favorshëm, sepse favori i tyre është që të kthehet gjithçka “në origjinë”.

Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork

 Kur në Kosovë po organizohej luftë antiosmane (1898), plaku i urtë i Drenicës, Xhemajl Abria, “profetizonte” që sapo të largoheshin osmanët, Kosova menjëherë do të pushtohej nga Serbia. Me gjithë mospajtimet e tij me politikën tanzimatiste, ai e ndjente se lufta që po bënin shqiptarët kundër Perandorisë Osmane, shkonte drejtpërdrejt në llogari të Serbisë: “Frikësohem – thoshte ai – se kena me pritë edhe 100 vjet deri të çlirohemi”! Dhe, vërtet, “profetizimi” i Xhemajl Abrisë që shqiptarët po luftonin në llogari të Serbisë, doli të ishte i saktë, por për t’u çliruar nuk mjaftuan as njëqind vjet! Nga ta dinte ai se do të vijë një kohë që drejtuesit e shtetit, prioritet të kenë përfitimin personal, kurse “politikanët” do të mbeten më shumë kundërshtarë të njëri-tjetrit sesa kundërshtarë të Serbisë dhe të politikës së saj hegjemoniste?! Se ato do të mund të shpërfaqin ide e propozime krejt të ndryshme e të paharmonizuara, në një garë se kush është më “patriot” se tjetri, të gjithë kundër të gjithëve, për t’u mos u marrë vesh!

Shumë nga partitë dhe pushtetarët harrojnë si mbrohet atdheu dhe verbohen pa i parë ato që përfaqësojnë, se si të pashpresë braktisin vendet e tyre duke i lënë pronat e shtëpitë pa pronarë! Një histori e gjatë kjo që edhe kur nuk të dëbojnë, e braktisë vetë! Për më shumë, ai nuk mund të “parashikonte” miqësinë e kreut shqiptar me presidentin e Serbisë dhe mesazhet e tij aq të ekuilibruara, sikur po flitet për një konflikt të largët?! A mund të ngjajë që ai të ketë zgjedhur të mos përzihet në problemet e shqiptarëve të Kosovës, që të mos i hapin probleme me Beogradin!? Kjo mbase mund të jetë vazhdim i politikës që ndoqi Enver Hoxha dhe PKSH-ja kundrejt Kosovës. Ato nuk bënë asgjë për të ndihmuar kosovarët, për të ndaluar masakrën e Tivarit që u krye në sytë e zyrtarëve të lartë komunistë [Dervishi: 2011]. Në Plenumin e jashtëzakonshëm më 18-20 dhjetor 1946, Enveri u shpjegua se: “duhet të bëjmë çështë e mundur që kosovarët të vllazërohen me jugosllavët”. Në ditarin e tij, kur nisën protestat dhe demonstratat në Prishtinë, ai sqaroi se ishte kundër shpalljes së Kosovës “Republikë”, se “nuk mund të kishte dy republika shqiptare” [Fevziu:2011, f.183].

Baticat dhe zbaticat e vazhdueshme të tensioneve në Kosovë, herë më pak e herë më shumë janë bërë çështje rutine. Ndërsa serbët, nga ana e pozitës ose opozitës, kanë të njëjtin qëndrim kundrejt çështjes së Kosovës, komponenti politik shqiptarë mbetet i përçarë edhe në këtë pikë: “të pranojmë çfarë t’na japin, apo të kërkojmë çfarë na duhet”?!

Sllobodan Georgiev për “Novi Dan”, kur flet për veprimet e ndyra të serbëve në Kosovë, për fëmijët të cilët nuk shkojnë në shkollë sepse mësuesit e tyre janë të “mobilizuar” në barrikada, thotë se bëhen vetëm sa për t’i tërhequr vëmendjen Perëndimit, për të treguar “pathyeshmërinë” e Vuçiqit dhe për ta paraqitur “paaftësinë institucionale të Kosovës” për menaxhimin e situatës. Për çdo fundjavë krijon një situatë të re për mosmarrëveshje. Pas rikthimit të barrikadave dhe njerëzve të maskuar që kërkojnë trazira, pas  njerëzve të armatosur që sulmojnë gazetarët, që plagosin një polic të Kosovës dhe hedhin bombë ndaj patrullës së EULEX-it, Vuçiqi, i cili edhe ashtu e konsideron Kosovën krijesë  “monstrum” të SHBA-ve, i kërkon KFOR-it dislokimin e disa trupave ushtarake serbe në veri. Pastaj bën sikur e ndjen veten “shumë të zhgënjyer” nga mesazhi i SHBA-ve! Një kërkesë të tillë kreu i Serbisë e pati bërë edhe në vitin 2003, me arsyetimin që trupat e NATO-s të angazhohen në luftën me Afganistan. Përgjigja e tyre edhe atëherë ishte e njëjtë.

Serbët që jetojnë në veri të Kosovës mbajnë regjistrimet (targat) e vjetra “të Beogradit” për makinat për shkak se nuk duan të njohin mëvetësinë e Kosovës [BBC News, 12 12.2022] dhe statusi në lidhje me këto targa, përfshirë edhe ndërmjetësimin e palës “neutrale” europiane për  bashkëbisedimin Kosovë-Serbi në lidhje me statusin e Kosovës, është jo vetëm e çuditshme, por shpërfaq edhe dyfytyrësinë e kësaj “paanshmërie”. Ndonëse shumica e atyre shteteve e kanë pranuar pavarësinë e Kosovës, presioni kundrejt përfaqësuesve të saj është i papranueshëm, aq më tepër për një çështje kaq banale sikurse janë targat, shpesh duke fajësuar dhe ndëshkuar Kosovën. Unë nuk besoj se është thjeshtë punë targash! Përndryshe si do të mund ta shpjegojmë çështjen e “të drejtës” për të hyrë në Serbi me letërnjoftimet e Kosovës!? Çfarë nënkupton kjo? Letërnjoftimi është një dokument identifikimi i lëshuar nga Administrata e asaj Kosove që po pretendon se “nuk e njeh” dhe në momentin që e ke njohur dokumentin e lëshuar nga kjo organizatë, përkatësisht nga institucionet e saj, i bie që ta kesh njohur edhe Administratën qe e ka lëshuar! Kjo nënkupton se çështja e targave është vetëm një “marrëveshje për mosmarrëveshje”, një tjetër “lojë politike” sa për të tërhequr vëmendjen, për përfitime politike, për të fituar kohë veçanërisht në çështjen e dialogut dhe jo për të zgjidhur problemin!

Vuçiqi, i cili në kohën e Millosheviqit publikisht pati deklaruar se do të vriste 100 boshnjakë (muslimanë) për një serb të vrarë, pohon sot se po mbron Kosovën me 6 për qind (?) serbë, athua se 92 për qind e shqiptarëve nuk janë qytetarët e saj! Çfarë do të bëjë ai me serbët e pjesëve të tjera të Kosovës të cilët nuk i përmendë fare, nëse synimi i tij nuk është shkëputja e veriut të Mitrovicës, ose “hajt në nxjerrim çfarë mund të nxirret”! Popullata e Kosovës prej 1.8 milionëshe përbëhet prej 92 për qind shqiptarë, 6 për qind serbë dhe 2 për qind boshnjakë goranë, turq dhe romë [BBC News, 12 12.2022]. Por, nëse “Kosova është e Serbisë”, çfarë do të bëjë me to, do të pretendojë se nuk ekzistojnë fare? Këtë e kanë bërë për 100 vjet dhe kjo i ka sjellë këtu ku janë. Pse nuk pranojnë asnjë marrëveshje me shqiptarët. Pse nuk diskutojnë për marrëdhëniet ekonomike që Serbia ka me Kosovën, me atë shtetin që nuk e pranojnë për shtet!?

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vitin 2010 shteti i Kosovës ka importuar produkte të kompanive serbe (Banini, Coca Cola, Rosa, Nestle, Bambi, Jaffa, Dijamant, etj.] në vlerë prej 260.471 milionë euro, kurse në vitin 2017 importi është rritur në vlerë prej 449.918 milionë euro, në një kohë që Kosova në Serbi ka eksportuar produkte në vlerë vetëm prej 48.246 milion euro. Në vitin 2021, Serbia qëndron në vendin e parë prej nga Kosova ka importuar më së shumti mallra nga vendet anëtare të CEFTA-së. Vetëm brenda një viti, importi i Kosovës është rritur 76 për qind. Shifrat e fundit flasin për një vlerë importi prej 4.6 miliardë euro dhe për një vlerë eksporti prej 755.7 milionë euro, gjë që korrespondon me një deficit tregtarë prej 3.9 miljardë euro!

Deri në vitet 2013-2014 serbët nuk ishin në institucione të cilat tani vetë i lëshuan! Është foshnjore mburrja e Viçiqi se “Serbia po e pengon pranimin e Kosovës në OKB”, sepse Serbia edhe po të dojë nuk ka asnjë pozitë që të vendos për të! Kot “mburret” ai se “Kosovën nuk e kanë njohur dhe as që nuk do ta njohin shumë shtete të botës”! 168 ishujt e shtetit të Tajvanit me një sipërfaqe prej 36.193 kilometrash katrorë dhe një popullsi prej 23.57 milion banorësh, para 89 vitesh ka shpallur pavarësinë që deri sot ia kanë njohur vetëm 13 shtete të botës, të cilat as në hartë ‘nuk figurojnë’, e le më që nuk janë anëtare të OKB-së. Për ata që nuk e kanë njohur, ajo zyrtarisht është Republikë e Kinës.

Natyrisht, Kosova nuk mund të krahasohet me Tajvanin, as për nga madhësia as për nga zhvillimi, por edhe pse nuk është anëtare e OKB-së, së paku deri tani e kanë njohur 193 shtete, 99 prej të cilave janë anëtare të OKB-së, përfshirë SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe 22 nga 27 shtetet e Europës [BBC News, 12 12.2022]. Ajo që e bllokon anëtarësimin e Kosovës në OKB nuk është Serbia, por Kina dhe Rusia [BBC News, 12 12.2022]. Po kështu qëndron situata edhe me mosnjohjen e Kosovës nga disa shtete europiane, që nuk ka të bëjë me “meritën” e Serbisë as të Vuçiqit, por me problemet dhe interesat që ata kanë në vendet e tyre: Greqia me Qipron, Spanja me Katalonjën, Rumania me minoritetin etnik hungarez – Transilvaninë, Armenia me Abkazinë dhe Osetinë etj. Përjashtim këtu mund të bëjë vetëm Vatikani, i cili përmes kardinalit Valter Kasper, pati deklaruar në vitin 2010 se nuk do ta njohë Kosovën, “për shkak të Kishës Ortodokse Serbe”.

Konstatimi i Vuçiqit se kosovarët nuk duhej të formonin shtetin për shkak të paaftësisë së tyre për qeverisje, në fakt nuk është “zbulim” i Vuçiqit, është po ai “argument” që përdorën Austro-Hungaria dhe Gjermania për të refuzuar propozimin e britanikëve në vitin 1880, për themelimin e shtetit shqiptar [Laffan:1918, f.139-140]. Paraardhësit e Vuçiqit, si Nikolla Pashiqi dhe Vlladan Gjorgjeviqi, përdorën të njëjtën frazë për të shuar “trazirat e Ballkanit”, të cilat vetë i kishin filluar [Dako:1919, f.129] dhe për t’i paraqitur shqiptarët të pazot për qeverisje [Jezernik:2004, f.87]. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë deklaroi se deklarata e pavarësisë nuk ishte në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, pa adresuar vetë pavarësinë e Kosovës.

Vajtja në bisedime nuk duhet të jetë problemi, por zgjidhja e tij, të cilën së paku deri tani, Vuçiqi nuk e ka bërë, sepse ai nuk pranon thelbin e këtij problemi, që është njohja e mëvetësisë së Kosovës. Deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, pati të drejtë kur shkroi se Vuçiqi është njeri “që mbivlerëson veten” dhe nga ky pozicion në Bruksel ai nuk shkon për t’u marrë vesh, por për të mos u marrë! Para faktorit ndërkombëtar perëndimor ai është paraqitur dyfytyrësh. Pas fillimit të konfliktit rus në Ukrainë, ai ka refuzuar të bashkohet me vendet tjera të Europës për sanksione ndaj Rusisë [BBC News, 12 12.2022], ndërsa i është bashkuar rezolutës së OKB-së që dënon pushtimin e Rusisë.

Historiani dhe ish-ambasadori serb përpiqet të barasvlerësojë rrolin e Viçiqit me zyrtarët kosovar si “njerëz të papjekur që po luajnë me zjarrin”, por zyrtarët kosovarë nuk po përpiqen të rregullojnë punët në Serbi, konkretisht me shqiptarët e Luginës së Preshevës, sikurse bën Vuçiqi në Kosovë. Ne duhet ta marrim seriozisht porosinë e diplomatit shqiptar Shaban Muratit: “U thoni shqiptarëve të Luginës së Preshevës që, nëse duan të kenë të drejtat supermaksimale si minoritet që ia mbledh qeverisë qendrore dhe institucioneve të shtetit, duhet të imitojnë çfarë bën minoriteti serb në Veri të Kosovës (sepse) diplomacia europiane lëviz dhe vepron vetëm kur plasin ujrat”. Historiani serb shprehë dyshimin se çfarë vërtetë do të bënte Serbia nëse shqiptarët në Serbi do të kërkonin një bashkësi të komunave shqiptare: “duhet të kemi një përgjigje për këtë, sepse atë që e bëjmë për veten, duhet të jemi mjaft të guximshëm t’ua japim të tjerëve”?!

Po aq e çuditshme është edhe deklarata e kryeministres së Serbisë, Ana Bërnabiq, se: “Ajo që mua më së shumti më frikëson është fakti se keni punë me llojin më të keq të populistëve, me njerëz të cilët vërtetë kanë dalë nga mali”. Një deklaratë e tillë e dalë nga një kryeministre flet vetë për nivelin e saj “civilizues”, por që ta mësojë këtë do të mjaftojë t’u hedhë një sy korrespondencave të Leo Freundlich-it (1875-1953) ose deklaratave të Gjeneralit Luba Novakoviq (1883-1943), që të kuptojë se si duken “njerëzit e malit” me pamje njeriu e me “sifate” ujqërish. Këta ujqër në luftën e fundit (1998-1999) u detyruan ta braktisin Kosovën pas vrasjeve, dëbimeve, dhunimeve dhe rrënimeve që shkaktuan [Ringdal & Smikus:2012, f.1-2]. Bëmat e tyre përgjatë luftërave në Kroaci dhe Bosnjë fituan vëmendjen e gjerë të faktorit ndërkombëtarë në Kosovë për ta zgjidhur me ndërhyrjen e NATO-s. Ajo mund të vajtojë ditët kur për herë të parë në Historinë e Kosovës u bë ndarja e pastër etnike ndërmjet shqiptarëve në mazhorancë dhe serbëve që e pretendojnë Kosovën si pjesë e perandorisë sy tyre mesjetare [Duijzings:2000, f.7-8].

Asaj i bën mirë edhe një vështrim i shkurtër i një fjalimi të Peshkopit Atanasije Jevtiq, i cili në prag të kasaphanes në ish-Jugosllavi huazoi thënien e çifutes “për muslimanët smirëzi”, se: “Ju falim për vrasjet që na keni bërë, por nuk mund t’ju falim nëse na detyroni t’ju vrasim” [Glasnik SPC, Gusht 1991]. Kjo është një histori aq e vjetër sa edhe ardhja e tyre në Ballkan në shekullin e VI-të. Është mirë ta kujtojmë konstatimin e asaj kohe të Procop-it të Cezaresë: “Siç tregon historia e vjetër, sllavët janë të gatshëm të marrin armët dhe pa pasur arsye… e bëjnë luftën pa shkak dhe pa e shpallur atë dhe nuk duan ta mbrojnë me një marrëveshje… Më në fund e fillojnë pa të drejtë dhe e mbarojnë me dhunë…” [Pirraku:2003, f.34].

Unë e kuptoj plotësisht që znj. Bërnabiq, sikurse edhe bashkëmendimtarët e saj, janë viktimë e një gënjeshtre shumëdekadëshe, të një përralle të eskaduar nacionaliste “ shqiptarit me bisht”, e cila ka për qëllim të “ngrisë” identitetin e vet në kurriz të të tjerëve. Dhe, kur këtë gënjeshtër e përsëritin vazhdimisht dhe në mënyrë të organizuar, ajo u transferohet në një “të vërtetë”, të cilën këta tani e besojnë ose bëjnë sikur e besojnë. Zotësia e tyre e mashtrimit vjen nga Akademia e Shkencave, kurse fytyrën e kësaj katrahure ua ka treguar Vasa Çubriloviq dhe më pas “babai” i tyre (kombëtar) Dobrica Qosiq (1921-2014), i cili në “Deobe” mburrej për sojin e tij serb me fjalët: “Gënjejmë për të mashtruar veten dhe për të ngushëlluar tjetrin… për bamirësi… për trimëri… për njerzillëk…  në shenjë nderimi… për hir të lirisë. Gënjeshtra është formë e patriotizmit tonë dhe dëshmi e inteligjencës sonë natyrore. Ne gënjejmë në mënyrë krijuese, fantastike, inventive”. Ai e mendonte gënjeshtrën si një top bore e cila “sa më shumë rrotullohet, aq më shumë rritet” [Rimëkëmbja, 8.06.1999].

Ndërsa propozimi “Franko-Gjerman” që ka mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe SHBA-ve, në lidhje me respektimin e integritetit territorial për zyrtarët në Prishtinë, paraqet një bazë të mirë për të vazhduar dialogun me Serbinë, për ata të Beogradit nuk është i favorshëm, sepse favori i tyre është që të kthehet gjithçka “në origjinë”. Deklaratat e herëpashershme të zyrtarëve perëndimorë shpesh na habitin, por na japin të kuptojmë se edhe kësaj radhe gjasat janë që të vendosin të tjerët për ne dhe natyrisht, të tjerëve nuk u dhemb plaga në trupin tonë. Ata kanë agjendat dhe interesat e tyre gjeografike, gjeostrategjike dhe gjeopolitike, pozitë e cila gjatë gjithë historisë shqiptarëve u kushtoj shtrenjtë. Si popujt e Lindjes ashtu edhe ata të Perëndimit, me besime, ideologji dhe politika të ndryshme, tërësinë tokësore të shqiptarëve e kanë bërë ndër udhëkryqet më të ngarkuara të planetit. Pavarësisht akuzave që mund të dërgojmë në adresë të diplomacive europiane për qëndrimin herë-herë ultrashovinist ndaj shqiptarëve, këta të fundit nuk mund të mos i pranojnë gabimet e tyre si rezultat i të cilave ende sot nuk kanë një qendër të vetën kombëtare, politike, strategjike, diplomatike, intelektuale, shkencore etj., dhe prandaj kanë stagnuar në akuza për të kaluarën e tyre tragjike.

Në kuadër të këtij diskutimi, na dalin pyetje që kërkojnë dhe nuk kanë përgjigje! Pse sot askush nuk flet për problemin e rikthimit të atyre shqiptarëve të shpërngulur në të gjitha format nga Mitrovica veriore?! Kush i detyroi ata t’i braktisin shtëpitë e tyre!?  Kush do “t’i kompensojë” vuajtjet e shqiptarëve të Kosovës që u trajtuan më së keqi prej të gjithëve? Kur do të shuhet frika e ndarjes së atyre që ende kanë mbetur andej “në pjesën serbe”? A është e  pranueshme “miopia” e faktorit politik ndërkombëtar përballë këtij spastrimi etnik të kryer në heshtje, që i bën shqiptarët të ndihen të braktisur? Si ka mundësi që Serbia i “rrëshqet” faktorit ndërkombëtar rast pas rasti “pa u parë”, duke realizuar synimet e veta në kurriz të shqiptarëve? Kush po e nëpërkëmbë entuziazmin e një populli dhe besimin e tij në të ardhmen?! Kujt i takon “merita” për zhbërjen e UÇK-së dhe krijimin e TMK-së apo FSK-së me një buxhet qesharak vjetor dhe pa asnjë strukturë të mirëfillta ushtarakë!? Kujt i ka mbetur pa e kuptuar se kjo nuk do të bëhet kurrë ushtri dhe se në rast të ndonjë krize, ajo vetëm “sehir” mund të bëjë!? Mund të shtrohen edhe njëqind pyetje të tjera, por përgjigje mund të ketë vetëm një: “Kosova mbetet e rrezikuar”! Interesat e aleatëve tanë një ditë mund të bien ndesh me interesat tona. Këtë na duhet ta sjellim më shpesh në kujtesë, se ‘nesrës’ nuk i dihet. Unë megjithatë nuk do të doja kurrë të pajtohesha me “profecinë” e Jane Perlez-it, i cili në gazetën prestigjioze “The New York Times”, të datës 12 mars 2000, pati shkruar: “Kur NATO të tregojë fytyrën e vërtetë, shqiptarët do të kthehen kundër saj”!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X