loader image
December 12, 2024

Maqedonasit dhe shqiptarët, dje, sot dhe nesër

Shumë ngjashmëri për fatin historik do të duhej të ishin krahë të njëri-tjetrit, por të dy popujt jetojnë në botën e tyre pa njëri-tjetrin, me koncepte të ndryshme për shtetin dhe ndoshta dhe qëllime tjera për të ardhmen, ku si barrë janë “idealet e parealizuara”.

Daut DAUTI, Shkup

Një nga termet që ka dominuar dhjetë vitet e para të tranzicionit ka qenë shprehja e kryetarit të parë, Kiro Gligorov: bashkëjetesa („соживот“). Termi shqip i bashkëjetesës shpesh nga folësit shqiptarë në politikë është marrë me konotacion pezhorativ, sepse atë që establishmenti politik maqedonas nënkuptonte me të ishte larg asaj që e dëshironin shqiptarët. Nëse e analizojmë fjalën origjinal, „соживот“, ajo është si një shkëputje nga formulimi ideologjik i komunizmit, vëllazërim-bashkim (братство-единство), ndoshta duke dashur pak edhe për t’ia hequr velin e imponimit të vullnetit (sepse ndonjëri nga popujt ndoshta nuk ka dashur të jetojë “bashkë dhe i vëllazëruar” me të tjerët). Diçka e re në fjalorin politik, që në esencë nuk dallon nga shprehja tjetër, për të treguar se Maqedonia po ndërtohet në parime tjera, më të shëndosha.

Me gjithë përmbajtjen e fjalës, gjërat në praktikë u shprehën ndryshe. Etnocentrizmi do të zë vendin e asaj që do të thoshte bashkëjetesë midis të barabartëve. Si në romanin “Ferma e kafshëve” të Oruelit, në një “fermë” llojesh të ndryshme, megjithatë, disa janë “më të barabartë” se tjerët… Kur ke dy bashkësi etnike me një përqindje të lartë, atëherë gjithçka determinohet nga relacionet e tyre.

Dy koncepte për shtetin që çuan në konfliktin e 2001-shit

Viti 1991, kur u bë referendumi për pavarësi dhe u soll kushtetuta e re, duhej të shënonte një kthesë pozitive në Maqedoni. Maqedonasit, më në fund, e fitonin shtetin e pavarur, për të cilin një shekull të tërë kishin luftuar, ndërkaq shqiptarët, në kushte të lirive më të mëdha, shpresuan se do të rikthenin të paktën pozitën që u ishte rrënuar me ndryshimet kushtetuese të fundit të viteve 80-të.

Në ato vite të pas ngjarjeve të Kosovës 1981, vullneti politik i Beogradit ndaj shqiptarëve më lehtë zbatohej këtu në Maqedoni, falë servilizmit të LKM-së (që kishte nisur që nga LNÇ-ja, kur emisarët serbë (Svetozar Vukmanoviq-Tempo…) i diktonin drejtimet nga duhej të ecnin. Në disa aspekte, komunistët maqedonas ishin më të shpejtë se kolegët serbë. Si rezultat i asaj dekade të fundit të regjimit komunist, pozita e shqiptarëve ishte dobësuar, duke humbur të drejtën e shkollimit (në emër të bashkëjetesës, ishin shpikur paralelet e përziera në shkolla të mesme ku mësohej vetëm maqedonisht), ishte kufizuar përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë në përdorim zyrtar dhe planifikohej madje edhe kufizimi i lindjeve, që të ndërpritet në mënyrë administrative “ekspansioni” i shqiptarëve, sepse edhe te nataliteti kërkohej qëllime politike! Rrënoheshin edhe muret dhe rrethojat tjera të oborreve të shtëpive, sepse shqiptarët “barikadohen brenda tyre, me prapavijë, që të mos komunikojnë me botën tjetër”…

Me këtë katandi Maqedonia u fut në pluralizëm, me shpresën e rrejshme të shqiptarëve se do të bëhet më mirë. Hasën në pengesën më të madhe të demokracisë që krahas lirisë, që është mekanizmi vendosës, sipas vullnetit të shumicës. Edhe diçka tjetër: nëse deri dje ishte një forcë politike që njihte diktatin, por që kishte edhe disa parime funksionimi, tash në konkurrencën e lirë politike lindnin dhe merrnin krahë edhe forca të reja të ekstremeve nacionaliste, ku ish komunistët (të transformuar) dukeshin më pak mëkatarë! Kështu, Maqedonia u gjet në një diskontiunitet të çuditshëm, kur prej zeros duhej të krijoheshin raportet brenda shtetit.

Dhe, siç e dimë, në vend se shqiptarët të ktheheshin të paktën në pozitën e kushtetutës së vitit 1974, ranë edhe më poshtë. Në një atmosferë të imponuar nga partitë ekstremiste, theksi u vu te “rreziku shqiptar” (VMRO-DPMNE, MAAK, Tome Bombaj – mendësia…), që rezultoi me fitoren e parë pikërisht në këtë bazë (VMRO-ja fitoi 48 mandate!), gjë që do t’i determinojë edhe betejat e mëtutjeshme të shtetndërtimit. Duke parë këtë tendencë, partitë e para shqiptare (Partia e Prosperitetit Demokratik dhe Partia Demokratike Popullore) do të përmbahen nga vendimet kryesore: do ta bojkotojnë referendumin për pavarësisë e Maqedonisë dhe nuk do ta votojnë kushtetutën. Kjo në sytë e maqedonasve do të duket dhe do të trajtohet si një qëndrim antishtetëror, që do të vazhdojë me vite, ndonëse ajo ishte shprehje e pakënaqësisë së tyre me tendencat e reja për një pabarazi që e imponuan partitë maqedonase.

Realiteti i ri krijoi sfida të reja për raportet brenda shtetit të ri. Maqedonasit dolën vetë në referendum, ndërkaq shqiptarët organizuan referendum tjetër, në përpjekje dëshpëruese për autonomi politike-territoriale (që dikush e pagëzoi “Ilirida”, që ka mbetur edhe sot, edhe pse nuk ka qenë emri zyrtar), sipas terkut të “autonomive speciale”, që gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë dhe luftërave në fillim të 90-tave u ofroheshin pjesëve të mbetura të popujve jashtë shteteve të tyre. Beteja për kushtetutën vazhdoi pa reshtur me kërkesat për avancime që nuk i arritën, për universitet e për përdorim të shqipes, gjëra këto që nuk ndryshonin, sepse kishin një emërtim të përbashkët: majorizimin.

Maqedonasit deshën ta realizojnë ëndrrën e kahmotshme, ndaj dhe nuk donin të kenë “hisedarë” në të dhe nga presioni i madh i shqiptarëve pajtoheshin që deri diku ta realizonin konceptin qytetar, ku shqiptarët do t’i gëzonin të gjitha të drejtat sipas konventave ndërkombëtare për pakicat. Që të mos “ulet” statusi në atë nivel (të pakicës) shqiptarët megjithatë imponuan terme të tjera, si “bashkësi nacionale” ose “nacionalitete”, në vend të “pakicës” (sepse pakica do t’i kthente në statusin e kushtetutave të para të pasluftës), por, gjithsesi, më i ulët se statusi kushtetues i maqedonasve.

Majorizimi i shprehur në filozofinë e demokracisë “ju keni të drejtë të kërkoni, të shpreheni lirshëm, por vendos shumica”, e bënin të vetën në formën më të vrazhdë: pothuajse asnjë kërkesë qenësore e shqiptarëve nuk u plotësua për plot 10  vjetët e fillimit, që pastaj Maqedonia të zihet “në befasi” nga konflikti që nisi në pranverë të vitit 2001!

Nëse historia e pas-Luftës së Dytë Botërore ishte e përshkuar me ndikimin serb, 1991-sha duhej ta shënonte shkëputjen e këtij ndikimi, për një politikë më maqedonase, por kjo nuk e identifikoi si duhet interesin ekzistencial. Ajo e anashkaloi faktin se përskaj një bashkësie të dytë me mbi 25 për qind, nuk mund t’u imponohej diçka që ata nuk e donin. Sepse, historia e Maqedonisë është edhe pjesë e ëndrrës së pandërtuar të shqiptarëve që të jetojnë në një shtet kombëtar, dhe mbetja të jetojnë në tjetër shtet, doemos do të duhej të bëhej përmes “kompensimit”, përmes barazisë së plotë. Vetëm kështu do të mund të ketë rehati në shtëpi.

Nëse mund të ketë një satisfaksion për shqiptarët tash, është fakti se shumë aktorë politikë të fillimit të ‘90-tave sot thonë se është gabuar që nuk janë përkrahur kërkesat e shqiptarëve, për të evituar greminën buzë së cilës u gjet vendi në vitin 2001.

Kur jemi te viti 2001, është edhe oferta dëshpëruese që erdhi nga nivelet e larta politike dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve për këmbim territoresh dhe popullsish midis Maqedonisë dhe Shqipërisë, si një mundësi për zgjidhje “përfundimtare” të çështjes maqedonase dhe shqiptare. Këtë ide, përveç lansuesit të saj, akademikut Gjorgji Efremov, në nivel politik e përkrahnin kryeministri i atëhershëm Georgievski dhe ndonjë politikan tjetër (përmendet Stojan Andovi, kryetar i atëhershëm i parlamentit).

Ndasitë në shumë nivele

Kur para disa muajsh në Maqedoni u lejua  (jo për herë të parë) që nga Serbia të vijnë zyrtarë për të kremtuar fitoren “Betejën e Kumanovës” e ku iu bashkëngjitën edhe ndonjë përfaqësues i jetës politike të Maqedonisë, kjo hasi në kritika të ashpra nga lideri i parë i VMRO-DPMNE-së, sepse kjo betejë e para 110 vjetësh, kur ushtria serbe e theu ushtrinë osmane, nuk e çliroi Maqedoninë dhe maqedonasit, por shënoi robëri të re. Bashkëngjitja ndaj kremtimit të fitores së okupatorit, për Lubço Georgievskin është një akt paradoksal, që nëse e ndjekim logjikën e tij, tërthorazi tregon edhe një lloj krize identitare. Lubço Georgievski është i njohur si eksponent i frymës anti-okupatoriale, pra antiserbomadhisë, por, në anën tjetër, eksponent edhe i përafrimeve me fqinjin lindor, si diçka e natyrshme, që i ka kushtuar mjaft atij si politikan që e kanë paragjykuar.

Përse po e përmend këtë segment? Sepse, politika maqedonase është në një presion të frymës që ka mbjellë “okupatori”/”çlirimtari” (serb), i cili me pushtimin e Maqedonisë e rrezikoi ëndrrën e Maqedonisë së pavarur për të cilën kanë luftuar veprimtarët e VMRO-së (së të gjitha rrymave). Në anën tjetër, është fakt i pamohueshëm ndikimi që PKJ-ja ka pasur në krijimin e Republikës së Maqedonisë (si pjesë të federatës), si rezultat i LNÇ-së, ku ndikim kanë pasur veçanërisht emisarët serbë. Ky dualizëm është relativizuar me kalimin e kohës, kur shtrirja e ndikimit ka shkuar edhe përmes arsimit, shkencës, historisë, ndërtimit të institucioneve. Pra, një maqedonas e ka vështirë të çlirohet nga ajo frymë e përafrisë me serbët, edhe si okupatorë, edhe si ndihmës në çlirimin nga okupatorët fashistë dhe krijimi i Maqedonisë. Madje, edhe si pjesëtarë të të njëjtit konfesion. Maqedonasi i sotëm nuk i ka përjetuar fazat e mëhershme. Ai e kujton atë më të renë, ndaj dhe ka vështirësi në peshimin e rëndësisë së ngjarjeve dhe fazave historike: pas Betejës së Kumanovës nuk ka më ëndërr të Maqedonisë, e nën Mbretërinë Jugosllave nuk ka as maqedonas të njohur si popull pikërisht shkaku i hegjemonisë serbe. Nëse e analizojmë këtë në projektin e famshëm të Shkupit 2014, kemi në të ripërtëritjen e një teatri që ka qenë shenjë e Shkupit të vjetër (Teatri Popullor Maqedonas – në anën e majtë të Vardarit, midis Urës “Goce Dellçev” dhe Urës së Gurit, por ai teatër, asnjëherë nuk ka qenë maqedonas që dikush të ketë nostalgji për të). E përmendnin një kohë, madje, edhe Shtëpinë e Oficerëve, që e ka shkatërruar tërmeti, por dhe ai ka qenë sinonim i okupimit…

Ky është njëri dimension i paradoksit, nëse kemi parasysh se pikërisht ai okupator, edhe kur nuk ka qenë më i tillë (me krijimin e Jugosllavisë së Titos), e ka mbjellë një farë të mbrapshtësisë kundrejt shqiptarëve. Kur e kam fjalën për frymën, i kam parasysh edhe ndikimet edhe të historiografisë serbe, sepse këndvështrimi serb ndaj shqiptarëve pak a shumë ishte përqafuar nga historiografia maqedonase. Kur në vitin 2013 u botua Enciklopedia e Akademisë Maqedonase të Shkencave dhe Arteve, publiku shqiptar e mori në thumb për një serë tezash problematike, si për origjinën e shqiptarëve, si për komentimet e disa ngjarjeve të kohës më të re. Shumë libra shkollorë janë po në këtë frymë, ku teza e preferuar është se shqiptarët janë ardhacakë që nga shekulli 18-të, pa lidhje kontinuiteti me ilirët autoktonë.

Nëse e analizojmë këtë qasje, ajo e ka edhe misionin politik, që sidomos në Maqedoninë e pavarur, duhej t’i jepte argumente shkencore politikës kundrejt kërkesave të shqiptarëve, që kërkonin të jenë shtetformues pikërisht se e konsiderojnë veten autoktonë. Në anën tjetër, edhe partitë me orientim nacionalist, për ta përforcuar “ardhacakërinë” e shqiptarëve, përmendnin edhe manipulimet me regjistrimin e popullsisë (sikur regjistrimet t’i kishin bërë shqiptarët e jo shteti!), për ta rritur përqindjen e shqiptarëve me ardhacakët nga Kosova (shpërnguljet e shqiptarëve për Turqi, nuk përmenden fare!)! Nga Kosova, në kohën më të re, është edhe teza jo pak e përhapur se edhe “edhe konflikti ishte importuar prej andej!”.

Konflikti i vitit 2001, duhet të ketë shënuar betejën e bindjes te populli maqedonas dhe establishmenti politik, medial, akademik, intelektual…, se rreziku shqiptar për Maqedoninë është më i madh se rreziku i dikurshëm serb. Kjo i determinon edhe qëndrimet politike.

Sigurisht se ka ndonjë shpjegim sociologjik përse rreziku shqiptar për maqedonasit trajtohet si më i madh se ai serb, e ndoshta dhe se ai bullgar, e grek, edhe pse serbët e kontestonin kishën, grekët shtetin, ndërsa bullgarët identitetin. Vetëm historiografia shqiptare dhe shteti shqiptar nuk kishin pretendime e kontestime, por kjo disi nuk valorizohej sa duhej. Përderisa në Greqi e Bullgari kishte probleme në organizimin e jetës së tyre maqedonasit, në Shqipëri pa kurrfarë problemesh themeloheshin organizata maqedone, deri te komuna maqedonase e Pustecit, si shprehje e lirisë së tyre, anise në një përqindje të papërfillshme në popullsinë e Shqipërisë. Edhe në kohën e komunizmit u është mundësuar ta mësojnë në shkolla gjuhën e tyre.

Mëkati më i madh i politikës dhe historiografisë maqedonase ka qenë që, duke përqafuar tezat serbe, krijuan një hendek të madh me popullin me të cilin kishin jetuar me shekuj në këtë truall dhe me këtë determinuan sjelljen e faktorëve politikë. Në veprat e historianëve maqedonas pothuajse s’mund të gjeje asgjë afirmative për shqiptarët, duke i harruar edhe ato bashkëpunime midis lëvizjes kombëtare shqiptare dhe asaj maqedonase, si në kohën e Perandorisë Osmane, si në kohën kur shqiptarët dhe maqedonasit ranë nën serbët. Në librat shkollorë pothuajse s’kishte gjë të shkruar për Kryengritjen e Shtatorit të vitit 1913, një bashkëpunim shqiptaro-maqedonas kundër armikut të përbashkët, okupatorit serb. Për personalitetet shqiptare gjenden vetëm paragjykime, ndonëse Hasan Prishtina dhe ndonjë tjetër kishte bashkëpunuar me veprimtarët e lëvizjes maqedonase.

Bashkëjetesa si “dënim”!

Ka një barcoletë që flet për urrejtjen e ohërlinjve ndaj shkupjanëve, ndonëse këta për çdo uikend lënë namin e parave nëpër lokale e restorantet e Ohrit. Kur sheh një ohërli sa shumë shkupjanë ka në Ohër, thotë me keqardhje: “Ku na u gjet ky liqen pikërisht te ne që të na vijnë këta?!” E, pikërisht si ky koment do të duhej të ishte kjo bashkëjetesë: “si na u gjetën për fqinjë pikërisht shqiptarët që duhet ta ndajmë shtetin?!” Mbase ndjesia mund të jetë edhe anasjelltas: “çka të bëjmë me këta maqedonas që s’po na lënë të bashkohemi me shtetin tonë?!”

Lubço Georgievski i përmendur, në fillim të viteve të ‘90-ta nuk pat dalë vetëm me platformën antijugosllave e sidomos antiserbe, por ai ishte bajraktari i antishqiptarizmit, sepse ai me daljen në skenë i vuri në shënjestër shqiptarët e ardhur nga Kosova. Pikërisht nacionalizmi i kësaj partie ishte promotori i hartimit të kushtetutës, të cilën më vonë Arbër Xhaferi i ndjerë do ta quajë “burimi i krizës”. Kjo mendësi kulminoi me logjikën “më mirë të ndahemi me shqiptarët” dhe ta zgjidhim “një herë e përgjithmonë” këtë problem sesa të kemi vazhdimisht telashe me ta. Modeli për zgjidhje ishte ai që erdhi nga Akademia e Shkencave dhe Arteve në kohën e konfliktit, kur, për çudi, pikërisht UÇK-ja, që luftën e kishte nisur për tjetër opsion (bashkimin e trojeve shqiptare), e kishte refuzuar atë. Lideri i UÇK-së, Ali Ahmeti, më vonë ka sqaruar se opsioni i barazisë është më i mirë sesa ndarja e një shteti. Nëse analizohet opsioni i dështuar i ndarjes me këmbim territoresh dhe popullsisë me Shqipërinë, edhe nuk është aq i favorshëm për shqiptarët, sepse Shqipëria do të duhej të merrte pak territore e shumë popullsi, kurse Maqedonia më shumë territor e më pak popullsi. Me gjithë këtë lloj këmbimi, prapë do të ishte pengesë realizimi i principit, sepse shqiptarët nuk jetojnë vetëm në Tetovë, Gostivar e Dibër, por shumë më shumë në Shkup, Kumanovë, Kërçovë e Strugë, që do të mbeteshin jashtë këmbimit…

Gjersa periudha pas Marrëveshjes Kornizë të Ohrit (2001) vuri disa gurë të tjerë në themelet e shtetësisë, ajo mbylli shumë çështje të hapura që i ngarkonin marrëdhëniet ndëretnike, i relaksoi në masë të madhe marrëdhëniet në shtet, ndërsa ende funksionojnë “ndjenjat e stisura” që thonë se s’është aq ideale. Përse? Sepse, rritjen e përqindjes së shqiptarëve në administratë, që është një barometër barazie, qarqe të caktuara maqedonase e devalvojnë me argumentin se këto janë punësime partiake (që mund të jetë e vërtetë), duke harruar se edhe pjesa tjetër e administratës është pranuar me të njëjtin kriter. Ngritja e nivelit të të drejtave të shqiptarëve (arsimi sipëror, përdorimi i gjuhës shqipe në të gjitha nivelet…) te maqedonasit has në dyshimin tjetër: “cila është kërkesa e radhës e shqiptarëve, sepse “ata nuk do të ndalen me kaq?!”.

A është ky dyshim i bazuar? Njëra përgjigje mund të jetë se kanë të drejtë, sepse shqiptarët kanë pasur një qëllim historik – krijimi i shtetit shqiptar me të gjitha trojet ku jetojnë. Te shqiptarët mund të dominojë dëshira ose edhe bindja e Arbër Xhaferit se shtetet multietnike nuk janë funksionale. Këtu diku është edhe koncepti i Lubisha Georgievskit. Kjo logjikë do të thoshte se çdo shtet multietnik doemos duhet të shkatërrohet, edhe kur ndarjet nuk mund të bëhen për shkak se territoret ku jetojnë pjesëtarë kombesh të ndryshme, nuk janë në territore të pastra etnike. (Pastaj duhet të shkilen parimet e mosndryshimit të kufijve ose prishja e dhunshme e tyre, që ka pasoja të tjera.). Në anën tjetër, do të binden maqedonasit se me gjithë të drejtat e realizuara, janë sinqerisht luajalë ndaj shtetit, si për shembull në një situatë hipotetike të agresionit nga Greqia, Bullgaria, Serbia apo Shqipëria, a do ta mbrojnë shtetin e përbashkët edhe maqedonasit edhe shqiptarët? Përgjigja në këtë pyetje mund të ketë shumë ngarkesë paragjykuese, por dhe dozë realizmi.

Sidoqoftë, shqiptarët dhe maqedonasit janë “të dënuar” të jetojnë bashkë, edhe pse do të parapëlqenin që të mos ishin. Nuk është ndjenjë që krijon kënaqësi të plotë ta kesh shtetin tënd kombëtar, e ai të mos jetë i tëri yti, siç ndihen maqedonasit, kur duhet ta pranojnë faktin se 30 për qind e popullsisë janë shqiptarë dhe me ta duhet të ndahen si resurset, si detyrimet, ashtu edhe përgjegjësitë. Por, për shqiptarët, që përbëjnë 30 për qind, është e pakonceptueshme që të heqin dorë nga “e drejta historike”, nga ideali shekullor, edhe pse politikanët e tyre si faktor themelorë të raporteve stabile e shohin realizimin e barazisë. Edhe ky angazhim i shqiptarëve has në dyshime, sepse ata kanë frikë se duke e pasur parasysh natalitetin më të lartë (edhe kjo frikë e pabazë, se nataliteti po bie te shqiptarët ose shqiptarët emigrojnë jashtë), një ditë maqedonasit do të jenë pakicë në shtetin e tyre!

Duke i analizuar të gjitha aspektet, raportet shqiptaro-maqedonase që e determinojnë ekzistencën e Maqedonisë së Veriut ose koncepti i Marrëveshjes së Ohrit, merren si një shembull i mirë kundrejt shembujve të tjerë të pasuksesshëm (Bosnja e Dejtonit…), me atë që nuk duhet te ketë tendenca që i kthejnë proceset mbrapa. Për shkak të shumë ngjashmërive, për fatin historik do të duhej që maqedonasit dhe shqiptarët të ishin në krahë të njëri-tjetrit, por të dy popujt shpesh jetojnë në botën e tyre pa njëri-tjetrin, me koncepte të ndryshme për shtetin dhe, ndoshta, edhe me qëllime tjera për të ardhmen, ku si barrë janë “idealet e parealizuara”, dallimet fetare dhe veçoritë e dallueshme si popuj që nuk flasin gjuhë të ngjashme.

 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X