Është e pamundur të shkruash për një poet palestinez pa e përshkruar së paku në pika të shkurta poezinë palestineze të ashtuquajtur poezi e rezistencës. Kjo për arsye se tragjedia e kohës të cilën po e përjeton populli arab-palestinez reflektohet në këtë poezi, madje në një mënyrë dhe masë më të madhe se sa do të mendonim ne në shikim të parë, sepse poezia tek arabët gjithnjë ka qenë e edhe sot është si art më i dashur.
Shkruan: Abdullah HAMITI, Prishtinë
Të përcillet krijimtaria letrare arabe është mjaft vështirë, sepse sot me këtë shprehje nënkuptojmë veprimtarinë letrare që krijohet në 22 vende arabe plus palestinezët pa shtet të tyre të mirëfilltë, të cilët kanë një gjuhë të njëjtë letrare që sot për sot ndoshta është i vetmi medium që i bashkon arabët e ndarë mes veti në kufij shtetëror e me regjime e sisteme të ndryshme shoqërore. Dhe, si pasojë të kësaj ndarjeje të arabëve, në këtë rajon të botës vazhdimisht kemi vatra krizash që me decenie nuk po zgjidhen, e ndër to pa dyshim se çështja palestineze është më primare. Prandaj palestinezët gjithnjë janë të pranishëm në shtypin botëror ku shkruhet për intifadën e tyre të cilët orvaten t’i kthejnë territoret e tyre të pushtuara me forcë nga Izraeli. Por, krahas luftës për liri te palestinezët ekziston edhe një veprimtari e begatshme kulturore e cila, pothuaj sot, te lexuesit e mbarë botës është më e njohur se krijimtaritë letrare të vendeve të tjera arabe, e kjo bëhet falë disa krijuesve palestinezë të cilët me veprat e tyre letrare kanë krijuar emër jo vetëm në botën arabe por edhe më gjerë. Ndër të tillët është edhe Mahmud Dervishi[i] i cili nuk lindi si ndonjë yll e as që shkëlqeu përnjëherë, por megjithatë talenti i tij prej poeti u vërejt në moshën shumë të hershme rinore kur filloi të merret me poezi dhe se poezitë e tij ishin të afërta me të gjithë brezat e lexuesve, e dalëngadalë pastaj e përsosi edhe stilin që sot të konsiderohet ndoshta edhe poeti më i mirë palestinez, e mbase edhe ndër poetët më të mirë arabë bashkëkohorë.
Megjithatë, është e pamundur të shkruash për një poet palestinez pa e përshkruar së paku në pika të shkurta poezinë palestineze të ashtuquajtur poezi e rezistencës. Kjo për arsye se tragjedia e kohës të cilën po e përjeton populli arab-palestinez reflektohet në këtë poezi, madje në një mënyrë dhe masë më të madhe se sa do të mendonim ne në shikim të parë, sepse poezia tek arabët gjithnjë ka qenë e edhe sot është si art më i dashur. Për këtë arsye termi “Poezi e rezistencës” si duket në tërësi i përshtatet natyrës së kësaj poezie dhe flet qartë për drejtimin themelor të angazhimit të saj. Për kohën kur lind kjo poezi, ka supozime të ndryshme, sipas disave ky zhanër i poezisë lind nga koha e themelimit të Izraelit si shtet 1948, por varianti tjetër më i përhapur thotë se poezia e rezistencës fillon viteve të gjashtëdhjeta të shekullit XX, përkatësisht fillon me organizimin dhe masovizimin aktiv të rezistencës së palestinezëve kundër gjenocidit izraelit. Dhe, si term ky emërtim vjen nga poeti i ndjerë palestinez Gasan Kanfani, të cilin e vrau pushteti izraelit, e i cili më 1969 e boton librin e tij të shquar “Letërsia e rezistencës në Palestinën e okupuar”. Sido që të jetë, ajo formohet në formë të tillë si vetëdije revolucionare e cila në mënyrë epike e shpreh luftën palestineze për ruajtjen e identitetit dhe drejtpërdrejt i kontribuon intensifikimit të rezistencës në territoret e okupuara, pra kjo poezi me rolin e saj të pamohueshëm të komunikimit emotiv tek arabët shumë prekshëm e përshkruan tragjikën e kohës të cilën po e përjeton me dekada të tëra populli arab – palestinez.
Një ndër karakteristikat e poezisë së rezistencës është arabizmi i potencuar fuqimisht. Kjo poezi, si e tillë, paraqet formë të posaçme të rezistencës aktive, jo vetëm kundër Izraelit, por edhe ndaj të gjitha përpjekjeve të orientuara kundër unitetit arab, në radhë të parë kundër atyre forcave që luftojnë kundër unitetit gjuhësor të arabëve që daton që nga shpallja e Kur’anit, gjuha e të cilit sot e asaj dite është si gjuhë letrare e të gjithë arabëve që konsiderohet si unitet shpirtëror i arabëve. Prandaj, kur Mahmud Dervishi klith: “Shkruaj unë jam arab”, nuk synon vetëm kërcënim por, aludon edhe në anën tjetër të pasqyrës së aksioneve vrasëse të arabizmit në Palestinën e okupuar të cilën në të vërtet e shpreh poezia e rezistencës me fjalët e saj të zgjedhura. Kjo është vijë e saktë në konfirmimin e arabizmit, e kjo njëherit është pika themelore e kësaj poezie. Pushteti izraelit pikërisht vetëdijen kombëtare, identitetin e historinë është munduar t’ua humb arabëve në trojet palestineze dhe duke e parë rolin e madh të poezisë për arabizmin gjithnjë i ka ndjekur e torturuar krijuesit intelektual, sidomos ata krijues letrar autentik në territoret e okupuara. Mbase këto i ka pasur parasysh Mahmud Dervishi kur ka deklaruar: “Të jesh poet është vështirë, por të jesh poet palestinez edhe më vështirë”. Prandaj trajtimi i temës së identitetit, ekzistencës, të qenurit të Mahmud Dervishi është shumë i pranishëm në gjithë krijimtarinë e tij. Edhe kur flet për fëmijërinë, edhe kur trajton peizazhin, punën, por edhe kur flet për luftën e për dashurinë ndihet atmosfera e të qenurit, ekzistencës dhe e identitetit kombëtar. Kjo është pra ai indi kryesor që shtrihet nëpër të gjitha poret e poezisë së tij. Dhe mbase kjo e ka bërë poezinë e Mahmud Dervishit poezi gjitharabe me vlera të larta, por që ka edhe vlera universale. Sepse trajtimi i tragjikës njerëzore, dhe qëndrimi i drejtë i poetit për njeriun i kalojnë caqet kombëtare. Poeti, flet shlirë e pa inferioritet për identitetin e tij, dhe ai vetëm do të trajtohet si njeri, e të jetojë i lirë e i barabartë.
Por poezia e rezistencës i përballon të gjitha këto dhe ajo e ushqen moralin e heroizmit dhe shpreh domosdonë e rezistencës, ajo është nxitëse e aksioneve dhe bashkon rreth një qëllimi të vetëm të palestinezëve – për pavarësi dhe liri. Kjo poezi me të gjitha elementet e veta lidhet me realitetin e tashëm dhe të ardhshëm historik të arabëve dhe me të gjitha komponentat nacionale dhe popullore. Të gjitha elementet njerëzore dhe atdhetare lindin nga rëra, gjethi i portokallit e i ullirit, nga arat e grurit, nga lindja dhe perëndimi i diellit, nga gëzimi dhe hidhërimi, nga rrëfimet dhe përrallat, kurse njerëzit janë burim i të gjitha këtyre duke i përdorur që rezistenca të bëhet qëllim i tyre të kthehet kënaqësia e këndshme e kaluar duke e harruar të tashmen, prandaj edhe Mahmud Dervishi shprehet:
Atdheu im është kasaphane
Në të isha muzikant u bëra tel kitare
Kur isha i vogël e i lumtur
Lulja ishte shtëpia ime
Përrenjtë ishin deti im
Lulja u bë plagë
Përrenjtë gjak.
Përkundër presioneve e dhunës së llojllojshme të pushtetit izraelit që ka ushtruar e ushtron kundër popullatës palestineze, e në radhë të parë kundër intelektualëve dhe krijuesve letrarë, poezia e rezistencës vazhdon të krijohet e të pasurohet, e mbase në begatimin e saj ndikon vetë dhuna izraelite. Veçantia e kushteve në të cilat krijohet kjo poezi ndikon edhe në veçantinë e saj estetike, e drejtpërdrejt ndikon edhe në rolin e saj specifik ndaj letërsisë arabe në tërësi. Andaj poezinë e rezistencës duhet konsideruar si rezistencë të dyfishtë: në një anë si rezistencë përpjekjeve izraelite për ta mohuar identitetin kulturor të palestinezëve, e në anën tjetër si rezistencë rrymave tradicionale në letërsinë arabe.
Pikërisht për shkak të largimit nga tradicionalizmi poetët palestinez ishin të kritikuar nga predikuesit e tradicionalizmit, por në anën tjetër të përkrahur e të pëlqyer nga masat e gjera të lexuesve e nga modernistët të cilët duan që krahas stilit me fjalë të zgjedhura dhe rimës së rreptë poezia të ketë edhe përmbajtje të përcaktuar në temë, pra ku i kushtohet kujdes vlerave përmbajtësore.
Duhet thënë se poetët palestinez nuk janë të parët në letërsinë arabe të cilët kështu i trajtojnë marrëdhëniet e përmbajtjes dhe formës në poezi, por ata bashkë me disa poetë të tjerë arabë, me produksion të pasur poetik ua kanë ngarkuar letërsisë arabe këtë problem si problem të pakalueshëm teorik. Pikërisht duke iu falënderuar poetëve të tillë, teorikët dhe kritikët arabë të letërsisë sistematikisht e peshojnë problemin e sinqeritetit si kategori të rëndësishme poetike.
Poezia e rezistencës është poezi e angazhuar por jo poezi e politizuar. Kjo poezi paraqet një përvojë të përbashkët. Është interesante, ndoshta edhe e befasueshme, që kjo poezi nuk është e stërngarkuar me shprehje parullash të realitetit të revolucionit, dhe se si nocion i përgjithshëm revolucioni në te shumë pak është i pranishëm. Një gjë e tillë më tepër është e pranishme te poetët që krijojnë nëpër metropolet arabe, por larg territoreve arabe të okupuara. Përkundrazi, pra, poezia e rezistencës është shprehje e hollësishme e shkatërrimit të një populli. Realiteti palestinez në te pothuaj shprehet intimisht nëpërmjet të përjetimeve të thella individuale – autentike. Tekefundit shumica e poetëve që krijojnë poezi të këtillë i ndjejnë dhe përjetojnë këto përjetime të popullit. Andaj sinqeriteti në mënyrë të denjë është i përfaqësuar në poezinë e rezistencës por, të theksojmë se jo në kuptim të realitetit biografik, sepse të shprehurit e realitetit individual në të vërtet është në funksion të shprehjes së realitetit kolektiv ose të përvojës për të. Posa të lexohen poezitë e tilla të këtyre poetëve mund të përfundohet se ajo poezi është epope madhështore kuptimet dhe porositë e së cilës janë të orientuara në një drejtim të përgjithshëm.
Pra, kjo poezi e ka luajtur dhe ende e luan rolin kryesor në rezistencë dhe e ka ruajtur frymën e patriotizmit dhe frymëzon për ndjenja më të thella njerëzore. Kjo është pra poezi popullore, sepse bart problemin e popullit dhe i shpreh vuajtjet, mundimet dhe dëshirat e tyre. Poetët palestinez janë me popullin dhe poezia e tyre është këngë e jetës dhe e shpresës dhe në një situatë të tillë në të cilën gjenden palestinezët, poeti palestinez duhet të krijojë në kontekst të kërkesave të revolucionit.
Poezia palestineze përshkohet nga spektri emocional ku me shprehje poetike përshkruhen vuajtjet individuale, kujtimet e hidhura, por kjo nuk do të thotë se kjo është poezi e dëshpërimit, e pikëllimit, por kujtimi i represalieve i përshkruar nëpërmjet të dramave personale, narracionit poetik për shlyerjen e gjurmëve të familjeve, vendbanimeve etj. për lexuesin janë faktorë për njohjen e realitetit të përbashkët. Vuajtja për shembull në poezinë palestineze është emocion i përbashkët e cila në komunikim me lexuesin shndërrohet në revoltë. Ose vendet e masakrimeve të ndryshme poeti artistikisht nuk i len të harrohen dhe i përdor si motive të rezistencës, etj. Me fjalë të tjera vuajtjet e masakrimet të shprehura në poezinë e rezistencës gjithnjë janë nxitje për luftë të përgjithshme për një ardhmëri më të mirë, të lumtur, të shndritshme ku plagët e përgjakshme do të zëvendësoheshin me lule, e dhuna me liri, dashuri, dinjitet njerëzor etj. Pra për shkak se e përshkruajnë vetë jetën reale të popullit të gjithë poetët palestinezë që shkruajnë poezi të rezistencës janë poetë lirikë. Ndonjë prej tyre ka filluar ndoshta si romantik, por shpejt është ndeshur me të vërtetën e hidhur të të jetuarit, e siç dihet jeta e palestinezëve nën shtetin izraelit është e mjerueshme, përplot rreziqe, jetohet prej mëngjesit deri në mbrëmje, kurse kush e din se ç’bëhet nesër. Në këto poezi pra gjen shprehje thirrja për gjithë popullin palestinez, kudo që të jetë, në Palestinë e gjetiu, që të këmbëngulin në idealin e vetëm të tyre, pra atë të lirisë kombëtare
Megjithatë, siç e thamë edhe më parë, përkundër të gjitha këtyre përjetimeve, këta poetë në asnjë moment nuk i lëshon besimi për njeriun dhe për të nesërmen e tyre. Prandaj sado të ketë diç pesimiste, diç individuale në vjershat e tyre, në to gjithmonë është e pranishme shpresa për të mirë dhe shoqërorja. Dhe kjo i bënë poetët palestinezë, poet dhe njerëz, luftëtar e mendimtar. Pra poeti kurrë nuk e ka humbur besimin dhe vazhdimisht ka mbjellë optimizëm duke këmbëngulur në rezistencë. Pra poezia e tij është plot besim, bindje, ambicie për një shoqëri të re njerëzore të lirë e përparimtare. Andaj M. Dervishi shkruan:
Vij nga vdekjet duke kënduar këngë
vij për të jetuar.
Thika e xhelatit më ka mësuar mua
Të eci mbi plagën time.
Të eci, dhe të eci pa u lodhur.
Më ka mësuar të rezistoj.
Të rezistoj.
Opusi i gjerë poetik i Mahmud Dervishit në mënyrë më të denjë e prezanton poezinë palestineze të rezistencës si të tillë çfarë e prezantuam dhe njëherit ai është njëri ndër themeluesit e saj. Pa dyshim Mahmud Dervishi në mos qoftë poeti më i njohur i poezisë arabe-palestineze, gjithsesi është ndër më të njohurit, i popullarizuar në tërë botën arabe dhe i përkthyer në afro katërdhjetë gjuhë botërore ku njëherit poezia e tij jep kontributin e saj edhe në afirmimin e revolucionit palestinez duke e përshkruar mjaft bukur rezistencën palestineze kundër pushtuesit izraelit. E tërë ajo që u tha për “sinqeritetin” e poezisë palestineze në tërësi, për aspektet e saj poetike, për angazhimin e saj në radhë të parë ka të bëj me poezinë e Mahmud Dervishit, këtij poeti që siç dihet palestinezët e quanin “poet me valixhe në dorë”, poezia e të cilit merr pjesë në përcaktimin e kaheve të krijimtarisë poetike arabe. Madje mund të thuhet se ky poet nuk është kurrfarë teoricieni, por krijues poezia e të cilit ndikon dukshëm në traditën letrare arabe.
Mahmud Dervishi është adhurues i stilit të lirë i cili qysh kur filloi të shkruaj poezi startoi me stil të lirë që njëherit do të thotë edhe ndërprerje e tradicionalizmit poetik. Dhe pikërisht kjo e bënë të rëndësishëm Mahmud Dervishin, pra këtë duhet shikuar në kontekst të traditës letrare arabe. Siç kanë patur rast të lexojnë edhe lexuesit tanë, në traditën poetike arabe e cila ishte mjaft e afirmuar e që zgjati pothuaj deri në kohën kur Mahmud Dervishi filloi të shkruaj poezi, dominonte poezia të cilën e përbënin kasidet (vjershat) monorimike dhe tematikisht të larmishme. Rregull i vetëm poetik ishte që kasidja të shkruhej në metrin e vet karakteristik në monorimë me fjalë të zgjedhura e të përshtatura dhe në aspektin tematik të jetë krejtësisht e lirë, kështu që në kaside poetit i lejohej të bredhë nëpër shumë tema të paharmonizuara në mes veti. Përkundër kësaj poezie, Mahmud Dervishi fillon të shkruajë vjersha tematikisht të përcaktuara në një temë dhe të parimuar, pra shkruante vargje të lira të pakushtëzuara të përfundojnë në të njëjtën rimë. Prandaj ai ishte ithtar i lirisë sa i përket formës dhe traditës së vjetër poetike.
Natyrisht se do të ishte gabim po të mendohej se Mahmud Dervishi ishte i pari i cili në letërsinë arabe poezinë e shkruan në stil të lirë. Ç’është e vërteta ky nuk ishte as i pari as i vetmi, sepse stili i lirë kishte filluar të kultivohej edhe para tij por, gjithsesi ishte ndër më të guximshmit që në atë kohë shkruajnë, me fjalë të tjera promovojnë stilin e lirë në poezinë arabe që njëherit në atë kohë edhe bëhet kalimi zyrtar nga tradita e vjetër poetike, nga klisheu i kasides në poezinë e lirë. Siç e përmendëm, poezia tradicionale preferonte shumë estetikën, pra preferonte që poeti të kujdesej kryekëput për atë se si po e thotë, si t’i zgjedh fjalët e përshtatshme për rimë, e jo për atë se çka thuhet, pra jo për përmbajtjen. Kurse poetët si Mahmud Dervishi në aspektin e formës duan lirinë dhe mendojnë se letërsia duhet të merr pjesë në formimin e realitetit dhe kujdesen për funksionin shoqëror të letërsisë si art.
Poezia e Mahmud Dervishit është gjithnjë në funksion të atdhedashurisë dhe lirisë, prandaj edhe në këto poezi të ndjeshme ka përplot figura nëpërmjet të të cilave përçohen mjaft mesazhe me porosi të qartë të mbajtjes gjallë të frymës së atdhedashurisë si dhe të rezistencës për liri e pavarësi kombëtare. Sjellja nëpërmjet të këtyre poezive e ngjarjeve të dhimbshme rifreskon kujtesën e palestinezëve dhe mban gjallë ndjenjën dhe dashurinë e tyre për atdheun e tyre të lirë. Kështu M. Dervishi në poezinë e tij me titull “E pamundura” shkruan:
Po vdes duke dëshiruar
Po vdes duke u djegur
I varur po vdes
I therur po vdes
Por nuk them:
Kaloi dhe u zhduk dashuria jonë
Dashuria jonë nuk vdes.
Andaj marrë në tërësi mund të themi se në poezinë e Mahmud Dervishit përfshihen të gjitha temat, natyrisht në radhë të parë lufta palestineze për pavarësi, rezistenca e këtij populli të pafat. E këto nënkuptojnë para së gjithash, rezistencën ndaj dhunës, përpjekjes së shlyerjes së identitetit kombëtar e kulturor nga një anë, dhe në anën tjetër ruajtja e identitetit kombëtar, e autoktonisë shpirtërore, gjakimi i humanitetit në botën njerëzore.
*Është lindur në vitin 1941 në fshatin al-Barva, afër qytetit palestinez Xhelila. Nga vendlindja u largua më 1948 kur izraelitët e rrënojnë atë fshat dhe kështu e shlyejnë nga sipërfaqja e tokës. Bashkë me prindërit e merr arratinë dhe vendosen në një kamp refugjatësh në Liban, por më vonë sërish kthehet në Palestinën e okupuar. Një kohë të gjatë merr pjesë dhe bashkëpunon me grupin letrar “El-Erd” (Toka), të cilit më vonë organet izraelite ia ndalojnë aktivitetin. Për shkak të aktivitetit të tij revolucionar e letrar, pushtuesit izraelit disa herë e burgosin, kurse më në fund e detyrojnë ta braktisë Palestinën. Kështu, që nga viti 1971 jetoi nëpër vende të ndryshme arabe, pastaj në Bejrut, i inkuadruar drejtpërsëdrejti në revolucionin palestinez. Ishte pjesëmarrës i dramës së përgjakshme të Bejrutit në verën e vitit 1982, kur izraelitët bënë invazion në Liban dhe pastaj bashkë me udhëheqësinë e OÇP-së u detyruan të largohen nga Bejruti, për të vazhduar të jetojë nëpër vende të ndryshme arabe. Mbase për shkak se që nga mosha shtatëvjeçare jetoi si refugjat, duke u endur nga një vend në vendin tjetër, por pa shtëpi të veten, gazeta palestineze “Falestin al-Thevra” e pati quajtur “Poet me valixhe”. Një kohë ka jetuar edhe në Paris, ndërsa viteve të fundit ka jetuar dhe ka vepruar në Bregun Perëndimor, në Ramallah, ndërsa pas një operacioni në zemër vdiq, në Amerikë më 2008 dhe u varros në Ramallah me nderimet më të larta shtetërore. Ishte fitues i disa çmimeve ndërkombëtare për poezi, ndërkaq në vitin 2006 ishte në listën e kandidatëve për çmimin Nobel për letërsi.