loader image
December 11, 2024

Lufta e pistë e Izraelit në Gaza

Sulmet e Izraelit mbi Gazën e shkelin haptas ligjin ndërkombëtar dhe përgjegjësia për këto veprime është e pashmangshme, pavarësisht arritjeve ushtarake izraelite.

Murat JESHILTASH*

Që nga 7 tetori, sulmet e Izraelit mbi Gazën kanë sjellë rrjedhoja të rëndësishme sa ka të bëjë me dinamikat ushtarake, politike dhe gjeopolitike, krahas shkeljeve flagrante të ligjit ndërkombëtar. Derisa Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore i kanë shtënë veprimet izraelite brenda kontekstit të së drejtës për vetëmbrojtje, situata aktuale e tejkalon këtë justifikim, duke e bërë të mundur kategorizimin e Izraelit si një shtet që kryen krime lufte në Gaza. Teksa ekspertë të ligjit ndërkombëtar vazhdojnë ta diskutojnë këtë çështje, raporti i publikuar nga Yücel Acer-i e mbështet pa mëdyshje këtë interpretim. Sipas raportit, Izraeli jo vetëm vepron në shkelje të ligjit ndërkombëtar, por dhe kryen krime të rënda lufte e gjenocid ndaj banorëve të Gazës.

Shkelja e së drejtës së vetëmbrojtjes

Një vëzhgim kritik në këtë pikë është se e drejta e supozuar e Izraelit për vetëmbrojtje çalon që në bazë. Si shtet që ka pushtuar territore palestineze, Izraeli nuk ka të drejtën e vetëmbrojtjes kundër sulmeve ushtarake të grupeve palestineze në rajonet e pushtuara. Në vend të kësaj, detyrimi ligjor i Izraelit duhet të përqendrohet në tërheqjen nga territoret e pushtuara dhe kthimin në kufijtë legjitimë. Kështu, Izraeli mund të mbështetet në mënyrë të ligjshme te e drejta për vetëmbrojtje vetëm kur sulmohet brenda kufijve të tij të njohur, për ta mbrojtur territorin e vet.

Acer-i argumenton se e drejta për vetëmbrojtje është e zbatueshme në përgjigje të përdorimit të paligjshëm të forcës. Palestina, si palë e pushtuar, e ka të drejtën për të kryer vetëmbrojtje në çdo kohë. Ky qëndrim u artikulua qartë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në opinionin e saj këshillimor mbi ndërtimin e një muri izraelit në territoret palestineze.

Duke e lënë mënjanë statusin e Izraelit si palë pushtuese, edhe po të pretendohej se Izraeli e ka ushtruar të drejtën për vetëmbrojtje, përdorimi i shpërpjesëtuar i forcës prej tij dhe vënia në shenjë e vendeve dhe njerëzve i bëri kundërsulmet izraelite t’i kapërcejnë caqet e ligjshme të së drejtës për vetëmbrojtje, shndërruar në një sulm pa dallim, të zhveshur nga justifikimi ligjor.

Shqyrtimi i pasojave të sulmeve izraelite e bën të qartë se çështja shkon përtej pretendimit thjesht për vetëmbrojtje. Bombardimi në shkallë të gjerë i vendbanimeve, veçanërisht në veri të Rripit të Gazës, ka marrë shumë jetë civilësh dhe ka plagosur shumë të tjerë, si dhe ka sjellë shkatërrimin e infrastrukturës jetike civile. Në të njëjtën kohë, ushtria izraelite nisi një mbyllje të plotë në Bregun Perëndimor. Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant, njoftoi vënien e një bllokade “totale” mbi Rripin e Gazës, me prerje të energjisë elektrike dhe ndalim të hyrjeve të furnizimeve qenësore, shoqëruar me një deklaratë alarmuese: “Ne po luftojmë kafshë njerëzore dhe po veprojmë në përputhje me këtë”. Që këtej, sulmet e Izraelit nuk mund të shihen brenda sferës së vetëmbrojtjes.

Sipas Acer-it, e drejta për vetëmbrojtje nuk shërben si një justifikim i gjithmbarshëm për aktivitete ushtarake të çdo lloji apo shkalle. Siç përcaktohet në nenin 51 të Kartës së Kombeve të Bashkuara, e drejta për vetëmbrojtje i referohet të drejtës së shteteve për t’u mbrojtur ndaj një sulmi të armatosur në kryerje e sipër, qoftë individualisht, në bashkëpunim me shtete të tjera ose me ndihmë nga shtete të tjera mbështetëse. Veprimet përtej përpjesëtueshmërisë së forcës fillestare në përligjje të vetëmbrojtjes dhe që synojnë masa ndëshkuese ose hakmarrje i kapërcejnë kufijtë ligjorë të vetëmbrojtjes.

Në këtë kontekst, Izraeli mund t’i vazhdojë kundërveprimet ushtarake deri në ndalimin e sulmit dhe në çlirimin e territoreve të pushtuara nëse kjo është e zbatueshme. Forca e përdorur duhet të mbetet e përpjesëtueshme, e kufizuar në ndalimin e sulmit dhe në sigurimin e çlirimit të pjesëve legjitime të vendit të tij.

Shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar

 Acer-i thotë se sulmet e vazhdueshme të Izraelit mbi Gazën shfaqin veçori që vënë në pah shkelje të ligjit ndërkombëtar humanitar. Këto masa dhe sulme ushtarake nuk kanë objektiv vetëm Rripin e Gazës, por shtrihen dhe në pjesë të tjera të territorit palestinez, në Jerusalem dhe në Bregun Perëndimor të pushtuar. Aspekti më alarmues është vënia në shenjë e qëllimshme dhe dëmtimi i civilëve. Bombardimet ajrore nga avionët luftarakë, nga artileria ose zjarri i raketave të forcave tokësore e sulme të ngjashme izraelite, synojnë drejtpërdrejt vendndodhjet e njohura civile, që çojnë në viktima ose plagosje civilësh. Ndodhin thuajse çdo ditë bombardime të rrugëve të evakuimit, vendstrehimeve civile, kampeve të refugjatëve, qytezave ose fshatrave, pra këto sulme janë dëmtuese me dashje të civilëve.

Vënia në shënjestër e civilëve prej Izraelit ka përfshirë vetëm Gazës dhe Bregun Perëndimor. Kjo sjellje lë të kuptohet se Izraeli i ka kaluar caqet e vetëmbrojtjes. Këto veprime përmbledhin goditjen dhe vrasjen e civilëve gjatë protestave, plagosjen dhe arrestimin e tyre, mbylljen e syve për vrasjet e palestinezëve nga kolonët hebrenj, madje edhe kryerjen e sulmeve ajrore mbi Xhenin, qytetin në Bregun Perëndimor. Izraeli deri më 15 nëntor ua ka marrë jetën mbi 200 individëve në Bregun Perëndimor.

Acer-i vë në dukje aksionin spikatës izraelit kundër palestinezëve në Gaza, pra largimin e detyruar të palestinezëve nga shtëpitë e tyre. Izraeli urdhëroi më 12 tetor që të gjithë banorët në veri të Gazës të zhvendosen brenda 24 orëve në jug. Zyrtarë të Kombeve të Bashkuara e quajtën këtë urdhër të pamundur dhe jonjerëzor, duke parashikuar pasoja të rënda. “Amnesty International” paralajmëroi po ashtu për një katastrofë humanitare, duke e nxitur Izraelin ta tërheqë urdhrin e evakuimit një ditë më pas.

Shënjestrimi i qëllimshëm i civilëve, i individëve të mbrojtur nga pasojat e luftës, ndodh jo vetëm me sulme të drejtpërdrejta, por dhe nëpërmjet sulmeve mbi infrastrukturën civile, duke i bërë të paarritshme nevojat bazë. Në veprimet e Izraelit përfshihet njoftimi më 12 tetor se Gazës do t’i ndërpriten uji, energjia elektrike dhe lënda djegëse deri në lirimin e pengjeve. Janë bombarduar dhe vijojnë të bombardohen centralet elektrike, panelet diellore, tubacionet e ujit dhe të lëndëve djegëse, thelbësore për civilët.

Acer-i nënvizon një tjetër aspekt kritik të sulmeve izraelite në terma humanitarë: sulmet mbi spitalet dhe institucionet e kujdesit shëndetësor. Ambulancat e Gjysmëhënës së Kuqe u goditën me dashje më 14 tetor, spitali arab “El-Ehli”, strehues i mijëra palestinezëve, u bombardua më 17 tetor, avionët luftarakë izraelitë i bënë objektiv të tyre më 27 tetor spitalin “Esh-Shifa” dhe rrethinën e Spitalit Indonezian në Gaza, më 30 tetor u bombardua Spitali i Miqësisë Turko-Palestineze dhe më 3 nëntor u sulmua një autokolonë ambulancash me spitalin “Esh-Shifa” të bombarduar sërish. Shënjestër janë bërë shkolla, vende adhurimi, agjenci të OKB-së, si Agjencia e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Punë për Refugjatët Palestinezë në Lindjen e Afërt (UNRWA) dhe autokolona me ndihma. Tërheq vëmendjen se shumë punonjës të shtypit e kanë humbur jetën në sulmet izraelite, një numër prej 48 gazetarësh.

Spastrim etnik

Argumenti kryesor i Acer-it thekson se veprimet e Izraelit në Gaza janë në të njëjtin rend me përkufizimin e “spastrimit etnik”. Spastrimi etnik ka në thelb zhvendosjen e paramenduar ose vrasjen në masë të popullsive civile, për të krijuar një territor homogjen nga pikëpamja etnike. Francesca Albanese, raportuesja e posaçme e OKB-së për gjendjen e të drejtave të njeriut në territoret palestineze të pushtuara që nga viti 1967, tha shkoqur se: “Izraeli ka kryer tashmë spastrim etnik masiv kundër palestinezëve nën petkun e luftës”. Ajo theksoi më tutje se: “Izraeli po përpiqet përsëri ta përligjë spastrimin etnik nën pretekstin e vetëmbrojtjes”.

Pohimet nga Acer-i dhe nga raportuesja e posaçme e OKB-së ngrenë një shqetësim të thellë për veprimet e Izraelit në Gaza, duke nënkuptuar se operacionet e kryera atje shfaqin karakteristika të ngjashme me spastrimin etnik. Ky përcaktim mbart përpjekjet e menduara, të qëllimshme, për ta ndryshuar demografinë e një zone me zhvendosjen forcërisht të civilëve, një shkelje e rëndë e të drejtave njerëzore dhe e ligjit ndërkombëtar.

Në përfundim, sulmet e Izraelit në Gaza i kanë kapërcyer qartazi kufijtë e një operacioni legjitim ushtarak, me administratën e Tel-Avivit, që i shpërfill hapur të gjitha normat e ligjit ndërkombëtar. Ndjekja ligjore e përgjegjësve për këto veprime është e pashmangshme, edhe në rast të suksesit ushtarak të Izraelit. (Daily Sabah)

* Murat Yeşiltaş është profesor i politikës ndërkombëtare në Departamentin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Shkencave Shoqërore të Ankarasë. I specializuar në studimin e sigurisë ndërkombëtare, terrorizmit, gjeopolitikës dhe politikës së jashtme turke, Yeşiltaş shërben njëkohësisht si drejtor i kërkimit të politikës së jashtme te SETA.

Përktheu:

Bujar M. Hoxha

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X