loader image
October 6, 2024

Jam fëmija i një të mbijetuari të Holokaustit dhe e di se trauma e shkaktuar Gazës do të zgjasë për breza

Jetuam në çadra pa ujë të rrjedhshëm dhe lëvizëm çdo gjashtë muaj. Si i rritur, u diagnostikova me një formë neurologjike të lupusit, një sëmundje autoimune paaftësuese e lidhur me traumë të hershme. Është zbuluar se femrat me PTSD (çrregullim të stresit posttraumatik) ka të ngjarë ta zhvillojnë këtë sëmundje thuajse tre herë më tepër se ato pa traumë serioze.

Elliot Kukla*

Im atë lindi afër 82 vjet më parë në Belgjikën e pushtuar prej nazistëve. Babai i tij, Max-i, u kap dhe u vra nga nazistët kur ai ishte vetëm trejavësh. Babai im mbijetoi, sepse u fsheh nga një varg shtëpish kujdestare të krishtera. Unë linda në kohë dhe vend të paqtë, në Viktoria, Kanada, më 1974, por jetës sime i dhanë trajtë ato ngjarje të ndodhura disa dekada para se të lindja.

Ndërsa e shkruaj këtë, më tepër se 11.000 palestinezë janë vrarë në Gaza, mes tyre 4.000 fëmijë. Sipas “Save the Children”, në Gaza janë vrarë më shumë fëmijë gjatë javëve të fundit seç janë vrarë për çdo vit gjatë tre moteve të fundit në konfliktet globale. E di vetë se mizori si kjo krijojnë një të çarë në histori, që do të marrë më tepër se një gjeneratë për t’u mbyllur.

Babai e drejtoi megjithatë familjen tonë sikur po i iknim Gestapos. Jetuam në çadra pa ujë të rrjedhshëm dhe lëvizëm çdo gjashtë muaj. Si i rritur, u diagnostikova me një formë neurologjike të lupusit, një sëmundje autoimune paaftësuese e lidhur me traumë të hershme. Është zbuluar se femrat me PTSD (çrregullim të stresit posttraumatik) ka të ngjarë ta zhvillojnë këtë sëmundje thuajse tre herë më tepër se ato pa traumë serioze. Unë isha i prekshëm pjesërisht për shkak të fëmijërisë sime kaotike.

Ka gjithashtu tregues epigjenetikë se traumat e mëdha, si Holokausti, i prekin gjenet e fëmijëve dhe nipërve e mbesave të të mbijetuarve në një nivel qelizor, duke na lënë të predispozuar për sëmundje kronike. Dhuna politike është një çështje e drejtësisë së invaliditetit, sepse çon menjëherë në paaftësi fizike dhe psikologjike dhe do t’i vazhdojë t’i mbjellë ato për brezat që vijnë.

Të sëmurët dhe invalidët, përfshirë fëmijë, janë në vijën e parë të sulmeve në Gaza. Hussam Abu Safyiaa, një pediatër në Gaza, shkruan: “Dritat kanë për të ikur një herë e mirë pa një rifurnizim të shpejtë me lëndë djegëse dhe spitali ynë mund të kthehet në morg.”

Im atë nuk kishte po ashtu kujdes mjekësor si një fëmijë dhe ajo trashëgimi la gjurmë tek ai për gjithë jetën fizikisht dhe psikologjikisht. Ai u sëmur me kollë të mirë kur fshihej. Zhurma e kollës e vuri në rrezik jetën e tij dhe të familjes që e strehoi dhe e mbrojti nga nazistët. Për të ruajtur çdokënd, ai u mor në një jetimore katolike në fshatrat e Belgjikës.

Murgeshat u kujdesën atje për të pa mjekim. Kur e mori veten, një murgeshë e re e ktheu në mes të natës në pragun e derës së shtëpisë së tij kujdestare. Që atëherë mbeti me probleme të frymëmarrjes dhe me bronkit kronik. Plagët e tjera të tij ishin më të vështira për t’u çmuar, por njësoj të vërteta. Si prind, babai ishte i hareshëm, i shkëlqyer dhe i përhumbur emocionalisht; kishte zemërim të tmerrshëm dhe paksa nocion se çfarë do të thoshte t’i ruash fëmijët nga rreziku.

Babai im ishte një nga ata me fat. Ai mbijetoi dhe në moshën nëntëvjeçare u bashkua me të ëmën dhe njerkun e ri në Los Anxheles. Ai shkoi në Fairfax High, një shkollë historikisht me shumicë hebreje. Në shokët e tij të klasës ishin fëmijët e autorëve dhe aktorëve të Hollywood-it të vënë në listë të zezë nga makartizmi. Më 1967, Verën e Dashurisë, ai takoi nënën time në një mbrëmje dëfrimi në Hollywood Hills. Ata u bënë protestues të flaktë kundër luftës së Vietnamit së bashku me një numër radikalësh të tjerë hebrenj.

Kjo ishte ajo çka do të thoshte për  mua Judaizëm tek rritesha: mospajtim intelektual dhe aktivizëm paqësor. Në shkollën rabinike mësova se sipas teksteve të shenjta të lashta hebreje, shpëtimi i një jete të vetme është si shpëtimi i tërë botës, sepse çdokush nga ne ka qytete të veçanta lidhjesh, gjeografi të pazëvendësueshme pasionesh dhe oqeane të thella kujtese.

Kjo ishte një arsye më shumë që 140 nga kolegët e mi dhe unë po bëjmë thirrje për paqe si pjesë e “Rabinëve për Armëpushim”, së bashku me një lëvizje hebreje për paqe që po rritet. Megjithatë, shumica e organizatave të mëdha hebreje amerikane e mbështesin këtë pushtim. Për mua është lëndim i madh moral që komuniteti i cili më mësoi ta vlerësoj rezistencën, paqen dhe shenjtërinë e çdo jete njerëzore, tash po e përkrah dhunën dhe po ia mbyll gojën mendimit ndryshe. Shumë rabinë dhe profesionistë të tjerë hebrenj që njoh kanë frikë ta ngrenë zërin për paqe dhe rrezikojnë të dëbohen nga familja ose sinagogat a të humbasin financimin për organizatat e tyre jofitimprurëse.

Tani, derisa Gaza po bombardohet e po bëhet pluhur e hi, im atë po hyn në fazën e fundit të jetës së tij në një dhomë spitali në Toronto. Jeta e tim eti është zvogëluar sërish në të jetuarit vetëm brenda një dhome të ngushtë, ndërkohë që mizoritë shtillen jashtë. Por, këtë herë, ndryshe prej të sëmurëve rëndë në Gaza, babai im e ka përkujdesin e duhur. Ai është i ngrohur dhe i tharë, i mbajtur dhe i dashur. Kur të vijë koha, ka sa duhet lëndë djegëse dhe ushqim që ai të vdesë me dinjitet dhe qetësisht. Im atë nuk hyri në botë i trajtuar si njeri, por po e lë atë nën përkujdesjen me njerëzi. Çdokush e meriton këtë! (Los Angeles Times)

*Elliot Kukla është rabin, shkrimtar dhe aktivist me qëndrim në Okland. Ai është autor i librit për fëmijë në dalje së shpejti nga shtypi, “The Lazy Day”.     

 Përktheu:

Bujar M. Hoxha       

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X