loader image
November 21, 2024

Ky nuk është fundi i historisë, por fshirja e historisë

“Qëndrimi strategjik amerikan synon ta afrojë Serbinë me Perëndimin, duke e shkëputur disi nga influenca malinje ruse. Por, kjo shkëputje po tentohet të arrihet edhe duke i dhënë favore konkrete Serbisë në Malin e Zi, në BeH dhe në Kosovë. Projekti “Ballkani i Hapur” është brenda kësaj skeme gjeopolitike dhe, si i tillë, me vetë faktin që e favorizon dhe e faktorizon Serbinë, është kundër Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Nuk mund të ketë sovranitet në një bashkëjetesë me Serbinë, e cila e ka Kosovën në kushtetutën e saj si pjesë integrale të Serbisë”, thotë Krasniqi.

Intervistoi: Ismail SINANI

Foto: Rromir IMAMI

Kriza (gjeo)politike në dhe rreth Kosovës është në fokus edhe të kësaj interviste të zhvilluar me njërin ndër njohësit më të mirë, por edhe të protagonistit të zhvillimeve politike në historinë moderne të Kosovës. Profesor Milazim Krasniqi, me qasjen e tij të mprehtë kundruall të gjitha vendimeve që ka mundur t’i vlerësojë ndryshe nga drejtuesit zyrtarë të politikës, qofshin ato të kohës së Rugovës, e më pastaj të Thaçit e tani, së fundmi, edhe të Kurtit, shpreh shqetësimin e tij për trajektoren e lëvizjes së shtetit të Kosovës. Ai, me këtë rast, tërheq vërejtjen shumë serioze edhe për rolin e ndërkombëtarëve në këtë proces. Gjithsesi, këtë e bazon edhe me fakte konkrete. Krasniqi, në këtë intervistë, nuk ngelet vetëmse një “kritikues kujdestar”, por ofron edhe alternativa për ruajtjen e Kosovës në sfondin e ardhshëm gjeopolitik – në një kohë kur Perëndimi po zhvillon një luftë të madhe me Rusinë në truallin e Ukrainës.

SHENJA: Profesor, kjo është intervista e tretë që e zhvilloj me ju brenda një dekade. Natyrisht, gjatë kësaj periudhe, ka rrjedhur shumë ujë ndër urë, por ka diçka që ka ngelur konstante dhe ky është shqetësimi juaj për drejtimin që e ka marrë Kosova në rrugën e saj të ndërtimit të shtetësisë. Prej nga gjithë ky shqetësim?

MILAZIM KRASNIQI: Shqetësimi për shtetësinë e Kosovës buron nga rreziku real që ka për ekzistencën e saj si shtet. Edhe pse Kosova u ndihmua në mënyrë vendimtare nga NATO-ja që të çlirohej nga okupimi serb në qershor 1999, njohja e Kosovës si shtet nuk u sigurua as në Këshillin i Sigurimit e, madje, as nga Bashkimi Europian, as nga OSBE e as nga vetë NATO-ja. Për shkak të qëndrimit destruktiv rus, rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit e la Kosovën të lidhur me disa vjegëza me ish shtetin okupator, gjë që sot duket edhe më e ngatërruar sesa në vitin 1999, ngase qëndrimi rus ka shkuar drejt rritjes së destruktivitetit e të konfrontimit edhe me gjithë Perëndimin. Tentativat e Rusisë që të përdoret rasti i Kosovës për të arsyetuar pushtimet ruse në Gjeorgji e në Ukrainë, e kanë bërë edhe më të rrezikshme gjendjen, sepse në këto rrethana nuk ka asnjë shans në horizont që Rusia ta heqë veton ndaj pranimit të Kosovës në OKB, pa u kompensuar me legalizimin e pushtimeve që ka bërë. Rusia e ka edhe një hall tjetër. Pas humbjeve të mëdha strategjike të Rusisë në Europën Lindore e në Ballkan, asaj i ka mbetur vetëm Serbia si zonë influence, prandaj përkrahja ruse për Serbinë është edhe irracionale. Serbia ka mbetur i vetmi vend në Europë që nuk pranon të vendosë sanksione ndaj Rusisë, prandaj Rusia e përkrahë në mënyrë absurde pretendimin e Serbisë se Kosova është pjesë e shtetit serb. Bile, ideolog të rusomadhisë dhe zyrtarë të lartë shtetërorë rusë tashmë kanë deklaruar se duhet të pritet fundi i luftës në Ukrainë, për t’iu rikthyer projektit për ripushtimin e Kosovës nga Serbia. Ideologu rus i krijimit të “botës ruse”, Aleksandër Dugini, ka deklaruar se Serbia duhet të shpërblehet me rikthimin e Kosovës dhe me zgjerim territorial, pasi është aleate besnike e Rusisë.

Kur të shihet pozita e padefinuar ndërkombëtare e Kosovës brenda këtyre projeksione ogurzeza serbomëdha e rusomëdha, atëherë shqetësimi për të ardhmen nuk mund të shmanget. Aq më tepër që Bashkimi Europian e ka një politikë neutrale ndaj statusit të Kosovës, meqë pesë shtete të BE-së (Greqia, Rumania, Spanja, Sllovakia e Qiproja greke) nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës. Qëndrimi neutral i Bashkimit Europian ndaj statusit të Kosovës tashmë ka prodhuar pasoja të mëdha edhe në procesin e dialogut ndërmjet Serbisë e Kosovës, ku Bashkimi Europian është ndërmjetësues. Duke mos i trajtuar palët si të barabarta, BE-ja e ka favorizuar shumë Serbinë në këtë proces, duke ia ushqyer pretendimet revanshiste ndaj Kosovës. Tashmë edhe Plani Franko-Gjerman dhe Plani i Zbatimit i Ohrit i kanë ofruar Serbisë favore të mëdha, madje duke e hequr nga rendi i ditës çështjen e njohjes së Kosovës si shtet. Në vend të njohjes, e kanë shtyrë përpara projektin e formimit të një autonomie politike e territoriale të serbëve në Kosovë, e cila do të shërbejë si levë për destabilizimin permanent të Kosovës nga Serbia, po edhe për ta mbajtur Kosovën si peng nga vetë Bashkimi Europian dhe NATO-ja.

Edhe qëndrimi i Shteteve të Bashkuara tashmë ka shkuar në drejtim të konvergimit me Bashkimin Europian. Qëndrimi strategjik amerikan synon ta afrojë Serbinë me Perëndimin, duke e shkëputur disi nga influenca malinje ruse. Por, kjo shkëputje po tentohet të arrihet edhe duke i dhënë favore konkrete Serbisë në Malin e Zi, në BeH dhe në Kosovë. Projekti “Ballkani i Hapur” është brenda kësaj skeme gjeopolitike dhe, si i tillë, me vetë faktin që e favorizon dhe e faktorizon Serbinë, është kundër Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran. Nuk mund të ketë sovranitet në një bashkëjetesë me Serbinë, e cila e ka Kosovën në kushtetutën e saj si pjesë integrale të Serbisë. Për të mbijetuar Kosova në atë farë kreature, filimisht duhet të dihet se ku janë kufijtë ndërmjet saj e Serbisë. A janë kufijtë, sipas kushtetutës së Serbisë apo sipas Kushtetutës së Kosovës? Nuk mund të jetë sipas të dyjave në të njëjtën kohë. Nga ana tjetër, prezenca entuziaste e Shqipërisë dhe e Maqedonisë së Veriut në projektin “Ballkani i hapur’ tashmë e ka izoluar dhe e ka defaktorizuar Kosovën edhe më shumë. Në sytë e strategëve që e duan “Ballkanin e Hapur”, për ta akomoduar çështjen serbe, e ka shënjestruar Kosovën si dele të zezë, kësaj here me recetë perëndimore e demek jo ruse.

Nëse i shtohet kësaj tabloje edhe vlerësimi për politikat amatoreske dhe aventureske të disa qeverive të Kosovës, ku qeveria Kurti është kampion i amatorizmit dhe aventurizmit, atëherë bëhet edhe më e qartë se sa e rëndë është pozita e Kosovës. Ka rrezik që Kosova mund të shkojë drejt përkeqësimit dhe destabilizimit të programuar, me synimin final të dështimit të saj si shtet. Prandaj e kam shqetësim këtë gjendje dhe këtë proces.

SHENJA: Ndërkohë e kam patjetër këtu t’i përmendi dy detaje, për mua shumë të rëndësishme: Ju para luftës keni qenë krahu i djathtë i Presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, dhe më pas keni qenë ndër figurat kryesore që e ka mbështetur Qeverinë e Hashim Thaçim Thaçit në hedhjen e themeleve të këtij shteti…

MILAZIM KRASNIQI: Ibrahim Rugovën e kam pasur njërin nga miqtë më të mirë në jetë. E kemi filluar bashkëpunimin në Shoqatën e Shkrimtarëve të Kosovës në vitin 1987, në një përpjekje që t’i kundërviheshim terrorit të nacionalizmit serbomadh, që u pompua skajshmërisht pas ardhjes së Millosheviqit në pushtet në Serbi dhe pas proklamimit të objektivave të nacionalizmit serb me anën e Memorandumit të Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve në vitin 1986. Në shkurt 1988 ne e morëm bashkë drejtimin e asaj shoqate, Rugova si kryetar e unë sekretar i saj. Betejat tona në Francuska 7, në konfrontim me shkrimtarët serbë, kanë qenë vërtet historike. Simbolika e atij angazhimi u kurorëzua në Kongresin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë në Gjervgjeli (Dojran) Në atë Kongres ne arritëm një koalicion funksional me sllovenët e kroatët dhe ashtu kongresi solli zhbërjen e Lidhjes së Shkrimtarëve të Jugosllavisë. Ishte organi i parë federativ që u zhbë. Sa për kuriozitet, mund t’u them se kam qenë njeriu i fundit në foltoren e tij, sepse derisa unë po flisja e nuk po e respektoja kërkesën e kryetarit që më ndërpreu fjalën, disa shkrimtarë serbë u nisën të më hiqnin me dhunë nga foltorja. Kryetari i sapozgjedhur, Sllobodan Seleniq, për të shmangur skandalin, i ndërpreu punimet pa u miratuar rezoluta. U shkaktua një rrëmujë, nga e cila pas pak ditësh doli qëndrimi ynë dhe i sllovenëve e kroatëve se ne më nuk ishim pjesë e LSHJ-së. Bashkëpunimi intensiv me Rugovën në aso rrethanash ne na afroi, na forcoi e na trimëroi, ashtu që në vitin 1989, bashkë me një grup kolegësh e miqsh, e themeluam Lidhjen Demokratike të Kosovës, partinë politike më të madhe shqiptare të të gjithë kohërave. Bashkëpunimi ynë ka vazhduar deri në fillim të vitit 2000, kur unë i pakënaqur u largova nga LDK-ja. Unë u largova, por idetë themelore për Kosovën e pavarur dhe për orientimin strategjik të shqiptarëve i mora me vete dhe vazhdoj t’i mbaj edhe më tutje me po aq pasion. Rugova ka qenë ideator i pavarësisë së Kosovës në realitetet e reja gjeopolitike që u krijuan pas krizës së ish federatës jugosllave. Ai u distancua nga ideja e një republike të Kosovës brenda federatës, por edhe nga ideja irredentiste e bashkimit me Shqipërinë. Projekti alternativ ishte krijimi i një republike të të gjithë shqiptarëve që jetonin në atë kohë në ish Jugosllavi, po kur u proklamua se kufijtë e brendshëm të republikave nuk do të lejohej të ndryshoheshin, Rugova e përqafoi përfundimisht projektin e një Kosove të pavarur. Ka punuar për atë projekt me mjete politike dhe me gjithë fuqinë e vet. Fatkeqësisht, edhe duke bërë disa gabime, të cilat na kushtuan shumë të gjithëve. Miqësinë e prishëm, por idetë për një Kosovë të pavarur, shqiptare, demokratike e atlantike na mbetën të njëjta.

Ndërsa Hashim Thaçin e kam njohur vetëm në gusht 1999, kur kam pasur një bisedë shumë interesante me të. Në atë takim të parë ia kam shpjeguar historikun dhe qëndrimin e LDK-së dhe i kam kërkuar të bënte ç’të mundte që të frenonte konfrontimet politike, që kishin filluar. Më pati bërë përshtypje se ishte shumë i kujdesshëm, shumë i rafinuar në dialog. Mbaj mend se në fillim të bisedës më pati thënë se romanin tim “Fijet e shpirtit“ e kishte lexuar gjatë luftës dhe një kohë e kishte mbajtur në çantën e shpinës. Nuk ishte kompliment për mua, ishte qasje inteligjente e tij ndaj një kundërshtari politik. Në vitin 2007 ai më ka ofruar të bashkohesha me të në qeverisje, po nuk kam dashur të angazhohesha më tutje, meqë e pata mbyll angazhimin tim partiak. Vërtet, Thaçi ka qenë bashkëbisedues i këndshëm, fjalëpak, i koncentruar në maksimum dhe respektues. Pas fitores së tij në zgjedhje, unë kam qenë në favor të qeverisjes më bazë të gjerë, për shkak të problemeve që kishte Kosova. Me Thaçin nuk mund të them se kam pasur miqësi, por kam pasur dhe kam respekt për guximin, energjinë, qëndrueshmërinë dhe pasionin e tij për politikën. Roli i tij në çlirimin e Kosovës dhe në shtetndërtimin e Kosovës është historik. Ishte e domosdoshme të përkrahej në mandatin e parë, meqë në atë mandat u shpall po prej tij pavarësia e Kosovës. Ndërkaq, gjatë mandatit të dytë dhe veçmas derisa ishte president, e kam kritikuar shumë shpesh, nganjëherë mjaft ashpër, veçmas lidhur me afrimin me disa ide të Kameron Manterit e Xhon Bolltonit për shkëmbimin e territoreve. E marr me mend se ka qenë i mërzitur prej atyre kritikave të mia.

Në fakt, miqësi me Thaçin krijoi ndërkohë im bir, Memli, çka besoj se mandej e ka ushqyer edhe qëndrimin tim më dashamirës ndaj Thaçit, pra edhe si mirënjohje ndaj tij për mundësinë që ia ka dhënë Memlit që në fillim të karrierës së tij politike.

SHENJA: Tash ndaj kryeministrit Albin Kurtit jeni mjaft kritik. A ka ndonjë arsye specifike për këtë qëndrim?

MILAZIM KRASNIQI: Edhe pse para disa vitesh mund të kem pasur arsye për hidhërim personal, për shkak të sulmeve që më janë bërë mua dhe familjes sime nga bandat e atëhershme të LVV-së, tash nuk kam ndonjë hidhërim. Zoti na ka njoftuar se më të mirët e njerëzve janë ata që durojnë dhe ata që falin. Kritikat e mia ndaj Kurtit dhe qeverisë së tij kanë të bëjnë me përpjekjet e mia modeste intelektuale që të sinjalizoj se në cilat pika mund të dëmtohet Kosova nga politika e pamenduar mirë. Qëndrimi im thjesht është parimor. Po ua skicoj përvojën time të mëhershme të njëjtë: unë kam plot tekste në të cilat e kam kritikuar Rugovën dhe LDK-në edhe në kohën kur kam qenë afër Rugovës dhe zyrtar i LDK-së. Janë qëndrime publike, jo vetëm diskutime në forumet e partisë. Sikundër përmenda pak më herët, e kam kritikuar Thaçin ashpër në dhjetëra komente e postime, sidomos lidhur me idenë e rrezikshme të shkëmbimit të territoreve. Të njëjtin gjë e bëj edhe sot ndaj Kurtit si kryeministër, veçmas për politikën e tij të gabueshme ndaj veriut dhe ndaj dialogut. Jam i bindur se po t’i kishte respektuar këshillat që ia kam adresuar publikisht, nuk do ta kishte këtë gjendje të rëndë që e ka sot. Fatkeqësia jonë është se politikanët tanë, nga i pari e deri te i mbrami, nuk i respektojnë mendimet e intelektualëve dhe të ekspertëve. Prandaj bëjnë shumë gabime, nga të cilat vuajnë vetë dhe nga të cilat e pëson vendi.

SHENJA: Ne shqiptarët, disi edhe pas 33 vjetëve nga rënia e komunizmit jemi të prirë t’i dëgjojmë broçkullat historike të diktuara nga Enver Hoxha dhe Beogradi. Pra, vërehet qartë se intelektualët e sotëm (gjithsesi ka përjashtime) ose, të paktën ata që na paraqiten vazhdimisht në ekran, kur flasin për të kaluarën, disi e kapërcejnë plotësisht historinë e vërtetë të kombit tonë, e cila kur lexohet me sy kritik, na tregon qartë se Fuqitë e Mëdha, kushdo qofshin ato dhe kurdo qofshin ato, për interesa më madhore të tyre kanë ditur t’i sakrifikojnë popujt e vegjël. Meqë nuk jemi në fund të historisë, por në proces të historisë, a ka të ngjarë të na përsëriten gabimet e së kaluarës dhe ne qorrazi të shkojmë pas atyre që hesapet e veta i kanë para tonave?

MILAZIM KRASNIQI: Fatkeqësisht ne e mësojmë historinë tonë në mënyrë selektive, herë me kritere ideologjike, siç ka ndodhë në periudhën gjysmëshekullore të jetës nën regjime totalitare, herë me paradigma neokolonialiste, siç jemi duke e mësuar pas rënies së komunizmit dhe triumfit të Perëndimit mbi murtajën komuniste. Me mësimet ideologjike marksiste na e kanë injektuar se bota ishte kundër nesh, ndërsa ne shqiptarët u rilindëm si feniksi nga hiri dhe ua bëmë gjëmën, si revizionizmit rus, si imperializmit anglo-amerikan. Gjenerata të tërë shqiptarësh jemi infektuar me këto mësime dhe prej aty e ka burimin edhe urrejtja ndaj demokracisë, me theks ndaj Perëndimit. Fatkeqësisht, në këtë urrejtje është ndërthurë edhe një rrymë e ekstremizmit fetar musliman, si një version bizar i ekstremizmit ideologjik marksist. Pse? Sepse në disa shtete arabe ka pasur për një kohë të gjatë jo vetëm prezencë, por edhe dominim ideologjia socialiste, me prirje të fortë antiperëndimore, oksidentaliste, gjë që mund të jetë reflektuar edhe te të rinjtë tanë që kanë jetuar a studiuar në ato vende. Këto rrymime ideologjike majtiste dhe ato oksidentaliste, edhe kur janë të nëndheshme, ndihen në jetën tonë publike e edhe fetare.

Nga ana tjetër, në tri deceniet e fundit, ne shqiptarët kemi dalë nga diktaturat totalitare dhe kemi përqafuar në mënyrë naive edhe gjithë llumin kulturor e moral, që vjen nga Perëndimi, krahas vlerave që vijnë prej tij. Kësodore, kemi filluar ta retushojmë edhe mësimin e historinë sonë, duke fshehur faktet që në periudha të caktuara disa nga shtetet perëndimore, thjesht kanë dashur të na zhdukin si komb nga faqja e dheut. Ato projekte kanë qenë në kuadër të rivaliteteve të tyre gjeostrategjike, në kuadër të favorizimit të sllavëve e grekëve dhe të luftës me pasion kryqëzate kundër muslimanëve në truallin europian në fundin e shekullit XIX dhe në deceniet e para të shekullit XX. Fshehja e atyre fakteve është krim më vete. Mjafton të evokojmë me këtë rast gjetjet e historianit e demografit amerikan, Xhastin McCarthy, i cili me analiza demografike ka zbuluar se në luftërat ballkanike 27% e shqiptarëve të Kosovës janë vrarë, ndërsa 32 % e tyre janë dëbuar nga vatrat e veta. (Me Kosovë në atë kohë janë përfshirë edhe viset shqiptare në Maqedoninë e sotme të veriut.) Pra, 52% e shqiptarëve janë vrarë a çrrënjosur nga tokat e veta. Ka qenë projekt i disa Fuqive të Mëdha të kohës dhe i shteteve ballkanike, për çrrënjosjen e muslimanëve nga Ballkani. Kjo e vërtetë po fshihet, por nuk duhet të fshihet. Ne duhet ta dimë të vërtetën për veten dhe për të tjerët. Harresa është armik i rrezikshëm. Unë jam i bindur se reminishenca të asaj albanofobie me pasion kryqtar ka edhe në kohën tonë në disa qarqe të ekstremit të djathtë në Europë dhe ka gjerësisht në elitat serbe e ruse. Te ne nuk ka ndodhë fundi i historisë, por po ndodhë fshirja e historisë, si koketim i ri me ofertat neokolonialiste. Dhe, e fundit, kam frikë se edhe Europa liberale e ka virulent virusin islamofobik dhe ende nuk është pajtuar që në truallin europian të ketë shtete me shumicë muslimane. Qofsha i gabuar! Ndërsa, po qe se do të fitonte Rusia në Ukrainë dhe kundër kësaj Europe liberale, tragjedia jonë do të rikthehej në versionin e spastrimti etnik dhe gjenocidit të viteve 1912-1919.

SHENJA: Nga 1878 deri në vitin 1945 shqiptarët para syve të botës kanë përjetuar masakrat më të poshtra në Europë në përmasa gjenocidi të kryera nga serbët, malazezët, grekët… Por, askush nuk parapëlqen të flasë për atë pjesë të historisë. Pastaj, pas vitit 1945, sërish ishin shqiptarët ata që e paguan një çmim jashtë mase të madh, duke u bërë përsëri favore serbëve në kurrizin tonë, kuptohet me aminin e Fuqive të Mëdha të kohës. Pas shpartallimit të Jugosllavisë së Titos, edhe në Jugosllavinë e Millosheviqit ishin sërish shqiptarët dhe boshnjakët që e paguan tagrin e çmendurisë së tij. Sot në krye të Serbisë gjendet një person që ka një pedigre ekstremisht antishqiptare dhe antiboshnjake, por që parapëlqehet nga Perëndimit. Pse?

MILAZIM KRASNIQI: Perëndimi ka një qëndrim pervers ndaj Serbisë. Në letërsi mund të ishte subjekt romani, ku një burrë qëllimmirë dashurohet në një prostitutë dhe bën gjithçka që ta nxjerrë disi nga shtëpia publike, por nuk ka sukses. Perëndimi e ka shpërblyer Serbinë me pavarësi në Kongresin e Berlinit (1878), duke ia lejuar edhe spastrimin etnik të territoreve që ia dhuroi në mënyrën më çnjerëzore, sepse ato ishin territore të banuara me shumicë nga shqiptarët. Perëndimi e ka shpërblyer Serbinë, përkundër gjenocidit të faktuar që ajo bëri në Luftën e Parë Ballkanike. Perëndimi e shpërbleu Serbinë edhe në Luftën e Parë Botërore, edhe pse ishte e ditur se Serbia e provokoi atë tragjedi të viteve 1914-1918, me atentatin në Sarajevë. Ideja themelore e Francës dhe e Britanisë së Madhe ishte që të krijohej një barrierë antigjermane në Ballkan me Serbinë si faktor kryesor. Ishte një idiotizëm gjeopolitik, i cili përfundoi në vitin 1941 me firmosjen e aleancës jugosllave me Hitlerin. Projektin idiotik franko-anglez e maksimalizoi Rusia, duke krijuar shtete satelite sllave në Ballkan. Ndërsa në kohën tonë, edhe pas katër luftërave agresive që i zhvilloi në vitet 1991-1999, Serbia nuk u ndëshkua realisht. Humbi vetëm disa nga territoret që nuk i kishte të vetat, por mbeti prapë me kapacitete që të jetë destabilizuese dhe proruse. Fakti që u lejua të restaurohej qeverisja me eksponentët e Millosheviqit e të Sheshelit, Vuçiqin e Daçiqin, flet vetvetiu. Në Serbi tashmë janë rehabilituar edhe kriminelët e dënuar në Tribunalin Penal, gjë që fakton se kjo Serbi nuk është defashistizuar. Prandaj Vuçiqi është partner i Perëndimit.

SHENJA: Siç edhe e ceka pak më lart, ju në murin tuaj në rrjetin social Facebook keni parashtruar një pyetje që e keni cilësuar si një miliondollarëshe, ndërsa unë po them se pyetja juaj është tejmase trishtuese dhe me tone të larta të rrezikut: A mos Perëndimi po e programon katastrofën e radhës në Ballkan, që të jetë e gatshme për eksplodim pas mbylljes së luftës në Ukrainë?

MILAZIM KRASNIQI: Prirja e Perëndimit për të lënë punët përgjysmë mua më duket si e qëllimtë. Punët përgjysmë i ka lënë në Bosnje dhe atje tërë kohën serbët kërcënohen se do ta zhbëjnë shtetin e Bosnjës. Punët përgjysmë i ka lënë në Malin e Zi, ku tashmë ka fituar blloku proserb, duke e rifuqizuar pretendimin serbomadh për “Serbinë e Madhe.” Punët përgjysmë i ka lënë edhe në Kosovë, ku fillimisht Badenteri e sakrifikoi të drejtën e Kosovës për vetëvendosje. Punët përgjysmë i pati lënë edhe në Gjeorgji, si edhe në Ukrainë, dhe ne po e shohim se çka po ndodhë atje. Megjithatë, në Ballkan ka ndodhë një ndryshim i madh gjeostrategjik – anëtarësimi i Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi në NATO e ka ngushtuar hapësirën manovruese të Rusisë. Rrjedhimisht, ka mbetur mundësia që konflikti të ndodhë ndërmjet Kosovës e Serbisë ose luftë qytetare në Bosnje. Kam frikë se kriza ndërmjet Kosovës e Serbisë nuk do të mbyllet pa një konflikt të ri të armatosur lokal.

SHENJA: E kam edhe një pyetje që mendoj se në këtë sfond të pyetjeve, vetëm se do ta plotësojë mozaikun: Asociacioni… A duhet të formohet? A është ai vetëm projekt serb apo është edhe projekt i deshtetëzimit të Kosovës nga ata që na kanë ndihmuar ta krijojmë këtë shtet?

MILAZIM KRASNIQI: Qeveria e përgjegjshme merr përsipër të zbatojë vendimet, traktatet obligimet që kanë marrë qeveritë pararendëse. Nëse nuk i merr përsipër, bëhet objekt i presioneve të faktorëve ndërkombëtarë dhe ashtu e humb legjitimitetin në sytë e tyre. Mund të pasojnë sanksione, izolime, çnjohje, konflikte civile. Qeveria Kurti nuk ka përgjegjësi për marrëveshjen e vitit 2013 e 2015, por e ka obligim ta zbatojë, meqë ajo marrëveshje është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës. Shteti nuk është tryezë suedeze, ku mund të marrësh vetëm çka të pëlqen. Në këtë kontekst mund të thuhet se nëse nuk bëhet Asociacioni, serbët e rebeluar mund ta shpallin secesionin. Në rast të reagimit të qeverisë ndaj secesionit, do të ketë konflikt civil dhe kolaps të shtetit. Kosova, me definicion, mund që quhet shtet i dobët, ndërsa në rast konflikti civil të armatosur, pashmangshëm do të shndërrohej në shtet të dështuar.

SHENJA: Dhe, krejt në fund, si njohës dhe diagnostifikues i proceseve politike në Kosovë, a do të mund të shfaqni para lexuesve tanë se cili është vizioni juaj për Kosovën dhe si do vepronit ju po të ishit kryeministër i Kosovës? Mbase, kryeministri aktual ose ata pas tij mund të marrin një mësim apo të kenë një këndvështrim shumë të vlefshëm për rrugën që duhet ta marrë Kosova.

MILAZIM KRASNIQI: Më lejoni ta citoj veten, meqë kjo mendoj se duhet të jetë traseja e pandryshuar e veprimit politik të Kurtit dhe të çdo lideri në Kosovë. “Me gjithë problemet, mënyra më adekuate për ta ruajtur identitetin dhe rëndësinë e vet është që Kosova të vazhdojë të jetë aleat i SHBA-së dhe NATO-s, para së gjithash si faktor antirus në rajon. Kosova nuk ka tjetër ofertë atraktive për SHBA-të dhe NATO-n, por kjo ofertë është e rëndësishme, përderisa të vazhdojnë rivalitetet e tensionet ndërmjet SHBA e NATO-s në njërën anë dhe Rusisë në anën tjetër. Ndërsa, për t’u fuqizuar nga brenda si shtet e për t’u aftësuar që të rezistojë edhe ndaj synimeve të aleatëve të vet strategjikë, Kosova duhet ta përpunojë platformën politike, ideologjike, kulturore, fetare e kombëtare, mbi të cilën duhet të mbështetet si shtet i pavarur, demokratik dhe me orientime atlantike.” Por, kjo nuk arrihet me hipokrizi e me populizëm primitiv, i cili e karakterizon Kurtin. Kjo bëhet me unitet brenda shoqërisë, me forcimin e institucioneve shtetërore dhe me verifikimin e besnikërisë ndaj aleatëve atlantikë. Këto vlera Kurti momentalisht nuk i posedon, prandaj edhe një këshillë e tillë do të bjerë në vesh të shurdhër. Fatkeqësisht!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X