Ismail SINANI
Edhe pak po bëhen 150 vjet të plota qëkur fati ynë ka kaluar në duart e atyre që vendosin vija në hartë në emër të gjeopolitikave të mëdha. Gjithçka filloi me Traktatin e Shën Stefanit, në vitin 1878, kur Rusisë iu fal tërë Rumelia, që në vete i ngërthente gjithë tokat shqiptare. Natyrisht, Perëndimi në atë kohë e donte një Perandori Osmane të zhbërë dhe kjo, në shikim të parë, nuk është se i pengonte shumë, ani pse në anën tjetër një traktat i tillë e sillte Rusinë në zemër të Europës. Por, si duket, kjo idilë nuk zgjati shumë dhe çështja kaloi në episodin e dytë.
Fatkeqësia e dytë për neve shqiptarëve është Kongresi i Berlinit, po në atë vit, kur po ato fuqi perëndimore nuk i morën aspak parasysh kërkesat e shqiptarëve.
Viti 1912. Shqipëria e shpallë mëvetësinë. Po të njëjtat fuqi ia mohojnë atë, duke shpallur mëdyshje nëse kombi ynë është i aftë t’i dalë zot vetes. Fillimisht i mbyllin sytë ndaj okupimeve që u bëhen tokave shqiptare, më pas emërojnë një princ të tyre për të na drejtuar, duke mos e pasur parasysh se në atë kohë drejtues të shtetit shqiptar ishin po ata njerëz të ngritur e të ditur, që deri para disa vitesh e kishin mbajtur në këmbë njërën nga perandoritë më të mëdha të historisë, atë Osmane.
Viti 1939. Diktatori italian, Benito Musolini, e okupon Shqipërinë. Me një fjalë, kjo tokë tashmë nuk ishte e jona, por e italianëve.
Viti 1944. Atëherë kur Perëndimi po korrte fitore gjithandej ndaj forcave naziste, edhe në Greqi e Itali, çuditërisht përnjëherë në tokat shqiptare ngre krye llumi i shqiptarisë, me një tiran sikurse qe Enver Hoxha.
E djathta shqiptare, pa nam e pa nishan, disi lihet pas dore nga forcat angleze. Askush deri më sot nuk e parashtron pyetjen se çfarë ndodhi me të.
Dhe, teksa Shqipëria përpëlitet nën thundrën tanimë të një diktatori herë prokinez e herë prorus, pjesa tjetër e tokave shqiptare u jepet peshqesh komunistëve sllavë. Dhe, gjithë bota bën sehir sikur nuk po ndodhte asgjë. Thjesht, shqiptarët ngelin të përçarë e të përbuzur.
Historianët dhe politikanët, në parim, urrejnë të flasin me terma të saktë për këtë tradhti thuajse 150-vjeçare. Sipas tyre, “tani nuk është koha të flitet për këtë temë”, ndërkohë që faktet janë kokëforta.
Viti 1998. Shqiptarët në Kosovë ngrenë kokën lart. Përfundimisht nuk mund ta durojnë më hilen. Kësaj radhe lahet një pjesë e mëkatit tejshekullor. Por, përsëri zgjidhja ngelet gjysmake. Kosova, njësoj sikurse në kohën e Princ Vidit, u jepet nën administrim lloj-lloj malukatëve të Kombeve të Bashkuara, duke e bërë atë poligon të shërbimeve të ndryshme ndërkombëtare.
E kulmi i këtij nënçmimi ndaj Kosovës vjen atëherë kur në Gjykatën Speciale dërgohen ata që më së shumti kontribuuan për lirinë: xhelatët në liri, luftëtarët në burg.
Viti 2022. Kosova sërish në agjendë ndërkombëtare. Natyrisht, jo se dikush e vriste mendjen shumë, por njësoj si në vitin 1878, Rusia po e kërcënon Perëndimin.
Kosovës sërish i imponohen kushte, sikur shqiptarët të kenë shkuar në Serbi për të dhunuar me mijëra gra, të kenë vrarë 14000 njerëz e të kenë rrëmbyer 1600 persona. Tani, për dallim nga koha e Kongresit te Berlinit, kur elita shqiptare ishte mbledhur rreth Lidhjes së Prizrenit, ka disa zëra nga mesi ynë që flasin me gjuhën e Beogradit. Akuzojnë gjithë ata që duan të shpëtojnë diçka nga shtetësia e Kosovës, qoftë përmes pengimit të Zajednicës, qoftë përmes shtrirjes së sovranitetit në gjithë territorin.
Shqiptarët edhe një herë do të duhet të përcaktohen nëse duan “një fund me dhimbje apo një dhimbje pa fund”.