Idetë rrojnë nëpërmjet ndryshimit, ndërsa vdesin nëpërmjet plogështisë në përballimin e sfidave dhe vështirësive. Andaj, një ndryshim sa më parë i gjendjes dhe imazhit të Kosovës përballë aleatëve të vetëm është domosdoshmëri dhe nevojë. Por, jo duke u çshtetëzuar e duke e humbur dinjitetin, e as duke u krekosur e imagjinuar veten si fuqi planetare. Por, me këmbë përtokë, duke u bazuar në prizma realë.
Shkruan: Ardian RAMADANI, Kumanovë
Shteti i Kosovës, i ideuar nga shqiptarët si shteti i dytë i kombit shqiptar, e nga bashkësia ndërkombëtare si shtet multietnik, është territor europian në vendndodhjen, historinë, kompleksitetin e vlerave të identitetit dallues, në kontributet dhe në aspiratën e popullit të saj. Kosova, në fakt, lidhet në gjithçka me Europën.
E, në anën tjetër, kontributi i Europës në Kosovë ishte i një rëndësie tejet të madhe për zhvillimet e ndryshme politike, duke filluar që nga procesi i krizës së viteve 1990-1999 e deri në ditët e sotme.
Me të drejtë mund të thuhet se Kosova mund të shërbejë si një rrëfim i suksesshëm sipas modelit të demokracisë, shtetit europian të së drejtës parlamentare, pluralizmit dhe multietnicitetit e multilinguizmit, ekonomisë së tregut, shumëllojshmërisë kulturore, filozofisë liberale, organizimit të përsosur të procesit të zgjedhjeve, frymës bashkëpunuese rajonale dhe tendencave e trendeve integruese europiane e euroatlantike, duke e shquar atë si vendin më europian në Ballkanin Perëndimor. Pa mëdyshje mund të konstatohet se Kosova, në disa aspekte, është edhe më mirë se disa vende të tjera, që mund të “mburren” se janë pjesë e BE-së ose që i kanë hapur ose presin t’i hapin negociatat me BE-në.
Duke i pasur tërë këto suksese dhe përparësi, ky përvjetor i 15-të i mëvetësimit të Kosovës po e gjen atë përballë një sfide goxha të rëndë, e që po i kërkohen kompromise të mëtutjeshme në vazhdimësi, duke filluar që nga projekti i Marti Ahtisarit, e deri në kërkesën aktuale për zbatimin e marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, presidentja, Vjosa Osmani, dhe kryekuvendari, Glauk Konjufca, gjenden përballë një sfide që vështirë se do të mund t’ia dalin, nëse nuk gjykojnë, maturojnë, nëse nuk koordinohen dhe nëse nuk bashkërendohen, fillimisht me partitë opozitare, mandej me Shqipërinë e tillë siç është ajo, me faktorin politik shqiptar në Maqedoni të Veriut, si dhe me aleatët e vetëm të shqiptarëve dhe Kosovës. Edhe pse koha gjasme nuk do të presë, sfida e këtij përvjetori të 15-të e gjen Kosovën përballë sfidës së mbylljes së dialogut me Serbinë.
Shtrohen pyetjet vijuese:
– çfarë plani ka Kosova në përmbyllje të bisedimeve finale me Serbinë pas pranimit të planit franko-gjerman?
– a e ka Kosova e kombi shqiptar të qartë projektin përfundimtar të statusit të shtetit të Kosovës, pas lansimit të këtij plani franko-gjerman, i cili parasheh kompromise për palën serbe apo do të kërkohet një ristartim i negociatave me alternativa tjera?
– a e kanë ndërtuar shqiptarët e Kosovës planin e duhur strategjik për arritjen e qëllimeve të pavarësimit të plotë dhe hapërimit drejt integrimeve apo të bashkimit eventual të Kosovës me Shqipërinë, në rast të një ujdie brendakombëtare e jashtëkombëtare?
Këto pyetje, që janë tejet të vështira, e që besa përgjigjet i kanë edhe më të vështira, duhet të analizohen thellësisht dhe në përpikëri nga shtetarët e Kosovës.
Fillimisht, Kosova dhe shtetarët e saj duhet të shprehen qartë, tanimë kur kambanat për arritjen e obligueshme të marrëveshjes me Serbinë po bien, e kur plani franko-gjerman, i përkrahur nga amerikanët, nuk lë hapësirë për ambiguitete dhe për manovrime, se a do të pranojnë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe më Kosovë. Nëse jo, çfarë janë në gjendje të bëjnë? Nëse po, atëherë si do të arsyetohet vonimi dhe stagnimi i deritanishëm, që i solli dëme Kosovës në imazhin e saj diplomatik në raport me aleatët, që e ndihmuan atë në çlirimin e saj nga Serbia.
Më tutje, Kosova e kombi shqiptar, në përgjithësi, duhet ta kenë të qartë se skilja serbe, dëshiron ta nxjerrë palën kosovare si palë që po kontribuon në dështimin e negociatave, andaj nuk duhet të bihet në këtë kurth serb, që qartazi e ka edhe bekimin e disa zyrtarëve burokratë europianë, që po e mbyllin njërin sy me arsyetimin se duan ta tërheqin Serbinë nga ndikimi rus. Kësisoj, parisë së Kosovës i duhet sa më parë t’i fiksojë objektivat minimale, mesatare dhe maksimale, që do të çojnë në shmangien e rënies në këtë kurth, duke qenë të gatshëm të ofrojnë mundësi tjetër, në rast të refuzimit të kërkesës për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, e duke mos harruar për të marrë në konsideratë mundësinë për një rinisje me një kornizë tjetër të negociatave nga pika zero, ku gjasat për dobësim të pozicionit kosovar do të jenë ndoshta edhe më të mëdha ose më të vogla.
Pala e Kosovës duhet të jenë shumë konfidenciale në lojën e vet negociuese, në objektivat dhe në strategjinë, por duhet t’i njohë mirë edhe pikat e saj të forta dhe të dobëta, e më pas edhe ato të palës serbe, bazuar në realpolitikën aktuale, e jo në termat e para 10 apo 20 viteve e më shumë.
Varësisht prej epilogut të marrëveshjes me Serbinë, që po synohet së shpejti, duke u pranuar plani franko-gjerman, pesëmbëdhjetë vjetori i mëvetësimit të Kosovës e gjen atë me institucione tejet të konsoliduara, që besoj se do të gjejnë forcë, guxim dhe vullnet t’ia dalin si duhet edhe në këtë sfidë të radhës, sepse – varësisht prej epilogut të negociatave – ky proces do të ketë ndikim të madh dhe të drejtpërdrejtë jo vetëm mbi të ardhmen e vetë shtetit të Kosovës, por edhe në atë të Shqipërisë, të faktorizimit të shqiptarëve në Ballkan, të rajonit e më gjerë.
Mendoj se idetë rrojnë nëpërmjet ndryshimit, ndërsa vdesin nëpërmjet plogështisë në përballimin e sfidave dhe vështirësive. Andaj, një ndryshim sa më parë i gjendjes dhe imazhit të Kosovës përballë aleatëve të vetëm është domosdoshmëri dhe nevojë. Por, jo duke u çshtetëzuar e duke e humbur dinjitetin, e as duke u krekosur e imagjinuar veten si fuqi planetare. Por, me këmbë përtokë, duke u bazuar në prizma realë.
Shtetarët aktualë të Kosovës mendoj se e kanë të qartë më shumë se asnjëherë më parë tiktakun europian dhe amerikan, si dhe kërkesën për mbylljen e një faqeje e për hapjen e një faqeje të re.
Mbetet të shihet. Zaten, koha i zbulon të gjitha!