loader image
October 11, 2024

Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë zgjidh çdo krizë Prishtinë-Beograd

Njohja e Kosovës nga Serbia do t’i jepte fund njëherë e mirë pretendimeve të Serbisë mbi Kosovën dhe dëshirave të serbëve të Kosovës për një bashkim të mundshëm me Serbinë. Një zgjidhje tjetër, akoma më e mirë në gjykimin tim, është pranimi i Asociacionit dhe nisja e punës për bashkimin përfundimtar të shqiptarëve në një shtet të vetëm.

Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë

Në fillim të viteve 1990-të, kur nisi shpërbërja e Jugosllavisë, Bashkimi Europian (BE) u angazhua të gjente zgjidhje sa më pak të dhimbshme. Republikat jugosllave kishin jetuar të bashkuara për një kohë relativisht të gjatë dhe njerëzit kishin lëvizur brenda shtetit jugosllav duke krijuar grupime që, me ndarjen e republikave, rezultonin problematike, sepse kërkonin të organizoheshin si etni më vete, brenda shteteve të reja. Zgjidhja e BE-së për ta akomoduar këtë problem pa shumë pasoja ishte dhënia e statusit special për pakicat, që do të thoshte qeverisje autonome e territorit të pakicës nga vetë ajo, por brenda kornizës kushtetuese dhe ligjore të shtetit të shumicës.
Më 27 gusht 1991, Tregu i Përbashkët Europian (TPE), ai që sot quhet Bashkimi Europian, e krijoi Komisionin e Arbitrazhit e Konferencës për Jugosllavinë ose, i përmendur ndryshe, Komiteti i Arbitrazhit Badinter. Komisioni i Arbitrazhit për Konferencën e Jugosllavisë u drejtua nga Lordi Carrington (1919-2018), politikan britanik, dhe përbëhej nga kryetarët e gjykatave kushtetuese të këtyre vendeve: Francë, Gjermani, Itali, Spanjë dhe Belgjikë. Lordi Carrington shtronte pyetjet themelore lidhur me krizën në Jugosllavi dhe anëtarët e tij jepnin mendimin e tyre juridik, i cili mandej përcillej si opinion i Komisionit. Disa nga opinionet e Komisionit ishin:
• Republika Federative Socialiste e Jugosllavisë ishte në procesin e shpërbërjes (29 nëntor 1991).
• Popullsia serbe në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe Kroaci i meriton të gjitha të drejtat që u përkasin minoriteteve dhe grupeve etnike. Republikat duhet t’u garantonin anëtarëve të minoriteteve dhe grupeve etnike të drejtat e njeriut dhe liritë themelore të njohura nga ligji ndërkombëtar, përfshirë, aty ku ishte e nevojshme, të drejtën për zgjedhjen e kombësisë (11 janar 1991).
• Opinioni i tretë i rëndësishëm ishte lidhur me kufijtë, të cilin do ta trajtojmë në fund të këtij artikulli.
Çështja e pakicave u trajtua nisur nga rasti i Kroacisë. Kur Kroacia shpalli pavarësinë nga Jugosllavia (25 qershor 1991), serbët e krahinës së Kninit e shpallën Republikën e Krahinës Serbe. Për të zgjidhur situata të tilla, BE-ja (asokohe TPE) doli me idenë e Asociacionit të Komunave me Shumicë të Etnive Pakicë. Për rastin kroat, Asociacioni u jepte serbëve të Kroacisë qeverisje autonome të territorit të tyre, por brenda kushtetutës dhe legjislacionit kroat. Serbët e kundërshtuan këtë zgjidhje, por republika e tyre u shpërbë me dhunë nga ushtria kroate pak vite më vonë (1995).
Kosova nuk ishte pjesë e diskutimeve të Komitetit Badinter, sepse Serbia e trajtonte çështjen e saj si çështje të brendshme të saj.
Më 2007, kur Marti Ahtisaari, ish-president i Finlandës, hartoi planin për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, ai e përfshiu në planin e tij të quajtur “Propozimi gjithëpërfshirës për zgjidhjen e statusit të Kosovës” (2007), modelin e Komitetit të Arbitrazhit Badinter, për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Për ironi, ky model kudo që është përdorur, ka qenë në funksion të serbëve në ish-republikat jugosllave, përjashto Serbinë, së cilës nuk iu kërkua ta aplikonte të njëjtin model për pakicat brenda saj.
Sa i përket Shqipërisë, tani e përherë, roli i saj në marrëdhënie me Kosovën ka qenë gjithmonë i diskutueshëm. Ajo s’ka qenë kurrë e përkushtuar totalisht për ta mbështetur pozicionin e Prishtinës, madje ka pasur raste që është bërë pjesë e iniciativave në dëm të Kosovës. Përderisa Serbia nuk e njeh Kosovën, çdo aksion i saj politik, direkt ose indirekt, synon ta minojë avancimin e shtetit të Kosovës. Shqipëria nuk duhej të bashkëpunonte me të, por me Kosovën.
Barra për zbatimin e pikës më të nxehtë të planit Ahtisaari i ka rënë politikanit i cili e ka kundërshtuar më shumë se gjithë të tjerët. Kur ishte në opozitë, ai fliste vetëm për bashkim kombëtar. Tashmë ai duket sikur është kundër të gjithëve, përfshirë edhe aleatët e Kosovës që e mbështesin krijimin e Asociacionin. Skena duket e tensionuar, pa zgjidhje në horizont. Në fakt, zgjidhjet burojnë përherë nga një ide.
Një zgjidhje e mirë, në gjykimin tim, është ideja e analistit amerikan Daniel Serwer, hedhur në një intervistë për Euronews Albania. Sipas tij, Kosova duhet ta pranojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por me kushtin e njohjes që Serbia ta njohë shtetin e Kosovës dhe të normalizojë totalisht marrëdhëniet me të. Ky është një propozim që ka kuptim. Njohja e Kosovës nga Serbia do ta hiqte frikën e madhe të Kosovës për ekzistencën e saj si shtet, sepse mosnjohja e vë në dyshim të përhershëm integritetin territorial të saj.
Krijimi i Asociacionit është një lëshim i ekzagjeruar, i cili bëhet me këmbënguljen e Serbisë, dhe, për rrjedhojë, nuk mund të bëhet pa përfituar Kosova asgjë në shkëmbim. Si palë në diskutime, Serbia nuk mund të kërkojë lëshime pa ofruar asgjë nga ana e saj. Le t’i kërkohet edhe asaj të trajtojë me të njëjtin status pakicat e saj. Nuk është pretendim i ekzagjeruar. Quhet reciprocitet. Njohja e Kosovës nga Serbia do t’u jepte fund njëherë e mirë pretendimeve të Serbisë mbi Kosovën dhe dëshirave të serbëve të Kosovës për një bashkim të mundshëm me Serbinë.
Një zgjidhje tjetër, akoma më e mirë në gjykimin tim (jo fort asnjanës në këtë pikë) është pranimi i Asociacionit dhe nisja e punës për bashkimin përfundimtar të shqiptarëve në një shtet të vetëm. Për realizimin e kësaj dëshire të martirëve të kombit mund të përdoren argumentet e Komisionin e Arbitrazhit e Konferencës për Jugosllavinë. Më 20 nëntor 1991, Lord Carrington-i shtroi pyetjen: “A mund të konsiderohen ndarjet e brendshme mes Kroacisë e Serbisë dhe mes Bosnjë Hercegovinës dhe Serbisë si kufij në kuptimin e ligjit ndërkombëtar publik?” Komisioni Arbitrazhit më 11 janar 1992 e dha këtë përgjigje: “Ndarjet (kufijtë administrativë) mes Kroacisë e Serbisë dhe mes Bosnjë Hercegovinës dhe Serbisë, e ndoshta shtete të tjera që mund të pavarësohen, mund të mos ndryshohen, përveçse me marrëveshje të vullnetshme të palëve… me përjashtim ku është rënë dakord për ndryshim, ndarjet e dikurshme territoriale bëhen kufij të mbrojtur nga ligji ndërkombëtar.”
Kosova mund të ofrojë një zgjidhje reale për krizën e sotme, duke përdorur argumentet e Komisionit të Arbitrazhit. Ajo që Komisioni artikuloi më 11 janar 1992, për ta zgjidhur krizën jugosllave, mund të përdoret edhe për zgjidhjen e krizës së sotme mes Serbisë dhe Kosovës. Parimi i ndryshimit vullnetplotë të kufijve mes shteteve ose njësive federative është i vlefshëm edhe sot, kështu që Kosova dhe Shqipëria mund të punojnë për të ngritur bashkëpunimin e tyre në një nivel tjetër, duke hequr kufijtë dhe duke bashkuar institucionet. Në një rast të tillë, Kosova nuk ekziston më si shtet i parashikuar nga kushtetuta e sotme e saj, ku përfshihet dhe Asociacioni, kështu që pretendimi i serbëve bie një herë e përgjithmonë.
Serbia e di mirë se cila është lëvizja reale e Kosovës, së cilës ajo i trembet realisht, prandaj punon me çdo kusht që ta parandalojë atë. Parandalimin e realizon duke përdorur udhëheqësit e korruptuar të Tiranës, të cilët kanë 30 vjet që asnjëherë nuk kanë punuar me shpirt për zgjidhjen e çështjes së Kosovës. Arritja e qëllimit është shumë e thjeshtë – mjaftojnë dy referendume, një në Shqipëri dhe një në Kosovë.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X