loader image
July 27, 2024

Fenomeni “Sandulloviq” në raportet Kosovë-Serbi

Po t’i dëgjosh fjalimet e politikanit serb Nikolla Sandulloviq, për raportet shqiptare-serbe, ato aspak nuk dallojnë nga vokabulari politik që del nga goja e politikanëve shqiptarë duke shitur patriotizëm. Dhe, kjo është një dëshmi shumë e fortë për faktorin ndërkombëtar, që e vërteta po thuhet hapur edhe nga vetë goja e serbëve, dhe se tani Kosova më nuk ka se çka të mbrohet, kur të vërtetën e kthjellët si loti po e mbrojnë edhe vetë serbët.

Shkruan: Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Kosova, 25 vjet nga lufta dhe 15 vjet nga shpallja e pavarësisë, po i afrohet edhe pikës kulmore në rrugëtimin e saj drejt shtetësisë – njohjes reciproke nga Serbia, që nënkupton edhe një status dhe qasje të barabartë në të gjithë organizmat e lartë ndërkombëtar si shtet i pavarur e demokratik. Për të arritur deri te kjo pikë, në vazhdimësi, me vite tëra, po zhvillohet dialogu mes palëve, deri në nivel krerësh shtetëror. Tani në tavolinën e bisedimeve ndodhet i ashtuquajturi “Plani franko-gjerman”, i cili ndonëse po mbahet konfidencial, përmbajtja e tij e përgjithshme tashmë është zbuluar. Dhe, derisa pala kosovare, e udhëhequr nga kryeministri Kurti, në parim është pajtuar me këtë plan, pala serbe, e kryesuar nga presidenti Vuçiq, ka shprehur mospajtime të hapura lidhur me derivatin final të këtij plani, që nënkupton njohjen e Kosovës – një dhimbje e madhe për Serbinë.

Plani franko-gjerman

 Gjeneza e Planit franko-gjerman për Kosovën gjendet te Plani gjermano-gjerman i vitit 1972, kur dy Gjermanitë, nën varësitë e huaja (Perëndimore dhe Lindore), filluan t’i shkrijnë akujt mes tyre, të ngurtësuar që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Njohja e ndërsjellë dhe fillimi i bashkëpunimit në disa fusha specifike të jetës shoqërore ishte uverturë e thyerjes së Murit të Berlinit (1989) dhe bashkimit të dy Gjermanive.

Megjithëse konteksti historik i dy planeve është i ndryshëm, thelbi i tyre duket të jetë i ngjashëm. Në rastin e Kosovës nuk bëhet fjalë për ndonjë lloj bashkimi ndërshtetëror, por për një hap para drejt njohjes reciproke të dy entiteteve të acaruara shtetërore, siç ishte kontesti mes Gjermanisë Perëndimore dhe Gjermaninë Lindore në baza ideologjike.

Në fakt, presioni i madh ndërkombëtar i këtyre dy viteve të fundit për të arritur një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e ka nxjerrë në një situatë shumë të vështirë kryeministrin Kurti, i cili i fitoi zgjedhjet dy herë radhazi duke i kundërshtuar bisedimet me Serbinë. Qëndrimi i tij duket ende mjaft parimor në këto bisedime dhe vendosja e kushteve për arritje të marrëveshjes në çështjen e “Zajedinicës” është një tregues i qartë se ai nuk ka lëvizur nga pozicionet e tij. Gjithë retorika kurtiane rreth dialogut me Serbinë sillet rreth reciprocitetit, gjë që paraqet armën më të fortë të tij karshi Serbisë dhe faktorit ndërkombëtar. Dhe, natyrisht, që për një politikan dhe një shtet, mbi të cilin rëndon e vërteta, ka argumente të bollshme për të mos u gjunjëzuar qoftë edhe para presionit të madh të miqve ndërkombëtarë.

Dhe, e mira e gjithë kësaj është në faktin që kjo e vërtetë dalëngadalë po pranohet haptas edhe nga subjektet e caktuara politike serbe, të cilat sado margjinale të jenë, megjithatë paraqesin një zë të së vërtetës së palëkundur për të drejtën e Kosovës për të qenë shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht.

Fenomeni “Sandulloviq”

 Deri më sot nuk kemi parë të ketë dalë ndonjë forcë politike shqiptare në Kosovë e cila do të promovonte hapur të drejtën e Serbisë mbi Kosovën, por kemi parë forca politike serbe në Serbi të cilat e promovojnë hapur të drejtën e Kosovës karshi Serbisë. Do të na kujtohen deklaratat e vazhdueshme të kreut të Partisë Liberal-Demokrate të Serbisë, Çedomir Jovanoviq, i cili flet pa doreza mbi të gjitha krimet dhe gjenocidin e kryer nga Serbia në Kroaci, Bosnjë e Kosovë. Ai vazhdimisht i bën thirrje klasës politike serbe për ndërgjegjësim, për njohjen e Kosovës si shtet të pavarur, me të cilin Serbia duhet të krijojë fqinjësi të mirë.

Tani, së fundi, edhe për opinionin tonë doli në shesh një politikan tjetër serb, shumë i guximshëm, kryetari i Partisë Republikane Serbe, Nikolla Sandulloviq, i cili jo vetëm që flet hapur për krimet e kryera serbe ndaj shqiptarëve dhe joserbëve tjerë, por edhe u kërkon falje viktimave, për shkak se gjenocidin Serbia e kishte kryer në emër të të gjithë serbëve. Dhe, politikani djathtist serb Sandulloviq, i deklaruar si proamerikan i regjur, shkon në Reçak, u kërkon falje viktimave shqiptare dhe shkon në Prekaz e përkulet para varrit të komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari! Po t’i dëgjosh fjalimet e politikanit serb, Nikolla Sandulloviq, për raportet shqiptare-serbe, ato aspak nuk dallojnë nga vokabulari politik që del nga goja e politikanëve shqiptarë duke shitur patriotizëm. Dhe, kjo është një dëshmi shumë e fortë për faktorin ndërkombëtar, që e vërteta po thuhet hapur edhe nga vetë goja e serbëve dhe se tani Kosova më nuk ka se çka të mbrohet, kur të vërtetën e kthjellët si loti po e mbrojnë edhe vetë serbët.

Por, problemi më i madh në Serbi dhe në gjithë Ballkanin Perëndimor është presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, dhe klika e tij qeverisëse, e cila është vartëse e politikave gjenocidale të Sllobodan Millosheviqit. Eksponentët kryesorë të politikës serbe sot nuk duken të gatshëm të distancohen nga e kaluara e tyre e errët, duke vazhduar t’i shërbejnë verbërisht mendësisë mizore millosheviqiane. Prandaj, derisa të thyhet kjo kastë e mjerë politike, është shumë e zorshme që Serbia të ecë përpara dhe t’i njohë realitetet e reja qytetëruese perëndimore. Andaj, gjasat janë të mëdha që Serbia edhe kësaj radhe të mos e pranojë Planin franko-gjerman, sikur dikur Millosheviqi Marrëveshjen e Rambujesë, e cila solli intervenimin ushtarak të NATO-s.

Zajednica dhe Lugina

Dy shqetësimet kryesore të palës shqiptare të Kosovës, në raport me Planin franko-gjerman, janë çështja e Asociacionit të Komunave Serbe të Kosovës (“Zajednica”) dhe mungesa e garancisë për njohje de fakto dhe de jure të shtetësisë së Kosovës nga Serbia.

Realisht, “Zajednica” paraqet projektin më të keq politik për dobësimin dhe moszhvillimin e Kosovës në perspektivë. Ajo paraqet një varrë kancerogjene për shtetësinë e Kosovës, të cilën Serbia do ta lëndojë çdo herë që ka ndonjë motiv bizar për ta dëmtuar Kosovën.

Fakti që projekti për “Zajednicën” është paraparë me Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, të arritur mes përfaqësuesve legjitimë të Kosovës dhe të Serbisë (kryeministrave Thaçi dhe Daçiq), paraqet një minë shpërthyese që i është vënë shtetësisë së Kosovës edhe nga vetë shqiptarët, me ose pa vetëdije. Parë në këtë prizëm, është e pamundur që të ketë njohje të ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës pa u dakorduar plani për “Zajednicën”. Por, tani do të ishte një fitore e madhe e politikës shqiptare të Kosovës nëse arrin që këtë projekt të rrezikshëm ta neutralizojë dhe, të paktën, t’ia presë pikat ndërlidhëse me Serbinë.

Është interesat fakti që pikërisht në kohën kur Kosova dhe Serbia ishin pajtuar për parimet themelore të Asociacionit të Komunave Serbe në Kosovë, shqiptarët e Luginës së Preshevës kishin marrë një nismë krye më vete për themelimin e Asociacionit të Komunave Shqiptare në Serbi (2015). Pra, shumë pak njerëz mund ta kenë ta njohur këtë hap të njëanshëm të komunave shqiptare të Preshevës dhe Bujanocit, për të cilin nuk kishin votuar madje as partitë shqiptare në opozitë. Por, është fakt se ka një vendim të tillë, që shpreh njëfarë vullneti politik të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, i cili kishte ardhur si masë reciproke ndaj vendimit të arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në prani të palës ndërkombëtare.

Pra, dallimi ndërmjet këtyre nismave është shumë i madh, në kuptim të mbështetjes, por flet shumë për një anë të fortë që duhet shfrytëzuar edhe në bisedimet e fundit pala kosovare – e ajo është reciprociteti. Nëse serbëve të favorizuar të Kosovës u takon një e drejtë kolektive, ajo duhet t’u takojë edhe shqiptarëve të diskriminuar të Luginës së Preshevës.

Tani është shansi më i favorshëm që, krahas njohjes ndërkombëtare të Kosovës, të ngrihet në një nivel tjetër edhe çështja e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, si pjesa më e rrezikuar aktualisht e trungut shqiptar.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X