loader image
July 27, 2024

Kosova n’bylyk!

15 vjet shtet i pavarur dhe sovran, që normalisht më 17 shkurt duhet të shkelte në adoleshencë për të vazhduar rrugën drejtë pjekurisë! Por, jo, pavarësisht se ka ndryshuar zërin, i kanë dalë ca qime, ka bërë shumë flirte, sot Kosova nuk ka as më shumë vëmendje, as kujtesë dhe as organizim! Pra, vazhdon të jetë në bylyk!

Shkruan: Agim POPOCI, Mitrovicë

“Detyra jonë kryesore është që kur të vijë 20-vjetori, të jenë shtuar dhe shumëfishuar arsyet që të rejat dhe të rinjtë të mund ta zgjedhin edhe Kosovën për një të ardhme profesionale të plotë, dhe për një jetë më të mirë!” Kështu u shpreh Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në 15-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, duke përkufizuar të ardhmen e një shteti që ngadalë po shkelë në terrenin serioz të adoleshencës, ndonëse rëndshëm është në bylyk! Pra, Kosova me moshë nuk është më e mitur, por a është gati për jetë, për pushkë e ushtri, martesë dhe, pse jo, familje!

Po, zëri i ka ndryshuar, nga ai i Dr. Rugovës që ishte konstant, Ramushit që rrotullonte plot një stadium futbolli me “komandantë të Bllacës”, e deri në koalicion po me këtë kastë, Isën që nuk e kuptonte njeri se çfarë dëshironte, ashtu si dhe Bacin që lëvizte në bagazh të makinës së Presidentit ndonëse ndër njerëzit më të pasur, Hashimit që e trashi zërin nga Rambujeja, Brukseli e deri në Hagë, deri te Albin Kurti që me të folurën e tij, jo zëtrashë, por, që i bëri kaps, si opozitën ashtu dhe Brukselin dhe Beogradin!

Flirti filloi në orët e hershme të lindjes dhe, çuditërisht, nuk nisi me aleatët, por me Beogradin! Madje, edhe belbëzimi i zërit dëgjohej kur në korridoret e Brukselit paraqitej Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pavarësisht nëse aty ishte baronesha Ashton, komunistja Mogerini ose revolucionari Borrell. Dhe, fatkeqësisht, pavarësisht nëse kishte përballë, Isën, Thaçin ose Avdullahin!

Deri sa Kosova e vazhdoi rrugën drejt pjekurisë, bylyku solli një situatë të çuditshme, ku me Albin Kurtin çdo flirt u ndërpre, si ai me Brukselin ashtu dhe Beogradin, si ai me Berlinin ashtu dhe Parisin, si ai me Edin, ashtu edhe me Batonin dhe gjithë vëmendja u përqendrua tek gjetja e një shkuesi të fortë, që ky kurorëzim të mos dështojë!

Dhe, vjen zhvillimi trupit, i cili paksa ngatërron shumë procese si ato të bylykut, ashtu dhe adoleshencës! Me ardhjen e Albin Kurtit, u ndërpre edhe mënyra e të menduarit se Kosova edhe mund të ndahet dhe bylyku filloi të marrë kuptimin e plotë dhe zhvillimin trupor, duke u dhënë shpresë të gjithë atyre shqiptarëve nga veriu, që e konsideronin veten refugjatë në këtë organizëm, i cili nga 17 shkurti i vitit 2008 e konsideron veten të pavarur dhe sovran, se ai do ta ruajë zhvillimin trupor në përmasat që ishte krijuar! Madje dhe sot, kur nën tytën e kërcënimit shihet Asociacioni i Komunave më Shumicë Serbe!

Kulmi i bylykut

Jo pse psikoanalistja e njohur franceze, Françoise Dolto, e thotë se adoleshenca është faza kalimtare që ndan fëmijërinë nga mosha madhore dhe që ka bylykun si momentin qendror të saj, jo pse ligji parashikon që përgjegjësinë për fëmijët e kanë prindërit deri kur këta arrijnë moshën madhore, por edhe rasti i Kosovës ka treguar se deri tek momenti i pjekurisë është një periudhë e domosdoshme, që duhet të kalohet, ashtu si edhe nevoja për mburojën e prindërit!

Mungesa e dëshirës së krerëve të shtetit kosovarë për të treguar se sa e zonja është Kosova si shtet i pavarur dhe sovran pa një mburojë prindërore nuk i bën ata më fëmijërorë se Albin Kurti ose liderë që gëzojnë respekt më të madh prindëror ndaj Amerikës, që – dorën në zemër – Kosova vazhdon ta ketë të domosdoshme; Por, e bën Kryeministrin Kurti më të përgjegjshëm për ndërtimin e një shteti i cili, po, do të vuajë, por edhe do të kuptohet dhe jo vetëm të gjykohet!

Duke pasur parasysh se një shtet 15-vjeçar vështirë se mund të jetë pa probleme dhe pa vuajtje, nuk duhet ta shpërfillim dhe faktin se adoleshenca është periudha më e pasur me dhembje dhe gëzime të mëdha. Nëse diçka është e vështirë dhe zgjidhet duke ia mbathur, në realitetin kosovar është konfirmuar se mund të jetë vetëm “zgjidhje” individuale, por Kosova është aty edhe pas disa dorëheqjeve ose shkarkimeve dinake të Kryeministrit të një shteti në bylyk! Ndërkohë kujdesi dhe këshilla prindërore e Amerikës në të gjitha rastet është keqkuptuar, si nga foshnja Kosovë, ashtu dhe ajo në bylyk! Përplasja e këtyre marrëdhënieve nuk është e panjohur në botën reale, ndërsa një fëmijë shkon drejt pjekurisë, por paaftësia menaxhuese si e Kosovës foshnje, fëmijë dhe asaj që hyn në bylyk, prodhon një fëmijë që rritet dhe ngatërrohet me fqinjë, që nuk e respekton pronën e tjetrit, që nuk do t’i përgjigjet shërbimit ushtarak, që nuk e siguron bukën e gojës dhe, në fund, nuk është i interesuar as për të ardhmen e jetës së vetë.

Sa e mundshme është që në këtë situatë të bie dhe adoleshentja Kosovë! Asgjë nuk është e pamundur!

Fundi i varësisë

Sot, kur Kosova tashmë është 15-vjeç, pra, shkeli në adoleshencë, të gjithë duhet ta kenë të qartë se kjo është periudhë tranzicion ndërmjet varësisë dhe pavarësisë dhe se qëllimi kryesor është përgatitja e fëmijës për moshën e rritur. Dhe, kur individi arrin moshën 15-vjeçe, aftësitë themelore të të menduarit krahasohen me një të rrituri dhe këto përmirësime ndodhin në disa fusha, ku fatkeqësisht Kosova çalon shumë. Vëmendje: shkenca ka konstatuar përmirësime në vëmendjen selektive, proces ku fokusohet në një stimul, ndërsa neglizhohet një tjetër. Gjithashtu, përmirësohet aftësia për t’u kushtuar vëmendje dy ose më shumë stimujve në të njëjtën kohë.

Cili është rasti me Kosovën dhe vëmendja aktuale që ka!

Adoleshentja Kosovë është bombarduar me anëtarësimin në OKB dhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa është neglizhuar fakti se pse nga viti 1999 deri më sot zhvillimi ekonomik është bërë i parëndësishëm! Ishte në dijeni se e ka Trepçën, por, jo Kosova, por as Mitrovica nuk po ngopet dot me bukë. Ishte në dijeni se ka qymyrin më të mirë në Europë, por sot jo vetëm për Kosovën por edhe për Obiliqin, duhet të importohet energji elektrike, sepse vuan nga reduktimet. Ishte në dijeni se e ka sistemin e ujitjes Ibër-Lepenc, por sot Kosova nuk furnizohet as me ujë të pijshëm nga ky sistem nëse serbët e bllokojnë rrugën në  Zubin Potok dhe shumë e shumë anomali të tjera që kanë prodhuar dhe prodhojnë serbët sa herë që marrin urdhër nga Beogradi! Dhe, në momentin që sheh xhepat bosh, është gati për të marrë botën në sy!

Sa është folur për mënyrën dhe çlirimin e adoleshentes Kosovë nga pushtuesi serb, si dhe shteteve të tjera që dolën nga Ish-Jugosllavia flet dhe fakti se si trajtohet periudha post-çlirimit dhe askush nuk mobilizohet në fushat tjera. Sikur kjo vëmendje të ishte në nivel, sot Kosova do ta kishte parasysh se Bosnjë-Hercegovina ishte anëtare e OKB-së kur u sulmua nga po kjo Serbi që e kërcënon Kosovën çdo sekondë! Dhe, Masakra e Srebrenicës ndodhi në Bosnjë-Hercegovinën anëtare të Kombeve të Bashkuara! Në fund, Marrëveshja e Dejtonit u arrit duke u favorizuar Serbia me tokën e Bosnjë-Hercegovinës që ishte pranuar në OKB!

Në vëmendjen e adoleshentes Kosovë nuk ka zënë vend as edhe një Marrëveshje Ndërkombëtare që lidhet me po këtë shtet 15-vjeçar, nga Rambujeja deri te GJND- ja, por vazhdon dhe i tundet Marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, që ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, ndonëse nuk ka sens!

Në vëmendjen e adoleshentes Kosovë flitet për pasojat e mosthemelimit të Asociacionit, por askush nuk flet për kompromiset e dhimbshme të Planit të Ahtisarit dhe fundin e këtij shteti 15-vjeçar nëse ky Asociacion bëhet siç e ka menduar Vuçiqi dhe e ka firmosur Isa me Hashimin. Dhe, askush nuk flet se çfarë do të ndodhë nëse me Asociacionin ndodhë ajo që po ndodhë me Republika Sërpskën në Bosnjë-Hercegovinë, ku një kriminel, si Milorad Dodiku, tallet me gjithë botën duke e kërcënuar me Rusinë e Putinit, me një botë e cila ishte garanci e Marrëveshjes së Dejtonit!

Kujtesa. Shkenca konstaton përmirësime që janë parë në memorie punuese dhe afatgjate të kujtesës.

Por si do shënojë përmirësim adoleshentja Kosovë kur kujtesën e ka në nivelin më të ulët të mundshëm! Duke jetuar mes dy realiteteve, me edukim nga prindër që luftuan nën flamurin kombëtar për një shtet shqiptar të vetëm dhe sot s’emocionohen dot nga himni i Kosovës dhe flamuri me hartë, kujtesës i bëhet atentat! Kosova rënkon kur bijtë dhe bijat e saj nuk e dinë as ditën e çlirimit, por kjo është një plagë që ka kohë që kullon gjak Toplice, Shkupi, Kukësi, Prizreni, Sanxhaku, Çamërie, Tivari, Prekazi, Mitrovice!

Organizimi. Shkenca konstaton se adoleshentët janë më të vetëdijshëm për proceset e tyre dhe mund të përdorin pajisje të kujtesës dhe strategji të tjera për të menduar në mënyrë më efikase.

Por, adoleshentja Kosovë sot vërtet mund të përdorë pajisje të kujtesës me qeverinë aktuale që ka, por shtrohet pyetja se kush e furnizon pajisjen me të dhëna, a është spastruar kjo pajisje nga viruset e së kaluarës apo do të ndodhë edhe në të ardhmen ajo që po ndodhë me policinë kufitare dhe doganën, ku vazhdon të ketë Albin, por edhe Devoll, Kurt, por edhe Kelmend, si dhe ROSU, por dhe Radoiçiq! Ose, gjithçka nga këto mund të jenë edhe të pastra si loti, por do të ketë të infiltruar, që mund të sjellin situata si në Prizren, ku një antikosovar u shpall qytetar nderi i qytetit historik të Kosovës mu në Ditën e Pavarësisë, duke bërë nul edhe arritjet ku mendohej se vëmendja, kujtesa dhe organizimi ishin në nivel!

Ndryshe, sikur Kosova ta kalojë me sukses krizën e adoleshencës falë qeverisjes së mirë me suksese të padiskutueshme, çfarë do të ndodhë nëse ka ende “Shaqir Totaj” ndër radhët e Kryeministrit, që vazhdojnë të jenë në bylyk, dhe çfarë vlere do ketë zotimi i Albin Kurti deri në ditën e gjykimit: “Kur të vijë 20-vjetori…”

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X