loader image
July 27, 2024

Kosova me tre nënshtete

Shkruan: Ismail SINANI

Kisha Serbe, Asociacioni dhe pjesa e ngelur… Që në fillim ta qartësojmë titullin shumë pesimist. Situata në të cilën gjendet sot Kosova mund të analizohet, të paktën, në dy perspektiva: e para është krejt pesimiste, ndërsa e dyta, nëse kemi pak mend dhe vullnet, por nëse edhe kemi pak fat, mund japë shpresë.

Versioni i parë na mëson se në raportet ndërshtetërore, nuk ka mëshirë. Nuk ka as miqësi, e aq më pak emocion. Ka vetëm lobim, punë, interesa…

Shqiptarët, sidomos ne që jetojmë jashtë Shqipërisë, duket se disi kemi ngelë peng të një definicioni politik të presidentit të ndjerë Ibrahim Rugovës: “Ne jemi për miqësi të përhershme me Perëndimin, posaçërisht me Shtetet e Bashkuara dhe duam Republikë të hapur si ndaj Shqipërisë ashtu edhe ndaj Serbisë”. Me këtë nuk kemi tendenca t’i hedhim poshtë krejt të bëmat e sakrificat e tij për ndërtimin e shtetësisë së Kosovës, por edhe krijimi i miteve tejkohore për njerëzit, duke i bërë thëniet e tyre të vlefshme për çdo kohë e vend është paradoksal, për të mos thënë që paraqet një shpërfaqje të injorancës dhe iluzionit politik.

Mbi dy dekada pas përfundimit të luftës, shqiptarët edhe më tej flasin për “miqësi të përhershme”, sikur ajo është një konstantë fizike. Ndërkohë nëse kthehemi vetëm pak në histori, do të shohim se aleancat dhe preferencat ndërshtetërore ndryshojnë aty për aty.

Ismail Qemali, Hasan Prishtina, Mejdi Frashëri… e plot burra shteti, thuajse asnjëherë, ama bash asnjëherë, nuk e kanë marrë mbështetjen e “miqve perëndimorë” të kohës së tyre. Zaten, po ta kishin mbështetjen e tyre, sot Shqipëria nuk do të ishte kaq e vockël në hartë, ndërsa Kosova e pjesët tjera të trojeve shqiptare, nuk do të ishin nën sundimin e të tjerëve. Ata, në kohën e tyre, më mirë se të gjithë e patën kuptuar se Anglia, Franca e Gjermania, e sidomos këto dy të fundit, nuk e kanë pasur fort problem që në çaste të caktuara të rreshtohen edhe me Rusinë, e që i bie me Serbinë, për shkak të interesave të tyre.

Kur e shikojmë sot hartën politike e gjeopolitike, e kuptojmë se si interesat ditore i zhvendosin kufijtë e aleancave. Sot Serbia është e përkëdhelura e Perëndimit. Ndonëse me një president me sjellje të çuditshme, që mund “të kapen” nga çdo psikolog, sot Beogradi po i mbledh simpatitë e “miqve tanë të përhershëm”, duke i bërë favore shumë të mëdha në kurriz të shqiptarëve, njëjtë siç “miqtë perëndimorë” para më shumë se 100 vjetësh u bënë nder serbëve, bullgarëve, grekëve e malazezëve, me vilajetet e Kosovës, Janinës e të Shkodrës.

E, ndërkohë, teksa ndodhë gjithë kjo në terren, ne kemi ngelur të ngufatur në sintagmën e miqësisë së përhershme, e cila ndërkohë ka prodhuar një kontest të ri, për të cilin flet pakkush, e që është esktraterritorialiteti i Kishës Serbe në Kosovës, e cila është dhe do të jetë edhe më e pavarur se Vatikani në Itali, “asociacioni i vetëmenaxhuar” – i cili edhe në variantin më të butë është njëfarë autonomie serbe dhe pjesa tjetër e ngelur që i ka bërë serbët “ortakë” me shqiptarët në tërë territorin, duke ia filluar nga gjuha zyrtare serbe e deri te ulëset e rezervuara në Kuvend.

Sllavoj Zhizhek, filozofi i njohur slloven, i cituar nga studiuesi Daut Dauti në librin e tij “Britania dhe çështja shqiptare”, thotë se Perëndimi çdoherë ka shfaqur ndaj Ballkanit njëfarë përbuzje të skajshme. “Ekziston një refuzim i patrembur i modës së vjetër që thotë se Ballkani është tjetër (despotik, barbar, ortodoks, musliman, i korruptuar, oriental) në favor të vlerave të vërteta (perëndimore, civilizuese, demokratike, të krishtera)”. Sipas Zhizhekut, kjo është një shfaqje e hapur e hegjemonisë.

Vërtet, fillimisht Austro-Hungaria e, më vonë, edhe Presidenti amerikan U. Uilson e mbështetën Shqipërinë, por po aq e dhimbshme është edhe e vërteta se ajo tokë shqiptare menjëherë pas shpalljes së pavarësisë më 1912 ishte nën atak të drejtpërdrejtë nga grekët në jug, serbët e malazezët në veri dhe lindje, ndërsa mos ta harrojmë edhe okupimin italian për të cilin askush nuk ka qejf të flasë. Dhe, gjithë kjo ndodhte “para syve të botës demokratike”. Pra, edhe sot Kosova e ka mbështetjen ndërkombëtare, apo jo?!

Varianti i dytë, ai më optimist, e që i bie të jetë pak më pak pesimist sesa i pari, kërkon shumë angazhim intelektual dhe praktik, si dhe fat.

Derisa të gjithë flasim për shqiptari, njëjtë sikur edhe ajo është një konstantë, askush nuk po i analizon politikat demografike, të cilat na tregojnë se në fund të këtij shekulli Shqipëria e sotme pritet të numërojë rreth një milion banorë, Kosova 800 mijë, Maqedonia e Veriut 800 mijë… Askush nuk po flet se “shqiptari e shqiptarja moderne”, nuk e lodh/in fort veten nëse në fjalorin e tyre më shumë se gjysmën e fjalëve i ka/në anglisht, askush nuk mërzitet se nataliteti ka trend ekstremisht negativ, askush nuk e lodh veten se dita-ditës po shtohet numri i atyre që nuk dinë gjë për historinë, qoftë ajo edhe e falsifikuar siç është mësuar në këto tetë dekada… Atëherë çfarë i bie angazhimi intelektual dhe praktik? Angazhimi është e kundërta e kësaj tabloje.

Sidoqoftë, për të mos u dukur krejt zi, e mira e gjithë këtij debati që buroi nga përplasja për Asociacionin është fakti se Serbia, të paktën në heshtje, e pranoi pavarësinë e Kosovës, i pranoi pasaportat dhe të gjitha dokumentet zyrtare…, megjithatë, në pista afatgjata, nuk dihet se ç’vlerë ka apo do të ketë ky fakt, posaçërisht nëse e kemi parasysh variantin e parë pesimist dhe të dytin, më pak pesimist!?

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X