Këto ditë shumëkush, e sidomos ne shqiptarët, pyesim veten se pse vallë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet përfaqësuesit të tyre në dialogun me Serbinë, Gabriel Eskobar, po ushtrojnë presion të vazhdueshëm dhe dukshëm joproporcional mbi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në vend që të tregohen të drejtë dhe ta bëjnë të njëjtën ndaj Serbisë?
Shkruan: Besim NEBIU, Shkup
Për një periudhë të gjatë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë luajtur një rol kyç në ndihmën dhe mbështetjen ndaj Kosovës në kohërat më të vështira. Që nga konflikti i viteve të ’90-ta dhe pavarësia e shpallur para 15 viteve, SHBA-ja ka qenë një mbështetëse e fortë e shtetit kosovar dhe i ka ofruar ndihmë të konsiderueshme në rrugën e saj drejt zhvillimit si një shtet me të gjitha nishanet.
Në këtë pikëpamje, presioni i vazhdueshëm i SHBA-ve mbi Kryeministrin Kurti mund të kuptohet si një përpjekje për të kontrolluar dhe ndikuar në zhvillimet politike të Kosovës, duke e mbajtur vendin në një rrugë të favorshme për interesat e tyre strategjike.
Si ndikoi lufta në Ukrainë?
Pasqyrimi i ndikimit të luftës në Ukrainë në Kosovë është i rëndësishëm për ta kuptuar situatën aktuale të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe politikën rajonale në raport me marrëdhëniet Kosovë-Serbi!
Lufta në Ukrainë ka lënë pasoja të mëdha në nivel global dhe efektet e saj e kanë prekur edhe Kosovën. Efekti kryesor është ky: lufta në Ukrainë ka sjellë ndryshime të rëndësishme në agjendën ndërkombëtare dhe prioritetet e fuqive të mëdha, duke e bërë Ballkanin super të rëndësishëm për shkak se është vija e parë e konfrontimit Rusi-Perëndim.
Këto ditë shumëkush, e sidomos ne shqiptarët, pyesim veten se pse vallë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nëpërmjet përfaqësuesit të tyre në dialogun me Serbinë, Gabriel Eskobar, po ushtrojnë presion të vazhdueshëm dhe dukshëm joproporcional mbi kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në vend që të tregohen të drejtë dhe ta bëjnë të njëjtën ndaj Serbisë?
Si ka ndryshuar raporti perendimor ndaj Serbisë?
Beogradi ka refuzuar t’u bashkohet vendeve europiane që i kanë vënë sanksione Rusisë, aleatit të saj tradicional sllav, ndërsa një pjesë e mirë e shoqërisë serbe e simpatizon hapur okupimin e Moskës ndaj Ukrainës. Diplomatët perëndimorë janë duke luftuar që ta shkëpusin Serbinë nga tërheqja gravitacionale e Rusisë dhe Vlladimir Putinit, sepse Serbia është shteti i vetëm ne Europë ku Putini dhe Rusia janë më të popullarizuar sesa BE-ja dhe Perëndimi!
Diplomacia perëndimore mundohet ta ndryshojë këtë gjendje, duke i premtuar Serbisë para dhe bashkëngjitje të shpejtë ne Bashkimin Europian, si dhe – në shkëmbim të kësaj – duke kërkuar prej saj t’i shkëputet aleancës dhe admirimit të saj shekullor ndaj gjithçkahit që është ruse!
Deri para luftës në Ukrainë, Franca – shteti i dytë më i rëndësishëm në Europë – ishte thellësisht ngurruese rreth zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, siç edhe u dëshmua më bllokimin e eurointegrimeve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për një periudhë 2-vjeçare. Mirëpo, me fillimin e luftës, si duket, edhe asaj i ndërroi hesapi dhe deshi s’deshi u bashkua me Gjermaninë për ta shtyrë, krahas SHBA-së, procesin e përafrimit të Ballkanit në Europë.
Serbia para luftës, siç kemi shpjeguar edhe në shkrime të mëparshme për këtë revistë, ishte bërë ekonomikisht tërësisht e varur nga Rusia dhe burimi i kësaj varshmërie ishte jo vetëm në fushën shpirtërore, por kishte edhe dimensione reale ekonomike, sidomos në fushën e energjetikës! Pas fillimit të luftës në Ukrainë dhe nën ndikim të Perëndimit, Serbia dalëngadalë dhe me jo shumë entuziazëm filloi të lëvizte të lirohet nga ky ndikim rus, duke filluar me diversifikimin e lidhjeve energjetike me burime joruse të energjisë. Qartazi, ideja e kësaj politike perëndimore të koketimit me Serbinë është që ta privojë Moskën nga aleati dhe kanali i saj më i rëndësishëm i ndikimit në Ballkan, por edhe në Europë!
Eurointegrim më të shpejtë, më tepër para dhe investime europiane dhe koncesione ndaj Kosovës!
Përafërsisht, kjo është formula e koktejit të koncesioneve që Perëndimi ia ofron Vuçiqit që ta bind shtetin dhe shoqërinë serbe se përfundismisht duhet t’i shkëpusë lidhjet emocionale dhe praktike me Rusinë dhe të kthehet nga Perëndimi, ashtu siç janë kthyer të gjithë popujt përreth me dekada ose edhe me shekuj më herret!
Në pakon e “dhuratave” ndaj Vuçiqit duket se është gjetur edhe një dhuratë, që perëndimorët nuk e kanë bërë aq mirë hesap, sesa e kanë në dorë për t’ia dhuruar. Këto janë koncesionet lidhur me Kosovën.
Perëndimi e di fort mirë se Kosova nuk është Serbi, ashtu siç e di edhe Vuçiqi vetë! Mirëpo, pushteti i Vuçiqit mbështetet fort në forcimin e miteve të hegjemonisë serbe, e ndër to miti dhe gënjeshtra kryesore është dhe ka qenë se Kosova është pjesë e Serbisë.
Se sa është e preokupuar Serbia, ish okupatori i Kosovës me shtetin kosovar, mjafton t’i hidhet një sy mediave se serbe, ku kjo temë trajtohet si temë kryesore e politikës së brendshme 24 vite të plota pas përfundimit të okupimit serb!
Pra, Vuçiqit i duhet koncesion rreth Kosovës, sepse pa të nuk mund të sundojë në Serbi, ndërsa koncesionin e sheh në formë të mbajtjes së status quo-së me Kosovën, krijimin e Republika Sërpskës në Kosovë, kjo nëpërmjet Asociacionit të komunave serbe.
Si duket, Perëndimi nuk e bëri hesap se Kosovën nuk e përfaqësojnë politikanë që lehtë mund t’i bindë, qoftë me kërcënime, qoftë me sanksione. Kurti duket se po u përballon presioneve të Perëndimit, ashtu siç nuk ka mundur asnjë lider i deritanishëm i Kosovës, pikërisht për shkak se është në gjendje të jetë i pashantazhueshëm dhe pa hipoteka korruptive. Ky fakt e bën rezistencën e Kurtit një politikë parimore dhe atdhetare, ndërsa edhe e vë në pah se Kosova është tanimë një demokraci solide, e cila di ta artikulojë interesin e vet politik dhe t’u bëje ballë trysnive që e cenojnë sovranitetin dhe ardhmërinë e saj.