loader image
October 14, 2024

Koncepti historik i konvertimeve fetare

Edhe sot është ngjallur ai “xhihadizmi” i mesjetës, që e identifikon Islamin si fe të dhunës e epshit, xhihadiste, ekstremiste, politike dhe agresive “për kënaqësi të premtuar të botës së ardhshme”. Dhe, nëse ishte kështu, si do të shpjegohej atëherë dhe sot rritja aq e shpejtë dhe aq e madhe e Islamit? 

Hajrudin S. MUJA, Nju-Jork 

Ndonëse historikisht të krishterët në vendet myslimane i kishin “të drejtat e kufizuara”, duke mos i lejuar në poste të larta publike, ata ndaj myslimanëve ishin shumë më të dhunshëm! Dekreti papnor, për shembull, e ndaloi ezanin dhe kalimin e pelegrinëve myslimanë nëpër tokat e krishtera [Daniel: 1960, f.116]. Bile, edhe kjo “liri” nuk qe jetëgjatë, sepse menjëherë doli ligji i konvertimit të dhunshëm të myslimanëve në Krishterim, siç ngjau në Sicili e Spanjë. Letërsia mesjetare na sjell rrëfime të ndryshme tentativash për konvertime të tilla, të cilat nuk ishin gjë tjetër, veçse përpjekje e të krishterëve për të dominuar në botë. Edhe pse fitorja e tyre pretendohej të ishte rezultat i “madhërisë së kishës së krishterë”, ishte dhuna ajo që ngadhënjeu, pasi ata njëjtë vepronin edhe ndërmjet njëri-tjetrit.

Raste të tilla e kanë shndërruar Europën në një det gjaku. Për shembull, në vitin 1209, në qytetin Berziers u therën 15.000 albi­z­­h­a­në dhe kur një fisnik e pyeti Emisarin si do t’i dal­lonte “heretikët” nga besimtarët e vërtetë, ai iu përgjigj: “theri të gjithë dhe lija Zotit t’i ndajë në bo­t­ën tjetër” [Start, #4, 1982, f.72]. Popullata e Lituanisë u bë e krishterë (1309) përmes dhu­nës ushtarake, kur mbreti Ladislas Jagiell (1348-1434) u mar­tua me mbretëreshën Jadwiga të Polonisë dhe u pagëzua në ka­to­lic­i­zëm. Edhe tre kombe të tjera të Europës u bënë viktimë, sepse re­fuzuan konvertimet në Krishterim: vandalët, ostrogotët dhe herulët [Marcussen: 1983, f.11]. Gjatë shekujve XVI-XVII gjejmë persekutimet portugeze mbi popullin goa të Indisë, ku përmes shtypjeve e torturave u kon­vertuan kryesisht hindusët – në Krishterim [Priolkar: 1961]. Të krishterët “af­rikanë” të Amerikës janë pasardhës të të konvertuarve de­ty­ri­mi­sht nga “zotërinjtë” e tyre në vitet e skllavërisë. Pagëzimi i dhun­sh­ëm i “indianëve” të Amerikës dhe aborixhinëve të Austral­isë mori përmasa gjenocidiale dhe çoi në humbjen e identitetit të fiseve të tyre. Njësoj veproi edhe Rusia me popujt e shkelur gjatë shekujve XVI dhe XVII [New York Sun, 1 gusht 2009]. Çfarë tmerri ngjau natën e 24 gushtit 1573, kur në Paris tinëzisht u sulmuan dhe u mbytën mijëra besimtarë hugenotë (kalvinistë e protestantë), nga një grup romano-katolikësh, që në histori u njoh si “Masakra e Shën Bartolomeut” (Massacre de la Saint-Barthélemy) [The Historical Journal, Vol.21, #2 qershor 1978]. U mbytën edhe mbi 100 mijë hu­genotë anembanë Francës [Erlanger: 1962, f.119]! Në luftërat 30-vjeçare (1618 – 1648), vetëm në Gjer­ma­ni u vra një e treta e popullatës 15-milionëshe. Në ko­nvertimin e bullgarëve mban përgjegjësinë Cari Boris, të kr­o­a­tëve Teodori i Splitit, të polakëve Miecis­lao, të hungarezëve Stefani I, të norvegjezëve Olaf Tryggvasoni, të normadëve, dan­ez­ëve dhe suedezëve vasaliteti i Rollonit me Karlin e Thjeshtë [Doane: 2007, f.301].

Sidoqoftë, tekstet mesjetare na japin informata në lidhje me përpjekjet për të konvertuar myslimanët në krishterim. Ndër tekstet më të hershme ishte teksti hebre “Doctrine of Jacob Recently Baptized” (634), që kishte parashikuar ndryshimin dhe e kishte lidhur me predikimet e Palit [1 Timoteut 4: 1] në bazë të të cilit Karli V (1500-1558), si “armiku më i madh i Islamit”, u kishte dhënë një traktat monarkëve katolikë që “të vazhdojnë të pushtojnë Afrikën dhe të luftojnë infedelët në emër të fesë” [Pidal: 1958, f.2], sepse Muhamedi (s.a.v.s.) do të ishte “njeri i gjakut” ndërsa pasuesit e tij ”njerëz të dhunës” [Crone & Cook: 1997, f.3-4]. Po kështu, edhe “Apokalipsi i Shenutës” nga një anonim i shekulli VII, ku paraqitet shenjtori kopt Shenuta, i cili sjell profetësinë kishtare për legjendën e antikrishtit, rreth fundit të botës. Ai shpreh shqetësimin për “sundimin e ardhshëm të myslimanëve” dhe “dhunën që përjetonin të krishterët nën sundimin e tyre”, duke shprehur ndrojtjen për rrezikun e konvertimit të krishterëve në Islam, se: “myslimanët ishin shtypës që po vepronin në emrin e fesë”[Thomas & Roggema: 2009, I, f.182-185]. Ky shqetësim vazhdon pastaj tek Dionysus kur në “Tel-Mahre” (845) thotë se konvertimi i të krishterëve në Islam ishte pasojë e herezisë bizantine dhe mëkatit seksual të të krishterëve [Tolan: 1985, f.40]. Përhapja e Islamit, sipas tij, ishte dëshmi e qartë se kjo fe ishte “fe e antikrishtit” dhe se “fundi i botës” ishte afruar [Travaux et Memories, #11/1991, 381-384].

Duhet potencuar se autorët e këtyre teksteve nuk e njihnin fare Islamin! Ato përdornin legjenda të përhapura e të krijuara kryesisht nga murgjit dhe priftërinjtë, të cilët shqetësoheshin për pozitat e veta. Një prej tyre ishte Eulogiusi i shekulli IX, i cili në “Liber Apologeticus Martyrum” shpresonte të bëhej pengesë e konvertimit të të krishterëve në Islam [Lowney: 2005, f.63], duke e menduar pamundësinë e Islamit për “fe të shpallur” dhe duke shpresuar që prezenca e myslimanëve në Kordovë të zvogëlohej.

Kronikat që kishin të bënin me këtë temë shpesh formuloheshin në forma dialogësh, siç është një anonim i vitit 1235 me tekstin “Dialexis”, një dialog fetar ndërmjet vetë autorit të krishterë dhe një myslimani “saraçen”. Fillimisht si metodë e konvertimit në Krishterim paraqitet bindja, por përfundon me militantizëm dhe agresion. Natyrisht, në fund myslimani “mposhtet” dhe kërkon të konvertohet në Krishterim [Thomas & Mallett: 2009, f.529-537]! I tillë është edhe teksti grek “Dialog me një persian” (1392) nga Manueli II Palaiologos (1350-1425), djali i dytë i Perandorit Gjoni V Palaiologos (1341-1391). Dialogu i shtatë më i rëndësishëm i tekstit e paraqet Muhamedin (s.a.v.s.) “të dhunshëm”. Ndërsa Zoti nuk e aprovon derdhjen e gjakut, konvertimi duhet të bëhet vetëm me bindje dhe jo me dhunë. Këtu u përgjigjet edhe myderrizëve, të cilët thoshin se feja e krishterë nuk mund të jetë fe e natyrshme përderisa në shumë çështje paraqitet kundër natyrës njerëzore, u kërkon më shumë se mund të japin, ta duan armikun, të abstenojnë nga nevojat sensuale etj [Thomas & Mallett: 2013, f.314-325].

Ndryshe nga këta, Roger Baconi (1214-1292) shkruan “Opus majus” me kërkesën e papës Klementit IV. Në kapitullin IV, ai diskuton mbi fetë e mëdha të botës, meritat e tyre dhe mënyrën më të mirë për t’i konvertuar pjesëtarët e tyre. Bacon-i e konsideron nevojën e madhe të latinëve që të absorbojnë arritjet e mëdha intelektuale të botës islame, arritje që ua mundësuan të krishterëve të kenë konfirmimin e së vërtetës dhe të siguronin pikëmbështetjen intelektuale për konvertimin e të gjithëve, natyrisht në Krishterim. Pak më vonë paraqitet kronika “Notitia de Machometo” (1271) i Williami i Tripolit, i cili kërkon të bëhet me çdo kusht konvertimi i myslimanëve [në Krishterim], duke cituar një nga tri profeci, se: “Islamit po i vjen fundi” [Thomas & Mallett: 2012, f.515-520]. Për shkak të besimit të tyre në lindjen e mrekullueshme të Jezusit (a.s.), konvertimi i këtyre myslimanëve mund të ishte shumë i lehtë!

I këtij mendimi ishte edhe Ramon Llulli (1232-1315) në “Doctrina pueril” (1274-1276) dhe “De fine”, ku shkruan pastaj për mënyrën e konvertimit të myslimanëve dhe metodat që duheshin përdorur për tua marrë Tokën e Shenjtë [Studia Llulliana, #49/2009, f.71-105]. Këtë tokë të krishterët nuk do ta marrin derisa të qëndrojnë larg nga rruga dhe shembulli i apostujve. Ai propozon hapjen e manastireve dhe predikimin në gjuhën që myslimanët e kuptojnë! Jetën ia kushton “shërbimit ndaj Perëndisë”, në mënyrë të veçantë për të vdekur “në rrugën e Perëndisë”, duke i konvertuar myslimanët në Krishterim dhe duke shkruar një libër që do të ndihmonte në konvertimin e tyre [Constable: 1997, f.276-279]. Ai ydhëtoi në Europë për t’u takuar me papët, mbretërit e princërit dhe për të krijuar kolegje të veçanta në përgatitjen e misionarëve të ardhshëm [P.R.Blum: “Philosophy of Religion in the Renaissance”, f.1-14], po ashtu në misionin e konvertimit të myslimanëve. Ky konvertim duhej të bëhej “me anë të lutjes dhe jo përmes forcës ushtarake”. Arma kryesore ishte predikimi. Asnjëherë nuk duhej sulmuar feja e tyre, përkundrazi, duhej shfrytëzuar burimet e zgjedhura të fesë së tyre për “të vërtetat e krishtera”. Në këtë kontekst, ai i merr të gjitha pjesët e Kur’anit dhe të haditheve që përkojnë me mësimet e krishtera për të treguar se është po ajo vërtetësi, por në veçanti përpiqet “t’ua sqarojë” myslimanëve dyshimet e tyre rreth trinitetit.

Mënyra paqësore e konvertimit vazhdoi të qëndronte në disa tekste të mëvonshme, siç ishte korrespondenca që Segovia i dërgon kardinalit të Shën Pjetrit (Nikollës së Kuzës) më 2 dhjetor 1454. Ai kishte marrë për detyrë që t’i gjente një kopje të Kuranit dhe të interesohej më shumë rreth Islamit. Ai thotë se të krishterët mund të ngadhënjejnë mbi Islamin vetëm përmes mësimeve dhe bindjeve, sepse: “lufta asnjëherë nuk e ka pasur efektin e të konvertuarit”, megjithatë vetëm predikimi nuk është i mjaftueshëm! Ai i propozon një takim vjetor me fisnikërinë europiane që të dërgohet e të flasë me sunduesit myslimanë, që t’ua paraqesin atyre të vërtetën e krishterë. Segovia mendonte se Kurani i frymëzon myslimanët të bëjnë luftë, por i frymëzon gjithashtu të bëjnë edhe paqe, prandaj ata nuk do të refuzojnë një delegacion që do të vijë për të diskutuar për paqen. Kryefjala dhe kallëzuesi në këtë korrespondencë është konvertimi i myslimanëve. Ata nuk e njohin mesazhin e Krishtit dhe prandaj mendojnë se besimi i të krishterëve është i gabuar. Në fund e përshkruan konvertimin e një ambasadori nga Granada dhe shpjegon se si myslimanët janë të verbër ndaj të vërtetave të krishtera [Thomas & Mallett: 2013, f.429-442].

S’do mend se në këtë “lojë” ishte i përfshirë edhe papa, i cili kishte kërkuar prej Juan de Torquemadas (1388-1468) një raport paraprak për koncilin e Mantovas (1459). Teksti njihet si “Contra principales errors perfidi Machometi, contra errores”. Duke ndjekur skemën tradicionale, Torquemada i vendos dymbëdhjetë karakteristika të Krishterimit që mund t’i motivojnë myslimanët për t’u konvertuar. Ai u bën apel princërve të krishterë dhe legatëve të Koncilit, për të përdorur të drejtat e tyre religjioze dhe politike. Ai i nxit ata të organizojnë një kryqëzatë “për dashurinë ndaj Krishtit“ dhe për përkushtimin e respektit ndaj tij, për dashurinë ndaj “res publica” të krishterë, të cilën duhet ta mbrojnë për krenari dhe lavdi dhe për shpërblimin e madh të premtuar për ata që do të marrin pjesë në të. Qëllimi parësor i argumentit është ambicia e Papa Piusit II për kryqëzatat kundër turqve. Është një tekst i lexuar dhe i cituar shumë herë, jo vetëm nga vetë papa, që e përdor si referencë në fjalimet e veta, por edhe nga Nikolla i Kuzas, i cili ndryshe nga qëllimi, në fund pajtohet me Turquemada-n te “Cribratio Alchorani” [Thomas & Mallett: 2013, f.447-450].

Në këtë kohë paraqitet edhe teksti “Catalogo delle edizioni di Girolamo Savonarola”, një përmbledhje shkrimesh e ligjëratash të Girolamo Savanorolas (1452-1498), që përjetuan disa botime gjatë shekujve XV dhe XVI. Savonarolas nuk kishte ndonjë mendim negativ për myslimanët (turqit), nuk propozoi kryqëzatë dhe as që mendoi se infedelët duhet të zhdukeshin. Ai e imagjinoi konvertimin e tyre në Krishterim në koincidencë me “të krishterët e shpifur”. Ai ishte në dijeni për respektin që myslimanët kishin për Jezusin (a.s.) dhe kishte mendime të mira për teorinë e përhapur të drejtësisë në mesin e turqve. Kur Angelo da Vallombrosa (1455-1530) shkaktoi një masakër të përgjakshme kundër myslimanëve, Girolamo vazhdonte të mendonte se përmes myslimanëve të konvertuar do të ringjallej kisha. Në fund të fundit, kush duhej të fajësohej për sukseset e turqve nëse jo vetë të krishterët: “paccatis exogentibus”? A nuk ishin fajtorë heretikët dhe të sëmurit e kishës? Cili ishte ndryshimi ndërmjet besimtarit, kurisë së korruptuar papnore dhe prelatit, i cili tërheq zemërimin e Zotit në kokën e të krishterit? A duhej infedeli të dyshonte në shfaqjen e këtij zemërimi? A ia vlente pra të luftohej infedeli? [Cardini: 1999, f.145].

Koha tregoi se “ia vlente”! Nga fundi i vitit 1499 kishte konvertime të detyrueshme masive e sistematike të myslimanëve të Granadës në Krishterim. Shtypjet dhe tensionet bënë që një pjesë e myslimanëve të fillonin kryengritjen në lagjen Albacin të qytetit (1499) dhe në Alpujarra të periferisë (1500).

Politika e konvertimit dhe e evangjelizimit të myslimanëve filloi me arqipeshkvin e Granadës – Hernando de Talavera (1428-1507), por më 1499 arqipeshkvi i Toledos, Francisco Jimenez de Cisneros (1436-1517), u angazhua personalisht për ta ndryshuar tërësisht mbretërinë. Në fillim të vitit 1500, Cisnero kryesoi një grup klerikësh nga Katedralja e Toledos në aksionin e konvertimit të myslimanëve të Granadës. Për këtë shkak, ai i siguroi materialet e nevojshme pastoriale dhe fonde për inkurajimin e pagëzimeve. Si pjesë e kësaj, ai angazhoi Antonio Garcia de Villalpandon (?-1513) që të shkruante një tekst katekizmi dhe ta vinte në qarkullim të gjerë. Teksti u njoh si “Instruccion de la vida Christiana” [Udhëzime rreth jetës së krishterë] dhe përfshiu një histori të myslimanëve të Kastiljes. Qëndrimi antiislam i Villaplandos ishte më shumë apologjetik sesa pastorial. Ai e përkrahu politikën monarkiste katolike të ndarjes së myslimanëve e hebrenjve prej të krishterëve, duke këshilluar fuqishëm pastaj dëbimin e myslimanëve nëse ata nuk do të pranonin të konvertoheshin. Kjo kulmoi me urdhrat mbretërorë të Kastiljes të vitit 1501 për dëbimin e myslimanëve prej Granadës dhe të vitit 1502 për dëbimin e tyre nga e gjithë Spanja [Thomas & Chesworth: 2014, f.49-53]. Më pastaj, Wynkyn de Worde (?-1534) shkruan traktin “Treatise of the turkish law callet Alcoran” (1515) që besohet të jetë më i hershmi në Angli që i kushtohet (anti)Islamit. Në të ka një ilustrim ku paraqitet një figurë djallëzore, përkatësisht Antikrishti, dhe shpreh mendimin se konvertimi i myslimanëve në Krishterim është fare i lehtë, se: “saraçenët besojnë aq shumë në fenë tonë, sa së fundmi janë kthyer aq shumë, kur kanë pasur predikues të mirë për t’u mësuar fenë e Jezu Krishtit” [Thomas & Chesworth: 2014, f. 620-625].

Mbi historinë dhe origjinën e liderëve të turqve” është një tekst i vitit 1519, i shkruar nga Teodoro Spandignon (?-1538), nga një familje refugjate bizantine e vendosur në Venedik. Duke bërë një krahasim të sunduesve të krishterë me ato osmanë, ai thotë se osmanët: “kanë bërë diçka fisnike, diçka për ta mbajtur mend, diçka që princërit e krishterë të kohës nuk janë në gjendje ta bëjnë për ta promovuar fenë e tyre”. Merr për shembull sulltan Selimin që ishte i drejtë për çdo qytetar të vendit, pavarësisht fesë dhe racës. Megjithatë, profecitë për “dënimet turke” ishin përhapur gjithandej në Europë në periudhën e hershme moderne dhe lidheshin me tekstin biblik të Revelatës që parashikonin rimëkëmbjen e të gjitha vendeve të humbura nga osmanët dhe konvertimin e tyre në Krishterim [Setton: “Western Hostirlity to Islam”, f.41]. Me gjithë “profecitë” për shembjen e shpejtë të Perandorisë Osmane, frika nga “planeti i zi” – konvertimi masiv në Islam shtohej gjithnjë e më shumë [Blanks: “Western Views of Islam”, f.215]. Shpesh ekzistonte bindja se turqit kishin aftësi ta konvertonin gjithë botën në Islam, se ata nuk dëshironin asgjë më shumë sesa ta përhapnin doktrinën e Muhamedit (s.a.v.s.) në çdo vend, me bindje se duke vepruar kështu i bënin shërbimin më të mirë Perëndisë. Propagandën mbi konvertimet në Islam qëllimisht e shprehnin si “turqizim” [Nicol: 1997].

Prej vitit 1530, Martin Luteri (1483-1546) e vë theksin te “Libellus de ritu et moribus Turcorum” [Libri i riteve dhe i zakoneve të turqve], një traktat në latinisht mbi religjionin dhe kulturën turke, me gjasë tekst i domenikanit Georg von Meulbach, që kishte qenë i burgosur në Kostandinopojë 70 vjet më parë, një traktat për të cilin Luteri thoshte se ishte “një përgënjeshtrim ndaj Kur’anit”. Po atë vit (1530), Luteri e shkroi edhe tekstin në latinisht “Martinus Liutherus lectori pio” [Martin Luteri lexuesit të devotshëm], me të cilin dëshironte të informonte lexuesin në lidhje me turqit. Çuditërisht, Luteri i lavdëron turqit për vendosmërinë dhe sinqeritetin që kishin për fenë e tyre dhe i këshillonte të krishterët që të mos e konsideronin Islamin si parregullsi e Krishterimit, se ata nuk duhet të përplasen me pretendimet dhe kulturën e tyre. Megjithatë, i shqetësuar nga ankthi i konvertimeve të të krishterëve të Europës në Islam, Luteri mendonte se nuk mund të luftohej duke sajuar rrëfime të shpifura e gënjeshtra për debate, se duhej realiteti i të dy palëve, në mënyrë që besimtari të mund ta ndajë dhe ta vlerësojë të vërtetën e krishterë. Hëpërhë, për Luterin, Islami ishte më pak i rrezikshëm sesa katolicizmi, megjithatë traktatet e mëvonshme dhe polemikat e Luterit kundër Islamit japin një riorientim të polemikave protestante mbi Islamin, përfshirë paralelisht edhe sulmet kundër kishës romake, një metodë e përvetësuar dhe e përsëritur te të gjitha shkrimet protestante mbi Islamin. Duke përmbledhur tekstet e Luterit, ne do të vërejmë “baticat” dhe “zbaticat” e mendimeve të tij në lidhje me Islamin, përkatësisht me turqit. Konvertimet e shumta [në Islam] ia kishin futur Luterit frikën në palcë. Ata (turqit) që më parë duheshin marrë si shembull, tani ishin të rrezikshëm.

Një përmbledhje letrash të shkruara nga humanisti e teologu Nicolas Cleynaerts (1493-1542) ndërmjet viteve 1539 dhe 1542 është titulluar “A Cruzada Pacifica” [Kryqëzata paqësore]. Nga vetë titulli ishte një “ombrellë” që synonte afrimin paqësor karshi Islamit, në kohën kur shpata ishte arma kryesore për konvertimin e myslimanëve në Krishterim, një gabim i madh sipas Nicolas-it. Duke ndjekur këshillin e Francisco de Vitoria-s, plani i tij synonte konvertimin e myslimanëve “spanjollë e grekë”, por më pas të gjithë myslimanët, të cilëve duhej t’u predikohej në gjuhën që ata kuptonin, qoftë në të folur ose në të shkruar. Ai u kërkoi zyrtarëve t’i gjenin të gjitha dorëshkrimet dhe librat që kishin të bënin me Islamin, ta përkthente Kuranin dhe të fuste programet në universitete, t’i tubonte shkrimet në një përmbledhje, t’i shtypte dhe t’i shpërndante nëpër Europë dhe Afrikë [Thomas & Chesworth: 2014, f.125-136]. Ky veprim – sipas tij – do të ndihmonte në konvertimin e tyre paqësorë!

Një vit më pas (1543) u paraqit trakti “Pro Agarenis neophyties” [Për myslimanët e sapokonvertuar] nga humanisti Juan Bautista Jeronimo Anyes (1480-1553). Ai u është dedikuar dy fisnikëve që ishin të lidhur me kontrollin e konvertimit të moriskonëve në Krishterim. Letrën ia kishte dërguar një prifti, duke i thënë se besonte që konvertimi i maurëve, të cilët ai i quante “fillestarët e mi”, ishte një ndërmarrje e vlefshme dhe për këtë kërkonte trajnimin e priftërinjve. Traktati përmban subjektet e domosdoshme për bashkëpunimin e dijetarëve, priftërinjve dhe fisnikëve, për edukimin e moriskonëve, veçanërisht të fëmijëve të tyre, rëndësinë e konvertimit, për shkak të lidhjes së tyre me turqit dhe domosdoshmërinë e inkuadrimit të arqipeshkvit Jorge de Austria që të ndjekë një politikë të ashpër në këtë çështje. Teksti tregon qartë përpjekjet e kishës katolike për të konvertuar myslimanët e Spanjës. Në Valencia politika e konvertimit të dhunshëm kundër tyre kishte filluar në vitin 1525 dhe Anyes i porosiste priftërinjtë të mos i pagëzonin ata para se t’u mësonin fenë [Thomas & Chesworth: 2014, f.144-149].

Institutiones Catholicae” [Institucionet Katolike] është tekst i shkruar në vitin 1552 nga Diego de Simancas (1513-1583), njërin nga teoricienët më të zellshëm të inkuizicionit spanjoll. Ai thotë se ata që ishin pagëzuar ishin subjekt i juridiksionit inkuizicionist, i gëzuar që myslimanët dhe hebrenjtë po dëboheshin dhe që Spanja u pastrua dukshëm nga infedelët pas vitit 1502. Tani ishte detyrë “vigjilente” që të kërkonin heretikët “e mbetur” dhe kështu ta mbronin fenë e pastër katolike. Teksti përfshin një pjesë me citime ligjore në favor të inkuizicionit, për të krishterët që ishin konvertuar në Islam [sectam saraçenorum] dhe trajtimin e tyre si heretikë e apostatë, ilaç i së cilës është vetëm vdekja. Në vazhdim i shqyrton disa çështje kontroverse – nëse lufta kundër myslimanëve është e arsyeshme edhe kur ata nuk jetojnë në mesin e të krishterëve, në çfarë kushtesh papa mund t’i gjykojë myslimanët që nuk janë në sundimin e tij dhe nëse të krishterët mund ta përdorin ndihmën e infedelëve për mbrojtjen e tyre. Simancasi ia ofron lexuesit komentin e Oldradus da Pontes për ligjin kanunor të shekullit XIV dhe shkrimet e teoricienit inkuizicionist Arnaldo Albertini të shekullit XVI.

Natyrisht, lëvdata të veçanta i kushton Filipit II, i cili e bëri Spanjën vend të pastër të krishterë, i cili jo vetëm që i dëboi hebrenjtë, por edhe myslimanët nga mbretëria e vet. Zelli i Tor­ku­­madës në konvertimin ose dëbimin e tyre bënte që popul­lata të jetonte me frikën e përhershme të arrestimit nën akuzën më të pa­pë­r­fi­ll­sh­me [Roth: 1964.], që të prisje vdekja pse nuk ndezje qirinj “kur du­­hej” ose pse i ndezje kur “nuk duhej” [Armstrong: 2000, f.15]. Por, Simancasi e shtron edhe një problem tjetër, “monstrën” në pamjen e reformistit Martin Luter, “më i keq se Muhamedi”. Nga ana tjetër, edhe hebrenjtë janë më të këqij se infedelët e tjerë, duke krijuar kështu një pretendim abuziv të Oldradusit se kur një hebre konvertohet në Islam, ai nuk duhet të dënohet. Në versionin e mëvonshëm Simancasi i lë po aq hapësirë diskutimit për Islamin dhe Muhamedin (s.a.v.s.), duke vendosur një kapitull më vete “De Mahumetanis”, duke specifikuar se konvertimi i një katoliku në Islam është thyerja më e madhe e ligjit mbretëror, që mund ta kurojë inkuizicioni [Thomas & Chesworth: 2014, f.232-242].

Confutacion del alcoran y secta mahometana” [Përgënjeshtrimi i Kur’anit dhe i sektit muhamedan] është një traktat tjetër antiislam i shkruar në vitin kur u botua “Meshari” i Gjon Buzukut (1555). Autori Lope Obregon, një prift i Spanjës së mesit të shekullit XVI, e shkroi këtë tekst në gjuhën spanjolle si pjesë e shumë teksteve të tjera të kësaj natyre dhe të kësaj kohe në lidhje me konvertimet e dhunshme të myslimanëve në Spanjë. Sipas vështrimit të tij, në kuadër të kësaj politike (të gabuar) kishtare, kishte shumë myslimanë të konvertuar, të cilët në fshehtësi gjithnjë e praktikonin Islamin, prandaj për të mbërritur suksesin e duhur ishte i nevojshëm edukimi dhe bindja e tyre në fenë e vërtetë [Thomas & Chesworth: 2014, f.169-175.].

Në kontekstin e “përbindëshit” paraqitet Islami në “The Alcoran of Mahomet”, që Alexander Ross (1590-1654) [Matar: 1998, f.83] nuk e përktheu nga origjinali arabisht, por nga përkthimi i versionit francez të Andre Du Ryer-it (1606-1658). Ai i bashkëngjiti edhe një tekst tjetër me titull “Jeta e Muhamedit, profeti i turqve, autori i Kur’anit”, ku akuzonte Islamin që e konvertonte shtresën injorante të krishterë, e cila jo vetëm që nuk i njihte “të mirat e Krishterimit”, por as “të këqijat e Islamit”! Të gjitha këto lidheshin me pamfletin e Adolfit të Swartzburgut për “të keqen e turkut” [1598]. Të gjitha këto kishin për qëllim “për të lehtësuar konvertimin e të pafeve në Krishterim përmes polemikës apo për të penguar konvertimet e të krishterëve në Islam”. Është kjo koha kur u paraqit poema “Paradise Lost” e John Miltonit (1608-1674) për “imazhit perëndimor“ mbi “sundimin lindor”(1667). Subjekti është i ngjashëm me tregimin e Edward Webbeit, ku ai shpaloste gjendjen e të krishterëve atje, të cilët sipas tij po hiqnin të “zitë e ullirit” në tortura të rënda, ndërsa ai vetë për 13 vite që qëndroi atje qe detyruar ta mohonte Krishtin “për të besuar Perëndinë e tyre Mahomet” [Webbe: 1879, f.29], emërtim që paraqitet edhe te Shekspiri.

Constantin François Volney (1757-1820) në “Travels Through Syria & Egypt…” solli një histori fiktive që krijoi “myslimanin e keq” si mysliman dhe “myslimanin e mirë” që konvertohej në Krishterim [Rouillard: 1938]. Udhëtarët në Lindjen e Mesme u impresionuan shpesh nga mirësia, bujaria dhe ndershmëria e kulturës islame, por ndiheshin të ofenduar nga thirrja për namaz, nga praktika e martesës, refuzimi i beqarisë dhe jetës askete. Madje, edhe ata që ishin më së miri të informuar mbi Islamin nuk mund të shkëputeshin nga armiqësia ndaj tij. Një shembull është tregimi romantik mbi princeshën myslimane që ra në dashuri me mbretin e krishterë, i hapi portat e qytetit të babait të saj dhe në “surprizë” u kap sulltani. Ajo u konvertua dhe u martua, kurse sulltani u konvertua ose u vra [Metlitzki: 1977, f.160-192].

Në skenën angleze, si në dramën e Robert Dabornes “As a Christian Turn’d Turk” (1612) dhe të Philip Massingerit “The Renegado” (1624), të krishterët konvertohen në Islam dhe paguajnë një çmim të madh për të. Në të dyja veprat (ashtu si edhe në shumë të tjera), myslimani i mirë ishte vetëm ai që konvertohej në Krishterim dhe kjo sigurisht i kishte arsyet e veta, sepse konvertimi i të krishterëve në Islam ishte shumë i përhapur, ndërkohë që konvertimi i myslimanëve në të krishterë ishte shumë i rrallë, pothuajse i padukshëm. Konvertimi i të krishterëve në Islam konsiderohej “dalje nga feja” dhe ata përdornin çdo shpifje për ta arsyetuar rrezikun e paraqitur. Por, a mund të mbrohej feja me shpifje ndaj një feje tjetër? Gjithsesi ishte një strategji për të demonstruar superioritetin e besimit të krishterë, që vazhdoi gjatë shekujve e po vazhdon edhe sot për qëllime të caktuara.

Edhe sot është ngjallur ai “xhihadizmi” i mesjetës, që e identifikon Islamin si fe të dhunës e epshit, xhihadiste, ekstremiste, politike dhe agresive “për kënaqësi të premtuar të botës së ardhshme”. Dhe, nëse ishte kështu, si do të shpjegohej atëherë dhe sot rritja aq e shpejtë dhe aq e madhe e Islamit? Kjo i ishte lënë forcës së armëve, agresionit të suksesshëm ushtarak, konvertimit të dhunshëm përmes tehut të shpatës, se “vetëm kështu mund të përhapej aq shpejt Islami”. Referencat i kishin nga Mesjeta e hershme, kur myslimanët arabë përshkruheshin si banditë të fuqishëm dhe plaçkitës të bashkuar me një oreks të pangopur. Kurrë nuk u shpjegua se nën forcën e cilës armë pushtuesi mund ta përqafonte fenë e të pushtuarit? Si mund të islamizoheshin vendet e Lindjes së Largët pa shkelur kurrë çizme ushtari mysliman në të?!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X