Partia komuniste Shqipëri u krijua në mungesë të konfliktit klasor. Qëllimi krijimit të saj u bë për të ndihmuar Bashkimin Sovjetik të saposulmuar nga Gjermania. Në mbledhjen themeluese u mblodhën simpatizantët e ideve komuniste dhe disa komunistë jugosllavë, madje 30 për qind e themeluesve të PKSH-së ishin shtetas jugosllavë. Me kalimin e kohës, PKSH-ja arriti ta ndante shoqërinë në grupime të mëdha: përkrahësit e saj – komunistët, dhe kundërshtarët e saj – antikomunistët.
Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë
Parashikimet e teorisë së komunizmit
Teoricienët e komunizmit mendonin se revolucioni proletar do të ndodhte njëkohësisht në “të gjitha vendet e civilizuara”, të cilat, sipas tyre, ishin: Anglia, Amerika, Franca dhe Gjermania.
Sipas tyre, revolucioni nuk mund të ndodhte në një shtet të vetëm, për shkak se përhapja e industrisë në shkallë të gjerë i kishte lidhur gjithë popujt e botës, sidomos vendet që ata i quanin “të civilizuara”. Ata arsyetonin se çdo popull ishte i varur nga ajo që i ndodhte popullit tjetër.
Sigurisht, ideologët e komunizmit nuk i përjashtonin tiparet lokale të revolucionit, që diku do të zhvillohej më shpejt e diku më ngadalë, varësisht prej përparimit të industrisë, përmasave të pasurisë dhe masës së forcave prodhuese. Absolute, sipas teoricienëve të komunizmit, ishte kjo: revolucioni do të zhvillohej më shpejt në Angli dhe më ngadalë në Gjermani.
Ky parashikim, arrogant, nuk u përmbush. Revolucioni, në kuptimin marksist të tij (marrja e pushtetit me dhunë), ndodhi në një shtet agrar si Rusia dhe rreth tre dekada më vonë në Shqipëri e disa vende të tjera, të cilat ishin jashtë grupit të “vendeve të civilizuara”.
Ndoshta rasti i Shqipërisë është më tipiku për ta diskredituar teorinë e komunizmit. Në kohën e Marksit dhe Engelsit, Shqipëria nuk ekzistonte, por banorët e territorit ku ajo u krijua më 1912, në gjykimin e tyre (të shprehur në artikullin “British Politics.—Disraeli. The Refugees.—Mazzini in London.—Turkey”, 22 mars 1853), ishin “ende të shumë të papërgatitur për civilizim”. Ai mendonte se natyra e tyre grabitqare e shqiptarëve do t’i detyronte qeveritë fqinje t’i mbanin ata “në nënshtrim ushtarak, derisa progresi industrial i zonave përreth do t’i punësonte në punë krahu”.
Krijimi i partisë komuniste në kundërshtim me parashikimet teorike
Bazuar në tekstin bazë të marksizmit, Manifesti Komunist, mbërritja te krijimi i partisë komuniste ishte një rrugë e gjatë, me disa faza, deri sa të vinte çasti përfundimtar, kur realiteti e lindte natyrshëm partinë komuniste.
Sipas Manifestit, kushti kryesor për krijimin e partisë komuniste ishte ekzistenca e klasës punëtore, ndërsa kushti kryesor për ekzistencën e klasës punëtore ishte ekzistenca e borgjezisë. Narrativa marksiste është kjo: borgjezia e krijon dhe zhvillon industrinë, industria ka nevojë për punëtorë, punëtorët shtohen dhe krijojnë një klasë, e cila quhet “klasë punëtore”. Në thelb të teorisë qëndron një paradoks: borgjezia, të cilën Marksi e urrente dhe për shkatërrimin e së cilës gjakonte, jo vetëm që krijon klasën punëtore, por ajo punon për rritjen e saj deri në atë pikë, saqë klasa punëtore të bëhet një fuqi e aftë që ta asgjësojë borgjezinë.
Realiteti shqiptar, kur u krijua e vetëquajtura parti komuniste ishte krejt e kundërta e asaj që kërkohej nga teoria marksiste për krijimin e një partie komuniste. Partia Komuniste Shqiptare u themelua më 8 nëntor 1941. Ajo u krijua në një kohë që në Shqipëri mungonte klasa punëtore. Dushan Mugosha, komunist jugosllav, njëri nga dy drejtuesit kryesorë të mbledhjes themeluese të PKSH-së, shkroi në kujtimet e tij, më vonë, se komunistët shqiptarë mendonin që në Shqipëri nuk kishte ende parti komuniste, sepse nuk kishte ende klasë punëtore, ndërsa klasa punëtore mungonte për shkak të zhvillimit të ulët të industrisë. Mes komunistëve shqiptarë, sipas Mugoshës, kishte nga ata që mendonin se pushtimi fashist i Shqipërisë kishte qenë një gjë e mirë, sepse do ta zhvillonte industrinë dhe kjo do të mundësonte lindjen e klasës punëtore. Edhe drejtuesit shqiptarë të PKSH-së, vite më pas, e pranonin mungesën e klasës punëtore në kohën e krijimit të PKSH-së. Sipas Gogo Nushit, roli i klasës punëtore në luftën partizane kishte qenë minimal, për shkak se në Shqipëri nuk kishte pasur “punëtori të gjerë”. Për Pandi Kriston, PKSH-ja gjatë luftës ishte mbështetur te fshatarësia dhe ajo vazhdonte të ishte baza kryesore mbështetëse e PKSH-së edhe më 1947. Më 1948, u ndryshua emri i partisë, nga Parti Komuniste në Parti e Punës, kjo me rekomandim të Stalinit, për ta forcuar kështu lidhjen e saj me fshatarësinë.
Sfondi politik i brendshëm dhe i jashtëm
Deri më 22 qershor 1941, simpatizantët e komunizmit në Shqipëri ishin ca naivë që lexonin literaturë komuniste, njerëz me arsim dhe kulturë të ulët, kryesisht zanatçinj, dhe pa rëndësi politike. Më aktivët prej tyre kishin natyrë aventuriere – një pjesë shkuan mercenarë të Bashkimit Sovjetik në luftën e Spanjës. Ata që nuk vdiqën në Spanjë, u kthyen në atdhe si terroristë me eksperiencë.
Komunistët e vërtetë, në kuptimin e plotë të fjalës (njerëz të organizuar në një parti komuniste), ishin një numër i kufizuar, të cilët vepronin jashtë Shqipërisë, në Bashkimin Sovjetik, Francë, Bullgari etj. Ata ishin anëtarë të partive komuniste të këtyre vendeve, ndërsa më vonë një pjesë u kthyen në Shqipëri. Ata që në Shqipëri e konsideronin veten komunistë, pavarësisht se nuk ishin formalisht të tillë, ishin pro pushtimit fashist të Shqipërisë, sepse, siç e kanë shprehur vetë, ai mundësoi largimin e mbretit Zog I nga pushteti. Nga ana tjetër, aleanca e Italisë me Gjermaninë dhe marrëveshja e Gjermanisë me Bashkimin Sovjetik, e njohur si marrëveshja Molotov-Ribentrop (gusht 1939), ndihmoi në qëndrimin miqësor të komunistëve shqiptarë ndaj pushtuesve fashistë dhe aleatëve të tyre nazistë. Në periudhën 1939-1941, qëndrimi i Kominternit ndaj konfliktit botëror ishte neutral, me një qasje më kritike ndaj koalicionit antinazist të drejtuar nga Britania. Kur Gjermania e sulmoi ushtarakisht Bashkimin Sovjetik, më 22 qershor 1941, qëndrimi i Moskës ndaj Gjermanisë dhe aleatëve të saj u bë antagonist dhe ai qëndrim u adaptua nga Kominterni dhe të gjitha partitë komuniste.
Kryetari i Kominternit, Georgi Dimitrov, u thirr menjëherë në Kremlin, prej nga merrte udhëzimet. Më 30 qershor 1941, Dimitrovi mori udhëzime nga ministri i Jashtëm Sovjetik, Molotov, sipas të cilit, komunistët, kudo që ndodheshin në botë, duhet të vepronin me vendosmëri në ndihmë të popullit sovjetik. Gjëja kryesore ishte dëmtimi i prapavijave të armikut dhe demoralizimi i ushtrisë së tij. Kështu, më 1 korrik 1941, Komiteti Ekzekutiv i Internacionales Komuniste miratoi direktivën që urdhëronte partitë komuniste në vendet e pushtuara të organizonin fronte komuniste kombëtare për luftën dhe të vendosnin lidhje me forcat që luftonin kundër Gjermanisë. Qëllimi i fronteve të tilla ishte mobilizimi i popullsisë nga çdo fushë e jetës në luftë kundër ushtrisë gjermane.
Në këtë panoramë gjeopolitike lindi nevoja e organizimit politik të komunistëve shqiptarë. Kjo detyrë iu ngarkua Partisë Komuniste Jugosllave, e cila ishte anëtare e Kominternit.
Ideologjia shkencore e përçarjes
Krijimi i partisë komuniste në një vend që nuk kishte klasë punëtore mund të duket një paradoks, por është fakt. Atëherë, si është mundur? Përgjigjen mund ta japim duke thirrur në ndihmë tekstet e Engelsit.
Në parathënien e librit të “Kushtet e klasës punëtore në Angli, 1844” (1887), Engelsi flet për gjendjen e klasës punëtore në SHBA. Sipas tij, në shkurt të vitit 1885, opinionin publik ishte thuajse unanim në faktin që në SHBA nuk kishte klasë punëtore në kuptimin europian të fjalës dhe, për rrjedhojë, në Amerikë ishte e pamundur ekzistenca e luftës së klasave mes punëtorëve dhe kapitalistëve. Pastaj Engelsi thotë këtë: opinioni publik ishte unanim që “socializmi ishte diçka e importuar nga jashtë që nuk mund të hidhte kurrë rrënjë në Amerikë”. Ai vazhdon të flasë në vazhdim për grevën e minatorëve në Pensilvani, si dëshmi e ekzistencës së konfliktit klasor autentik në SHBA etj., megjithatë ajo çfarë na intereson për qëllimet e këtij artikulli është fakti që Engelsi, njëri nga dy autorët e komunizmit shkencor, e pranonte si të mundshme tezën e importimit të “socializmit” nga një shtet në një shtet tjetër, në rast se në atë vend mungonin kushtet e brendshme për prodhimin e socializmit autentik.
Dhe, pikërisht kjo ishte ajo që ndodhi me Bashkimin Sovjetik, me Shqipërinë e vende të tjera. Një grup njerëzish huazuan teorinë e përçarjes dhe urrejtjes të krijuar nga Marksi dhe Engelsi dhe e aplikuan në vendet e tyre: i identifikuan brenda shoqërisë dy grupe të dallueshme (ose më shumë) dhe i futën në konflikt. Përçarja u ruajt kryesisht në sferën ekonomike, shoqëria u nda në të varfër e të pasur dhe grupimi i varfër u ndërsye kundër të pasurve. Kur ky instrument u diskreditua, sepse veç e shtoi varfërinë dhe e masivizoi krimin, atëherë komunistët përdorën metoda të tjera, por pa e ndryshuar qëllimin. Për shembull, në SHBA nuk u përdor përçarja mbi terma ekonomikë, por racor – aty u identifikuan si grupe kundërshtare racat (njerëzit e bardhë dhe ata me ngjyrë) dhe diskriminimi racor u përdor për nxitjen e “konfliktit klasor”.
Partia komuniste Shqipëri u krijua në mungesë të konfliktit klasor. Qëllimi krijimit të saj u bë për të ndihmuar Bashkimin Sovjetik të saposulmuar nga Gjermania. Në mbledhjen themeluese u mblodhën simpatizantët e ideve komuniste dhe disa komunistë jugosllavë, madje 30 për qind e themeluesve të PKSH-së ishin shtetas jugosllavë. Me kalimin e kohës, PKSH-ja arriti ta ndante shoqërinë në grupime të mëdha: përkrahësit e saj – komunistët, dhe kundërshtarët e saj – antikomunistët. Në grupin e komunistëve bënin pjesë fukarenjtë, injorantët, kriminelët dhe karakteret njerëzore difektoze të të gjitha llojeve. Në krahun e antikomunistëve bënin pjesë të pasurit, të shkolluarit, njerëzit e elitës ekonomike, politike, kulturore etj. Këto dy grupime u futën jo në konflikt ideologjik, por në konflikt të armatosur, në luftë civile, të cilën e fitoi grupimi më kriminal, ai i komunistëve.
Si përfundim, rasti i komunizmit shqiptar tregon se komunizmi nuk ishte një ideologji shkencore, por një instrument për përçarjen e shoqërisë, futjen e saj në konflikt, përmbysjen e rendit politik, ekonomik, kulturor etj., kjo në favor të një grupimi kriminal ose, i quajtur ndryshe, parti komuniste.