loader image
May 21, 2024

Keqkuptimi i Vuçiqit

Vuçiqi nuk është aq e vështirë të njihet. Qëndrimi i tij prorus dhe antiamerikan e antieuropian nuk ka filluar sot dhe nuk ka të bëjë vetëm me refuzimin për sanksione ndaj agresionit rus në Ukrainë. Në dhjetor të 1998, në një intervistë televizive në TV Pet, Vuçiqi thoshte: “Nuk e di arsyen se pse vendet e BE-së ende nuk po ma ndalojnë hyrjen. Thjesht pres të më njoftojnë se më kanë shpallur non grata. Nuk ka përjetim që do më kënaqte aq shumë sa kjo, nuk ka gjë më të bukur se sa të më vihen sanksione nga ata që duan ta bombardojnë popullin tim. Nuk janë fajtorë Millosheviqi e Shesheli, fajtori jam unë…”.

Arbër ZAIMI, Tiranë

Profesori amerikan i politikës së jashtme dhe menaxhimit të konfliktit në universitetin “John Hopkins”, Daniel Serwer, i cili prej shumë vitesh ndjek e analizon me vëmendje edhe situatat në Ballkan, në 12 dhjetor nxori një shkrim të rëndësishëm në faqen e vet me titullin “Deluzionet nuk prodhojnë realitet” ndërkohë që në disa vende në pjesën veriperëndimore të Kosovës strukturat kriminale serbe të kontrolluara nga Vuçiqi kishin ngritur barrikada. Serwer-i e hap analizën e vet me dy vëzhgime të rëndësishme.

I pari: barrikadat e kriminelëve serbë po ndërtohen edhe me kamionë të dhuruar si ndihma nga BE-ja, gjë që e ngre pyetjen se çfarë po financon vallë BE-ja? Pyetje që bëhet edhe më akute kur dihet se BE-ja është partneri më i madh ekonomik i Serbisë, ndërsa Serbia një pjesë të atyre parave i përdor për të blerë tanke e aeroplanë rusë, sisteme raketore kineze dhe dronë iranianë.

Ndërkaq vëzhgimi i dytë lidhet me një deklaratë të Zv.Ndihmës-Asistentit të Sekretarit, ambasadorit Escobar, i cili gjatë atyre ditëve, në një fjalim të mbajtur në Këshillin Atlantik, paska thënë se çdo vëzhgues inteligjent ose analist e di se Rusia nuk do të jetë partner i besueshëm dhe se Putini nuk do të jetë figurë e respektueshme në botën e së ardhme

s, prandaj njerëzit inteligjentë në Ballkanin Perëndimor po shkëputen nga Rusia. Por, a qëndron kjo deklaratë e Escobarit? Sipas Serweri-t, qëndron pjesërisht. Teksa në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni të Veriut kemi një unison të qeverive e opozitave sa i përket afilimit euroatlantik, në Bosnjë e Mal të Zi kemi pjesë të mëdha të politikës që janë edhe në qeverisje, të cilat kanë afilim rus, ndërsa në Serbi edhe më keq – qeveri e opozitë bashkë në masë të madhe janë këmbëngulës anti-NATO, prorusë, kundër sanksioneve, kundër lirisë së Ukrainës, pro-pushtimit dhe skeptikë ndaj BE-së.

Serwer-i jep këshillën: Amerika duhet të qëndrojë me këmbë në tokë e të jetë realiste, Serbia tash për tash është e humbur për perëndimin dhe është kokekëmbë proruse. Natyrisht, keqardhje për jo pak intelektualë, aktivistë të shoqërisë civile, gazetarë hulumtues që bëjnë punën e tyre të përditshme kundër regjimit në Serbi, mirëpo nëse konsiderohet politika parlamentare, Vuçiqi ka krijuar një situatë ku vetë është pro-rus, ndërsa opozitën e ka edhe më luftënxitëse se Putini.

Por, Serwer-i është profesor, ndërsa Escobar-i është zyrtari amerikan i ngarkuar me këtë punë nga Departamenti i Shtetit. Zëri i Serwer-it dhe i të tjerëve, që e njohin mirë situatën, shërben për kthjellimin e mendimeve të lexuesve të kualifikuar apo të studentëve e kolegëve të tyre universitarë, por zëri i Escobar-it është ai që ka efekt aktual politik. Pse, pra, Escobar-i vazhdon të shfaqë një bindje kaq naive, që kjo Serbi me në krye “vozhdin” Vuçiq, do të bëhet inteligjente dhe do të shkëputet nga Rusia e nga Putini? Përgjigjen mund ta gjejmë edhe në histori.

Një shembull na i sjell në veprën e tij Peter Ferdinand Drucker-i, i cili ishte një prej shumë studiuesve e shkencëtarëve që nazizmi i detyroi të largoheshin nga vendi i vet. Bindjet liberale dhe origjina judaike ishin të papranueshme për botëkuptimin nazist që dëshironte të krijonte një ndarje të plotë etnike-racore nën një pushtet totalitar. Sot P. F. Drucker-i studiohet si një ndër autorët me ndikimin më të madh mbi teorinë dhe strategjinë organizative e hierarkike të korporatave, sidomos gjatë pjesës së fundit të shek. XX. me një sërë librash e artikujsh të rëndësishëm jo vetëm në SHBA, por edhe në vende të tjera ku janë përkthyer e studiuar. Pas Luftës së Dytë Botërore, në librin “Një ekonomist vështron Paqen”, Drucker-i (i cili edhe më parë kishte dhënë vëzhgime të mprehta mbi fenomenet shoqërore që i paraprinë apo shoqëruan nazizmin), shkruante: “Nëse nuk kemi një nënvetëdije të përbashkët, atëherë na bëhet e vështirë të kuptojmë sjelljet e njëri-tjetrit. Të gjithë kemi pasur përvoja ku dikush që vjen prej një tjetër mjedisi, prej një tjetër krahine të vendit, prej një tjetër grupi shoqëror, ndoshta prej një vendi tjetër krejt, sillet komplet ndryshe prej asaj që ne e konsiderojmë sjellje normale… Në punët ndërkombëtare kemi pasur një shembull grotesk dhe tragjik të një dështimi të tillë për të kuptuar njëri-tjetrin, si dhe të rreziqeve që rrjedhin prej këtij dështimi: kur z. Neville Chamberlain pati besimin e thellë se Hitleri do të reagonte, do të mendonte e do të vepronte në të njëjtën mënyrë si ndonjë biznesmen i suksesshëm britanik; dhe nga ana tjetër me gjasë edhe Hitleri nga ana tjetër, ka pasur pritjen se britanikët dhe amerikanët do të reagonin dhe do të vepronin sipas mënyrës ‘realiste’ të një shefi nazist”.

A është vallë Escobar-i duke bërë gabimin e njëjtë me kryeministrin britanik, Neville Chamberlain, i cili pas pushtimit të Çekosllovakisë nga Gjermania, e vizitoi Berlinin për ta bindur fyhrerin që paqja ishte më e mirë se lufta. Por, siç vë në dukje Drucker-i, Chamberlain-i nuk e ka kuptuar fare Hitlerin. Teksa ai u kthye në Londër me besimin se racionaliteti pragmatist kishte triumfuar me një “peace for our time”, udhëheqësi nazist kishte filluar të përgatiste pushtimin e Polonisë.

E pra Vuçiqi nuk është aq e vështirë të njihet. Qëndrimi i tij prorus dhe antiamerikan e antieuropian nuk ka filluar sot dhe nuk ka të bëjë vetëm me refuzimin për sanksione ndaj agresionit rus në Ukrainë. Në dhjetor të 1998, në një intervistë televizive në TV PET, Vuçiqi thoshte: “Nuk e di arsyen se pse vendet e BE-së ende nuk po ma ndalojnë hyrjen. Thjesht pres të më njoftojnë se më kanë shpallur non grata. Nuk ka përjetim që do më kënaqte aq shumë sa kjo, nuk ka gjë më të bukur se sa të më vihen sanksione nga ata që duan ta bombardojnë popullin tim. Nuk janë fajtorë Millosheviqi e Shesheli, fajtori jam unë…”. Ndërkaq, pak muaj më vonë, në “Velika Srbija” në maj të 1999 Vuçiqi thoshte se “Amerika është bartëse e nazizmit të ri, dhe po zbaton diçka që as Adolf Hitleri në kohën e tij nuk e bënte”. Në vitin 2001 nga Tv MONTENEGRINA Vuçiqi shprehej se “u kemi thënë amerikanëve që emisionin e tyre spiunor dhe propagandistik “Zëri i Amerikës” nuk do të lejojmë ta transmetojnë tek ne”. Po në atë intervistë shprehej se Zoran Gjingjiqi “është haptazi antiserb dhe shërbëtor i Amerikës”. Më vonë fati i Gjingjiqit nuk qe i mirë, përfundoi i vrarë prej dorës së zezë të mafias serbe që është e përbërë nga ish-ushtarë e paraushtarakë serbë, të lidhur ngushtë me qarqet shoviniste e pro-ruse. Deklaratat e Vuçiqit më vonë kanë evoluar, kanë pasur kthesa e ulje-ngritje, por kurrë ai nuk hoqi dorë nga fillimet e veta. Edhe në vitin 2018, kur tashmë konsiderohej si faktor i rëndësishëm stabiliteti për Ballkanin, Vuçiqi pa pikë droje në një fjalim që e mbajti në Mitrovicë të Kosovës, u shpreh se Millosheviqi ishte një lider me synime të mira, por që nuk pati efikasitet në rezultate.

E nëse fjalët nuk mjaftojnë për ta vlerësuar Vuçiqin dhe për ta kuptuar atë? Atëherë le të shohim veprat. Në nëntë vitet e fundit Serbia ka rritur ndjeshëm buxhetin për armatim dhe siç e përmendëm më lart ka blerë armatim kryesisht prej vendeve nga të cilat SHBA-ja pret që Serbia të shkëputet. Më kot pretendohet se përmes financave perëndimi do ta kontrollojë Vuçiqin. Në Beograd armët kanë forcë bindëse më shumë se paratë. E nëse armët vijnë nga Moska, Pekini apo Teherani, atëherë atje nuk dëgjohet inteligjenca që përmend Escobar-i, por një inteligjencë e një lloji tjetër.

Më kot lodhet kryeministri i Shqipërisë, Rama, i cili është ngarkuar si duket me detyrën e “policit të mirë” në raport me Vuçiqin. Rama ka postuar në Twitter me bujë të madhe ndonjë rast të veçuar, kur Vuçiqi ka votuar kundër Rusisë në OKB. Është dëshmuar sakaq se, përgjatë këtyre dhjetë muajve të agresionit rus në Ukrainë, në mbi 90 për qind të rasteve Serbia në OKB ka votuar sipas linjës që i leverdis Moskës. Serbia e Vuçiqit, pra, ashtu siç thotë Serwer-i, tashmë është një Bjellorusi në mes të Europës. Ajo e ka rrethuar Kosovën me baza ushtarake e policore, ndërkohë që mirëmban edhe një strukturë paraushtarake kriminelësh në disa komuna të Kosovës. Nuk është largmendsh që këtë strukturë ta përdorë edhe për ndezjen e ndonjë konflikti të ri, nëse kjo do të jetë në interes të Rusisë, e cila po zbythet në Ukrainë dhe ka nevojë të shpërqendrojë vëmendjen e gjithë botës nga ky turpërim i veti.

Edhe vetë Vuçiqit mund t´i interesojë ndezja e ndonjë konflikti të tillë, sepse në asnjë mënyrë nuk dëshiron të ulet e të nënshkruajë marrëveshje sipas kuadrit të propozuar franko-gjerman. Ditë pas dite ai nxjerr nga një arsye të re, nga një pretekst të ri, nga një kërkesë të re për Kosovën, sepse i trembet tekstit të marrëveshjes siç i trembet shejtani Biblës apo Kuranit.

Kjo është situata e vërtetë, e cila duhet parë në sy me realizëm. E vetmja mënyrë që Serbia të mbetet në kampin gjeopolitik euroatlantik, është që ajo të demokratizohet. Por, e vetmja rrugë për demokratizimin e Serbisë, është largimi i një pjese të madhe të klasës aktuale politike, ndërsa kjo gjë në plan afatmesëm nuk është e mundshme, përveçse me sanksione ekonomike në mos po me luftë, teksa afatgjatës nuk i dihet. Pritja se mbase Vuçiqi bëhet inteligjent dhe shkëputet nga Rusia do të jetë pritje e kotë, e gjithsesi një pritje për të cilën Kosova nuk e ka luksin të paguajë asnjë çmim.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X