loader image
September 16, 2024

Kalorës të mëdhenj e të përsosur mbi supet e një populli “rrugëhumbur” e të vogël

Ka shumë autorë që kanë një emër të njohur dhe të respektuar në letërsinë e kulturën shqiptare dhe më gjerë. Secili ka fituar një vend të veçantë në zemrat e lexuesve dhe kritikëve, të cilët e kanë lavdëruar për veprat e tij që trajtojnë tema të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare. Megjithatë, kur vjen puna te kritika, duket se ka një hezitim të përgjithshëm për të vënë në pikëpyetje meritat dhe ndikimin e tyre. Pra, jemi të lirë për ta lavdëruar kryeintelektualin e radhës, por jo për ta kritikuar. Sidomos kjo vlen në rast se ai ka qenë një figurë që ka përfaqësuar letërsinë dhe kulturën shqiptare në arenën ndërkombëtare.

Ardian MUHAJ, Tiranë

Kalërues të mëdhenj nga një popull i vogël apo kalërues të vegjël nga një popull madhështor

Shqiptarët, ndonëse një popull i vogël në numër, kanë një histori të pasur dhe të mbushur me ngjarje të rëndësishme. Ata kanë ruajtur me këmbëngulje identitetin përballë sfidave të ndryshme historike dhe politike. Autorë të shumtë kanë trajtuar dhe vazhdojnë të trajtojnë tema të lidhura me historinë, mitet dhe realitetet sociale të shqiptarëve. Përmes këtyre autorëve, lexuesit marrin një pasqyrim të saktë ose të shtrembëruar, të traditave dhe të sfidave që shqiptarët kanë përballuar ndër shekuj. Sidoqoftë, nëse fokusohemi në detajet e vogla të jetës së përditshme dhe të kulturës shqiptare, mund të kuptojmë se madhështia e një populli nuk qëndron vetëm në arritjet e mëdha historike, por edhe në jetën e përditshme, në traditat dhe në vlerat që ai ruan.

Këndvështrimi egocentric, që priret të shohë cekët, nuk arrin ta shquajë madhështinë e trashëguar mbi të cilën një brez i caktuar ka tagrin ta përfaqësojë dhe shpalojë. Pavarësisht shtrirjes gjeografike dhe numrit relativisht të vogël të popullsisë, shqiptarët ka dhënë shumë kontribute të rëndësishme në kulturën dhe historinë botërore. Kultura shqiptare është e pasur me folklor, tradita dhe vlera që kanë mbijetuar për shekuj me radhë, duke krijuar një identitet të veçantë dhe të fortë. Kësisoj, nuk është aspak e vështirë që një shkrimtar ose autor të tregojë madhështinë e popullit shqiptar përmes veprave dhe ideve të tij.

Duke u mbështetur në këtë parashtrojë, është me vend të shihet nëse në veprat e autorëve ose kalorësve të mbajtur për të mëdhenj ka shënjues të arrogancës dhe nënçmimit të popullit që i përkasin, si strategji për të madhështuar veten dhe veprat e tyre. Tradita e autorëve që, përkundër talentit dhe mjeshtërimit të penës, e përshkruajnë herë pas here popullin shqiptar në dritë negative në veprat e tyre, duke theksuar prapambetjen, izolimin dhe veset shoqërore, është më se njëshekullore, duke marrë formë të dukshme në fillet e shekullit XX. Ky rrymim nuk arrin të jetë rrymë, por më shumë ngjason me një rrëke, që kur gjen shtrat përrocke për t’u lëshuar teposhtë, i bën ndot e dëm edhe frytet e ëmbla që dora e autorëve të tillë i ka kultivuar. Kjo rrëke shpesh e ka shfrytëzuar letërsinë dhe kulturën e shkruar, në përgjithësi, për të krijuar një largësi midis vetes dhe shoqërisë shqiptare. Autorët e tillë e kanë paraqitur veten e tyre, kohë pas kohe e herë pas here, si intelektualë të përparuar dhe të ndriçuar në kontrast me bashkëkombasit e tyre dhe me kombin shqiptar, të prapambetur e “rrugëhumbur”.

Veprat dhe autorët e kësaj rrëkeje qëndrojnë si kritika të ashpra ndaj kulturës dhe traditave shqiptare, ku shpesh Shqipëria portretizohet si një vend dhe shoqëri e mbushur me bestytni dhe ngurtësi, duke nënvizuar problemet dhe mangësitë e shoqërisë shqiptare. Kjo qasje mund të shihet edhe si një mënyrë e këtyre autorëve për të nënçmuar popullin shqiptar dhe për të ngritur veten e tyre si zëra kritikë dhe përparimtarë. Arroganca e autorëve të kësaj rrëkeje shquhet edhe në mënyrën se si janë përpjekur të paraqiten në skenën letrare e kulturore ndërkombëtare, shpesh duke promovuar veten si zëra kryesorë dhe përfaqësues të kulturës shqiptare, duke lënë në hije autorët e tjerë dhe duke kërkuar vëmendje për vetveten. Kjo vetëmadhështi mund të shihet si një përpjekje për të ndërtuar një imazh të lavdishëm të vetes në kurriz të popullit të tyre.

Nga ana tjetër duhet të mos biem në gabimin që tek autorët e kësaj prirjeje të shohim vetëm këtë aspekt të identitetit të tyre intelektual. Vepra e secilit autor është aq shumëdimensionale dhe e pasur, saqë këto aspekte nuk mund ta zhbëjnë talentin dhe dashurinë e kujdesin e tyre për kulturën, shoqërinë dhe kombin shqiptar. Autorët në këtë shpërfaqje intelektuale nuk janë thjesht rrëfimtarë, por edhe shpalosin dhuntitë e tyre si komentues mbi shoqërinë, politikën dhe kulturën shqiptare. Lëshimet e përmendura, që mund të interpretohen si pjesë e asaj rrëkeje intelektuale, ndodh të mos jenë madje as të qëllimshme apo dashakeqe. Thjesht, janë aty dhe nuk mund të mbyllim sytë aq shumë, sa të bëjmë sikur nuk janë. Duke i evidentuar, i shërbejmë vlerësimit të veprave të kësaj rrëkeje kulturore, ku shpeshherë autorët trajtojnë tema të pushtetit, lirisë dhe vendit të individit brenda kornizës më të gjerë shoqërore.

Kombi ka gabuar, por kalëruesit nuk gabojnë!

Historia është shënjestra më e qëlluar e autorëve të kësaj rrëkeje kalëruesish rrugëduhur të këtij populli “rrugëhumbur”. Duke mos qenë të aftësuar si historianë, në veprat e tyre përzihet historia dhe miti, duke u shndërruar në aspekte qendrore në shprehjen e pakënaqësisë së tyre ndaj popullit shqiptar. Ata shpeshherë zhyten në të kaluarën e Shqipërisë, duke krijuar paralele midis ngjarjeve historike dhe çështjeve bashkëkohore. Nga një perspektivë sociologjike, këto vepra ofrojnë një burim të pasur për shqyrtimin e shoqërisë shqiptare. Portretizimi i jetës së përditshme, normave shoqërore dhe ndryshimeve kulturore ofron brendashikime të vlefshme në strukturën e jetës shqiptare, duke i bërë këto vepra një burim i rëndësishëm për sociologët dhe historianët.

Rrugëduhurit kalërues paraqiten si kritikët më të njohur dhe më të ashpër të shqiptarëve, duke trajtuar pa mëshirë veset dhe mangësitë, sipas kutit matës të tyre. Megjithëse kritikat e tilla kanë potencial për të shkaktuar shumë debat dhe polemikë në komunitetin intelektual shqiptar, por edhe përtej tij, përdorimi i një artifici logjik e shpëton këtë rrëke intelektuale nga akuza për nxitjen e urrejtjes, denigrimin apo akuzimin kolektiv ndaj një populli. Përkatësia në atë popull ua jep në dukje atë tagër të paqenë për ta kritikuar popullin e tyre. Është një mjet i gabuar në vetvete, por që faktikisht ua ka shtresuar përrockën për ta rrëmuar rrëkenë e tyre. Të njëjtat qëndrime sikur të ishin qenë shprehur ndaj një populli tjetër padyshim që do kishin qenë të mjaftueshme për ta paraqitur rrëkenë e tillë intelektuale si shoviniste, ksenofobe, raciste, etj. Paradoksalisht, e njëjta kritikë, fajësim apo denigrim kolektiv, kur i drejtohet një populli tjetër, është e dënueshme, e papranueshme, urrejtjenxitëse apo raciste e ksenofobe, kurse nëse i drejtohet popullit të vet, shndërrohet në të lejueshme, të pranueshme, dashamirëse.

Në këtë rrëke intelektuale përgjatë mëse një shekulli janë shprehur qëndrime të tilla nga artikuluesit e ndryshëm si “shqiptarët janë kokëfortë dhe të prirur për gjaknxehtësi”, si të aftë për “trimëri të madhe, por të drejtuar në mënyrë të gabuar dhe për arsye të parëndësishme”, ​si “të prapambetur në sytë e Evropës së qytetëruar” dhe që u mungon “dëshira për të mësuar nga të tjerët dhe për të ndryshuar​” ose edhe si “skllevër të zakoneve të tyre” e si “armiq të vetvetes”, si “të lidhur më shumë pas individëve sesa pas ideve dhe vlerave të përbashkëta”. Qëndrime të tilla kanë vazhduar dhe janë shtjelluar vazhdimisht në këtë prirje, si ato mbi “rëndësinë e tepruar që shqiptarët u japin traditave dhe zakoneve të vjetra”, duke i parë këto si një pengesë për përparimin shoqëror dhe kulturor, mbi prirjen “e izolimit dhe vetëkënaqësisë që karakterizon shoqërinë shqiptare, që nuk mëson nga përvojat dhe gabimet e së kaluarës​” ose mbi “paaftësinë e shqiptarëve për të ruajtur dhe zhvilluar një identitet të qëndrueshëm përballë krizave dhe ndikimeve të huaja”.

Pjesë e pandarë dhe thelbësore e kësaj është edhe kundërshtia dhe fryma denigruese ndaj figurave të krahasueshme intelektuale, si një shpallje triumfi gjelash, që nuk kursen kolegët e vet bashkëkombas, qofshin të gjallë apo të vdekur. Figurat e tjera në këtë rrekje paraqiten sidomos si të patalentuar, që rrekeshin të krijonin vepra që ishin “sa jashtë kohe, aq dhe jashtë mundësive” të tyre, që u “mungonin shumë gjëra, e në radhë të parë ai talent i veçantë”, që bëhej shkak që veprat e tyre të ishin monotone dhe sterile, ku në ndonjë rast “himnizohej Shqipëria e prapambetur, kanunore e mesjetare” dhe sidomos qëndrohej kundër mesazheve “nacionaliste” që shkonin deri në nivelin e “një ksenofobie totale e që synonte izolimin e plotë të Shqipërisë prej botës së jashtme”. Madje, rreziku i veprës së tyre paraqitej i tillë që “rrezikonte ta kthente atë në një gur varri që mund t’i merrte frymën gjithë letërsisë shqipe.” Dikund tjetër figurat rivale paraqiten me epitete si “grindës i pashoq” që shkruanin vepra e artikuj “plot helm e tallje”.

Kjo përpjekje denigruese ndaj autorëve të perceptuar si rivalë për fronin e kryeintelektualit mund të ishte një taktikë për të zbutur ose shuar zëra potencialë që mund të sugjeronin se vlera e veprës së pretendentit për kryeintelektual nuk është aq e lartë sa pretendohet, se në shumë aspekte vepra e tij është mediokre dhe nuk meriton vlerësimin e jashtëzakonshëm që shpesh i atribuohet, se tematika e tij shpeshherë është e përsëritur dhe i mungon diversiteti, me një stil të thatë dhe të papërpunuar, që nuk arrin të përçojë ndjenja të thella ose të krijojë përvoja të fuqishme.

Liria për të lavdëruar, por jo për të kritikuar

Ka shumë autorë që kanë një emër të njohur dhe të respektuar në letërsinë e kulturën shqiptare dhe më gjerë. Secili ka fituar një vend të veçantë në zemrat e lexuesve dhe kritikëve, të cilët e kanë lavdëruar për veprat e tij, që trajtojnë tema të rëndësishme të historisë dhe kulturës shqiptare. Megjithatë, kur vjen puna te kritika, duket se ka një hezitim të përgjithshëm për të vënë në pikëpyetje meritat dhe ndikimin e tyre. Pra, jemi të lirë për ta lavdëruar kryeintelektualin e radhës, por jo për ta kritikuar. Sidomos kjo vlen në rast se ai ka qenë një figurë që ka përfaqësuar letërsinë dhe kulturën shqiptare në arenën ndërkombëtare. Dekorimi me çmime kombëtare e ndërkombëtare dhe intervistat apo shkrimet që e lartësojnë atë shërbejnë si hajmali kundër sykëqinjve, që potencialisht mund ta kritikojnë. Ky status krijon një aureolë rreth tij, ku çdo fjalë dhe çdo vepër e tij shpesh konsiderohet si e shenjtë dhe e paprekshme. Kështu lavdërimi i kalëruesit të madh shndërrohet një normë sociale e pranuar gjerësisht. Ai njihet si një simbol i kulturës shqiptare dhe veprat e tij zakonisht përfshihen në kurrikulën shkollore, duke u lexuar dhe studiuar nga breza të tërë.

Në këtë mënyrë arrihet deri tek pamundësimi i këndvështrimit kritik. Lavdërimet e vazhdueshme dhe mungesa e kritikës konstruktive krijojnë një mjedis ku mendimi kritik është i kufizuar. Kjo dukuri ka ndikime të rëndësishme në diskursin kulturor. Duke vendosur një figurë në një piedestal të pakritikueshëm, rrezikojmë të humbasim një analizë të thelluar dhe objektive të veprës së tij. Në çdo shoqëri demokratike, diversiteti i mendimeve dhe kritika janë komponentë thelbësorë për zhvillimin e një diskursi të shëndetshëm publik. Pa kritika të ndershme dhe të sinqerta është e vështirë të zhvillohet një vlerësim i balancuar i veprës së cilitdo dhe të analizohen aspektet e saj pozitive dhe negative.

Një nga arsyet kryesore për mungesën e kritikës ndaj kryeintelektualëve të radhës është frika e përjashtimit nga komuniteti kulturor dhe intelektual. Të kritikosh shpesh shihet si një veprim i guximshëm, që mund të çojë në stigmatizim dhe izolim. Ky presion shoqëror dhe profesional ka bërë që shumë intelektualë të zgjedhin të heshtin në vend që të shprehin mendimet e tyre të vërteta. Mirëpo, për ta mbajtur kulturën kombtare të gjallë dhe të shëndetshme duhet të jemi të gatshëm të pranojmë si lavdërimet, ashtu edhe kritikat. Vetëm përmes një dialogu të hapur dhe të sinqertë mund të vlerësojmë plotësisht vlerat dhe mangësitë e veprës së kujtdo, duke e pasuruar kështu trashëgiminë tonë kulturore.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X