loader image
December 3, 2024

Imamët shqiptarë e mbrojtën Pazarin e Ri nga çetnikët

Kur Pazari i Ri dhe Senica ishin të kërcënuara me shfarosje nga çetnikëve serbë, Mulla Jakup Efendiu organizoi menjëherë rozhajasit dhe ata të Bishevës dhe, gjithashtu, e informoi mikun e tij në Kosovë, Shaban Polluzhën, duke kërkuar prej tij që menjëherë t’u vijë në ndihmë banorëve të Pazarit, sepse ishin të rrezikuar nga çetnikët. Këta dy njerëz, përveç Aqif Blytës, Xhemail Koniçanit e vëllezërve Dresheviq (Dreshaj), luajtën rol kyç në mbrojtjen e Novi Pazarit nga çetnikët serbë.

Shkruan: Ismet AZIZI, Gjilan

Lufta për mbrojtjen e Sanxhakut lindor në plan të parë kishte karakter humanitar e njerëzor. Por, gjithashtu vullnetarët të prirë nga Shaban Polluzha, i cili rreth vetës kishte komandantë të rryer, përkrah tij kishte edhe prijësit fetarë Mulla Jakup Kombin, Mulla Zekë Bërdynën, Ilaz Spahiun – hoxhën e Brojës, mandej Sak Fazlinë bajraktarin e Rugovës, të cilët me këtë veprim mbrojtën edhe shqiptarët që jetojnë në këto anë, përkatësisht luftuan për ta mbrojtur pikën më veriore të trojeve shqiptare.

Lufta e forcave vullnetare shqiptare, nën komandën e Shaban Polluzhës, Bislim Bajgorës, Pajazit Boletinit etj., kishte arritur deri në pjesët më veriore të territorit të Sanxhakut të banuar me shqiptarë e boshnjakë. Shqiptarët trima, me të arritur në Duga Polanë, fshati më verior i banuar me popullsi myslimane – shqiptare – njësive, gjegjësisht forcave ushtarake dhe banorëve, atyre  iu drejtua me një fjalim të shkurtër po me një autoritet të pakontestueshëm, komandanti i tyre legjendar, Shaban Polluzha, i cili u tha: “Të nderuar vëllezër, kemi ardhur këtu për të kryer një mision të shenjtë – jemi këtu për t’i mbrojtur familjet e rrezikuara nga çetnikët e tërbuar. Ju, siç jeni në dijeni, kriminelët serbë kanë vrarë e masakruar popullatën e pafajshme të kësaj ane. Ne, kur kemi pasur mundësi, gjithnjë kemi ndihmuar popujt e rrezikuar. Prandaj, në këtë kontekst, duhet kuptuar këtë mision, i cili në plan të parë ka karakter humanitar e njerëzor. Por, me këtë mbrojmë edhe një pjesë të shqiptarëve që jetojnë në këto anë. Uroj që lufta të na shkojë mbarë dhe besoj se kemi forcë dhe moral që t’i dëbojmë hordhitë çetnike nga Sanxhaku i përgjakur”.

Babai i Faruk Spahiut (kryetarit të Mitrovicës ne vitet 2000-2005), Ibrahim Spahiu, i ka pohuar gazetarit Muhamet Mjeku se luftëtarëve në Duga Polanë u është drejtuar edhe babai i tij, Ilaz Spahiu – hoxha i Brojës, i cili në kontekst të ritit fetar ka theksuar se: “Misioni juaj është njerëzor dhe se dikush mund të bjerë edhe në vijën e frontit, prandaj përshëndetuni me njëri-tjetrin. Te Zoti jeni të drejtë. U priftë e mbara!”

Mulla Ilaz Broja (Spahiu)

Një krah i forcave vullnetare erdhi nga Peja, Rugova. Në mesin e shumë burrave nga kjo anë ishte Mulla Zekë Bërdyna. Për mbrojtjen e Pazarit u zhvilluan shumë beteja. Mulla Zeka u shqua në mesin e vullnetarëve si një burrë trim, i dashur, i mençur, që dinte t’i motivonte gjithnjë luftëtarët në momentet e vështira, duke ua përkujtuar se për kombin duhet të luftohet, sepse këtë e thotë edhe Zoti. Sipas pazarakëve, një nga njësitë vullnetare që bëri luftë të pakompromistë, që u dallua për trimëri e strategji luftarake, ishte ajo e hoxhës së urtë e trim, Mulla Zekë Bërdynaj nga Radavci, i cili udhëhiqte 400-500 vullnetarë.

Por, sulmi çetnik vazhdoi edhe më 21 nëntor 1941, dukshëm me forca më të mëdha. Atëherë u dogjën të gjitha fshatrat myslimane nga Pozhega deri në Vuçeniq. Megjithatë, qyteti përsëri është mbrojtur me sukses. Bilanci i viktimave ka qenë: 42 çetnikë të vrarë, 26 mbrojtës të vdekur, të plagosur 45 njerëz. Çetnikët vranë 20 njerëz të pafuqishëm, gra dhe fëmijë.

 

Mulla Zekë Bërdyna

Megjithatë sulmi çetnik nuk pushoi. Madje, sulmi vijues ishte më specifik. Me fjalë të tjera, çetnikët u shërbyen me mashtrim, duke i njoftuar gjermanët se Pazarin e Ri kinse e kishin në dorë partizanët-komunistët. Prandaj gjermanët u nisën më 4 dhjetor 1941, diku rreth orës 9,00 për ta sulmuar qytetin bashkë me çetnikët. Por, ndërkohë e kanë kuptuar se janë të mashtruar dhe janë kthyer në Rashkë. Së bashku me ta janë kthyer edhe njësitë çetnike.

Më 7 dhejtor të vitit 1941, kur gjermanët u kthyen në qytet, u pritën me entuziazëm nga serbët dhe boshnjakët. Ky fakt e ilustron situatën specifike dhe të komplikuar. Kthimi i tyre shënoi edhe fundin e konflikteve të përgjakshme, bilanci i të cilave ishte me humbje të mëdha: nga mesi i korrikut deri në fund të dhjetorit 1941 humbën jetën gjithsej 756 boshnjakë, serbë e shqiptarë. U dogjën 2.792 shtëpi. Më së shumti pësuan territoret e komunave të paraluftës: Pozhega, Tërnava, Rajetiqi, Dezheva, Postijenjë, Bijele Vode dhe Nikolaçë.

Por, edhe në momentet e rreziqeve më të mëdha erdhi në shprehje merhameti mysliman. Në qytet nuk ka pasur asnjë familje serbe, e cila nuk e ka pasur ndonjë kujdestar për sigurinë e tyre dhe rojtarë. Nganjëherë në këtë detyrë humanitare ishin të angazhuara familje të tëra. Këshilli për mbrojtjen e qytetit, në krye me Aqif Blytën, mori vendim që 420 serbë të qytetit të vendosen (strehohen) në ndërtesën e burgut të qarkut të Pazarit të Ri dhe në këtë mënyrë të jenë të mbrojtur dhe jeta e tyre të jetë e sigurt. Posaçërisht për realizimin e kësaj detyre u dallua Milicia Myslimane, në krye me komandantin Mulla Jakub Kombi (Kardoviq) nga Bisheva, i cili i erdhi në ndihmë kryeqytetit të Sanxhakut me qindra bashkëluftëtarë të armatosur nga krahina e Rozhajës dhe Bisheva. Ky aksion është realizuar më 6 dhe 7 nëntor dhe ka zgjatur deri më 7 dhjetor 1941.

Jakup Kardoviq (në mesin e shqiptarëve i njohur me nofkën “Kombi”) u lind në vitin 1869 në Rozhajë. Vjen nga një familje e ulemave. Jakupi u diplomua në Medrese (Ruzhdi) të Shkupit dhe është njëri nga tre medresantët e tërë trevës së Rozhajës, që atëherë e përfundoi medresenë. Përveç shqipes, fliste dhe shkruante turqisht, persisht, arabisht, gjermanisht, italisht dhe boshnjakisht. Lufta e Dytë Botërore e gjeti në Tutin, ku ai shërbeu si kryetar komune në dy mandate. Aty krijoi një miqësi të madhe me banorët e zonës trekufitare të rajonit të Sanxhakut.

Kur Pazari i Ri dhe Senica ishin të kërcënuara me shfarosje nga çetnikëve serbë, Mulla Jakup Efendiu organizoi menjëherë rozhajasit dhe ata të Bishevës dhe, gjithashtu, e informoi mikun e tij në Kosovë, Shaban Polluzhën, duke kërkuar prej tij që menjëherë t’u vijë në ndihmë banorëve të Pazarit, sepse ishin të rrezikuar nga çetnikët. Këta dy njerëz, përveç Aqif Blytës, Xhemail Koniçanit e vëllezërve Dresheviq (Dreshaj), luajtën rol kyç në mbrojtjen e Novi Pazarit nga çetnikët serbë.

 

Mulla Jakup Kombi (Kardoviq)

Pas sulmit të parë të çetnikëve mbi Pazarin e Ri (4 nëntor 1941) thirrjes së Aqif Efendiut iu kishin përgjigjur Shaban Polluzha me 3200 dhe Mulla Jakup Kombit me rreth 2600 luftëtarë. Mulla Jakup Efendiu, si një hero, ka qenë njeriu më besnik i Aqif Blytës. Gjatë sulmit çetnik në Novi Pazar, Aqif Blyta ia ka besuar 420 serbët lokalë (të moshuar, gra dhe fëmijët), të cilët i ka strehuar në lokalet e Gjykatës së Qarkut dhe në burgun në Novi Pazar, nga hakmarrja që mund të ndodhte ndaj tyre për krime të kryera nga ana e çetnikëve në këtë periudhë. Rreth Rozhajës, pas përfundimit të luftës, kishte disa grupe të shqiptarëve që ishin fshehur në male Haile, Kullë, Buxhov e gjetkë. Për Mulla Jakup Efendiun kishte informacione se ishte fshehur në shtëpinë e tij në Rozhajë. Është interesant të theksohet se komunistët e përshkruanin kështu: “Qëllimi ishte të kapet i gjallë dhe të dorëzohet tek autoritetet përkatëse për gjykim. Për shkak se ishte natë e errët dhe ai nuk ishte i lidhur, në një moment provon të ikë. Luftëtarët kanë reaguar shpejt dhe e vrasin.“. Megjithatë, qytetarët e vjetër pohojnë se në fillim në vitin 1945, një grup i partizanëve, në mesin e të cilëve ishin disa komunist të Rozhajës, shkuan në drejtim të shtëpisë së Mulla Jakupit për ta arrestuar. Megjithatë, ai nuk u dorëzua, siç thuhej, në shtëpinë e tij (?). I kishin thënë se janë të detyruar ta burgosin dhe se duhej ta gjykonin si përgjegjës për vrasjen e vëllezërve Hamzagaj në Tutin. Tashmë atij i ishte e qartë se çfarë po ndodhte. Partizanët ishin të habitur nga paraqitja e tij dhe njëri prej tyre kishte komentuar: “A është e mundur që ky njeri i vjetër bëri çudira të tilla?”. Në rrugën nga shtëpia e tij drejt ndërtesës së qeverisë së re, në udhëkryq të urës kryesore të Ibrit, në bregun e majtë të lumit Ibër, njëri nga partizanët me pushkë automatike i shtiu brutalisht mbrapa shpine dhe e vrau. Partizanët e akuzuan për atë se çka kishte ndodhur në mesin e vitit në 1944, kur vëllezërit Dreshaj në Tutin kishin ekzekutuar vëllezërit Hamzagaj, të cilët ishin në radhët e komunistëve, dhe meqë ai ishte kryetar i komunës, thuhet se ka miratuar likuidimin e tyre. Vrasja e Mulla Jakup Efendi Kardoviqit në vitin 1945 ishte vendimtare për të gjithë hoxhallarët e trevës së Rozhajës, ishte një sinjal për t’ua tërhequr vërejtjen që të merren vetëm me punën e tyre. Pastaj vjen periudha kur shumica e Kardoviqëve u shpërngulën në Tutin, në Novi Pazar, në Shkup dhe në Turqi.

Mumin efendi Haliti

Mumin Efendi Haliti, nga Sllupçani, i Kumanovës  i shkolluar Al Az’har në Kajro. Aty ishin duke vepruar reformistët më të mëdhenj të kohës, nga të cilët absorbuan të arriturat bashkëkohore të interpretimeve fetare dhe kulturës islame në përgjithësi. Pas shumë sfidave me të cilat e sprovonte jeta, ai arriti që sheriatin ta praktikojë në mënyrë institucionale, aq sa ia lejonin rrethanat. Jeta e tij përfundoi në përfundim të Luftës së Dytë Botërore në Pazar të Ri në mënyrë shumë tragjike, duke u martirizuar bashkë me familjen e vet.

Për kontributin e Mumin efendi Halititi,deri vonë, për arsye të ndryshme, është diskutuar fare pak. Falë bijës së tij, Refahetës,  e cila e vetme nga familja u shpëtoi bombardimeve të Aleancës, kemi arritur të mësojmë për këtë personalitet shqiptar që  punoi e jetoi në Pazar të Ri. Në intervistë dhënë për daraniapress.net  ajo tregon për rrugën që kishte marrë për të shkuar në Drenicë e gjetiu për të kërkuar ndihmë për mbrojtjen e Pazarit të Ri nga sulmet çetnike. Refahetja tregon se si nëna e saj që nga mëngjesi filloi t’ia thurë Mumin Efendiut një xhemper prej leshi dhe e mbaroi në mbrëmje, për shkak si ishte ftohtë dhe ai kishte për të udhëtuar me kalë gjatë tërë natës deri në Mitrovicë. Nga kjo kuptojmë se në këtë moment delikat dhe vendimtar për Pazarin e Ri dhe tërë Sanxhakun, Mumin Efendiu e kishte vënë veten në shërbim të një misioni të lartë patriotik dhe besa edhe shumë të rrezikshëm. Po ashtu, nga kjo kuptojmë se Mumin Efendiu ka qenë njeri shumë i besueshëm i Aqif Blytës dhe se ai duhet të ishte njohur mirë edhe me Shaban Polluzhën, gjë që është shumë normale, pasi që Mumin Efendiu para se të shpërngulej në Pazarin e Ri, kishte punuar si gjykatës sheriatik aty, por edhe kishte gëzuar autoritet të lartë në rrethin e klasës intelektuale dhe politike të asaj kohe, fillimisht në saje të Qamil Beut e pastaj edhe me angazhimin e vetë. Roli i Mumin Efendiut ishte gjithashtu shumë i madh në mbrojtjen e popullatës civile nga të dyja palët e përfshira në luftë. Me rastin e hakmarrjes për vrasjen e  Çilerxhiqit, i cili kishte qenë me prejardhje shqiptare, të cilin e kishin vrarë çetnikët e Rashkës, sulmuesit për t’u hakmarrë ishin futur thellë në Rashkë dhe vrasin shumë çetnikë. Por, nga mllefi i madh që kishin pasur kishte ekzistuar rreziku që të kishin vrarë edhe civilë. Për këtë angazhohet Mumin Efendiu dhe ndërmjetëson që mos të vijë deri te një gjakderdhje e madhe në radhët e civilëve nga të dyja anët. Këtë intervenim të Mumin Efendiut e potencojnë edhe autorët serbë. Autorit Milutin Zhivkoviq shkruan: “Në mesin e  myslimanëve të Pazarit të Ri, që haptazi thirrën që mos të vriten civilët nga të dyja palët, ishte edhe Mumin Efendiu, gjykatësi sheriatik, që u vra në bombardimet e aleatëve në vitin 1944”.  Gjatë kohës që kishin qëndruar vullnetarët në Pazar të Ri, ata ishin në gatishmëri nga rreziku i sulmeve të papritura të çetnikëve, të cilët sa herë që bëhej ndonjë marrëveshje për armëpushim, ata i thyenin si zakonisht. Vullnetarët shqiptarë e kishin vënë Pazarin e Ri nën shtetrrethim të plotë, kishin bllokuar çdo lëvizje. Me këtë rast, Aqif Blyta kishte kërkuar nga Mumin Efendiu që të shkojë e të merret vesh me luftëtarët që ta pezullojnë këtë masë. Pas ndërhyrjes së Mumin Efendiut dhe fjalimit që ua kishte drejtuar vullnetareve, u bë që të arrihet një marrëveshje e brendshme dhe në Pazar të Ri filloi të rrjedh jeta normale.

Këto dhe shumë veprime tjera të Mumin Efendiut tregojnë se ai vërtet ka qenë një njeri që gjithmonë i ka qëndruar pranë popullit, në të mirë e të keqe. Ka rrezikuar jetën e tij për interesin e përgjithshëm, në paqe e në luftë i ka prirë popullit, pavarësisht rreziqeve. Por, në gjithë këto përpjekje të boshnjakëve e të shqiptarëve për ta mbrojtur Sanxhakun, përpos përkushtimit të madh, ka qenë prezente edhe ndihma e Zotit, si zakonisht kur besimtarët e gjejnë vetën në situata të atilla. Kishte treguar kushëriri i Qamil Beut, Emin beu, një rrëfim që ia ka treguar një serb pas luftës. Ai kishte thënë se “Kemi qenë në pozicione luftarake dhe papritur erdhi një ushtri e madhe me kuaj të bardhë! Ne të gjithë ikëm, kurse komandanti e vrau veten, ndërsa një tjetër u çmend. Emin Beu i kishte thënë serbit se “ne, jo një ushtri me kuaj të bardhë, por edhe asnjë kali të bardhë nuk kishim atëherë!”.  Ja pra fati i Mumin Efendiut ishte shumë i ngjashëm me atë të vëllait të tij, Mulla Sadikut, i cili gjithashtu kishte qenë në krye të popullit në situata të ngjashme në luftë kundër komunistëve dhe çetniko-bullgarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X