loader image
October 11, 2024

Idiotizmat dhe sfidat e Kosovës

Goli i parë për Kosovën u shënua kur vendet e zbrazura nga largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës u plotësuan pa ndonjë problem me shqiptarë dhe të tjerë. Me këtë u sigurua lojaliteti 100% i institucioneve në veri të Kosovës, parakusht ky për të siguruar sovranitetin. Goli i dytë ishte kur u morën ndërtesat e komunave dhe në to për herë të parë paslufte valoi flamuri i Kosovës. Pra, edhe pse zyrtaret mbanin dy vula e merrnin dy vula (e Kosovës dhe e Serbisë), në këto objekte valonte vetëm flamuri i Serbisë dhe vetëm fotografia e presidentit Vuçiq. Goli i tretë ishte kur Policia e Kosovës filloi në mënyrë spektakolare të arrestojë eksponentët e dhunshëm në veri të Kosovës.

Shkruan: Nexhmedin SPAHIU, Mitrovicë

Ditë më parë Kosova festoi 12 qershorin si ditë çlirimi të Kosovës! Ditë çlirimi konsiderohet zakonisht dita kur armiku ka kapitulluar ose dita kur ushtari i fundit i armikut ka lëshuar vendin nëse armiku akoma nuk ka kapitulluar. Në rastin e Kosovës, Serbia ka kapitulluar më 10.06.1999, ditën që u miratua rezoluta 1244 e KS të OKB, që zyrtarizonte marrëveshjen e Kumanovës, e që de facto e de jure ishte kapitullim (dorëzim i sovranitetit në duar të OKB me mandat të përkohshëm, por të pakufizuar).
Në rastin e Kosovës, Serbia kapitulloi para se të largonte ushtarët e saj nga Kosova. Largimi i ushtarëve serbë nga Kosova nuk ishte më çështje betejash, por çështje teknike. Prandaj 10 qershori duhet të kujtohet si ditë çlirimi i Kosovës. Absurdi tjetër është fakti që Skenderaj ta festojë 18 qershorin si ditë çlirimi!!! Si mundet që ushtari i fundit armikut ta ketë lëshuar Kosovën më 12 qershor e Skënderajn 6 ditë më mbas. Kjo i bie që Skenderaj (zemra e Kosovës) nuk qenkësh Kosovë!!!.

Sa u përket festave

Çdo shtet ka festat e veta zyrtare që i përcakton me ligj, por ka vetëm një ditë kombëtare. Kombet e ndryshme konsiderojnë ngjarje të ndryshme për ditë kombëtare. Disa kombe për ditë kombëtare e konsiderojnë ditën e kryengritjes (Franca – 14.07.1789, Serbia – 15.02.1804, Greqia – 25.03.1821). Disa kombe të tjera si ditë kombëtare e kanë ditën e shpalljes së autonomisë së vendit të tyre (Bullgaria – 03.03.1878), ndërsa disa të tjera të tillë e kanë njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së vendit të tyre (Mali u Zi – 13.07.1878). Të tjera kombe e kanë ditën e shpalljes së Kushtetutës (Norvegjia- 17.05.1809), e disa tjera ditën e shpalljes së Pavarësisë (Amerika – 04.07.1776, Shqipëria – 28.11.1912). Disa vende tjera për ditë kombëtare e konsiderojnë ditën e zgjerimeve të mëdha territoriale (Rumania – 01.12.1918, dita kur e aneksoi Transilvaninë; Gjermania – 03.10.1990, dita kur e aneksoi Gjermaninë Lindore). Disa vende për ditë kombëtare e konsiderojnë ditën e çlirimit (Finlanda – 06.12.1917, dia e çlirimit nga pushtimi rus), etj.
Pra, secili komb e vendosë për ditë kombëtare ditën që e konsideron më të rëndësishme në historinë e atij kombi. Kosova ka vendosur për ditë kombëtare 17.02.2008, kjo sipas shembullit të Amerikës, Shqipërisë, Kroacisë, Sllovenisë etj. Unë mendoj që Kosova duhet ta ndryshojë ditën kombëtare nga 17 shkurti në 10 qershor, ngase 10 qershori ka qëlluar të jetë ditë historike e trefishtë: 10 qershori 1878 është dita e Lidhjes së Prizrenit, që i bie dita e kryengritjes më të hershme e kohës moderne; 10 Qershori 1999 është ditë çlirimi e Kosovës; dhe 10 qershori 2007 është ditë kur Presidenti Bush deklaroi në Tiranë se Kosova do të jetë e pavarur, që i bie njëkohësisht ditë e shpalljes së pavarësisë dhe ditë e fillimit të njohjes së saj ndërkombëtare.

Pas çlirimit

24 vite pas çlirimit, Kosova u përball me sfidën më të madhe: konfirmimin e ekzistencës së saj si shtet. Më 26 maj 2023 kryeministri Kurti vendosi ta bëjë hapin e madh riskant: pa u konsultuar dhe dakorduar me amerikanët, i sulmoi çerdhet e strukturave paralele në veri të Kosovës. Policia e Kosovës e kreu aksionin paq, pa asnjë viktimë. Është hera e parë që Kosova e befasoi Serbinë me një veprim të tillë. Por, çmimi politik i këtij suksesi doli të jetë i lartë.
Si ndodhi që Serbia të gjendet e befasuar? Në këto 24 vjet të pasluftës, çdo hap i Prishtinës kishte qenë i koordinuar me amerikanët. Në fakt, zakonisht institucionet e Kosovës kishin qenë të shtytura nga amerikanët në çdo hap që duhej ndërmarrë. Iniciativa e Prishtinës ishte zakonisht e munguar. Vetiniciativa ekzistonte vetëm në vjedhjen e tenderëve. Dhe, kur zgjedhjet lokale të prillit 2023 në veri të Kosovës, me legjitimitet të vogël, përfunduan dhe u njohën nga amerikanët dhe europianët, amerikanët u përkujdesën që ta ftojnë qeverinë e Kosovës që t’i sistemojë kryetarët e rinj të komunave jo në zyrat komunale, por në fshatrat e tyre. Kjo ishte thjesht një tallje me shtetin e Kosovës. Të harxhohen 600.000 euro për zgjedhje, që nuk do të shërbenin për asgjë.
Zyrat komunale ku kishin shërbyer kryetarët paraprakë të dorëhequr ishin tashmë në shërbim të strukturave paralele. Në fakt, edhe para se kryetarët serbë të dorëhiqeshin, këto zyra kishin shërbyer si zyra të strukturave paralele. Thjesht, zyra e njëjtë, por vetëm zyrtari me dy funksione e dy sirtarë: në njërin sirtar ishte vula e shtetit të Kosovës, ndërsa në sirtarin tjetër vula e shtetit të Serbisë. Kurdo që njëri funksion binte në kolizion me tjetrin, prevalonte lojaliteti ndaj shtetit të Serbisë.
Kështu kur kryetarët e komunave dhe administrata dhanë dorëheqje, asgjë nuk ndryshoi, pos që sirtari me vulën e Kosovës u mbyll. Puna vazhdoi me të njëjtin kapacitet. Natyrisht, këta zyrtarë mbetën pa njërën rrogë – atë të shtetit të Kosovës. Por, erdh 26 maji dhe në sirtarë ngelën edhe vulat e shtetit serb. Amerikanët u shqetësuan për rrezikun që sillte kjo ndërmarrje bravuroze, gjithnjë të vetëdijshëm që do të pasonte reagimi serb. Njësi speciale të forcave serbe, bashkë me eksponentë lokalë të dhunës, u kamufluan në turmat e grave dhe fëmijëve dhe nisën sulmin ndaj Policisë së Kosovës. U fut KFOR-i ndërmjet, por e pësoi keq. Rreth 40 pjesëtarë të KFOR-it mbetën të plagosur e të lënduar.
Derisa po shkruhen këto rreshta, protestat ende po vazhdojnë në qytetet veriore të Kosovës me përdorim të herëpashershëm të dhunës, përfshi edhe dhunën ndaj gazetarëve. Ndërkohë, qortimet ndaj Kosovës erdhën jo vetëm nga SHBA-ja e BE-ja, por edhe nga Shqipëria. SHBA-ja e anuloi pjesëmarrjen e ushtrisë së kosovës në stërvitjen “Defender 2023”, BE-ja i suspendoi fondet për Kosovën, kurse Shqipëria e anuloi mbledhjen e përbashkët të qeverive me Kosovën. Këto veprime u shoqëruan me fushatë të jashtëzakonshme të medieve të Kosovës e Shqipërisë, si dhe opinionistëve, të cilët në shumicë absolute iu kundërvunë.
Këto shuplaka nuk e trembën kryeministrin Albin Kurti. Përkundrazi, ai vazhdoi arrestimin e eksponentëve të dhunshëm të Vuçiqit në Kosovë. Nëse Policia e Kosovës arrin që deri në fund të gushtit t’i arrestojë 30-40 eksponentët kryesorë të dhunshëm të strukturave serbe në Kosovë, atëherë në tavolinën e bisedimeve në Bruksel pozicioni i tij do të jetë shumë më i favorshëm. Natyrisht, në një situatë të tillë, shteti i Kosovës do ta ketë shumë më të lehtë të kthejë serbët në institucione, të organizojë zgjedhje të lira, si dhe ta formojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Në një rast të tillë, masat e ndërmarra nga SHBA-ja e BE-ja nuk do të kenë më arsye të ekzistojnë.
Një ilustrim të situatës e kam nga fëmijëria e ime. Kam lindur dhe jam rritur në rrugën “Xhon Kenedi” në Mitrovicë, e cila e kishte fare pranë urën e trenit mbi lumin Ibër. Pikërisht ky ishte vendi ku të gjithë të rinjtë nga Mitrovica vinin për t’u larë muajve të verës. Atëherë rrallëkush kishte mundësi të pushonte në bregdet. Por, unë u bëra 15 vjeç pa ditur not, sepse prindërit e mi nuk më lejonin të lahem në lumin Ibër. Njëjtë kishte ndodhur edhe me vëllain tim, 14 vjeç, dhe me 3 motrat e mia, respektivisht 12, 10 e 8 vjeçe. Një ditë prej ditëve na kishte humbur vëllai i vogël 6 vjeç. Pasi hëngrëm dajak nga babai, së bashku me babën dolëm për ta kërkuar. Shkuam edhe te Ura e Trenit, kur motra e vërejti se vëllai 6 vjeç kishte hipur mbi harkun e urës 20 metra lart ujit. Sapo na pa, ai u hodh në Ibër. Ne mbetëm pa frymë duke menduar se vdiq, por ai doli nga uji dhe i dha not e doli në bregun tjetër të Ibrit duke ikur nga babai dhe nga ne. Kur babai e pa se shpëtoi, na u kthye neve: “Shkoni lahuni edhe ju se ma zi nuk bahet!”. Morali i këtij tregimi është se pa rrezikuar, pa dalë nga dora e prindërve (Amerikës e BE-së, si prindër politikë të Kosovës), nuk bëhesh dot i pavarur.
Por, a do ta arrijë shteti i Kosovës këtë sukses, duke pasur parasysh faktin se një pjesë e madhe e medieve të Kosovës financohen nga Beogradi dhe bëjnë politika editoriale kundër Kosovës, kjo mbetet për t’u parë. Beteja është në zhvillim e sipër. Aktualisht, nëse shprehemi me terma futbolli, rezultati është 3:2 në favor të Kosovës.
Goli i parë për Kosovën u shënua kur vendet e zbrazura nga largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës u plotësuan pa ndonjë problem me shqiptarë dhe të tjerë. Me këtë u sigurua lojaliteti 100% i institucioneve në veri të Kosovës, parakusht ky për të siguruar sovranitetin. Goli i dytë ishte kur u morën ndërtesat e komunave dhe në to për herë të parë paslufte valoi flamuri i Kosovës. Pra, edhe pse zyrtaret mbanin dy vula e merrnin dy vula (e Kosovës dhe e Serbisë), në këto objekte valonte vetëm flamuri i Serbisë dhe vetëm fotografia e presidentit Vuçiq. Goli i tretë ishte kur Policia e Kosovës filloi në mënyrë spektakolare të arrestojë eksponentët e dhunshëm në veri të Kosovës.
Golin e parë, Kosova e pësoi jo nga Vuçiqi, por nga një politikan i ri nga veriu i Kosovës Alleksandar Arsenijeviq. Derisa Qeveria e Kosovës vendosi flamujt e Kosovës në qytetet veriore, duke e vënë në vend ligjin për simbolet për herë të parë në historinë e shtetit të Kosovës, ndaj po këtij ligji tregohet disrespekt i madh në jug të Kosovës. Në fakt, ligji taksativisht thotë se në objektet publike duhet të vendoset vetëm flamuri i Kosovës dhe ai i institucionit përkatës. Flamuj tjerë mund të jenë të pranishëm vetëm gjatë takimeve bilaterale ose multilaterale. Por, në realitet ky ligj shkelet që nga Presidenca, Parlamenti, Qeveria, Gjykata Supreme dhe komunat. Para Presidencës, pos flamurit të Kosovës, është i vendosur edhe ai i Bashkimit Europian dhe i UÇK-së. Njësoj edhe para Parlamentit. Kryeministria është i vetmi institucion në harmoni me këtë ligj, por jo edhe krejt Qeveria. Para ministrisë ku ministre është Rozeta Hajdari është i vendosur edhe flamuri i Shqipërisë, ndërsa para ministrive të Drejtësisë, Pushtetit Lokal, asaj të Brendshme dhe të asaj të Ambientit e Infrastrukturës, pos flamurit të Shqipërisë, janë edhe flamuri amerikan, europian dhe ai i NATO-s. Kjo pamje është pak a shumë edhe para komunave e universiteteve. Ky disrespekt ndaj ligjit për simbolet u bie në sy së tepërmi të huajve, në radhë të parë diplomatëve dhe gazetarëve. Arsenijeviqi e shfrytëzoi këtë situatë dhe para ndërtesës së 4 ministrive me larushi flamujsh shkoi dhe e vendosi edhe flamurin serb. Institucionet e Kosovës u zunë në një pozicion mat: kur po bëka jashtëligjshëm të vendoset flamuri i Shqipërisë, Amerikës, Bashkimit Europian e NATO-s, pse nuk bëka të vendoset edhe flamuri i Serbisë dhe e vuri atë në mes të Prishtinës para 4 ministrive.
Golin e dytë kundër Kosovës e shënoi Aleksandar Vuçiqi: i kidnapoi 3 policë Kosovës thellë në brendi të territorit të Kosovës. Sado që ky është një akt i dënueshëm (por që perëndimoret dhe Edi Rama po hezitojnë ta dënojnë), në vetvete ai bart një mesazh: institucionet e Kosovës nuk janë serioze, mund t’ua kidnaposh policët dhe t’ua përdhosësh uniformat.
Sidoqoftë beteja e ngritur nga Albin Kurti, pavarësisht rezultatit rreth veriut të vendit, në brendi të vendit shkaktoi një termet politik të paparë deri më sot. Nxori në pah patriotizmin dhe fëlliqësinë e Kosovës si asnjëherë më parë.
Këtë në mënyrë brilante e ka artikuluar Mentor Llugaliu:
” Është e vërtetë që Albini dhe qeveria e tij janë treguar të dobët në qeverisjen e brendshme të Kosovës, mirëpo në dy sende Albini u tregu fantastik.
1. Në dialogun me Serbinë thjeshtë u tregua brilant. Kjo për faktin që është hera e parë që dikush nga liderët e Kosovës nuk u shantazhua në dialog nga ndërkombëtarët, kjo për faktin se është hera e parë që një lider i Kosovës arrin me i paraqitë në mënyrë brilante faktet në favor të Kosovës. Kjo për faktin që Albini në nivelin kulturor e intelektual është superior në krahasim me gajbegjinë e Sheshelit.
2. Albini ka arritur me i deshë cullak pretendimet dhe politikat hileqare të së ashtuquajturës bashkësi ndërkombëtare ndaj Kosovës. I deshi cullak dhe i qiti në sipërfaqe krejt gazetarët mercenarë, “analistat” dhe ojq-istët fondethithës, shoqërinë Qivile, pardon civile, neojugosllavët e heshturn, bijtë e nipat e udbashëve e jugonostalgjikëve… Krejt i qiti në sipërfaqe, si fekalet pas vërshimeve në rrugët e Prishtinës.
Kjo është arritje fantastike!”

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X