loader image
July 18, 2024

Historinë e kombit shqiptar nuk ka kush ta shkruajë

Kombi shqiptar shtrihet edhe përtej kufijve shtetërorë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës, Malit të Zi e Greqisë. Historia e kombit shqiptar shtrihet përtej historisë zyrtare të hartuar nga historianë të komanduar nga shteti. 

Milazim KRASNIQI, Prishtinë  

Lehtësia me të cilën shqiptohet shpesh shprehja “ai nuk është shqiptar” ose “ata nuk janë shqiptarë”, kjo për persona a grupe të ndryshme (më së shpeshti për individ a grupe shqiptarësh muslimanë) zbulon dy gjera absurde lidhur me identitetin kombëtar shqiptar. E para, zbulon një perceptim patologjik se shqiptari gjoja është komb ideal, i pagabueshëm, prandaj kushdo që e sfidon atë perceptim me automatizëm futet në një shtrat Prokrusti, ku gjymtohet barbarisht me etiketime të rënda. E dyta, zbulon një tentativë që brenda korpusit shqiptar që të mos lejohet mendimi e veprimi ndryshe, por të dominojë imponimi për një identitet vërtet të imagjinuar, përkatësisht të deformuar.

Me dhjetëra herë kam qenë edhe vetë i etiketuar e i kërcënuar mbi këtë qasje irracionale ideologjike. Kudo ku kam participuar në sferën publike, kjo sferë duket si e minuar nga ajo lloj kujdestarie prokrustianke, gjoja kombëtariste. Ndërkaq, kur ua shikon nivelin intelektual, moral e kombëtar mujsharëve të tillë, e sheh që më shumë janë rrugaçë se sa participues realë në komunikim publik. Ata, rëndom, nuk kanë asnjë kompetencë në fushën e albanologjisë, ku trajtohen vlerat kulturore e identitare shqiptare. Pra, të rezulton se si mbrojtës të shqiptarizmit paraqiten një dorë rrugaçësh, analfabetësh funksionalë, fanatikësh islamofobë, njerëz faqezi. Por, ata në atë pritë prej gjakmarrësish, ku tërë kohën vigjilojnë me armë në dorë, nuk janë rastësisht. Aty i ka vendosur dikush. Atë detyrë vrastare ua ka dhënë dikush. Ata vërtet e mendojnë veten si avokat të shqiptarizmit, pa i kuptuar shkaqet që ua kanë rezervuar atë detyrë të ndyrë, ku ata jo vetëm që nuk e mbrojnë shqiptarinë, por në fakt vazhdojnë ta dëmtojnë shqiptarizmin, duke qenë vazhdues të një strategjie të moçme për deformimin e identitetit të kombit shqiptar. Pra, ata janë rojtarë të identitetit të deformuar, jo pjesëtarë të identitetit kombëtar të vërtetë.

Motivi gjeopolitik si deformues i identitetit të natyrshëm shqiptar

Përtej primitivizmit të shprehjes “ai nuk është shqiptar/ata nuk janë shqiptarë”, si gjoja identifikim me “shqiptarizmin ideal”, kjo prirje e etiketimit, denoncimit, zhvlerësimit dhe penalizimit të jomendimtarëve zbulon se në themelet e identitetit tonë kombëtar janë imponuar disa mekanizma përjashtues e çrregullues. Para se t’i përshkruaj shkurt, të përmend pikat kryesore ku do të duhej të mbështetej identiteti kombëtar shqiptar, në pajtim me skemën e Zhak Lë Gofit mbi identitetin europian. Treguesit më besnikë të identitetit kombëtar të shqiptarëve brenda kësaj skeme janë: përkatësia gjeografike, shtylla greko-romake dhe judeo-kristiane, shtylla e qytetërimit islam dhe ndikimi i latinishtes mbi leksikun e shqipes. Por, sa është mbështetur identiteti kombëtar shqiptar në këta tregues? Në përkatësinë gjeografike është mbështetur më shumë, ngase nuk ka pasur alternativë. Fjala vjen, kur Sami Frashëri skiconte kufijtë e Shqipërisë në veri, ai shprehej saktësisht kështu: ”Kufit’ e veriut të Shqipërisë, me të ndarë nga an’ e detit, ngjiten drejt veriut duke pshetuë në kufit të Malit të Zi e Novi-Bazarit gjer ne kufi të Serbisë më siprë shkallës 43.” Sa u përket shtyllave greko-romake e judeo-kristiane dhe asaj islame, në fazën e parë të Rilindjes Kombëtare, kur u vunë piketat e kombit shqiptar, kanë qenë më të pranishme dhe, madje, bukur harmonike. Bile, në Deklaratën e Lidhjes së Prizrenit, si ngjarje sublime e procesit të kombformimit shqiptar, bëhej e qartë përbërja e kombit shqiptar si komb me shumicë muslimane. Por, në fazën e mëvonshme, kur mbi lëvizjen shqiptare u rrit ndikimi i të huajve, veçmas në kontekst të rivaliteteve të Austro-Hungarisë dhe shteteve ballkanike, filloi procesi i deformimit të identitetit kombëtar. Defekti më i rëndë në atë proces të formësimit të identitetit kombëtar shqiptar ka të bëjë me përdorimin nga austriakët të konceptit të “barbarit fisnik”, për ta marrë si bazë për identitetin kombëtar një zonë relike, siç ishte e ashtuquajtura “Shqipëri Veriore.” Thënë thjesht, inkorporimi i panatyrshëm i mendësisë së konservuar të patriarkalizmit kanunor në identitetin kombëtar dhe ligjërimin publik paraqet një defekt fatkeq. Një nga motivet e fshehta për këtë inkorporim të panatyrshëm ishte përjashtimi sa më i madh i vlerave identitare islame nga korpusi kombëtar shqiptar. Pra, motivi kryesor ishte që në strukturën e vlerave kombëtare, që ishin në formim, të minimizohej sa më shumë identiteti islam i shqiptarëve. Por, barbari fisnik në rastin shqiptar nuk ishte ashtu si e imagjinonte patroni i Kultusprotektoratit. Franc Nopça pohon se “ndërsa muhamedanët, si duket, janë monoteistë, katolikët e malësisë janë në realitet politeistë.” Pra, në projektin austriak nuk është respektuar tërësisht as shtylla judeo-kristiane me të krishterët e zonave urbane, siç kanë qenë Shkodra, Prizren e Gjakova, veçse me presion janë imponuar vlerat e “barbarit fisnik” të malsive. Nga pikëshikimi i sotëm duket paradoksal gjithë ai investim perandorak austro-hungarez që të imponoheshin në strukturën kombëtare shqiptare vlera patriarkale e pagane nga zonat e humbura rurale e t’u konkurronin vlerave të etabluara urbane, islame e kristiane, që kishin funksionuar me shekuj. Në fakt, ai ishte projekt gjeopolitik. Por ai projekt e deformoi identitetin e natyrshëm shqiptar, me përmasën universaliste të Krishterimit e të Islamit dhe e shndërroi në identitet me mendësi e përkatësi fisnore, madje me përzierje edhe politeiste. (Nopça i quan popull më vete fiset e veriut.) Meqë karakteristika absolute e Kanunit ka qenë imponimi i qëndrimit të të parit (kapedanit, të zotit të shtëpisë) ndaj të gjithë të tjerëve, ajo mendësi u inkorporua mandej edhe në komunikimin në gjithë sferën publike. E sponsorizuar nga fuqi të mëdha, si Austro-Hungaria, e në raste të veçanta edhe nga Mali i Zi e Serbia, ajo karakteristikë kanunore e mosdurimit, intolerancës, e përjashtimit dhe e ndëshkimit, u bë shumë e dallueshme dhe uzurpoi hapësira të mëdha në jetën shoqërore. Ishte audit kryesor brenda projektit austro-hungarez për formimin e një Shqipërie të vogël, katolike, pa muslimanë, që gjë e konfirmon Stauro Skendi me këto fjalë: “Ai (Lippich, konsulli austriak në Shkodër, plotësim imi) gjithashtu qe në favor të kthimit në katolicizëm të shqiptarëve muslimanë të veriut që ashtu ta bashkonte vendin në një bllok katolik për të kundërshtuar bllokun sllavo-ortodoks.” Vetëm kur dështoi ideja e krijimit të një kombi shqiptar të krishterë me asimilimin e muslimanëve që do të mbeteshin brenda atij shteti, u adoptua qëndrimi për formimin e një shteti shqiptar edhe me muslimanë brenda tij. Por, me muslimanë brenda tij, që do të defaktorizoheshin në aspektin kulturor, social, ekonomik e sidomos fetar.

Konfliktet brendakombëtare si realitet dhe si absurditet

Bartja e vlerave fisnore në mënyrë të pafiltruar në sistemin e identitetit kombëtar kishte ndodhë dhe më nuk mund të shqitej, shkaku i agresivitetit të asaj mendësie dhe sponsorizimit të vazhdueshëm nga shtete të ndryshme europiane. Reagimi më ekstrem dhe gjithsesi irracional ndaj atij çrregullimi të projektuar në identitetin kombëtar shqiptar ishte rebelimi i udhëhequr nga haxhi Qamili, me kërkesën absurde, për kthimin e sundimit osman dhe të sulltanit. Ndërsa në ekstremin tjetër, disa vite më vonë, ishte projekti i Gjon Marka Gjonit për formimin e “Republikës së Mirditës” nën sqetullën serbe, si një pajojë tjetër e çrregullimit irracional në trupin e identitetit kombëtar.

Çrregullime të tjera, po ashtu të rënda, filluan të shfaqen në identitetin kombëtar, si pasojë e mbetjes së Kosovës nën pushtimin serb. Në politikë filloi të shfaqej kontradikta ndërmjet realpolitikës së Zogut dhe frustrimit irredentist të Kosovës, por ajo e thelloi ndarjen e kombit. Një nga motivet e dhunës politike, atentateve politike që e mbajtën Shqipërinë në tension e me raste edhe në anarki, ishte dhuna politike në këto relacione. Me një shtet të gjymtuar si Shqipëria londineze dhe me pjesën tjetër të ekspozuar dëbimit e shkatërrimit biologjik, ishte e pamundur të ndiqej kursi i Rilindjes Kombëtare për një komb shqiptar të madh, të fortë dhe të dominuar nga vlerat e qytetërimit islam e atij kristian, të vendosur qëndrueshëm në truallin europian. Po të ishte formuar një shtet kombëtar shqiptar, me Kosovën dhe viset e tjera shqiptare brenda, nuk do të kishte asnjë shans të shfaqej lëvizja anarkiste e haxhi Qamilit e as lëvizja separatiste e Gjon Marka Gjonit e as komunizmi.

Në përpjekje për ta finalizuar identitetin kombëtar shqiptar të fabrikuar nga të huajt, elitat   shqiptare e filluan të ashtuquajturin proces të vesternizimit. Përpjekja për t’u shkëputur në mënyrë të përshpejtuar e të panatyrshme nga traditat e trashëgimia disashekullore otomane, prodhoi fërkime e konflikte të tjera, sociale e kulturore. Ndërsa komunizmi brutal hoxhist, duke e gjetur kombin në identitet tërësisht të luhatur, e imponoi një deformim edhe të madh. Regjimi komunist tentoi t’i shkatërronte të gjitha traditat, të gjitha besimet fetare në Shqipëri, ua plaçkiti pronat pronarëve dhe me një kolektivizim abnormal, shkaktoi varfëri e mjerim të paimagjinueshëm. Parullat se edhe bar do të hanin po nuk do të dorëzonin pushtetin, është shprehje e asaj katandie të kombit shqiptar në shtetin shqiptar. Kombi ishte në prag të zhbërjes.

Pritja drejt konfrontimit në vend të logjikës së konsolidimit

Pas shpërbërjes së ish Jugosllavisë, me ç’rast Kosova u pavarësia, ndërsa edhe shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe në Malin e Zi fituan disa liri politike e kulturore, u duk sikur po fillonte një etapë e re e rinjohjes, komunikimit e konvergimit kombëtar. Por, nuk qe e thënë. Në kohën tonë konfrontimet kanë kaluar nga ideologjia te rivalitetet me paradigmë etatiste. Prirjet e herëpashershme paternaliste nga Tirana zyrtare shkaktojnë manipulime, fërkime e rivalitete të dëmshme. Shembulli më i keq aktualisht është rivaliteti pa asnjë arsye ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe atij të Shqipërisë, Edi Rama. Po ashtu është prezente dhe nga pak virulente edhe ndërhyrja e liderëve politikë nga njëri shtet në tjetrin, gjë që ngjall fërkime ndërmjet kundërshtarëve politikë, duke e acaruar politikën e duke e dëmtuar unitetin kombëtar. Shkurt e shqip, kombi ynë është një komb natyral, por me një zhvillim jonormal dhe me një aktualitet konfliktual.

Definitivisht na duhet një program i ri për realitetet e reja kombëtare e gjeopolitike. Por, për ta bërë një program real e funksional, paraprakisht duhet të shkruhet historia e kombit shqiptar. Çuditërisht, ne nuk kemi një histori të shkruar të kombit shqiptar. Kemi histori të Shqipërisë (mirë e keq), por nuk kemi histori të kombit. Nxitja dhe financimi për ta shkruar historinë e Shqipërisë, natyrisht që ka qenë e shtetit, sepse edhe benefitet e asaj historie i janë faturuar shtetit dhe shtetarëve. Por, shteti dhe kombi nuk janë e njëjta gjë, sidomos në rastin tonë. Prandaj, ideja për ta shkruar historinë e kombit do të duhej ta nxiste fantazinë e historianëve, albanologëve, antropologëve, sociologëve, historianëve të letërsisë. Bile, të të gjithë shqiptarëve. Po qe se shkruhet historia e kombit shqiptar, ajo do të përfshinte edhe arvanitasit e asimiluar në grekë, edhe arnautët e asimiluar në turq, edhe rajanët e asimiluar në serbë, edhe arbanasët, që janë asimiluar në boshnjakë. Ekziston një teori mbi kombin që insiston që të gjithë ata që kanë prejardhje nga një etni që ka formuar kombin, të llogariten si pjesëtarë të atij kombi. Është shumë optimiste, por idetë pa qenë optimiste nuk mund të bëhen kurrë realiste. Ne nuk e kemi adoptuar kurrë atë qasje. Ndoshta do të duhej të mendohej për aktivizimin e saj veçmas në drejtim të atyre kontingjenteve që ende nuk janë asimiluar plotësisht. Të tillë ka ende në Turqi, në Greqi, në Sanxhak (Malin e Zi dhe Serbi) e mbase edhe një kontingjent i vogël ortodoksësh në Maqedoninë e Veriut. Një problem më vete në këtë sfond janë raja serbofone në Kosovë, të cilët kanë qenë shqiptarë ortodoksë, por janë asimiluar në serbë nga Kisha Serbe. Për ta mbase duhet një program i veçantë i shtetit të pavarur të Kosovës. Rikthimi i rajës në shqiptarizëm, gjithsesi dhe vetëm vullnetarisht, do të ishte një adut i fortë kundër pretendimeve serbomëdha mbi Kosovën. Thjesht, do ta varroste serbizmin në Kosovë.

Kombi shqiptar shtrihet edhe përtej kufijve shtetërorë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Luginës së Preshevës, Malit të Zi e Greqisë. Historia e kombit shqiptar shtrihet përtej historisë zyrtare të hartuar nga historianë të komanduar nga shteti. E, pra, po të njihej e të dihej si duhet historia e kombit shqiptar, e pakta injorantët do ta kursenin veten nga idiotizmi që kujtdo që participon në sferën publike t’i thonë, siç i thonë, ”nuk je shqiptar.” A ka kush ta mbledhë e ta hartojë historinë e kombit tonë shqiptar? Nëse më lejohet një përgjigje cinike, mund të përgjigjem: “Po, ka kush ta bëjë, nëse e bën revista Shenja.”

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X