loader image
December 4, 2024

Hajdutët në emër të demokracisë nuk heqin dorë nga pushteti

BE-ja dhe SHBA-ja në Ballkan kanë promovuar dhe vazhdojnë të forcojnë liderë që e kanë dëmtuar tërësisht vullnetin e qytetarëve. Në emër të demokracisë, drejtues partish shqiptare kanë sunduar si një mbret dhe pa kufizime. Shqetësimet se demokracia në Ballkan dhe në sferën shqiptare po rrëshqet jashtë kontrollit janë të vërteta. Kjo është një shenjë alarmante për të ashtuquajturit liderë demokratë të shqiptarëve, që kanë shumë fjalime boshe dhe shumë pak vepra për qytetarët. Të gjetur e të shkatërruar si komb me shekuj, ka rënë vullneti për të qëndruar në garën e demokracisë. Pavarësisht se edhe në demokraci konkurrenca është e madhe, përsëri mbetet modeli më i mirë për të testuar nën modele tjera.

Selim IBRAIMI, Uashington

Vullneti i kombeve nën presion dhe tirani për shekuj ka qenë liria dhe më shumë të drejta. Megjithatë, në vise të ndryshme të botës, demokracia është përdorur në mënyra të ndryshme. Për shembull, nëse e marrim parasysh shekullin e kaluar në Europën Perëndimore dhe në Ballkan, pavarësisht nga regjimet dhe sistemet ekonomike, demokracia për regjimet autoritare është parë si armiku më i madh i pushtetit të liderëve autoritarë. Demokracia është ëndërruar nga një pjesë e mirë e botës së shekullit të 20-të e deri më sot, pa njohuri se jo gjithherë transformimet shoqërore shkojnë lehtë dhe përfundojnë me sukses. Në Ballkan, për shkak të dallimeve etnike, fetare dhe kulturore, disa kombe kanë pasur pikëpamje të ndryshme për liberalizmin dhe demokracinë. Në Europën Perëndimore, gjatë triumfit nazist, gjermanët mendonin se ishin në shkallën më të lartë të zhvillimit. Gjithashtu qytetarët e SHBA-së, edhe njëqind vjet më vonë, besojnë në llojin e një filmi futurist se po jetojnë në një shtetet me nivel të lartë demokracie.

Abuzimi me demokracinë

Iluzionet e pas Luftës së Ftohtë për një demokraci universale vazhduan derisa një ditë po të njëjtit popuj që dikur kërkonin liri dhe demokraci, sot po votojnë për lidership autoritar. Shumë qytetarë të botës postkomuniste dhe të Europës kanë reaguar në mënyra të ndryshme. Ndonjëherë, dyshimet në funksionimin e sistemeve i shtyjnë qytetarët të besojnë në mundësi të tjera që kanë perspektivë, duke zgjedhur sistemin më të mirë të jetesës dhe përfaqësimit. Në Ballkan dhe në sferën shqiptare, termi demokraci në tre dekadat e vitet e fundit është abuzuar duke u ngatërruar me të ashtuquajturin prestigj të liderëve në emër të vlerave demokratike për të bërë gjithçka që duan dhe duke mos marrë asnjë përgjegjësi në gjithë këto vite të qeverisjes. Në emër të demokracisë, të drejtave elementare dhe stabilitetit, vazhdojnë të fshihen interesat e tyre për t’i mbajtur qytetarët të varur. Disa liderë politikë kanë shkuar më tej. Dikur filluan edhe luftën mes bashkësive etnike në emër të demokracisë dhe të drejtave themelore të njeriut. Në veçanti, në emër të vlerave të luftës në Kosovë, liderët postshqiptarë të vitit 1999 u angazhuan në luftëra të brendshme, për të shkatërruar elementet bazë të demokracisë kosovare p.sh. legjitimiteti dhe lidershipi, i cili më vonë u shoqërua nga fazat e ashpra të betejave politike midis partive brenda ose jashtë qeverisë kosovare. Viteve të fundit, fytyra e demokracisë së llojit ballkanik u tregua gjatë zgjedhjeve, ku lufta për pushtet pamëshirshëm si duket u ka dhënë fund përpjekjeve për më shumë punë në fushën e demokracisë. Në Shqipëri ka pasur përparim të madh në demokracinë e llojit shqiptar dhe në sipërmarrje. Dhe, kjo është bërë pavarësisht luftës politike mes pushtetit dhe opozitës. Ka pasur reforma të jashtëzakonshme për sa i përket kalimit nga sistemi monist në atë pluralist dhe fjalës së lirë. Dhe, më e rëndësishmja, në promovimin e frymës së politikës shqiptare me frymën dhe vlerat e BE-së, shumë çështje kanë shkuar mirë e disa kanë devijuar, qoftë nga rruga demokratike ose edhe ajo njerëzore. Edhe pse ka nevojë për më shumë punë dhe energji për të vënë në jetë rendin, politikanët shqiptarë duhet ta kuptojnë se demokracia nuk funksionon vetëm në libra dhe fjalime të këndshme publike. Mungesa e hapave konkretë për praktikimin e vlerave të demokracisë ka çuar në një kuptim të ndryshëm të sistemit. Absurditeti shkon deri në fantazinë e liderëve se në një sistem demokratik mund të qeverisësh si të mundesh e pa kufizime. Për shembull, këtu mund të fillojmë me Maqedoninë e Veriut, ku demokracia dhe rrethanat etno-fetare janë keqpërdorur me vite. Kjo vlen për të dyja etnitë, për maqedonasit dhe shqiptarët. Duke eksperimentuar me demokracinë, Maqedonia e Veriut në të ardhmen mund të shkojë drejt një qeverisjeje autoritare, njësoj si Serbia. Në fakt, banorët e Maqedonisë së Veriut janë dëshmitarë të një qeverisje të mëhershme autoritare në mes Nikolla Gruevskit dhe Ali Ahmetit (2008-16). Një kthim për së dyti, i një qeverisje në forma të tjera, është një kërcënim për një konflikt tjetër jo vetëm teorik mes demokracisë dhe autoritarizmit, por një konflikt tjetër shqiptaro-maqedonas.

Tani t’u kthemi disa çështjeve të hapura të shqiptarëve me veten dhe botën. Të uritur dikur për demokracinë, tani shqiptarët në Ballkan në disa momente kanë nisur të mendojnë më ndryshe për këtë sistem qeverisjeje. Dhe, kjo po bëhet për shkak të nivelit të lartë të pabarazisë klasore që vazhdon në demokraci. Nëse në SHBA dhe në vendet e tjera pabarazia është e madhe dhe ku sistemi kapitalist është i ashpër, duke e kthyer individin në një qenie materiale, atëherë çfarë rezultatesh mund të arrijnë shqiptarët në Ballkan me keqpërdorimin e mëtutjeshëm të demokracisë? Mund të ndodhë që dikush të përfitojë në emër të vlerave demokratike, ndërsa pjesa tjetër të vazhdojë të jetojë në varfëri, duke u kthyer në një makineri votuese e duke jetuar me fantazinë e vlerave demokratike. Dhe, pikërisht këtu janë zgjedhjet, testi më i fuqishëm ku qytetarët çdoherë mbesin të zhgënjyer nga rezultatet, e më vonë duke e ulur besimin për demokracinë si modelin më të mirë, kërkojnë alternativa të tjera.

Iluzionet shqiptare për demokracinë

Megjithatë, duhet të pranojmë se demokracia në kohën tonë, krahasuar me modelin komunist, ka një ndryshim në arritjen e përparimit dhe është ndryshe nga ajo që e kanë përjetuar shqiptarët në 80 vitet e fundit në Ballkan. Në terma konkretë, në Maqedoninë e Veriut gjithmonë jemi dëshmitarë të diçkaje të pazakontë. Partia e Ali Ahmetit, BDI, në zgjedhjet e fundit parlamentare të 2024-ës përbëhej nga një koalicion i grupeve të tjera etnike. Tani që VMRO-ja (parti nacionaliste maqedonase) ka arritur një fitore të madhe në zgjedhjet parlamentare dhe është e gatshme bashkë me VLEN-in (që përbehet nga katër parti opozitare shqiptare) të formojë qeverinë, BDI-ja refuzon të shkojë në opozitë, duke u thirrur në standardet demokratike. Pra, përsëri kemi të bëjmë me keqpërdorimin e demokracisë nga grupet dhe elitat e partive politike për të qëndruar në pushtet e për të abuzuar edhe më shumë me lirinë që buron nga demokracia. Dhe, i gjithë rasti, siç nënvizuam, bëhet në emër të demokracisë dhe legjitimitetit. Në emër të demokracisë, partitë politike, veçanërisht partitë shqiptare që janë pjesë e “Frontit Europian”, përpiqen t’i kapërcejnë të gjitha kushtet demokratike, duke bërë thirrje për rezistencë. Në rast se e duan demokracinë, pavarësisht se nuk është sistem tejet i përsosur, por përsëri është më i miri se sistemet tjera, atëherë është koha për paqe dhe tranzicion të plotë. Dhe, pa hezitim, duhet ta shohin politikën si një proces dhe jo si një mënyrë për t’u vendosur përjetë në institucione në emër të demokracisë. Ata me vite e kanë frenuar një element bazë të demokracisë – atë të sundimit të ligjit. Sigurisht se gjithë ky refuzim i lidershipit për ndryshime shoqërore ka një burim të mëhershëm. Duke kuptuar këtë çështje në disa mënyra, më e rëndësishmja është të analizohet jeta e liderëve në komunizmin jugosllav ose stalinist (enverist), e cila për disa në atë kohë ishte më i miri se demokracia. Mentaliteti i vjetër në qeverisje sigurisht se përbën problem për t’u transformuar sot. Në emër të demokracisë, drejtues partish shqiptare kanë mundur të bëjnë gjithçka, duke sunduar si një mbret dhe pa kufizime. Shqetësimet se demokracia në Ballkan dhe në sferën shqiptare po rrëshqet jashtë kontrollit janë të vërteta. Kjo është një shenjë alarmante për të ashtuquajturit liderë demokratë të shqiptarëve, që kanë shumë fjalime boshe dhe shumë pak vepra për qytetarët. Në kontekstin e demokracisë botërore, nuk duhet të harrojmë se Koreja e Veriut e konsideron vetensi vend demokratik, njësoj si edhe populli korean. Kina, e cila ka arritur sukses të madh në ekonomi dhe teknologji, gjithashtu thotë se populli kinez është i lirë. Prandaj është shumë e vështirë për komunitetin botëror demokratik të akuzojë të tjerët që janë më pak ose më shumë demokratik. Këtu mund të përmendim SHBA-në, ku demokracia ka pësuar rënie. Ngjarjet e janarit të 2021-shit treguan se edhe SHBA-ja po rrëshqet nga lidershipi në demokraci, duke e humbur prestigjin për t’ua mësuar të tjerëve demokracinë. Pra, gjithmonë do të ketë një luftë midis teoricienëve dhe të tjerëve që e praktikojnë demokracinë drejtpërdrejt me vlera, e që mund të jenë shtetet nordike, Gjermania, Zelanda e Re, Japonia etj. etj. dhe të tjerët, duke nisur nga disa shtete europiane dhe SHBA-ja, që po mbështesin liderë autokratë në Ballkan e më gjerë për interesat e tyre, duke e zbehur demokracinë në të cilën thirren. Pra, kemi një dallim midis demokracisë në teori dhe në praktikë, e cila është e ndikuar nga interesi ekonomik dhe politika. Kur jemi tek BE-ja, përderisa çështjet e demokracisë në union po vihen në pikëpyetje, si ka mundësi që shqiptarët të ndërtojnë një vizion më të qëndrueshëm kur shohin se është pikërisht BE-ja e cila luan me dy standarde?! Pavarësisht gjendjes së demokracisë në BE, me sa duket kaosi i shekullit do t’i dëmtojnë edhe më shumë shqiptarët në Ballkan e në veçanti ata në Maqedoni të Veriut. Pasi në emër të demokracisë qysh herët drejtimin e shtetit e kanë marrë individë që nuk kanë të bëjnë asgjë me lirinë, të drejtën dhe ligjin, e aq më pak me demokracinë. Dhe kjo ka një shpjegim, sepse BE-ja dhe SHBA-ja në Ballkan kanë promovuar dhe vazhdojnë të forcojnë liderë që e kanë dëmtuar tërësisht vullnetin e qytetarëve të Ballkanit. Tani e tutje shqiptarët në Ballkan, duke e shfrytëzuar të drejtën e votës, që është e vetmja mënyrë për të luftuar liderët e rrejshëm, duhet të marrin vendime të vështira, pasi në tre dekadat e fundit të kuptuarit keq të demokracisë me ndërhyrje nga jashtë i kanë sjellë në një gjendje të keqe. Duhet pranuar se faji nuk është as në Perëndim dhe as në Lindje. Të gjetur e të shkatërruar si komb me shekuj, ka rënë vullneti për të qëndruar në garën e demokracisë. Pavarësisht se edhe në demokraci konkurrenca është e madhe, përsëri mbetet modeli më i mirë për të testuar nënmodele të tjera, ku vjen në shprehje një liri e pakufizuar me ekonomi të kënaqur individuale- kombëtare. Në fund, përsëri kemi të bëjmë me natyrën e njeriut, që asnjëherë nuk është i kënaqur, por gjithnjë është në kërkim të materiales. Një sistem utopik, ku të gjithë do të jetonin të barabartë dhe pa probleme vështirë se qenia njerëzore ka arritur ta shpikë. Andaj shqiptarët në Ballkan duhet ta marrin nga demokracia më të mirën, duke ia përshtatur atë natyrës së shqiptarit. Për këtë eksperiment sigurisht se duhet kohë dhe qeveri të tjera shqiptare në Ballkan.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X