loader image
October 14, 2024

Guernica dje, Gaza sot

Njeriu nuk duhet të asgjësojë urrejtjen, sepse e keqja duhet urryer, por njeriu duhet të jetë i përmbajtur dhe i drejtë që të mos e shtyjë veten drejt krimit. Kur kjo është detyrë e njeriut ndaj njeriut, për shtetet është shumëfish detyrë që të tregohen edhe më të matur, edhe më të përmbajtur për të mos hyrë në rrugën pa krye të krimit dhe krimeve.

Nuredin NAZARKO, Korçë

Qyshse u ndez zjarri i smirës dhe urrejtjes tek vrasësi i parë në historinë e njerëzimit, krimi kundër jetës njerëzore nuk ka reshtur. Nga koha në kohë me shtimin e popullatës, ndarjen në fise e popuj, zgjerohet dhe harta e krimit. Nuk ka më si herën e parë, krim vetëm ndaj një njeriu. Krimi merr përmasa që shkojnë deri në shfarosje masive të grupeve, fiseve dhe popujve të caktuar.

Krimi është pasojë. Janë të tjera shkaqe dhe motive që e çojnë njeriun drejt krimit. Ajo çfarë mbetet pas aktit kriminal, është dëshmi e pakundërshtueshme e faktorëve që nxisin dhe çojnë në krim. Thelbi i të gjitha krimeve fshihet tek urrejtja dhe ushqyerja e zjarrit të saj me propagandë të vazhdueshme për rrezikun që mbart ajo çfarë urrehet. Arsyet e dukshme të urrejtjes lidhen me përkatësi kombëtare, fetare, politike, fisnore, pasurore, racore. Themi të dukshme pasi ato janë motivi që përdoret për të shpëlarë duart si ponc Pilati dhe për të mbuluar e fshehur shkaqet reale të urrejtjes. Thellë-thellë urrejtja që e shtyn njeriun drejt krimit ndaj tjetrit është pakënaqësi ndaj vetes, pakënaqësi ndaj bukurive të jetës, smirë e xhelozi ndaj të mirave e arritjeve të tjetrit (të mira e arritje që nuk i janë mundësuar t’i ketë, duke harruar se në këtë jetë secili ka hisen e vet), etje për të gllabëruar e grumbulluar pasuri sikur do të rrojë një mijë vjet.

Njeriu nuk duhet të asgjësojë urrejtjen, sepse e keqja duhet urryer, por njeriu duhet të jetë i përmbajtur dhe i drejtë që të mos e shtyjë veten drejt krimit. Kur kjo është detyrë e njeriut ndaj njeriut, për shtetet është shumëfish detyrë që të tregohen edhe më të matur, edhe më të përmbajtur për të mos hyrë në rrugën pa krye të krimit dhe krimeve.

Kur urrejtja ndaj një race, ndaj një kombi, ndaj një feje, ndaj një etnie, ndaj një kulture të caktuar institucionalizohet dhe ushqehet e mbështetet drejtpërdrejt nga strukturat shtetërore, përfundimi është gjenocid ndaj grupit të shënjestruar. Shtyllat e gjenocidit bëhen shpronësimet e dhunshme, dëbimet masive të popullatës, ndërrim me dhunë të besimit fetar ose asgjësim fizik i atyre që refuzojnë, konfiskim dhe sekuestrim të pasurisë, vrasje të civilëve duke shkuar drejt një qëllimi përfundimtar, zbrazje e asaj hapësire gjeografike që mëtohet t’i bashkëngjitet shtetit që zotëron më shumë fuqi se pala e sulmuar.

Pretekstet për të mbuluar shkaqet reale të gjenocidit janë pa fund. Kur në shërbim të mbulimit dhe fshehjes së gjenocidit përfshihen mjete të fuqishme të propagandës, televizione, radio, gazeta, revista, shtëpi kinematografike, rrjete sociale, website dhe, mbi të gjitha, burime njerëzore të mirëpaguara për të deformuar realitete që janë të kthjellët si hëna e plotë në natën e errët, mund të turbullohen e manipulohen edhe mendje që besohet se janë të arsyeshme.

Kur një shtet ushtron gjenocid, kjo nuk nënkupton domosdoshmërisht se të gjithë nënshtetasit e atij shteti janë dakordësuar për këtë. Njerëzit besojnë se qeveritë zgjidhen për t’i shërbyer popujve, por shpesh po dëshmohet se qeveritë i shërbejnë klikave dhe popullin që i ka votëbesuar ose e anashkalojnë. Ose zërin oponent të popullit e zbehin në maksimum, aq sa të mos dëgjohet ose të dëgjohet si pëshpërimë e parëndësishme.

Situata bëhet më komplekse dhe e ndërlikuar kur gjenocidi ushtrohet nga shtete, popujt e të cilëve në të kaluarën e largët ose të afërt historike i janë nënshtruar vetë gjenocidit, persekutimit, shpërfilljes dhe dëbimit të vazhdueshëm nga një vend në tjetër. I dhunuari nuk duhet kurrsesi të kthehet në dhunues. Madje, kush ka provuar vuajte, duhet të jetë i mëshirshëm, ndihmues dhe lehtësues i vuajtjeve të të tjerëve.

Një ndër themelet e qenies njerëzore duhet të jetë mëshira ndaj çdo qenie të gjallë, veçanërisht ndaj njeriut. Kur urrejtja i verbon zemrat, mëshira konsiderohet dobësi dhe dobësia nuk duhet të jetë tipar i të fortit. Të jesh i fortë nuk do të thotë që ta shtypësh të dobëtin, ta nëpërkëmbësh të pambrojturin dhe ta dëbosh të pamundurin. I fortë është ai që edhe kur i ka të gjitha mundësitë të shtypë një popull, zgjedh të veprojë me drejtësi. Kurse i dobëti që merr fuqi në duar bëhet shtypës dhe dhunues, nëse harron gjendjen në të cilën është gjendur vetë përpara se të marrë në dorë fuqinë ose, akoma më keq, kur e përdor gjendjen e dobësisë si instrument koncesionar.

Në rrjedhën e historisë sado ndryshime të ndodhin, gjendjet karakteriale të njeriut nuk humbin. Mund të marrin forma të ndryshme, por kthehen sërish në origjinën e tyre, në mënyrën se si është rritur njeriu, se si është edukuar dhe se si i ka përjetuar gjendjet e vështira në psikën e vet. Është një rrjedhë që të nxjerr në kryeherë.

Sindroma e Stokholmit paska qenë e fortë tek viktimat e djeshme të holokaustit saqë i ka bërë të dashurohen me dhunën, pamëshirshmërinë dhe barbarizmin në emër të ruajtjes së ekzistencës.

Kemi menduar se barbaritë kishin mbetur në kujtesën historike me dyndjet barbare, masakrat kryqtare, hordhitë mongole, gjenocidet dhe spastrimet etnike të shek. XX, por ja që nuk paska qenë kështu. Kur vjen puna tek interesat gjeostrategjike apo jo, nuk pyet më askush për vlera e parime e as për shenjtëri jete.

Fuqitë e Mëdha në vend që të synojnë një rend ndërkombëtar paqësor, ku secili qytetërim të ketë vendin që i takon në arealin botëror, vazhdojnë me politika neokolonialiste imponuese të perëndimit modern. Qëllimet e tyre sot po i paguajnë civilët e pafajshëm dhe ende nuk po nxirren mësimet e duhura nga historia.

Teorizimet për demokraci e zgjidhje demokratike po varrosen dita-ditës nga po ata që demokracinë e kanë kthyer në peshqir për të fshirë duart e lara të ndërgjegjeve të përlyera me krime kundër njeriut e kundra njerëzimit.

Faktet janë kokëfortë. Nuk mund të ulesh e të gjesh zgjidhje afatgjatë pasi ke mbushur hendeqe me viktima të pafajshme, pasi mban në këmbë politika ekspansioniste me edukim që ka në bazë urrejtjen ndaj inferiorëve dhe ndjesinë e superioritetit me “popuj të zgjedhur” ose “racë të zgjedhur”.

Zgjidhja afatgjatë është tek edukimi i brezave me dashuri, mëshirë dhe drejtësi, tek bashkëjetesa paqësore e dëshmuar historikisht, por jo gjithmonë do të ketë njerëz që e duan këtë zgjidhje.

Atëherë zgjidhja duhet të vijë nga ata që e krijuan problemin, por ata që e krijuan problemin nuk e krijuan për të gjetur zgjidhje afatgjatë dhe të qëndrueshme.

Atëherë zgjidhja mbetet tek të qëndruarit gati dhe përpjekjet për të bërë me të mirën e mundshme për të ruajtur dhe mbrojtur jetët e civilëve, jetët e brezave të ardhshëm.

Të ardhmen nuk mund ta njohim, por duhet të përgatitemi për të.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X