loader image
November 21, 2024

Gjenocidi pa adresë!?

Çuditërisht, në tekstin e Rezolutës, askund nuk përmendet emri “serb”, “Republika Sërbska” apo “Republika e Serbisë”, thuajse atë gjenocid e kanë kryer disa forca të panjohura ushtarake, paramilitare, të paorganizuara, pa identitet ose, në një rast iluzor, forca jashtëtokësore! Thuajse kriminelët nuk kanë pasur asnjë lloj përkatësie etnike/fetare dhe se akti i tyre mizor nuk është inspiruar nga motivet e tilla. Kështu siç është miratuar, kjo rezolutë duket të jetë e paadresuar saktë! Prandaj, kjo mënyrë e fshehjes së të vërtetës, veçse mund të trimërojë qarqet e caktuara të Botës Serbe, të cilët në njëfarë mënyre, e gjejnë veten të shfajësuar nga përgjegjësia.

Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Po bëhen gati tri dekada që kur u krye një prej krimeve më monstruoze me përmasa gjenocidale nga ana e forcave serbe në luftën e Bosnjës e Hercegovinës. Në korrikun e vitit 1995, Srebrenica me 8,372 viktimat myslimane – boshnjake, u bë varri më i madh i pafajësisë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Në mënyrë individuale u dënuan dhjetëra serbë nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish Jugosllavi, por jo edhe entitetet formale-juridike që ata përfaqësonin në mënyrë të drejtpërdrejtë, siç ishte krijesa e Republikës së Serbisë – Republika Sërbska. Edhe rezoluta, e cila në maj të këtij viti u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, që e njeh 11 korrikun si “Ditë Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Vitit 1995 në Srebrenicë”, nuk e implikon asnjë grup etnik ose entitet shtetëror në kryerjen e aktit të gjenocidit! Me këtë, juridikisht serbët nuk njihen si “komb gjenocidal”, një nofkë të cilën ia kanë vënë të gjithë fqinjët që pësuan nga serbët në luftërat e tmerrshme gjatë procesit të shkatërrimit të Jugosllavisë.

Gjenocidi serb në Bosnjë – ploja Srebrenica

Vendosja e 11 korrikut në kalendarin zyrtar të OKB-së për kujtimin e gjenocidit të Srebrenicës, pa dyshim se përbën një ngjarje të madhe në historinë më të re politike të botës. Në radhë të parë përbën një mirënjohje ndaj familjeve të mijëra viktimave që pësuan në atë verë të zezë të vitit 1995.

Por, me sa duket, vendimi i shumicës së vendeve të botës demokratike për ta mbështetur këtë rezolutë, më tepër tingëllon si një tentim për shfajësim se sa të shënjestrojë drejt inspiruesit dhe kryerësit e vërtetë të veprës së rëndë penale. Të kujtojmë se në kohën kur u krye krimi gjenocidal mbi popullatën myslimane në Srebrenicë, ai rajon ishte nën mbikëqyrjen e forcave ndërkombëtare të OKB-së, konkretisht trupave holandeze, të cilët nuk arritën ta mbrojnë popullatën civile boshnjake, e për një moment madje as veten e tyre!

Për gjenocidin ndaj boshnjakëve në Srebrenicë janë dënuar në mënyrë individuale rreth 50 serbë, përfshirë edhe kryetarin e Republikës Sërbska, Radovan Karaxhiq dhe gjeneralin Ratko Mlladiq, por jo edhe motivuesit kryesorë të plojës antimyslimane të asaj kohe, siç ishin presidenti i atëhershëm jugosllav Sllobodan Millosheviq ose edhe presidenti i tanishëm serb Aleksandar Vuçiq, i cili nga foltorja e parlamentit serb të Beogradit, në fillim të viteve të ‘90-ta kërcënohej hapur se: “për 1 serb do të vrasim 100 myslimanë”! Vuçiqi, në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ditën që po votohej rezoluta për Srebrenicën, më 23 maj 2024, paturpësisht e luante rolin e viktimës.

Çuditërisht, në tekstin e Rezolutës, askund nuk përmendet emri “serb”, “Republika Sërbska” apo “Republika e Serbisë”, thuajse atë gjenocid e kanë kryer disa forca të panjohura ushtarake, paramilitare, të paorganizuara, pa identitet ose, në një rast iluzor, forca jashtëtokësore! Thuajse kriminelët nuk kanë pasur asnjë lloj përkatësie etnike/fetare dhe se akti i tyre mizor nuk është inspiruar nga motivet e tilla. Kështu siç është miratuar, kjo rezolutë duket të jetë e paadresuar saktë! Prandaj, kjo mënyrë e fshehjes së të vërtetës, veçse mund të trimërojë qarqet e caktuara të Botës Serbe, të cilët në njëfarë mënyre, e gjejnë veten të shfajësuar nga përgjegjësia e drejtpërdrejt politike dhe juridike, duke e hedhur krejt fajin te individët e caktuar të dënuar nga gjykata.

Për më keq, tani kemi një situatë shumë absurde. Derisa gjenocidi në Srebrenicë është vërtetuar ligjërisht në Hagë më 2004 nga Gjykata Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, dhe më 2007 nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, sot ky gjenocid mohohet kategorikisht nga krerët kryesorë serbë Vuçiq e Dodik. Ndërkaq, rezoluta në fjalë flet shumë qartë përmes nenit 2, ku: “dënon pa rezerva çdo mohim të gjenocidit të Srebrenicës si një ngjarje historike dhe u bën thirrje shteteve anëtare që t’i ruajnë faktet e vërtetuara, duke i përfshirë në sistemet e tyre arsimore dhe duke zhvilluar programe të përshtatshme drejt parandalimit të mohimit dhe shtrembërimit të gjenocidit, si dhe përsëritjes së tij në të ardhmen”. Realisht, me këtë nen, tani e tutje do të duhet të kenë shumë probleme jo vetëm se Vuçiqi e Dodiku, por çdonjëri që e mohon këtë gjenocid, përfshirë këtu edhe politikanë të lartë në rajon, si soji i Ivan Stoilkoviqit në Maqedoninë e Veriut.

Gjenocidi serb në Kosovë

Tri vjet pas gjenocidit në Srebrenicë, forcat serbe vazhduan plojën kundër shqiptarëve në Kosovë. Gjatë vitit 1999, Serbia pushtuese në Kosovë shkaktoi qindra masakra, duke lënë të vrarë mbi 13,500 persona, në mesin e tyre shumica fëmijë, gra, pleq e civilë. Disa nga masakrat e evidentuara dhe të dokumentuara nga studiues dhe shoqata serioze, marrin përmasat e gjenocidit, siç janë: Masakra në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill 1999 u vranë 376 të civilë shqiptarë; Masakra në Krushë të Madhe më 26/27 mars 1999, ku u vranë 243 shqiptarë; Masakra e Reçakut më 15 janar 1999, ku u vranë 45 shqiptarë; Masakra në Rezallë të Skenderajt më 5 prill 1999, ku u vranë 41 civilë, etj. etj.

Për fat të keq, deri më tani shteti i Kosovës ende nuk ka përgatitur asnjë dosje serioze për padi penale kundër Serbisë në lidhje me veprën e gjenocidit ose edhe të krimeve të luftës (si një term më i butë). Disa herë është paralajmëruar një gjë e tillë, madje edhe nga kreu shtetëror, por asnjëherë nuk është efektuar një veprim konkret, që do të përpiqej për t’i nxjerrë para drejtësisë ndërkombëtare kriminelët që i shkaktuan plagë të pashërueshme popullit shqiptar.

Pas një çerekshekulli të përfundimit të luftës, Kosova tek vitin e kaluar themeloi një institucion shumë të nevojshëm në këtë drejtim – Institutin për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë, i cili ka për qëllim hulumtimin dhe dokumentimin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë, si dhe krimet e gjenocidit, nga 1 janari i vitit 1998 e deri më 20 qershor 1999. Por, duke qenë një institucion i ri, rezultatet e tij nuk mund të priten aq shpejt. Në anën tjetër, shumë problematike paraqitet mundësia e dokumentimit të gjenocidit para institucioneve relevante penale ndërkombëtare, meqë disa shtete kanë dështuar në një gjë të tillë, përfshirë këtu edhe Kroacinë. Politizimi i institucioneve juridike ndërkombëtare, përmes mundësisë së diskreditimit të fakteve, paraqet një problem esencial në ballafaqimin e drejtë me të kaluarën. Por, kjo në asnjë mënyrë nuk guxon të lejojë dekurajimin në drejtim të dokumentimit të krimeve dhe gjenocidit.

Kosova duhet të punojë fuqishëm institucionalisht në planin e brendshëm – për hulumtimin dhe dokumentimin e plotë të akteve gjenocidale, si dhe në planin e jashtëm, duke e plasuar në mënyrë të argumentuar para ndërkombëtarëve të vërtetën dhe vetëm të vërtetën. Ne nuk kemi nevojë të marrim shembull politikën serbe, e cila gënjeshtrën mundohet ta shesë për të vërtetë dhe ta mjegullojë të vërtetën para syve të botës. E drejta dhe e vërteta gjithnjë triumfon!

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X