Ndonëse kthimi në idenë për copëtimin e Kosovës do të jetë një ndër temat e tjera që do të vazhdojë ta prekin Prishtinën, BE dhe SHBA-në, me veprimet e fundit shihet se nuk kanë më interes për Kosovën si tërësi. Duke pritur që ngjarjet të ndryshojnë në favor të Kosovës, pra Uashingtoni të mbajë një balancë në mes dy palëve, dhe gabimet e qeverisë serbe të rriten si ajo e rrëmbimit të policëve kosovarë, lëvizjet taktike që duhet t’i ketë në konsideratë qeveria e Prishtinës, janë të një ‘robust’ qasje me veriun dhe ndërkombëtarët. Për shekuj me radhë, Danimarka ka qenë pjesë e aleancave në të cilat i kanë ofruar mbështetje ushtarake. Gjatë luftës së parë të Schlesëigut (1848-51), Suedia i mbështeti përpjekjet e luftës daneze. Këtë gjë Shqipëria sot nuk mund ta bëjë.
Shkruan: Selim IBRAIMI, Uashington
Anarkia ndërkombëtare dhe dilema e sigurisë që rezulton nga politikat që rrisin sigurinë e një shteti, kanë prirjen të ulin atë të shteteve fqinje. Kur flitet për drejtimin e politikës së jashtme, kjo e bën më të vështirë për shtetet që t’i realizojnë interesat e tyre të përbashkëta, siç është rasti në mes Kosovës dhe Serbisë. Pasi raportet paraqiten si të ndërlikuara pas ngjarjeve në Veri dhe nuk e dimë se si do të reagojë më tej bashkësia ndërkombëtare në konfliktin ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, këtu mund të sjellim dy qasje që mund të përdoren për të treguar se pse kjo dilemë është aktuale përsëri në këtë kohë dhe pse bashkëpunimi ka më shumë gjasa të ndodhë në mes dy shteteve në dekadat e ardhshme dhe jo tani kur është bërë e pashmangshme për Brukselin dhe Uashingtonin ideja se çka më tej me Veriun. Së pari, “Modeli i Dilemës së të Burgosurve” që përdoret për të demonstruar se bashkëpunimi ka më shumë gjasa të ndodhë kur kostot e shfrytëzimit dhe përfitimet nga shfrytëzimi i të tjerëve janë të ulëta, kur përfitimet nga bashkëpunimi i ndërsjellë dhe kostot e mosbashkëpunimit të ndërsjellë janë të larta dhe kur secili shtet pret që tjetri të bashkëpunojë. Së dyti, dilema e sigurisë përmirësohet kur mbrojtja ka përparësi ndaj sulmit dhe kur qëndrimet mbrojtëse ndryshojnë nga ato sulmuese. Këto dy variabla, të cilat mund të gjenerojnë gjendje të mundshme sigurie, ndikohen nga gjeografia, teknologjia informative dhe në botën e sotme nga ngjarjet në Ukrainë dhe natyrisht nga ekonomia e shteteve të fuqishme. Në rastin konkret, shok bombat në veri të Kosovës tregojnë se situata është duke degraduar me mundësi që të bëhet një zonë e përhershme e paqëndrueshmërisë e cila do të kërkojë një zgjidhje që përfundimisht e dëshiron Serbia – ndarjen e kësaj pjese të Kosovës. Në veçanti, diplomatët e huaj po e ndihmojnë Beogradin për të arritur qëllimet e copëtimit të Kosovës, e cila në njëfarë mase është në pozitë mjaft të vështirë që nga shpallja e pavarësisë.
Diplomacia e Escobarit dhe Lajçakut po bie në tokë
Në këtë rreth që duket se nuk ka dalje të lehtë për qeverinë e Kosovës, ekziston një opsion tjetër realist që mund të vijë nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Ata mund të ndihmojnë shumë në këtë pozicion asnjanës të qeverisë në Kosovë. Politikanët shqiptarë në Maqedoni të Veriut mund ta përdorin krizën në veri si levë balancuese kundër qëndrimit të fortë të bashkësisë ndërkombëtare për AKS-në. Nëse serbët në Kosovë duan ndarje, atëherë të gjithë shqiptarët do ta kërkojnë atë teori-praktikë të diplomatëve të jashtëm të zbatohet në viset tjera ku jetojnë shqiptarët në Ballkan. Opsionet këtu janë të kufizuara, pasi treshja Grubi- Osmani-Ahmeti për fat të keq nuk e shfrytëzojnë levën në pazarin e ri për ndarjen e territorit të Kosovës. Deklarata e fundit e Ahmetit në Forumin e Prespës tregon se BDI-ja është shumë larg ndihmës për Kosovën në kontekstin e diplomacisë maqedonase. Propozimi i fundit i kryeministrit Edi Rama për një AKS në veri e ka dëmtuar edhe më shumë pozitën e Kosovës përballë BE-së dhe SHBA-së. Pasi Shqipëria nuk mund të bëjë më shumë për Prishtinën, mbetet që ajo të jetë në funksion të forcimit të aleancave të Kosovës me vendet e NATO-s. Më tej po e sjell një shembull nga historia e marrëdhënieve në mes Suedisë dhe Danimarkës. Për shekuj me radhë, Danimarka ka qenë pjesë e aleancave në të cilat i kanë ofruar mbështetje ushtarake. Gjatë luftës së parë të Schlesëigut (1848-51), Suedia i mbështeti përpjekjet e luftës daneze. Një kontigjent suedez i ushtrisë u transferua në qytetin e Funenit, i cili bëri të mundur lirimin e trupave daneze për operacione të tjera. Ky është një rast i mirë i sovranitetit danez, që u ruajt me ndihmën e trupave suedeze. Edhe në rastin e Kosovës nuk kemi një zgjidhje magjike – hyrja e njësive speciale nga Serbia në Kosovë dhe rrëmbimi i tre policëve kosovarë sugjeron se asnjë aktor ndërkombëtar nuk është duke punuar për stabilitetin e Veriut dhe vënien nën kontroll të tij nga qeveria qendrore në Prishtinë. Asnjë aktor i huaj, përkundër deklaratave publike, nuk është në favor të ruajtjes së integritetit territorial të Kosovës. Përfaqësuesi amerikan për Ballkanin, Gabriel Escobar, ka deklaruar për shtypin se AKS-ja është një mënyrë për të penguar ndërhyrjet e Beogradit në veri të Kosovës dhe assesi nuk do të jetë si ajo në Bosnjë. Ngjarjet e fundit në Veri, nxitja e dhunës nga autoritetet serbe dhe ndarjet që ekzistojnë ndërmjet vetë serbëve lokalë, nuk janë shenja të besueshme se me të vërtetë serbët e Kosovës kërkojnë të mbeten brenda Kosovës. SHBA-ja dhe BE-ja, duke e ledhatuar Serbinë, e kanë lënë pa opsione Kosovën në dialog. Tash është në pikëpyetje se a do të mund të gjejë Prishtina zyrtare rrugë se si t’i zbatojë kërkesat e Perëndimit pa prekje të sovranitetit dhe marrëdhënieve me SHBA-në dhe BE-në. E ballafaquar me kritika të ashpra po nga Perëndimi, qeveria në Prishtinë ka paraqitur opsione të ngatërruara. Në disa momente diplomacia e qeverisë së Albin Kurtit nuk ka transmetuar mesazhe të qarta dhe në kohë drejt ndërmjetësve ndërkombëtarë. Këtu është nevoja për disa mësime nga fusha e politikës ndërkombëtare. Siç dihet, marrëdhëniet ndërkombëtare karakterizohen nga një kompleks ndërveprimesh midis aktorëve globalë, rajonalë dhe lokalë, të cilët janë të motivuar kryesisht për ta rritur sigurinë kombëtare. Në politikën ndërkombëtare “rritja e sigurisë së një shteti bën që edhe shtetet e tjera ta rrisin sigurinë e tyre, gjë që nga ana tjetër e ul sigurinë e shtetit të parë”. Kaosi në marrëdhëniet ndërkombëtare krijon nevojën që shtetet të bëjnë sakrifica specifike për të bashkëpunuar, në mënyrë që të prodhojnë rezultate të sigurisë. Në rastin konkret, Kosova tenton të fitojë një stabilitet mesatar në Veri, por Serbia ka synime të kundërta gjatë procesit të dialogut, duke nxitur trazira në Veri dhe me një diplomaci agresive ka arritur ta gjunjëzojë Kosovën dhe ta bindë SHBA-në dhe BE-në se Beogradi është faktor i padiskutueshëm.
Ndërmjetësit nuk dëshirojnë prani të Kosovës në Veri
Dëshira e natyrshme për ta dominuar skenën politike shkakton pazare dhe mungesë bashkëpunimi, që e pengojnë bashkëpunimin në realitet ndërmjet shteteve ose gjatë negociatave. Interesat dhe ndërveprimet strategjike globale të Fuqive të Mëdha thjeshtohen në politikën ndërkombëtare më së miri me konfigurimin e teorisë së “Lojës së Pulës”. Kjo teori i shpjegon strategjitë e bashkëpunimit në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku si rast përsëri mund ta marrim qeverinë e Kosovës në raport me ndërkombëtarët për ta ruajtur sovranitetin. Teoria e “Lojës së Pulës” është modeluar në formë të konkurrencën së vozitjes. Sipas kësaj teorie, derisa dy shoferë me shpejtësi shkojnë drejt njëri-tjetrit, shoferi i parë që do të shkëputet nga rruga është “pula” dhe humbësi i mëpasshëm i lojës. Në një situatë të tillë, lojtarëve u mungon një strategji dominuese. Opsioni i tyre i vetëm strategjik është të përpiqen ta bëjnë të kundërtën e asaj që ata supozojnë se do ta bëjë kundërshtari i tyre. Po ta thjeshtojmë këtë teori me konfliktin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, mund të shihet se Prishtina dhe Beogradi e bëjnë të kundërtën pas premtimeve para ndërmjetësve. Këtu vlen të theksohet papërgjegjësia e Serbisë në zbatimin e obligimeve. Pasi është e rëndësishme që të vlerësojmë se çka e pret Kosovën më tej dhe si duhet të vendosë qeveria, si vrojtues mbetet që të japim disa opsione të mundshme të Prishtinës në raport me të huajt kur është në pyetje sovraniteti. Në parim, Kosova duhet të vazhdojë me Planin Franko-Gjerman dhe ngadalë të fillojë zbatimin e tre pikave të deeskalimit të situatës në Veri. Duke pritur që ngjarjet të ndryshojnë në favor të Kosovës, pra Uashingtoni të mbajë një balancë në mes dy palëve, dhe gabimet e qeverisë serbe të rriten, si ajo e rrëmbimit të policëve kosovarë, lëvizjet taktike që duhet t’i ketë në konsideratë qeveria e Prishtinës janë të një qasjeje “robust” me Veriun dhe ndërkombëtarët. Për më shumë, kur jemi tek diplomacia e Perëndimit, Serbia dhe pozita e Kosovës, qysh në vitin 2016 kemi paralajmëruar se, pavarësisht se cila qeveri do të ishte në pushtet në Kosovë, një krizë si kjo e tanishmja me SHBA-në dhe BE-në do të ishte e pashmangshme. Uashingtoni beson se me luftën në Ukrainë dhe armët serbe do ta kthejë Beogradin në sferën perëndimore. Njëkohësisht me favoret për Serbinë në kontestet e hapura me fqinjët nuk ofron zgjidhje afatgjate. Ndonëse kthimi në idenë për copëtimin e Kosovës do të jetë një ndër temat e tjera që do të vazhdojë të prekin Prishtinën, BE-ja dhe SHBA-ja, me veprimet e fundit, shihet se nuk kanë interes më për Kosovën si tërësi. Dhe, animi nga Serbia bashkë me presionin për më pak sovranitet të Kosovës në Veri, mund të transmetohen gabimisht drejt Prishtinës zyrtare, e cila më vonë – në mungesë koordinimi të brendshëm rreth përmbushjes së pikave të marrëveshjes – të manifestohet me një fiasko të brendshme dhe të jashtme me ndërkombëtarët për sovranitetin.