loader image
May 20, 2025

Ekstremizmi kundër jetës

Lëvizjet ekstremiste janë në aleancë me besimin se e ardhmja e ndritur realizohet vetëm nën udhëheqjen e tyre. Pa këtë besim, lëvizjet ekstremiste do të përfundonin si peshku në zall. Vërtet janë reaksion ndaj realitetit që duan ta ndryshojnë, por ky ndryshim i madh i takon një të ardhmeje të papërcaktuar. Që të mbërrihet tek kjo e ardhme, kërkohet sakrificë nga individët dhe shoqëria. Sakrifica nuk vjen pa besimin se ky ndryshim madhështor kërkon si kurban në altarin e së ardhmes së ndritur lirinë e qenies njerëzore si fillim dhe lirinë e shoqërisë si përfundim.

Nuredin NAZARKO, Korçë

Jeta njerëzore është një ndryshim i vazhdueshëm. Nuk ka se si të ndodhë ndryshe kur vetë njeriu është i tillë. Në harkun e përkohësisë mund të gjurmojmë se si njeriu merr formë me ndryshimet e vazhdueshme të ideve. Njeriu para se të jetë veprim, është mendim. Në varësi të ideve që beson dhe ndjek do të marrë formë dhe përmbajtje jo vetëm jeta e tij, por edhe e shoqërisë nëse ia del të jetë në krye të saj. Përtej kushtetutës, individi udhëheqës do të diktojë qëndrimet e veta ose të grupit që përfaqëson, në qeverisje me mënyrën se si harton, miraton e zbaton ligjet. Është detyrë e shoqërisë të tregohet e kujdesshme se kujt ia beson institucionet qeverisëse. Një indiferentizëm i sotëm ose një ekzaltim irracional i momentit mund të paguhet shtrenjtë nesër.

Lëvizjet ekstremiste lindin dhe zhvillohen në mjedise ku pakënaqësia ndaj realitetit jetësor dhe ndryshimit të tij kthehet në boshtin qendror të veprimtarisë së tyre. Lëvizjet ekstremiste janë reaksion ndaj nevojës për zgjidhje të menjëhershme të problemeve që ka shoqëria. Krizat ekonomike, krizat politike, varfëria, mungesa e rendit dhe sigurisë, pesimizmi për të ardhmen, dështimi i forcave politike liberal – demokrate për zgjidhjen e tyre, përkeqësimi i treguesve jetësorë në vazhdimësi, janë aleatët e ngushtë të ekstremizmit. Ai përpiqet t’i kapitalizojë të gjitha problemet, duke nxjerrë përfitimet maksimale prej tyre. Ekstremizmi përpiqet t’i bëjë turmat të besojnë se zgjidhja e vetme mbetet kundërvënia ndaj rendit qeverisës aktual, qoftë edhe e dhunshme. Zgjidhja e problemeve mbetet përmbysja dhe çmontimi i së keqes që lidhet me gjithçka që ekstremizmi e konsideron të tillë.

Lëvizjet ekstremiste janë në aleancë me besimin se e ardhmja e ndritur realizohet vetëm nën udhëheqjen e tyre. Pa këtë besim, lëvizjet ekstremiste do të përfundonin si peshku në zall. Vërtet janë reaksion ndaj realitetit që duan ta ndryshojnë, por ky ndryshim i madh i takon një të ardhmeje të papërcaktuar. Që të mbërrihet tek kjo e ardhme, kërkohet sakrificë nga individët dhe shoqëria. Sakrifica nuk vjen pa besimin se ky ndryshim madhështor kërkon si kurban në altarin e së ardhmes së ndritur lirinë e qenies njerëzore si fillim dhe lirinë e shoqërisë si përfundim.

Lëvizjet ekstremiste janë vazhdimisht në punë për manipulimin emocional të individit dhe masave. Përpunimi emocional i individit është parakusht për sundimin dhe komandimin e tij sipas përfytyrimeve të udhëheqësit. Individi i përpunuar është i gatshëm të hidhet në të gjitha sakrificat që i kërkon udhëheqësi, duke besuar se vetëm kështu do të përmirësohet shoqëria. Në planin personal, individi humbet karakteristikat e një qenie të lidhur me Logosin. Tëhuajësohet dhe mbetet në rolin e një kukulle. Për të qenë në shkallën më të lartë përpunimi emocional i masave, lëvizjet ekstremiste i fryjnë në maksimum edhe problemet e vogla (ulërima e bën ujkun të duket më i madh nga ç’është), që masat të krijojnë bindjen se shoqëria ka marrë tatëpjetën dhe duhet një forcë e re, d.m.th lëvizja ekstremiste, që ta ndalë rrokullisjen e saj dhe ta fusë në binarët që duhet. Vetëm kështu lëvizja ekstremiste do të legjitimojë në sytë e publikut veprimet ekstreme, të dhunshme, imponuese ndaj shoqërisë, me pretendimin se situatat ekstreme kërkojnë zgjidhje ekstreme, duke anashkaluar mënyrat e tjera të zgjidhjes së problemeve.

Lëvizjet ekstremiste janë prodhuese dhe nxitëse të urrejtjes, përkundrejt pjesës jashtë lëvizjes. Pa nxitjen e urrejtjes ndaj tjetrit, ekstremizmi është i vdekur. Ai urren çdo gjë jashtë tij, pasi për të çdo gjë jashtë tij është e keqe. Çdo gjë që nuk përputhet me shijet, prirjet dhe interesat e lëvizjes dhe udhëheqësit është e keqe që duhet zhbërë. Mund të ketë dhe të vërteta në kritikat që i adresohen pjesës jashtë, por kjo nuk legjitimon vetëm urrejtje. Urrejtja ushqehet nga besimi në supremacinë e ideve të lëvizjes dhe udhëheqësit, prandaj duhet urryer çdokush që e pengon përparimin e tyre. Urrejtja çon në armiqësi dhe armiqësia në konflikt fizik, politik, ekonomik, ushtarak. Ekstremizmi e urren vetë jetën, sepse fokusohet vetëm në anën e degradimit dhe vështirësive, duke harruar ta shohë anën e ndritshme të saj, por edhe faktin që jeta mbi tokë nuk është parajsë, por përpjekje e vazhdueshme për ta sfiduar të keqen, djallëzoren dhe për ta ruajtur të mirën e dashurinë ndaj bukurisë së jetës, edhe atëherë kur ka probleme e vështirësi.

Lëvizjet ekstremiste kanë prirje totalitariste dhe ekspansioniste. Në përfytyrimet e tyre, udhëheqësit e lëvizjeve ekstremiste, duke iu drejtuar të ardhmes së ndritur, besojnë së janë të ngarkuar me një mision të veçantë nga natyra, historia ose Providenca Hyjnore për të mundësuar sundimin total të shoqërisë nga idetë e lëvizjes. Pa propagandën e kësaj pjese, udhëheqësit e lëvizjeve ekstremiste do ta kishin të vështirë t’i mobilizonin masat në ndjekje të tyre. Mposhtja e pengesave, nënshtrimi dhe asgjësimi i plotë i tyre janë detyra që anëtarët e lëvizjes nuk duhet t’i shmangin. Ata nuk duhet të mendojnë, por vetëm të veprojnë në akord me urdhrat e të parit. Udhëheqësi është ai që mendon për gjithçka dhe bindja ndaj vendimeve të tij duhet të jetë absolute. Nëse arrijnë sundimin në një shtet, lëvizje të tilla nuk ndalen nga ushtrimi i terrorit dhe ngjallja e frikës së vazhdueshme ndaj kundërshtarëve, rivalëve e atyre që guxojnë të mendojnë lirshëm dhe ndryshe nga udhëheqësi. Ky besim, kjo sjellje, është kundër jetës, është kundër virtyteve, është kundër vullnetit të Providencës Hyjnore, sepse është kundër lirisë. Ato synojnë aë zgjerojnë vazhdimisht territorin ku sundojnë në aleancë të ngushtë dhe me zhvillimet teknologjike dhe, si përfundim, të arrijnë në krijimin e Rendit të Ri Botëror. Lëvizjet që duan sundim total e zhdukin lirinë, ndërkohë që njeriu është i tillë vetëm në sajë të lirisë dhe njeriu me lirinë e tij është kurora e krijesave të Providencës Hyjnore.

E majta dhe e djathta, cila anon nga ekstremizmi? Jemi të mendimit se e djathta reale, e djathta që mbështet programin e saj tek besimi në Zot, drejtësia para ligjit (i drejtë, i qartë, etik dhe moral), familje të konsoliduar, njeriun e lirë dhe të përgjegjshëm, zhvillimin e lirë ekonomik në respekt të plotë të pronës private, bamirësinë si një mundësi që të pasurit të zbutin dallimet sociale dhe të forcojnë marrëdhëniet mes njerëzve, nuk mund të jetë ekstremiste. E djathta reale nuk ka si qëllim kontrollin dhe sundimin total të shoqërisë, por drejtësinë mes njerëzve, pavarësisht përkatësive të tyre, jetën në paqe dhe harmoni, mbrojtjen e të drejtave themelore si e drejta e besimit, jetës, familjes, pasurisë.

Nazizmi dhe fashizmi cilësohen si e djathta ekstreme. A është vërtet kështu? Dallimi esencial mes së djathtës reale dhe së majtës është raporti shtet – individ. Nazifashizmi dhe komunizmi janë dy vëllezër ideologjikë, që edhe pse në pamje të jashtme ndjekin rrugë të ndryshme zhvillimi, në fund i bashkon i njëjti qëllim – kontroll dhe sundim total mbi njeriun dhe shoqërinë. Nazifashizmi mund të ketë elementë të djathtë, por kjo nuk e bën atë të djathtë. Baza e nazifashizmit është majtiste. Çdo rrymë politike që ia jep shtetit privilegjin të kontrollojë dhe sundojë totalisht jetët e njerëzve, duke iu marrë lirinë në emër të sigurisë, është majtiste. Në variantin ekstrem majtizmi manifestohet me komunizmin dhe nazifashizmin. Komunizmi – majtizëm tipik ekstrem. Nazifashizmi – majtizëm ekstrem me huazime elementësh të së djathtës, veçanërisht në sferën e ekonomisë.

Ringjallja e heshtur ose aktive e neonazizmit, neokomunizmit dhe rrymave të tjera politike që mund t’i imitojnë nuk është shenjë e mbarë për njeriun dhe shoqërinë, lirinë dhe vlerat e tjera që i japin njeriut dinjitet. Lëvizje të tilla nuk janë bekim për shoqërinë, përkundrazi. Njerëzit duhet të kenë kujdes kë simpatizojnë politikisht dhe kujt ia besojnë qeverisjen e jetëve të tyre. Duhet të kenë kujdes nga demagogët që luajnë me vlerat e së djathtës për dekor dhe kur marrin në dorë frenat e pushtetit nxjerrin nga brendësia e tyre shpirtin ekstremist, duke dashur t’i imponohen shoqërisë për ta drejtuar në kahun që ata duan.

Nëse duam që jeta të mos cenohet dhe shkatërrohet nga ekstremizmi, pavarësisht bazamentit nga merr shtysën, ka vetëm një rrugë – politika e djathtë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X