loader image
October 11, 2024

Edukimi medial, nevojë pa përgjigjen e duhur

Meqenëse edukimi medial synon vetëdijesimin e publikut rreth medias dhe informacionit, pra aftësinë e publikut për t’i vlerësuar përmbajtjet mediale me të cilat përballet rregullisht, atëherë mungesa e një shkathtësie të tillë mund të konsiderohet si analfabetizëm në kohën në të cilën po jetojmë.

Festim RIZANAJ, Prizren

Sot, si kurrë më parë, shumicën e kohës e kalojmë duke lundruar në mediume të ndryshme, kryesisht nëpërmjet “telefonit të mençur”. Kjo ndërfutje e mediumeve të ndryshme në jetën tonë të përditshme, e ka bërë shumë më komplekse botën në të cilën jetojmë. Si rezultat i kësaj, edukimi medial, si mbjellje e aftësive për të aplikuar njohuritë e të menduarit kritik në mediat tek të cilat kemi qasje të vazhdueshme, është bërë domosdoshmëri e kohës.

Pse edukimi medial

Zhvillimi i madh dhe i shpejtë teknologjikë ka mundësuar edhe një zhvillim të hovshëm të mediave, duke i dhënë hapësirë secilit pjesëtarë të shoqërisë që të ketë qasje në të gjitha këto lloje të mediave në mënyrë të pavarur dhe të jetë pjesëmarrës aktiv në të. Hapësira e ofruar për qasje në mediat dhe rrjete sociale, ka bërë që shoqëria të përballet më një mori informatash dhe përmbajtjesh të ndryshme mediale.

Kjo ia ka dhënë secilit prej nesh mundësinë të krijojë dhe publikojë informacione dhe përmbajtje të ndryshme mediale në platforma të caktuara, të cilat konsumohen nga ne në baza shumë të shpeshta ditore. Po ashtu, edhe mediat e kanë ndryshuar mënyrën e funksionimit të tyre, duke ndikuar në përgatitjen e informacioneve dhe mënyrën e dhënies së tyre. Shtimi i portaleve të ndryshme dhe shpërndarja e informacioneve nga e ana tyre në baza shpeshta e ka bërë të pakontrollueshëm tregun e mediave online dhe të informacionit, në përgjithësi.

Si rezultat i kësaj, kanë dalë në shesh edhe shume portale të dyshimta, si dhe faqe të ndryshme në rrjete sociale, të cilat pretendojnë se bartin informacion te audienca, por që nuk kanë një organizim brenda vetes, në mënyrë që të kenë kredibilitet për punën që e bëjnë. Kjo, në fakt, ua ka hapur rrugën edhe formave të çrregullimit informativ, ku shoqëria shpesh ballafaqohet me lajme të rreme, dezinformata, manipulim të fakteve e, sidomos, me artikuj clickbait. Ky çrregullim informativ ndikon edhe në kredibilitetin e mediave, duke e shtuar mosbesimin në to nga publiku. Njëkohësisht, kjo ka mundësuar që këto forma të çrregullimit informativ të përdoren me qëllime politike, për përfitime financiare dhe për të ndjekur politika ose agjenda me ndikim të jashtëm.

Në Kosovë, rreth 90 për qind e personave mbi 16 vjeç e shfrytëzojnë internetin dhe mbi 75 për qind përdorin rrjete sociale. Dhe, përderisa është e vërtetë të thuhet se ka diversifikim mediash, që janë më dinamike dhe se kjo i jep fuqizim lirisë së medias, të rinjtë duhet të jenë të vetëdijshëm se tash duhet të jenë edhe më të vetëdijshëm nga rreziqet dhe kurthet në të cilat mund të bien lehtë. Kjo shumësi informacionesh dhe përmbajtjesh nuk i lë hapësirë njeriut të njoftohet mirëfilli për ato se çka po ndodhë nëse nuk edukohet që të bëjë selektime të caktuara dhe të ketë qasje kritike ndaj asaj që sheh dhe lexon.

Mos edukimi medial si analfabetizëm i kohës

Në gjendemi përballë një realiteti ku, në njërën anë, janë informacionet që shpërndahen në internet pa ndonjë kontroll dhe, në anën tjetër, qasja e secilit nga ne në mënyrë të lehtë në këto informata të shpërndara, që e bën të nevojshme edukimin e leximit dhe përdorimit të medias dhe informacionit. Pra, njerëzit duhet të edukohen që jo vetëm të marrin informacione, por edhe t’u qasen në mënyrë kritike atyre, duke i shtruar pyetje vetes rreth përmbajtjeve që u shfaqen.

Në aspektin konceptual, edukimi medial përkufizohet si aftësi për të gjetur, analizuar, vlerësuar e prodhuar çdo lloj komunikimi dhe për të vepruar duke e shfrytëzuar komunikimin. Pra, kjo nënkupton që edukimi medial niset nga aspekti tradicional i aftësisë së shkrim-leximit, duke u pasuruar me format e reja të komunikimit, që i kërkon zhvillimi i teknologjive të reja.

Meqenëse edukimi medial synon vetëdijesimin e publikut rreth medias dhe informacionit, pra aftësinë e publikut për t’i vlerësuar përmbajtjet mediale me të cilat përballet rregullisht, atëherë mungesa e një shkathtësie të tillë mund të konsiderohet si analfabetizëm në kohën në të cilën po jetojmë. Sepse, përvetësimi i kësaj shkathtësie është i lidhur ngushtë edhe me mendimin kritik të cilin e kultivon tek publiku edukimi medial.

Muhamet Jahiri, profesor në departamentin e gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, e thekson faktin se shoqëria jonë është ekspozuar ndaj kësaj gjendjeje për disa arsye. Sipas tij, kjo ka të bëjë më mungesën e një kujdesi institucional, i cili do të kujdesej ndaj brezit të ri; së dyti është arsimi i brishtë publik, ku shumica e të rinjve nuk arrijnë ta zhvillojnë mjaftueshëm gjykimin kritik në shkolla dhe kjo ndikon drejtpërdrejt edhe në përdorimin e medieve; së treti është familja, e cila nuk arrin të mbjellë qasje kritike ndaj mediave; dhe, në fund, është mungesa e lëndës së edukimi medial në shkolla.

Edukimi medial për të rinjtë dhe nxënësit ngrihet kësisoj mbi katër shtylla të rëndësishme: 1. Njohuri për median (aspekti i tyre informativ); 2. Përdorimi i mediave (në mënyrë interaktive); 3. Kreativiteti personal në media (estetika, krijimi); dhe 4. Kritika e medias (analiza refleksive, analitike, etike, etj.)

Përkundër faktit që departamenti i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, por edhe njohës dhe ekspertë të mediave, kanë bërë thirrje që edukimi medial të përfshihet në planprogramet shkollore (parauniversitare), kjo thirrje akoma nuk e ka gjetur përgjigjen e duhur. Edhe pse një numër i vogël i shkollave e kanë përfshirë si lëndë zgjedhore, ndërsa në disa media dhe informacioni diskutohet në lëndë të tjera, sfidë tjetër mbetet mësimdhënësit e kësaj lënde. Në kuadër të kësaj çështje, departamenti i gazetarisë, së bashku me sindikatën e arsimit (SBASHK), ka zhvilluar trajnime për mësimdhënësit e shkollave për t’i njoftuar rreth funksionimit të mediave dhe infomracionit, por edhe studentët e departamentit të gazetarisë e kanë formimin e duhur për ta mbuluar këtë lëndë në shkolla. Pra, kjo sferë kryesisht mbulohet nga forma joformale të edukimit të organizuar nga profesionistë të fushave, si dhe nga organizata të ndryshme vendore dhe ndërkombëtare.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X