Zgjidhja ose moszgjidhja e çështjeve të pazgjidhura në Bosnje dhe Kosovë do të ketë një ndikim të rëndësishëm në skenarët e ardhshëm për Ballkanin. Vendosmëria e Shteteve të Bashkuara dhe aktorëve të Bashkimit Europian për të ndërmarrë veprime vendimtare dhe për t’i imponuar vendime të prera Serbisë do të luajë një rol vendimtar në formësimin e rezultatit.
Shkruan: Mentor BEQA, Tiranë
Ndryshimet në sistemin ndërkombëtar kanë ndikim të thellë në intensifikimin e konflikteve, rritjen e tensioneve ose edhe nxitjen e bashkëpunimit dhe bashkëjetesës ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sa herë që gjatë historisë rendi ndërkombëtar ka pësuar ndryshime thelbësore, si gjatë gjysmës së dytë të shekullit të 19-të, para Luftës së Parë Botërore, me shpërbërjen e Bashkimit Sovjetik dhe ndryshimet e vazhdueshme që po shohim sot, Ballkani i reflekton këto transformime.
Siç vërente me të drejtë Misha Glenny (1999) tek Ballkani – Nacionalizmi, Lufta dhe Fuqitë e Mëdha: 1804-2012, pavarësisht perceptimit të gabuar të studiuesve perëndimorë për Ballkanin, si rajon që prodhon konflikte dhe paqëndrueshmëri gjenuine, ai më së shumti reflekton gjendjen e konkurrencës ndërmjet fuqive të mëdha globale. Ndërveprimi ndërmjet dinamikave globale dhe kompleksiteteve rajonale është i dukshëm në Ballkan, ku grindjet historike, tensionet etnike dhe interesat gjeopolitike konvergojnë. Rajoni bëhet një mikrokozmos që pasqyron krizën më të gjerë brenda rendit ndërkombëtar. Ballkani, në këtë kuptim, vepron si lakmus për stabilitetin dhe koherencën e sistemit ndërkombëtar.
Kuptimi i ndikimit të këtyre transformimeve është thelbësor për të kuptuar sfidat me të cilat përballet Ballkani Perëndimor. Kjo nënvizon nevojën për të marrë parasysh ndërlidhjen e ngjarjeve globale dhe dinamikave rajonale kur analizohen dhe trajtohen kompleksitetet e rajonit të Ballkanit.
Çfarë po ndodh tani në nivel ndërkombëtar?
Ne po jetojmë një fazë ndërmjetëse të kalimit nga rendi botëror unipolar që ekzistonte pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, ku Shtetet e Bashkuara ishin fuqia e vetme dominuese, në një botë më shumëpolare, me fuqi në rritje si Kina, India dhe të tjera fuqi që po zgjerojnë ndikimin e tyre në skenën globale. Megjithatë, ky rend i ri ndërkombëtar është projekt në zhvillim e sipër dhe se si do të duket përfundimisht është e paqartë dhe subjekt i shumë spekulimeve. Ky vakum dhe kjo paqartësi ka nxitur shumë konflikte dhe ka shtuar pasiguritë në mbarë botën.
Ajo që është e sigurt është se ne mund të identifikojmë të paktën dy tipare të këtij transformimi:
Zhvendosja e fuqisë: Bilanci global i fuqisë është zhvendosur gradualisht nga Perëndimi në “pjesë tjetër”, veçanërisht drejt kombeve në Lindje si Kina dhe India. Kjo pasqyron një proces ndryshimi ekonomik dhe politik, ku ekonomitë në zhvillim po luajnë role gjithnjë e më të rëndësishme në sistemin ndërkombëtar. Kjo rishpërndarje e fuqisë nuk ka të bëjë vetëm me ngritjen e fuqive të reja, por edhe me rënien relative të fuqive tradicionale perëndimore, veçanërisht në aspektin ekonomik.
Rritja e autoritarizmit: Ka pasur një prirje të dukshme drejt autoritarizmit në pjesë të ndryshme të botës, shoqëruar me atë që disa analistë e quajnë “tërheqje e demokracisë”. Shumë vende kanë parë një shtrëngim të kontrollit të qeverisë, kufizime mbi liritë civile dhe pakësim të praktikave demokratike. Kjo ka ndezur debate për të ardhmen e demokracisë liberale në një botë në ndryshim, ku fuqia garantuese e këtij rendi, SHBA-ja, nuk duket se mund të projektojë aq lehtësisht fuqinë e tyre.
Të dy këto procese kanë ndikim të jashtëzakonshëm në vendet tona. Kur flasim për tkurrjen e Perëndimit, po flasim për tkurrje relative të Shteteve të Bashkuara dhe ky nuk është perceptim, por është një fakt. Shtetet e Bashkuara, megjithëse mbeten fuqia dominuese ekonomike dhe ushtarake, raporti i tyre në prodhimin e përgjithshëm bruto (PPB) global të zvogëlohet nga afërsisht 40% e tij në vitet 1960 në rreth 25.4% në terma nominalë dhe 15.6% në terma të PPP, në vitin 2022. Njëkohësisht, rritja ekonomike e Kinës ka qenë impresive: nga 2.32% të PPB-së botërore në vitin 1980, përbën rreth 18% në terma nominalë dhe 18.6% në terma të PPP të ekonomisë globale në vitin 2022.
Në të vërtetë, rritja e Kinës dhe zhvendosja e përgjithshme e gravitetit ekonomik drejt rajonit të Paqësorit ka çuar në një riorientim të rëndësishëm në politikën e jashtme të SHBA-së. Ky strumbullar është veçanërisht i dukshëm në krahasim me hapësirën tradicionalisht të rëndësishme të Atlantikut, duke nënvizuar ndryshimet e vazhdueshme në peizazhin gjeopolitik global.
Katalizatori për këtë ndryshim strategjik ishte kriza financiare e vitit 2008, e cila e vuri SHBA-në dhe Perëndimin në përgjithësi nën një tendosje të konsiderueshme ekonomike. Kjo krizë e theksoi nevojën që SHBA-ja të rivlerësojë rolin e saj në një sistem ndërkombëtar në zhvillim. Gjithashtu nxiti një reflektim mbi qëndrueshmërinë e angazhimeve të gjera globale që SHBA-ja kishte marrë gjatë momentit të saj unipolar pas përfundimit të Luftës së Ftohtë.
Kjo “rishpikje” e politikës së jashtme të SHBA-së ka pasur disa elementë kyçë. Në qendër të tyre është një tërheqje graduale nga disa angazhime globale, në një përpjekje për të shmangur teprimin dhe përqendrimin e burimeve në sfidat më të ngutshme. SHBA-ja ka kërkuar në mënyrë progresive zgjidhje të qëndrueshme në rajone të tjerë ku janë të angazhuar në mënyrë që të sigurohet stabiliteti dhe siguria në këto rajone pa nevojën e përfshirjes së madhe të SHBA-së, duke liruar kështu burimet për t’u fokusuar në konkurrencën strategjike me Kinën.
Megjithatë, kjo është veprimtari delikate balancuese. Nga njëra anë, SHBA-ja duhet ta ruajë statusin e saj si një lider global dhe të mbajë angazhimet ndaj aleatëve në mbarë botën. Nga ana tjetër, duhet të lundrojë në një rivalitet strategjik me Kinën në Paqësor, pa shkaktuar një konfrontim në shkallë të plotë. Ky manovrim i ndërlikuar diplomatik përcakton strategjinë e madhe të SHBA-së në epokën bashkëkohore, strategji e cila ka implikime të rëndësishme për rajone si Ballkani, ku SHBA-ja ka qenë një ofrues i rëndësishëm sigurie dhe stabiliteti politik.
SHBA-ja, Rusia dhe Ballkani
Zgjidhjet e zbatuara në Ballkan, gjatë shpërbërjes së ish Jugosllavisë, bazoheshin kryesisht në supozimin se rendi ndërkombëtar liberal, i mbështetur në norma, do të vazhdonte pafundësisht. Ky supozim u ndikua thellësisht nga teza e “fundit të historisë” të Francis Fukuyama-s, e cila parashtroi se evolucioni ideologjik kishte arritur pikën e tij përfundimtare me universalizimin e demokracisë liberale perëndimore.
Ky besim në epërsinë e qëndrueshme të vlerave liberale ishte i thellë dhe i përhapur, që e shihte këtë rend si një forcë të dobishme për rajonin, që ofronte një model për qeverisje dhe një kornizë për zgjidhjen e konflikteve dhe ndërtimin e paqes në rajon. Megjithatë, ky besim solli neglizhimin e një elementi thelbësor: zbatimi i këtyre normave dhe vlerave varej kryesisht nga ushtrimi efektiv i fuqisë. Në sistemin ndërkombëtar, normat dhe të drejtat shpesh kërkojnë një formë “fuqie” për zbatimin e tyre.
Historikisht, SHBA-ja, si fuqia kryesore në botë, ishte zbatuesi kryesor i këtij rendi liberal, të mbështetur në rregulla. Megjithatë, me fuqinë relative të SHBA-së në rënie dhe fokusin e saj të zhvendosur drejt sfidave të tjera gjeopolitike, aftësia dhe vullneti i saj për të vepruar si zbatues global i normave liberale ka ardhur duke u zvogëluar. Tërheqja e SHBA-së nga disa rajone dhe sfida po zbulon kufizimet e rendit ndërkombëtar liberal në mungesë të një fuqie hegjemone. Ballkani, si një rajon që ka përfituar nga ky rend, por është gjithashtu i prekshëm nga ndryshimet në dinamikën e fuqisë globale, po përjeton pasojat e këtij tranzicioni. SHBA-ja, pavarësisht angazhimit të fortë në dy vitet e fundit, nuk po arrin ta përkthejë angazhimin në rezultate konkrete.
Është e qartë se këto zhvillime ndikuan në Strategjinë e Madhe të administratës Trump. Administrata synonte të gruponte një aleancë për të frenuar ndikimin në rritje të Kinës, duke e parë Rusinë si një aktor të rëndësishëm në këtë dizajn strategjik.
Derisa SHBA-ja ishte e përqendruar kryesisht në interesat e saj kombëtare, Rusia pa një mundësi për të kapitalizuar nga këto dinamika dhe për ta rikthyer veten si një fuqi globale. Kremlini ishte duke kërkuar një “Jalta 2.0” – një version modern të marrëveshjes së pas-Luftës së Dytë Botërore, që pranonte sferat e ndikimit midis superfuqive. Sipas një marrëveshjeje të tillë, Rusia do të shpresonte për njohjen perëndimore të dominimit të saj në Europën Lindore, me Ballkanin një hapësirë deri diku neutrale, por efektivisht nën një lloj të ri hegjemonie serbe.
Është e mundur që gjatë administratës Trump, korniza e një marrëveshjeje të tillë mund të kenë qenë duke u formuar. Qasja e administratës ndaj Rusisë ishte më pajtuese, ndoshta duke treguar një gatishmëri për të negociuar për çështjet e ndikimit gjeopolitik.
Megjithatë, ndryshimi në udhëheqjen e SHBA-së, me inaugurimin e administratës Biden, ndaloi çdo përparim drejt kësaj marrëveshjeje të mundshme. Politika e administratës së Bidenit ndaj Rusisë në përgjithësi ka qenë më përjashtuese dhe më pak e prirë drejt pranimit të ambicieve revizioniste të Rusisë, duke e bërë të pamundur një marrëveshje të tillë. Ngjarjet që pasuan janë kryesisht një manifestim i marrëdhënieve të tensionuara midis SHBA-së dhe Rusisë. Atë që Rusia nuk mundi ta siguronte përmes negociatave diplomatike po përpiqet ta kapë me forcë, duke na çuar në situatën fatkeqe në Ukrainë.
Nga njëra anë, është disi qetësues fakti që Rusisë i mungon fuqia gjithëpërfshirëse për të realizuar plotësisht aspirata të tilla ekspansive. Megjithatë, nga ana tjetër, pikërisht kjo dobësi e ka bërë Rusinë më të paparashikueshme, pasi për të kamufluar dobësinë po ndërmerr veprime të rrezikshme. Ky është një realitet që ukrainasit fatkeqësisht po e përjetojnë drejtpërdrejt.
Ballkani në kurth
Ballkani Perëndimor e gjen veten në këtë grackë ku Bosnja dhe Kosova janë dy rastet më të cenueshme. Bosnja po përballet me kërcënimin e mosfunksionimit të shtetit dhe shpërbërjes së mundshme. Dodiku po përparon në mënyrë aktive agjendën e tij secesioniste, ndërsa Perëndimi duket i pavendosur dhe i mungojnë instrumentet aktive për të ndalur këtë përparim destabilizues.
Kosova, në anën tjetër, vazhdon të mbetet peng i kontestimit. Rruga e saj drejt integrimit të plotë në organet ndërkombëtare, si OKB, BE dhe NATO, është e lidhur me statusin e saj të kontestuar ligjor. Pavarësisht marrëveshjeve të Brukselit dhe të Ohrit, tensionet mbeten të larta, veçanërisht në veri. Ndërkohë, SHBA-ja dhe BE-ja i kanë fokusuar përpjekjet e tyre në presionin ndaj qeverisë së Kosovës, strategji kjo që deri më tani nuk ka dhënë rezultate thelbësore.
Serbia ndodhet në një gjendje konfuzioni strategjik. Nga njëra anë, ka një tërheqje drejt integrimit më të ngushtë me Perëndimin, duke u përafruar me normat dhe aspiratat e Bashkimit Europian (BE). Ky drejtim ofron mundësi ekonomike, stabilitet politik dhe përfitime të përkatësisë në një komunitet më të madh rajonal. Nga ana tjetër, ekziston dëshira e vazhdueshme për të ruajtur lidhjet historike dhe kulturore me Rusinë, duke ndjekur një rrugë bashkëpunimi më të ngushtë dhe, potencialisht, duke u larguar nga trajektorja euro-atlantike.
Ky konfuzion strategjik e vendos Serbinë përballë sfidës së pajtimit të këtyre objektivave konfliktuale dhe për të lundruar në një ekuilibër delikat midis aspiratave perëndimore dhe afiniteteve historike. Procesi i përshtatjes me këtë realitet të ri politik mbetet i ndërlikuar dhe paraqet dilema të rëndësishme politike për udhëheqësit e Serbisë, veçanërisht pas dështimit në dukje të Rusisë në Ukrainë.
Situata në vendet e tjera të rajonit, ndonëse disi më e përmirësuar, ende mbart një atmosferë pasigurie, që rrjedh nga konfliktet e pazgjidhura rajonale, ndërhyrjet e jashtme, sfidat e brendshme me demokratizimin dhe sundimin e ligjit, bjerrja e vazhdueshme demografike dhe një zhgënjim në rritje me procesin e integrimit në Bashkimin Europian (BE).
Duket se zgjidhja post-jugosllave ka prodhuar një situatë kaq të ndërlikuar nga e cila të gjithë duan të dalin, por askush nuk e di saktësisht se si.
Në dritën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës dhe ndikimit në rritje të Kinës, Shtetet e Bashkuara kanë ridrejtuar fokusin e tyre drejt zgjidhjes së sfidave në Ballkanin Perëndimor. Një objektiv kryesor është të kufizojë kapacitetin e Rusisë për të mbjellë destabilitet në rajon dhe për të kundërbalancuar ndikimin e Kinës, të perceptuar si një konkurrent i drejtpërdrejtë.
SHBA-ja duket se është e prirë drejt promovimit të integrimit të vendeve të Ballkanit në Bashkimin Europian (BE) si një mjet për të nxitur stabilitetin dhe sigurinë. Megjithatë, vendosmëria e SHBA-së për të imponuar zgjidhjet ndaj aktorëve lokalë mbetet e paqartë. Derisa SHBA-ja kërkon ta mbështesin status quo-në dhe të avokojë për integrimin në bllok, masat specifike dhe niveli i ndërhyrjes që është e gatshme të ndërmarrë për të arritur këto objektiva ende nuk është përcaktuar plotësisht.
Pavarësisht përpjekjeve të shtuara pas agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Bashkimit Europian duket se i mungon një politikë e qartë dhe gjithëpërfshirëse për zgjidhjen e sfidave në Ballkanin Perëndimor. Megjithëse kemi rikthim të vëmendjes pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, indiferenca e gjatë e BE ndaj Ballkanit në vitet që i paraprinë agresionit, ka nxitur pa dashje irredentizmin serb në Bosnje dhe e ka vendosur Kosovën në një pozitë gjithnjë e më të pasigurt përballë Serbisë. Mungesa e një politike të fortë dhe të sigurt të BE-së ka penguar zgjidhjen e këtyre çështjeve komplekse dhe ka krijuar një ndjenjë zhgënjimi midis palëve të prekura.
Një dimension tjetër i kufizimeve të Bashkimit Europian në Ballkanin Perëndimor ka të bëjë me mungesën e një angazhimi që përcakton një rend të qartë kohor për integrimin e këtyre vendeve në BE. Derisa Gjermania, në sipërfaqe, ka mbrojtur idenë e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, përparimi në këtë drejtim ka qenë i ngadaltë dhe i kufizuar. Pavarësisht retorikës, përparimet e prekshme drejt anëtarësimit në BE për Ballkanin Perëndimor kanë munguar. Kjo ka krijuar një ndjenjë zhgënjimi midis vendeve të rajonit, pasi ato përballen me pasiguri të zgjatura në lidhje me perspektivat e tyre të ardhshme brenda Bashkimit Europian. Rasti i Kosovës dhe Bosnjës mbetet më i dukshmi edhe në këtë drejtim.
Mungesa e progresit thelbësor në procesin e integrimit jo vetëm që ka penguar stabilitetin dhe zhvillimin ekonomik të rajonit, por gjithashtu ka ofruar terren pjellor për aktorët e tjerë të jashtëm për të rritur ndikimin e tyre në rajon.
Procesi i zgjerimit të NATO-s në Ballkanin Perëndimor ka hasur në pengesa të ngjashme, duke e lënë Bosnjën dhe Kosovën pa një afat kohor të qartë për anëtarësim ndërkohë që Serbia ka zgjedhur të mos ndjekë anëtarësimin në NATO. Mungesa e një rruge të qartë për anëtarësimin e Bosnjës dhe Kosovës në NATO i lë ato në një gjendje pasigurie. Kjo mungesë qartësie do të jetë pengesë e vazhdueshme për stabilitetin dhe kohezionin e rajonit, si dhe aftësinë e tij për të përfituar nga garancitë e sigurisë dhe bashkëpunimi që ofron integrimi i plotë në NATO.
Nga ana tjetër, mekanizmat rajonalë të lehtësuar nga Bashkimi Europian kanë kontribuar në rritjen e ndërveprimit midis shteteve dhe shoqërive të Ballkanit Perëndimor, gjithsesi këtyre mekanizmave u mungon një objektiv gjithëpërfshirës. Rrjedhimisht, ato mbeten të brishtë dhe joefektiv për t’u dhënë përgjigje sfidave të vërteta të rajonit. Megjithëse Bashkimi Europian ka luajtur një rol në ndërmjetësimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe të sigurisë midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, pa një qëllim të përbashkët fundor, këto përpjekje mbeten të ekspozuara ndaj dështimit.
Nisma e “Ballkanit të Hapur”, e cila u njoftua nga kryeministri i Shqipërisë si e mbyllur, shërben si një shembull ilustrues. Fillimisht e paraqitur si një përpjekje e mirëfilltë për bashkëpunimin ballkanik, nisma u drejtua nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Megjithatë, ajo mbeti kryesisht e kufizuar në angazhimet formale nga Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, pasi Bosnja, Kosova dhe deri diku Mali i Zi refuzuan të marrin pjesë. Ngurrimi i këtyre vendeve për t’iu bashkuar nismës buronte nga rreziqet e perceptuara. Një shqetësim ishte përdorimi i mundshëm i nismës si një alternativë ndaj nismave të mbështetura nga BE-ja (Procesi i Berlinit) dhe procesit të përgjithshëm të integrimit në BE. Kishte frikë se nisma e “Ballkanit të Hapur” mund të largonte vëmendjen dhe burimet nga kornizat e vendosura të Bashkimit Europian dhe të zbehte fokusin në integrimin gjithëpërfshirës rajonal.
Gjithashtu, u shfaqën dyshime lidhur me implikimet e rritjes së hegjemonisë serbe brenda rajonit, veçanërisht në mungesë të zgjidhjeve përfundimtare politike ndërmjet palëve. Kishte shqetësime se iniciativa mund të forconte pa dashje ose të rrënjoste më tej pabarazitë ekzistuese të fuqisë, duke penguar përparimin drejt zgjidhjeve të drejta, veçanërisht ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Në kushte të tilla, mund të përvijojmë të paktën katër skenarë për të ardhmen politike të Ballkanit Perëndimor:
– skenari pesimist – rikthim në gjendjen hobsiane, ku rezultati i konfliktit ndërmjet palëve do të diktojë një zgjidhje të re rajonale me kosto dramatike për rajonin dhe Europën më gjerë;
– skenari më i mundshëm – ruajtja e status quo-së nën presionin e SHBA-së dhe BE-së me përmirësime të vogla në funksionimin e Bosnjës (përdorimi i fuqive të Bonit le të themi) dhe një lëvizje shumë e ngadaltë drejt integrimit në Bashkimin Europian, ndërkohë që Serbia mbetet strumbullari gjeopolitik i rajonit.
– skenari pothuajse optimist – rritja e presionit të SHBA-së dhe BE-së ndaj Serbisë, një koalicion i vendeve të vullnetit të mirë që e rrethojnë Serbinë, rrethimi i Serbisë me shtetet anëtare të NATO-s, duke përfshirë Kosovën dhe Bosnjën, duke lënë të hapur derën për anëtarësimin e mundshëm të Serbisë në BE;
– skenari optimist – integrimi në bllok i vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian dhe NATO, me përjashtim të Serbisë, e cila merr garanci sigurie.
Zgjidhja ose moszgjidhja e çështjeve të pazgjidhura në Bosnjë dhe Kosovë do të ketë një ndikim të rëndësishëm në skenarët e ardhshëm për Ballkanin. Vendosmëria e Shteteve të Bashkuara dhe aktorëve të Bashkimit Europian për të ndërmarrë veprime vendimtare dhe për t’i imponuar vendime të prera Serbisë do të luajë një rol vendimtar në formësimin e rezultatit.
Ndërkohë, ekziston mundësia për të rritur ndërgjegjësimin brenda vendeve të Ballkanit Perëndimor për këto çështje dhe për të mobilizuar një koalicion të gjerë intelektualësh, akademikësh, politikanësh dhe aktivistësh të shoqërisë civile. Duke ushtruar presion mbi qeveritë tona, ne mund të avokojmë për një qëndrim më realist ndaj politikave hegjemoniste të Serbisë dhe të promovojmë politika që përputhen me një vizion më të gjerë të dekurajimit të politikave ekspansioniste serbe. Duke u angazhuar në këto përpjekje, ne mund ta ndihmojmë Serbinë të kuptojë se ndjekja e politikave hegjemoniste nuk është e realizueshme ose e dobishme për askënd. Inkurajimi i një ndryshimi në qasje dhe nxitja e një qëndrimi më konstruktiv dhe bashkëpunues do t’u shërbente përfundimisht të gjitha vendeve në rajon dhe do të kontribuonte për një Ballkan më harmonik dhe më të begatë.