Nuk është mirë që parimet bazë të drejtshkrimit të shqipes t’i ndryshojmë. Vetëm ai që nuk ka qenë në klasë të parë, ku mësuesi mundohet t’ua shpjegojë nxënësve se ajo shenjë (e quajtur grafemë ose germë) pasqyron vetinë tingullore të saj, nuk mund t’i kuptojë këto probleme. Ne nuk kemi kohë për ndryshime problematike të mësimit edhe zbatimit të kësaj teorie me shumë probleme.
Shkruan: Haki YMERI – BINA, Shkup
Para standardizimit të gjuhës shqipe janë bërë pak studime në të gjitha fushat e gjuhës shqipe. Shumë pak në fushë të drejtshqiptimit e shumë më pak në fushë të parimeve dhe të zbatimit të tyre në drejtshkrimin e gjuhës shqipe. Pesë vjet para Kongresit të drejtshkrimit (KDGJSH-së), më vitin 1967, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë i botoi “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes” (Komisioni botues: Androkli Kostallari, Eqrem Çabej, Mahir Domi; Asistent:Emil Lafe), një projekt që do të shërbente si bazë për një diskutim të gjerë, njëherë për gjuhëtarët e praktikës pesë vjet me radhë, e pastaj edhe kandidatëve pjesëmarrës në KDGJSH.
Kandidatët që u përcaktuan të shkruajnë për parimet e përgjithshme të drejtshkrimit të shqipes mbetën pa asnjë ndihmë. Në projekt u dhanë vetëm katër përkufizime të parimeve të përgjithshme drejtshkrimore e asgjë më tepër. Ato u botuan në faqen 7 pas të parathënies së së “Rregullave të drejtshkrimit”. Më vonë një material i kësaj gjinie u botua në maketin ”Fonetika dhe Gramatika e Gjuhës së sotme Letrare Shqipe” në vitin 1983 në redaksi të profesorëve M. Domi, Sh. Demiraj, A. Dodi dhe J. Gjinari (si sekretar i grupit punues). Brenda këtyre faqeve gjetën vend drejtshqiptimi me drejtshkrimin e zanoreve, në veçanti problemi i drejtshqiptimit të ë-së së patheksuar dhe asaj të theksuar, si dhe përpunimi i katër përkufizimeve të parimeve të përgjithshme të drejtshkrimit, që u botuan në projektin “Rregullat e drejtshkrimit të shqipes” më 1967 në Tiranë . Këto dy tekste, më vonë, ndihmuan për shkrimin e fonetikave të botuara nga Prof. Dodi, Prof. Rami Memushaj, Prof. Beci, autorë nga Shqipëria dhe ndonjë tjetër jashtë kufijve të shtetit amë, si Prof. Asllan Hamiti në bashkautorësi me Prof. Ajten Qamilin nga Universiteti i Shkupit .
Material për parimet e drejtshkrimit, përveç këtyre katër përkufizimeve, nuk kishte për t’i ndihmuar, sado pak kandidatët, të cilët sipas emrave, mendoj se ishin të zgjedhur për t’i shkruar referatet e tyre në KDGJSH lidhur me këtë lëndë problematike për atë, e pse jo edhe për këtë kohë. Në vazhdim po i vëmë këto katër definicione të parimeve themelore të drejtshkrimit:
& ”1. Parimi themelor i drejtshkrimit të shqipes është parimi fonetik: fjalët shkruhen ashtu si shqiptohen.
& 2. Parimi fonetik i drejtshkrimit të shqipes plotësohet edhe nga parimi morfologjik, d.m.th. nga synimi që të ruhen sa më të qarta në shkrim struktura dhe njësia e trajtave, si edhe struktura e formimit të fjalëve.
& 3. Drejtshkrimi i sotëm i shqipes në përgjithësi ruan dhe zhvillon më tej traditën e shkrimit të gjuhës sonë, dhe
& 4. Drejtshkrimi i shqipes, në pajtim me prirjen e përgjithshme të zhvillimit të gjuhës letrare, synon njësimin e mëtejshëm të normës kombëtare mbi bazën e trajtave të përbashkëta”.
Ishin sa ishin e si ishin, kjo ishte “ndihma” e tërë në mbështetje të punës së atyre që ishin përcaktuar të shkruajnë për këto parime themelore të drejtshkrimit. Vetëm kaq e asgjë më tepër, një materie e shtrirë në më pak se gjysmë faqe, për të cilën mendoj se nuk dihej shumë në vitin 1967. Ishte një situatë e jo e mirë, kjo për shkak mungese informatash të kësaj natyre. Nuk është krejt e rastit ajo pse përkufizimet e parimeve të drejtshkrimit u dhanë shkurtas në projekt, pa shpjegime dhe argumentime me shembuj të nevojshëm. Me siguri pritnin ndihmë edhe nga praktika në “diskutimet” që u bënë pesë-gjashtë vjet më parë deri në vitin 1972. Edhe Komisioni nuk u mundua të japë një çik njohurie të nevojshme që ishte rrahur pak ose aspak më parë në gjuhësinë shqipe. Këtë që e them mund ta vërtetojë secili po ta lexojë atë se çka thënë Prof. Androkli Kostallari për parimet e drejtshkrimit, më saktë për përcaktimin e zbatimeve të tyre në pjesën e fundit të referatit të tij të lexuar në KDGJSH (Prof. A. Kostallari, Gjuha e sotme letrare shqipe dhe disa probleme themelore të drejtshkrimit të saj (referat), KDG JSH, f. 21.)
* * *
Në konferencat e mbajtura më 2022, në Tiranë dhe Prishtinë, në kuadër të kremtimit të 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, Prof. Xhevat Lloshi mori pjesë në Prishtinë, ndërsa Prof. Seit Mansaku, bashkë me studiuesin e vyer të kësaj teme, Aristotel Spiron në Tiranë.
Prof. Xhevat Lloshi, në kumtesën e tij, flet për një mori problemesh, siç janë: a) fjalori i gjuhës shqipe dhe ribotimi i tij; b) problemi i toponimeve dhe homonimeve; c) rregullat e shkrimit të shkronjës së madhe; ç) çështja e shqiptimit dhe e leximit e togut zanor eu në ev, në vend Europë të shkruhet e të lexohet Evropë; d) çështja e ligjërimit të shkujdesur për përdorimin e fjalëve të pakulturuara dhe për kërkesën e mospërfshirjes së tyre në fjalorë; dh) krijimi i një parimi të shkrimit të emrave të përveçëm të huaj, për t’i shkruar mundësisht sa më afër drejtshkrimit në gjuhën përkatëse me alfabet latin; e) qëndrimi i tij kundër kthimit të emrave të toponimeve shqipe në dialekt krahinor, p.sh. Shkëmbi i Kavajës thotë profesori, nuk ka kuptim të kthehet në emrin ‘Shkomi Kavajs’. Nuk e di pse Shkëmbi i Kavajës s’qenka Shkambi i Kavajës, por Shkomi i Kavajs. Mendoj se në vitet 1916-1918 ky toponim është quajtur me siguri me termin standard Shkamb i Kavajës; ë) rishfaqja e kërkesës për t’i shkruar me germë të madhe emrat e popujve dhe të etnive. Për këtë ai propozon të vijohet tradita neolatine, duke nisur me emrin e popullit tonë. Vërejtja e përgjithshme është që rregullat e shkrimit me shkronjë të madhe, thotë ai, të thjeshtohen e të bëhen më përgjithësuese; f) mosprekja e standardit vend e pavend etj. Profesori i barazon rregullat e drejtshkrimit të standardit të shqipes me ligje kushtetute, për të vepruar edhe në këso raste vetëm me amendamente, meqenëse drejtshkrimi i shqipes, siç thotë ai, nuk paska nevojë për rishikim e as për gërryerje nga brenda me disa ndryshime kinse të jashtme. Ai thotë se nuk ka nevojë për “protagonizëm mburracak të njerëzve të veçantë ose të grupeve të veçanta“. Profesori, me këto fjalë gjason me një parlamentar të vyer, duke kërkuar zgjidhje problemesh gjuhësore me amendamente. g) Sa për kërkesën e ngritjes së një qendre nga Instituti i Gjuhësisë e i Letërsisë për të formuar një Komision drejtshkrimi me përfaqësues mbarëshqiptarë të institucioneve akademike dhe universitare, me gjuhëtarë e pedagogë, duke përfshirë edhe kolegët e Prishtinës e të Shkupit, për të diskutuar për çështjet e reja që kanë dalë gjatë këtij gjysmëshekulli, por jo që të zhbëhen, vazhdon ai, arritjet e gjuhës standarde. Sa më kujtohet, prof. Lloshi ka marrë pjesë në shumë komisione dhe ai duhet ta dijë mirë se si shkonin punët në Komisionet Ndërakademike (Tiranë – Prishtinë). Madje, sa më kujtohet profesori ishte anëtar i këtij Komisioni. Fatkeqësisht, nuk duhet të lodhemi me këso kërkesash, meqenëse atij që duhej ta formonte një komision, siç e kërkon prof. Lloshi, “i ka vdekur nëna“. Rama e vorrosi Institutin dhe mundësinë e formimit të një Komisioni. Njerëzit e politikës, sa herë që nuk duan të krijojnë diçka, formojnë KOMISIONE pa ndërprerë për të mos e kryer punën si duhet.
Prof. Seit Mansaku u përcaktua të flasë për parimet e drejtshkrimit, ashtu siç janë formuluar në Kongresin e drejtshkrimit në vitin 1972, me ndonjë ndryshim të vogël. Ai, me të drejtë, qëndron në pozitat e parashtruara në kumtesën e Prof. Mahir Domit, “Parimi fonetik dhe zbatimi i tij në drejtshkrimin e shqipes,” lexuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, ku thuhet: “Ky parim (mendohet fonetik) bile në këtë fillim të ligjësimit të drejtshkrimit dhe me një vonesë të madhe të kompilimit të alfabetit të shqipes, në vitin 1908, ishte më i përshtatshmi për t`u mbështetur në sistemin e shkrimit të krijuar, ku shihet qartë lidhja e grafemës me tingullin”. Ai më tutje vazhdon: 1.Gjuha shqipe ka një drejtshkrim fonetik, mund të themi, ndër më fonetikët që ekzistojnë,(…) sepse ajo gjatë shekujve të shkrimit të saj nuk ka pësuar transformime të thella fonetike në aspektin e përgjithshëm, ndryshimet janë vërtetuar kryesisht në planin dialektor; 2. Në ngjizjen e gjuhës së sotme letrare gjatë Rilindjes u vu për bazë gjuha e gjallë, gjuha e popullit, dhe jo tradita shkrimore e mëparshme, e cila me të drejtë, vazhdon profesori, nuk ishte edhe aq e fuqishme, as edhe e përshtatshme për të dhënë mjetin që i nevojitej lëvizjes dhe kulturës së re shqiptare. Në këtë mënyrë u krijuan premisat e nevojshme për një drejtshkrim fonetik duke mënjanuar dhe pakësuar mundësitë e përqafimit të një drejtshkrimi tradicional ose historik-etimologjik (Prof. Mahir Domi, Kongresi i drejtshkrimit, 1972, f. 111 dhe 112).
Mendoj se në këtë fillim nuk ka qenë lehtë të vihet në skenë teoria në baza fonologjike, siç e kërkojnë disa njerëz të shkencës linguistike, ndër to edhe studiuesi Aristotel Spiro, që nuk kanë pasur rast, bile, sado pak, të informoheshin për realitetin tonë, që nuk mund t’i afrohet realitetit të ri. Këtë që po e them është në vijë me qëndrimin e të madhit Prof. Mahir Domi (…), pavarësisht se dijeni jo të plota për trajtim fonologjik ka pasur edhe atëherë, të cilat nuk janë përvetësuar, risi më abstrakte, ndaj konkretësisë së përdorimit të grafemës, e cila përdoret edhe ajo si njësi e ALFABETIT edhe në gjuhët që kanë për bazë kryesisht parmin tradicional. Po edhe sikur të kishte qenë më ndryshe, ne nuk duhet të bëjmë eksperimente dhe të luajmë me fatin tonë. Këto studime le të mbahen në nivele shkencore të larta. Lehtë të lavdërohet e vërteta shkencore në seanca akademike, mirëpo duhet sqaruar këtë të re në kushte të veçanta. Të shihet vallë në kushte tona kur dihet se edhe atë të vjetrën nuk e kemi zbatuar, ashtu siç e kemi pranuar në të dy standardet e shqipes, në vitin 1972, e aq më tepër në atë të viteve 1916-1918 më bazë dialektore -gegërishten. Kjo situatë e tanishme e zbatimit të këtyre parimeve drejtshkrimore në gjuhën tonë me zbatim të vogël të parimit tradicional po na mundëson të shkruajmë e të lexojmë më lehtë, ndoshta edhe me gabime, mirëpo nuk bën “vaki” (asnjëherë) ta pyesim njeriun se si t’ia shkruajmë germë, -për germë emrin, siç po ndodh kjo në Angli e Amerikë, në Francë e Gjermani rregullisht. Thjeshtësimi i trajtimit të parimeve drejtshkrimore që na ofrohet nga standardi ynë na mundëson përvetësim më të lehtë të shkrim-leximit dhe të drejtshkrimit. Ta shihni nxënësin maqedonas, vallë ai bën gabime në të shkruar. Ne ndërtuam standard relativisht të lehtë, por jo sa atë të serbëve, e veçanërisht të maqedonasve.
Jemi koshient për këto, le t’i quajmë “lëshime” për të cilat në vitin 1972, i ka pranuar Prof. Agalliu, duke thënë që në fillim të punës: “Natyrisht çdo drejtshkrim mbështetet në parime të caktuara, që bazojnë në këtë ose atë mënyrë shkrimi. Teoria e drejtshkrimit jo vetëm tek ne, por edhe në vende të tjera, mbetet një ndër fushat pak të punuara të gjuhësisë. Që këtej rrjedhin edhe mjaft paqartësi dhe kundërthënie, të cilave s’ka mundur t’u shpëtojë edhe drejtshkrimi ynë (Prof. Fatmir Agalliu, KDGJSH, f. 216.). Këtë të thënë të profesorit, që rrallë kush e thotë, “s’e luan topi”. Më në fund nuk është turp për ta përmendur ndonjë lëshim të bërë, kur bëhet fjalë për zbatimin, përcaktimin e sasisë dhe funksionin e tyre në drejtshkrim, mirëpo s’ka edhe nevojë të vajtohet për riemërtime të parimeve të drejtshkrimit, sepse nuk duhet lodhur mendjen nëse “Hasani na quheshka Hysen e jo Hasan”, respektivisht parimi morfologjik mund të quhet edhe fonologjik. Në realitet ai është parim morfologjik nëse trajtimi i parimeve të drejtshkrimit bëhet në baza fonetike. Përndryshe kemi të bëjmë me parim fonologjik. Me këtë mënyrë ata numrin e vogël të grafemave e kompensojnë me ngërthim të disa fonesh të formojnë një fonemë të caktuar
Nëse terminologët frëngë, gjermanë dhe amerikanë prijnë në trajtimin e parimeve të drejtshkrimit, pse me shekuj nuk intervenuan për t’i zgjidhur problemet që i kishin në standardet e tyre? Pse e pritën shek. XX? Prof. Aristoteli tani mendon se me këto rishikime termash të parimeve të drejtshkrimit shkenca linguistike te këta popuj me kulturë të lartë (të cilët nuk intervenuan, kohë-pas kohe për të fonetizuar gjuhën “standarde” të tyre) nuk kanë bërë punë të madhe!?
Frëngjishtja, anglishtja, gjermanishtja dhe të gjitha gjuhët e tjera si këto, kanë probleme të këtilla me që drejtshkrimin e tyre e mbështesin në parimin tradicional.1) Kështu emri i qytetit frëng shkruhet “Bordeaux”, ndërsa lexohet Bordo, ndajfolja “beacoup” e shkruar kështu, lexohet ”boku”. Këto pasqyrime, Bordeaux dhe beacoup lexohen ashtu si shkruan sipas sistemit të leximit frëng, sepse fonema –o në rrokje të parë përputhet me një fon-o, mirëpo o-ja e dytë (pas d-së) në Bordo është rezultat i ngërthimit të tre foneve (e+a+u) për t’u ndërtuar fonema –o prapa d-së, ose: foneve (e+a)=o dhe (o+u)=u, për t’u lexuar fjala beac(ou)p, n(ou) për nu; (a+i)=e në maison (mezon) etj.
Fjala angeze Kuper shkruhet Cooper me dy fone të njëjta që e ndërtojnë fonemën –u. Gjuha angleze mund të ketë me qindra kësosh ngërthimesh të 2, 3 e më tepër fonesh të ndërtojnë një fonemë. Kjo e vështirëson në masë të madhe shkrimin dhe leximin e këtyre standardeve, në të cilët nuk është vepruar kohë pas kohe për ta afruar shkrimin me leximin.
Studiuesi Aristotel Spiro e kundërshton thënien se këto fjalë frënge lexohen ashtu si nuk shkruhen, kur thotë: “nuk ka gjuhë që nuk shkruhet ashtu si lexohet”. Ai ka të drejtë të thotë kështu nëse pasqyrimet e fjalëve frënge, angleze etj. trajtohen në bazë fonologjike, ku 2, 3 e më tepër fone formojnë një fonemë. Mirëpo, këto ngërthime janë me shumicë brenda sistemit të kësaj gjuhe, të cilat mësohen rëndë, ndërsa harrohen lehtë. Kjo shkencë e le kombin analfabet!!?.
Unë mendoj se në shqipe fjalët në të cilat zbatohet parimi tradicional shkruhen ashtu si nuk shqiptohen ose nuk lexohen. Për mua fjalët: lopë, punë, … shkruhen si nuk lexohen, sepse kjo –ë në këto fjalë ende nuk ka shqiptim të përligjur. Ajo është një variant foneme e lirë pa forcë distinktive. Nëse ky lexim ligjësohet, përndryshe nëse kjo –ë shqiptohet, atëherë në këtë fjalë zbatohen parimi morfologjik (ose fonologjik) në bashkëveprim me parimin fonetik (sipas qëndrimit të KDGJSH-së).
Nxënësi i Francës nuk e ka vetëm një problem për ta mësuar se emrin e qytetit, kështu të shkruar, duhet ta lexojë Bordo**. Ne duhet të kemi qëndrimin tonë. Vallë duhet të kthehemi në kohën kur ngërthimi i fonemave ka mundur të ruhet dhe të lexohet ashtu si na ka tingëlluar ky bashkëveprim tingujsh (t+s) të mos e zëvendësonim me -c por ta lexonim si –c (Fonema –c, në fakt është ndërtuar nga ngërthimi i dy foneve (t+s). Mirëpo këtu kemi vetëm një variant foneme. Ka pasur mundësi edhe disa ngërthime fonesh të tjera të shënohen si një fonemë, siç i ka shkrimi latin i serbëve, kroatëve etj.), që do të vepronim fonologjikisht. Në drejtshkrimin tonë i kemi thjeshtuar punët (me kohë, për t’i liruar fëmijët) duke i fonetizuar këto raste. P.sh. t’i shkruanim fjalët: tradi(ts)ional, përta(ts)ëri, (ts)unam, etj. e t’i lexonim tradicional, përtacëri, cunam, ose t’i linim me fonet (t+s) për t’i lexuar me fonemën-c). Në këso rasti do të thoshim se fjalët i lexojmë ashtu si duhet sepse (t+s)-në në fjalë e lexon si c (që nuk e kemi të shkruar në fjalë si gërshetim të dy foneve-mbledhësa (t+s=c) për t’i lexuar si shumë (c), të pa shënuar). Edhe digramet tona kanë një lloj ngërthimi, por këto janë fonema të veçanta secila variante në vete. Sipas meje, edhe grupet bashkëtingëllore në shqipe: dh, th, sh, zh, gj, nj... janë intervenime fonologjike në ngërthim të dy foneve në një fonemë, për shembull d+h=dh… Ato në Kongresin e Manastirit në vitin 1908 kanë mundur t’i pasqyrojnë me një grafemë, me se do ta kishim thjeshtuar edhe më shumë shkrimin.
Pavarësisht se “nuk i paskemi qëlluar terminet” e këtyre parimeve drejtshkrimore, nuk duhet të largohemi nga situata e vitit 1972. Ne duhet t’i përmbahemi kësaj nomenklature, për të mos rënë në grackë, për t’i krijuar vetes probleme pa nevojë që nuk do të dinim si t’i përballojmë. Nuk është mirë që parimet bazë të drejtshkrimit të shqipes t’i ndryshojmë. Vetëm ai që nuk ka qenë në klasë të parë, ku mësuesi mundohet t’ua shpjegojë nxënësve se ajo shenjë (e quajtur grafemë ose germë) pasqyron vetinë tingullore të saj, nuk mund t’i kuptojë këto probleme. Ne nuk kemi kohë për ndryshime problematike të mësimit edhe zbatimit të kësaj teorie me shumë probleme.
Shkrimtari amerikan, Irvin Shou, i lodhur nga problemet e drejtshkrimit të anglishtes, anglezfolësve ua la “AMANETIN” (me gojë para se të ndërronte jetë) se të gjitha honoraret po ia linte atij personi që do të bënte diçka në thjeshtimin e standardit të anglishtes. Ky shembull lidhur me këtë çështje është shumë indikativ për të treguar se si qëndron puna me këto drejtshkrime. Një punë e këtillë e arrirë shumë rëndë nuk të lejon të kthehesh me shekuj prapa.
Këtij problemi po ia shtoj edhe problemin e nxënësve frëng me mësimin e gjuhës standarde të tyre me mjetin mësimor të quajtur “Le cahier de poesie”, një vepër për të cilin francezët kanë nevojë, sepse nuk mund ta mësojnë drejtshkrimin pa të. Libri “Le cahier de poesie”, njëlloj fletoreje pune, është mjet mësimor i shkollave fillore, përplot me poezi të letërsisë frënge, po edhe të kulturave të tjera të të gjitha kohërave, me vlerë të verifikuar letrare të letërsisë botërore. Këto poezi duhet të mësohen përmendsh, por paraprakisht të kopjohen në faqet enkas të përgatitura për kopjim në vetë librin, të ushtrohet recitimi i tyre, pastaj edhe diktimi, e më në fund ilustrimi i asaj që është mësuar përmendsh.
Duke e përjashtuar veprimin e fundit-ilustrimin, si një veprim pedagogjik më me vlerë pyesim: Çfarë rëndësie metodiko-pedagogjike ka kopjimi, diktimi, të mësuarit përmendsh? Këto kërkesa programore realizohen me ndihmën e këtij mjeti mësimor në këtë nivel shkollor. Kjo punë që kërkohet prej nxënësve të kësaj moshe notohet me rigorizitet të madh, prandaj ajo shpesh herë sjell edhe trauma në shpirtrat e këtyre vogëlushëve dhe vogëlusheve. Por, mbasi tejkalohet kjo “torturë” e tërë dhe ky “ankth” te nxënësit, si edhe te prindërit e tyre, e tëra kjo përcillet jo vetëm me gëzim të madh, por edhe me një mburrje të madhe te të dyja palët, nxënës e prindër. Prandaj një punë e këtillë, e cila sipas sistemit tonë mësimor paraqet një punë të panevojshme, në Francë ka kaluar në një traditë shtetërore.
Le të mendojmë pak më shtruar se ku janë benefitet e kësaj metode të aplikuar në Francë që parapëlqen kopjimin, diktimin, mësimin përmendsh dhe recitimin e këtyre poezive! E gjithë kjo bëhet për të përvetësuar një fond të konsiderueshëm fjalësh si njësi të plota, e pastaj për të përvetësuar format e tyre gramatikore, kështu të përgatitura për një të folur të lidhur me drejtshqiptim dhe drejtshkrim të ligjësuar. Në këtë mënyrë evitohen dallimet në gjuhë që sjellin nxënësit e mikroambienteve të ndryshme familjare. Secili nga këta nxënës sjell një fond fjalësh të tijin, të cilin ai nuk mund ta harrojë lehtë, si një bagazh leksikor që e ka nga prindërit me gjuhë mikroambienti, me aftësi dhe me përgatitje të ndryshme shkollore.
Studiuesi Aristotel Spiro thotë: “Në drejtshkrimin e shqipes nuk ekziston asnjë parim morfologjik”. Jo, ai ekziston, por me emër tjetër, me emrin fonologjik. Nëse ortogramet fonetike vështrohen në aspekt fonologjik, cilin term duhet përdorur nëse trajtimi nuk kryhet në aspekt fonologjik?! Normalisht, me parimin morfologjik në bashkëveprim me parimin tradicional ose me parimin fonetik.
Edhe notat muzikore janë shenja shkrimi për të paraqitur një krijim muzikor. Ma merr mendja se mbiemri f o n o l o gj i k më tepër i përgjigjet një krijimi muzikor ose një pasqyrimi të shembujve në një gjuhë me drejtshqiptim muzikor (p.sh. në kinezishte).
Unë nuk pajtohem me kritikat e bëra në llogari të pjesëmarrësve të Kongresit të Drejtshkrimit. Ata bënë një punë të madhe me aq sa kishin mundësi. U munduan të bëjnë një drejtshkrim të thjeshtësuar. Kjo ishte kërkesë edhe e prof. Çabejt. Shikoni tri aksiomat e profesorit që të bindeni (Prof. Eqrem Çabej, Mbi disa çështje të traditës së shkrimit dhe të drejtshkrimit të shqipes, në KDGJSH, f. 119-128). Këta njerëz thjeshtimin e kërkuan për ta lehtësuar drejtshkrimin, mirëpo thjeshtimi nuk është punë e lehtë. Në këtë aspekt maqedonishtja ka bërë punë të përkryer. Këtë e them pa hezituar, sepse një pjesë të madhe të arsimit tim e kam bërë edhe në maqedonisht.
Në fund të këtij punimi po i paraqes dy propozimet e Aristotel Spiros të cituar me parafrazim të gazetarit Duro:
1) Studiuesi Aristotel Spiro tërheq ndër të tjera vëmendjen se “propozimet e bëra deri tani” për rishikimin e drejtshkrimit në shumicën e tyre “nuk paskan qenë të pranueshme” “sepse u mbështetkan mbi një bazë të gabuar teorike” të formuluar që në Kongresin e Drejtshkrimit. Ai shton se “vënia e një parimi fonetik në bazë të drejtshkrimit shqip ka pasoja negative për bashkësinë folëse, sepse nga njëra anë shërben si justifikim për t’i legjitimuar shkeljet drejtshkrimore që vijnë nga paaftësia (moskompetenca) gjuhësore dhe nga ana tjetër nxit dëshirën për ndryshime të panevojshme nëpër ortograme fjalësh, me pretekstin për ta bërë drejtshkrimin më të thjeshtë e më praktik, grackë në të cilën kanë rënë mjaft herë disa kolegë – gjuhëtarë, por edhe i nderuari Këshill Ndërakademik për Gjuhën Shqipe”.
Zotëri, këto janë fjalë të rënda. Pas 5o vjetëve të kërkoj një ndërrim të këtillë në standardin e shqipes do të isha një axhamiçkë me 86 vjet që i kam, sepse po t’i pranoja këto riformulime në terminologji të parimeve drejtshkrimore, nuk do ta shihja veten si shumë të mençur. Mos e harroni se e keni një mendim jashtëzakonisht të qëlluar të studiueses holandeze në punimin tuaj, të cilin po e citoj edhe unë: «Koncepti i fonemës nuk do të ishte përpunuar kurrë, pa shkrimin alfabetik» (Balk-Smit Duyzentkunst 1978: 2; Hospers 1980: 352-3). Këtë ua përmenda me punën e mësuesit në klasë të parë. Kësaj po e shtoj edhe propozimin e dytë të shkencëtarit Aristotel, i cili është kundërshtues me propozimin e parë, me të cilin e demanton edhe vetveten.
2) Interesimi që kanë përdoruesit e zakonshëm dhe gjuhëtarët për drejtshkrimin është i përligjur. Mirëpo, dëshira për të propozuar ndryshime në drejtshkrim vjen në kundërshtim me karakterin konservativ të drejtshkrimit. Nëse janë miratuar «Rregullat e Drejtshkrimit» në vitin 1972 dhe ekziston një masë e madhe njerëzish, shumica dërrmuese, që i kanë mësuar dhe po i zbatojnë ato, atëherë cila nevojë ekziston që ato rregulla të ngulitura të ndryshojnë? Po, zoti Aristotel, sa bukur po e thoni këtë, edhe unë mendoj kështu. Mos u bën merak se vetëm kështu do ta bëjmë!!!