Historitë e vjetra, të eksodit dhe krimeve të përsëritura me dhjetëra e qindra herë, neve shqiptarëve na janë goxha të njohura. Ato ndoshta nuk na lidhin në asgjë me palestinezët e as me hebrenjtë, por është aspekti njerëzor. Në fund të fundit, nuk është këtu as çështja e palestinezëve myslimanë as e hebrenjve sionistë. Është çështja e njerëzimit, njeriut, e të qenit njeri. Mbase nuk paska qenë e lehtë të jesh njeri! Është ky, pushteti represiv, izraelit që vendos si të jetojë e veprojë një palestinez, që rraskapitet nën diellin e nxehtë! – Po Palestina është vetë populli, ajo duhet të vendos për fatin saj.
Driton DEMIRI, Gostivar
Kur një ditë do të shkruhet historia e këtij momenti, para së gjithash përpara se të filloj të jap kumtesën, më vjen të nënvizoj se: “Ashtu siç rrjedhin punët e kësaj bote, e drejta mund të diskutohet vetëm mes të fuqishmëve të barabartë, të fuqishmit bëjnë atë që duan dhe të dobëtit vuajnë atë që duhet të vuajnë”. (Tukiditi, historian dhe gjeneral i Athinës së Greqisë antike). Në përputhje me rrethanat, sot kjo keqardhje arrin të marr vesh gjendjen në të cilën ndodhet njerëzimi. Dhe, kjo është veç njëra nga moritë e përmbledhjes së asaj që vijon…
“Në vitin 1934, ambasadori amerikan në Shqipëri, Herman Bernstein, shpalli: ‘Nuk ka asnjë gjurmë diskriminimi ndaj hebrenjve në Shqipëri, sepse Shqipëria është një nga vendet e rralla në Europë sot ku nuk ekzistojnë paragjykimet dhe urrejtja fetare, edhe pse shqiptarët janë të ndarë në tre besime’. Në të vërtetë, ndërsa hebrenjtë në të gjithë Europën po masakroheshin masivisht si pjesë e zgjidhjes përfundimtare naziste, një vend në Europë nuk kishte një normë negative të rritjes hebreje dhe ai vend, Shqipëria, kishte një shumicë myslimane.
Para Luftës së Dytë Botërore, vetëm 200 hebrenj jetonin në Shqipëri, por deri në fund të luftës, rreth 2000 hebrenj jetonin brenda vendit, ngase kaq shumë hebrenj u larguan nga Greqia, Austria dhe vende tjera në Europë për t’u strehuar atje. Hebrenj të tjerë, si Albert Ajnshtajni, përdorën Shqipërinë për të kaluar në vende të tjera. Zyrtarët e emigracionit në Shqipëri i lejuan hebrenjtë të hynin edhe nëse nuk i kishin dokumentet e duhura dhe kur nazistët morën pushtetin, banorët vendas mbronin hebrenjtë që jetonin brenda vendit të tyre, duke u siguruar atyre dokumente që deklaronin se hebrenjtë ishin shqiptarë myslimanë. Si rezultat, hebrenjtë që ikën në Shqipëri u kursyen nga tmerret që pësuan pjesa tjetër e hebrenjve të Europës.
Në të vërtetë, shqiptarët myslimanë kanë një kod nderi të njohur si besa, që do të thotë të mbajnë premtimin, i cili obligon mikpritjen dhe mbrojtjen e mysafirëve sikur të jenë anëtarë të familjes së tyre. Për shkak të këtij kodi shqiptar të nderit, shumë nga shqiptarët që shpëtuan jetë hebreje gjatë Holokaustit shpesh nuk mendojnë se ajo që ata bënë ishte veçanërisht e jashtëzakonshme, sepse ata pohojnë se kushdo në kulturën e tyre do të bënte të njëjtën gjë. Megjithatë, realiteti është se popujt e tjerë në Europë nuk jetuan sipas kodit – besa, duke penguar kështu që ajo që ndodhi në Shqipëri të ndodhte gjetkë. Shqiptarët myslimanë jetojnë me të vërtetë sipas parimit Kuranor, i cili citohet edhe në Talmud,… ‘Nëse dikush do të shpëtojë një jetë, do të ishte sikur të kishte shpëtuar gjithë njerëzimin’.”, shkruan Rashel Avraham (Rachel Avraham) një gazetare hebreje në prill të vitit 2013 në artikullin me titull “Shqiptarët mysliman shpëtuan hebrenjtë nga nazistët”. (Web faqja, Jews United with Israel).
Gjithë ai fakt në artikullin e kësaj gazetareje, pra Rashel Avrahamit, e llogarit të vërtetën se në Konferencën e Wannsee-së, në vitin 1942, Adolf Eihman (Adolf Eichman), organizatori i planeve për shfarosjen e hebrenjve në Europë, vlerësoi se numri i hebrenjve në Shqipëri që do të vriteshin ishte 200.[i] Popullimi dhe mbrojtja e hebrenjve vazhdoi kur gjermanët e pushtuan Shqipërinë, pas kapitullimit të Italisë më 8 shtator të vitit 1943, ndërsa në fund të luftës numri i hebrenjve në Shqipëri ishte 2000.[ii] Ndërkaq historiani Bernd Jurgen Fisher (Bernd Jurgen Fischer) në librin e tij “Shqipëria në luftë 1939-1945” shkruante: “Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në Europë ku popullsia hebreje u rrit gjatë pushtimit të saj. Vlerësohet se në fund të luftës numri i hebrenjve në Shqipëri ishte 1800”.
…
Një dukuri jo e zakonshme e botës njerëzore, në kohën e sotme, kur diskutohet për situata të ngjashme si para tetëdhjetë viteve është se ajo njëqind vjet rritet, njëqind vjet jeton dhe njëqind vjet vdes. Pikërisht për këtë shkak, sidomos në këtë kohë të përfshirjes së zhvillimeve të tanishme të ripërsëritjes së rrezikut të dehumanizimit, të hipokrizisë së pashembullt e të djallëzisë dhe thuajse kur bota është në fazën e vdekjes së njerëzisë, të jesh njeri në kuptimin e plotë të fjalës është madhështore, është një mrekulli. Siç do thoshte Kafka, shkrimtari i absurdit dhe revoltës, tek novela Kështjella, jemi (gjendemi) në një natë të gjatë pa gjumë. E rëndë, e errët, e pafund, e cila assesi të merr fund, plot pasiguri, frikë dhe iluzione. Nuk mund të mos më dridhen gjunjët sapo mbaroj ta shkruaj këtë. E, si ta interpretojmë këtë më mirë e më ndryshe? Shumë thjesht, edhe më thjesht sesa mund të mendohet. Po të kthehemi mbrapa në histori, Aristoteli, gjeniu më i madh intelektual i botës antike, shënonte: të edukosh mendjen pa edukuar zemrën nuk është aspak edukim. Ai po ashtu vendoste në dukje edhe një formulim tjetër për së tepërti shprehës e kuptimplotë, për ta patur parasysh se një person në të vërtetë nuk posedon virtyt derisa ta zbatojë atë në jetën e tij. Kjo nënkupton se vetëm edukimi me gjithë zemër sjell dituri, sjell dritë, sjell njerëzi. Çfarëdo qoftë tjetër sjell padituri, fatkeqësi e mëkate. Këto dy çështje, që janë nga rreshti i parë tek i dyti, tregojnë botërisht, ndërsa çdo gjë e keqe që ndodh tani për tani në këtë botë është produkt, siç ka shkruar Dostojevski, i një Zemre të Dobët. Diçka e mallkuar, që më jep një mllef, njëherazi edhe një pakënaqësi akumuluese.
Mbase, me të vërtetë, nuk kemi nevojë të shkojmë e të kthehemi aq larg prapa. Koha nuk ka arritur t’i zvogëlojë me asnjë germë e asnjë presje mençuritë jo vetëm të atyre dy deklaratave të Aristotelit, por të të gjithë nektarit të veprimtarisë dhe krijimtarisë së tij. Nisur nga kjo, megjithëse në ditët tona të gjithë pak a shumë e dimë se sa është shpresa dhe si mund të jetë perspektiva, për nga pikëpamja individuale, parimi themelor i demokracisë universale është të kërkojë me ngulm e pa pushim kontributin e intelektualëve, që të shfrytëzojnë sa më shumë mundësi që kanë në dispozicion (urdhër) për ta bërë më të mirën. Madje, diku lexova edhe se për të vërenjtur vetullat duheshin 72 muskuj të aktivizohen, por vetëm 14 për të buzëqeshur.
Më pas, e kam një kujtesë për atë që ka për qëllim kjo trajtë, se çfarë duhet thënë e shprehur.
– A, e njihni atë shprehjen se vetëm djalli e njeh djallin?!
“Tani kini mendjen se po ia nisim. Dhe kur të keni mbërritur në fund të këtij rrëfimi, do të dimë më tepër nga ç’dimë tani; sepse aty do të rrëfehet për një karkanxholl të ligë, një ndër më të ligjtë që bëhet: ai qe vet djalli.”, reflekton në mënyrën më të plotë shkrimtari danez me famë mahnitëse Hans Kristian Andersen tek njëra nga njëqind e gjashtëdhjetë e katër përrallat e tij Mbretëresha e Dëborës (Një histori me shtatë rrëfime), rrëfimi i parë, Pasqyra dhe copëzat e saj të thyera. Dhe, ja se ç’ngjau: “Kur;’… Një ditë prej ditësh ai (djalli) u bë çakërrqejf se na kishte sajuar një pasqyrë që nuk qe si gjithë pasqyrat e tjera; kjo pasqyrë na kishte vetinë që çdo gjë të bukur e të mirë ta nxirrte të vogël e të tkurrur, aq sa gati s’e shihje fare, kurse gjërat që ishin pa vlerë dhe të shëmtuara ajo i shtonte dhe i zmadhonte, që t’i bënte të dukeshin edhe më keq nga ç’ishin. Në këtë pasqyrë një panoramë e mrekullueshme të bëhej sikur qe një spinaq i zier, kurse edhe njerëzit më të hijshëm dukeshin të neveritshëm, sikur të kishin vetëm kokë dhe jo trup. Fytyrat shpërfytyroheshin aq sa s’njiheshin më dhe sikur ndodhte që të kishte qoftë edhe një prekë të vetme në fytyrë, aty dukej sikur ajo të mbulonte me hundë e buzë. Po sipas të paudhit, këtij i thoshin qejf i madh. Ja, ta zëmë, dikujt i shkonte nëpër mend një mendim i mirë, i dhembshur, por, në pasqyrë shihje veçse një ngërdheshje të llahtarshme, që e bënte të paudhin të gajasej me shpikjen djallëzore. Të gjithë ata që ndiqnin shkollën e djallit, sepse djalli kishte hapur një shkollë për djallushët, zunë të rrëfenin poshtë e përpjetë se ç’mrekulli kishte ngjarë. Për herë të parë (thoshin ata) shihje se ç’pamje e fytyrë kishin në të vërtetë njerëzit dhe sendet. Dhe këtë pasqyrë ata e morën dhe e shëtitën nga të katër anët, derisa s’mbeti vend a njeri që të mos e kishte pësuar prej saj”.
Megjithëse koha ngarkohet nga ngjarjet, gjersa harmonia e këtij reflektimi të jep një ndjesi të pazakontë në këto kohë të ethshme, në kohët më të vështira u krijuan këngët më të bukura, e thotë një fjalë jo dhe aq e vjetër. Dhe, nuk ka shumë për të menduar, një poet i panjohur e shprehu këtë të vërtetë me këto vargje:
“…pak më pak lakmi të poshtër
pak më shumë nga ne,
pak më pak unë,
pak më shumë të qeshura,
pak më pak të qara dhe mëkate…”
Për t’i dhënë një përgjigje të zakontë, unë nuk vendos për këtë, mirëpo kjo është një bisedë spontane me miliona e ca e ca informacione të shumëllojshme.
“…Por ata prapë s’u kënaqën me kaq. …‘Shkakton leksionin e veçantë rrëfimi, me pasqyrën’. Pas kësaj iu hipi të ngjiteshin lart në qiell që të talleshin me engjëjt edhe me vetë Zotin. Dhe sa më lart që fluturonin, aq më e tmerrshme bëhej ngërdheshja e pasqyrës aq sa s’kaloi shumë dhe ata mezi arrinin të mbaheshin pas saj. Papritur e papandehur pasqyra u shkund një herë aq shumë nga kjo ngërdheshje e saj, sa një t’u shkarë atyre prej duarsh dhe vete bie drejt e në tokë, ku u copëtua në njëqind milionë e kusur copëza. Por, ç’ndodhi? Në të vërtetë, fatkeqësitë që ajo shkaktonte tani u shtuan edhe më, sepse që tani e tutje copëzat e saj, që s’qenë më të mëdha nga ç’është një kokërr rëre, zunë të fluturonin nëpër botë dhe kur ndodhte që t’i hynin ndonjërit në sy, ngecnin aty dhe atëherë ai njeri niste dhe i shihte gjërat së prapthi, apo shihte veç anën e keqe të tyre, sepse çdo njëra prej këtyre copëzave të pasqyrës kishte po atë fuqi të mbrapshtë që kishte pasur e gjithë pasqyra. Ca nga këto copëza vajtën e hynë në zemrat e njerëzve dhe kjo ishte më e tmerrshmja nga të gjitha, se atyre u bëhej zemra si një copë akulli. Ca nga copat që ishin më të mëdha, u përdorën si xhama për dritaret, por atëherë bëje mirë të kishe kujdes të mos e shihje mikun tënd përmes një dritareje të tillë. Copa të tjera u bënë xhama për syze dhe atëherë ç’ndodhte: njerëzit i vinin syzet për të parë më mirë, kur në të vërtetë, kuptohet, nisnin të shihnin keq e më keq. Kurse djalli tërë këtë kohë, shihte gjithë ç’po ndodhte dhe shkrihej së qeshuri, se i bëhej zemra mal nga qejfi”.
Kur zbuluan Janusin, perëndinë me dy fytyra, njëra që shikonte përpara dhe tjetra mbrapa (sërish më paraqitet e lajmëron kujtesa), romakët në fakt kishin zbuluar thelbin e thellë të natyrës njerëzore. Sipas kësaj, ndonëse perandori Kaligula, i njohur për despotizmin e tij, mori fushatë në dimër për ta pushtuar Britaninë, ai shkoi dhe jo se nuk depërtoi deri atje, mirëpo nuk ia arriti cakut dhe në kthim veshi ushtarët si skllevër që t’i besojnë romakët. Ata shumë pak i besuan. Pak më vonë u vra nga roja e tij. Njësoj si tani, siç vepron kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu, duke mashtruar jo vetëm izraelitët, por mbase një botë të tërë, se luftohet për të shkatërruar një organizatë “terroriste”, përderisa në një anë tjetër tufani shkatërrues i bombardimeve ashiqare nuk ndalon së vërshuari mbi qiellin e Rripit të Gazës në Palestinë, duke vrarë njerëz të pafajshëm e të pambrojtur. Tolstoi, sidomos Dostojevski po të kishte jetuar në këtë kohë, me siguri për gjënë e ngjarjeve do kishte thënë, siç ka ardhur në përfundim tek Netët e Bardha, se a ka mundësi që poshtë këtij qielli kaq të bukur e të shkëlqyeshëm të ketë njerëz të inatosur e shpirt ligë.
Edhe pse më është dhënë një atribut se s’duhet debatuar e grindur me një agnosticist, madje nuk është as vokacioni im, sepse nuk kam ndërmend të dëgjoj deklaratat e një piktori të rrezikshëm, siç është kryeministri i shqiptar Edi Rama, që shtrëngon duart me vetë gënjeshtrën, vetëmashtrimin si ujku nëpër mjegull, sjellja më e mjerë e një kryeministri, i cili në imagjinatën e tij mendon se edhe homologu i tij izraelit, Benjamin Netanjahu, këndon himnin shqiptar, unë mendoj se gjithçka është e qartë për mua e gjithsecilin që pasqyron vetëdije. Është një skandal, një turp i tij,… që nuk hahet me bukë. Por, çfarë mund të presim në këtë çështje nga një helaq “të pavendosur” (me gjithë respektin se përcaktimi i besimit dhe fesë është personale dhe vetëm e tillë mund të jetë),… që përfshihet kudo me ngjyrë e mendime si divizioni i pestë i partisë së kuqe të Koresë Veriore, përbërë nga një harem prej rreth dyqind gra, detyra e të cilave është t’i kënaqin funksionarët komunistë. Pra, kurrgjë..! Politikani i këtij soji, madje një i tillë komik e grotesk, i ngjan një dielli të zi që përpin gjithë dritën me një terr të paanë e me fytyrë të zezë. Është një errësirë që rrjedh e zgjatet, ashtu si retë që përplasen me njëra-tjetrën, kur zënë kalimin. Fundja e fundit, më mirë një ateist i hapur (transparent) e i drejtpërdrejtë sesa një agnosticist manipulues i djallëzuar. Siç vjen në shprehje përsëri ajo që ka shkruar Dostojevski, tek Djajtë:“Nëse Stavrogini beson, ai nuk beson që beson. Nëse nuk beson, ai nuk beson që nuk beson”, diçka krejtësisht absurde mbi absurden, si puna e këtij shqiptari pa ndjenja e shumë llafe. Ndërkaq, dinakëria dhe shkathtësia e vetme, sa për prezantim, që lejohet në jetë, është të martosh një grua që e do. Tjetra është diçka që nuk zë vend në përbërjen mendore normale të njeriut, e lëre më politikën si fjalë që është.
Nga kjo pikëpamje, në pikën kyçe të shqetësimit kjo krijesë na sjellë në një pozicion, në një gjendje të zymtë e të pa lavdërueshme. Meqë historia përsëritet, njerëzimi do të na qeshë e Zoti do të na mallkojë, siç ka mallkuar shumë faraonë, mbretër, perandorë e diktatorë,… popuj e kombe. Të gjithë kokulur do të flasin dhe do të psherëtinë se si bota njerëzore nuk arriti të ndalojë mëkatet e ripërsëritura e se djalli i sipërpërmendur nuk do mbarojë të kënaqet nga qejfi. Ndërkaq, një ushtri e fuqishme, kur sulmon njerëzit e pambrojtur, tregon vrazhdësinë dhe dobësinë e saj, tregon krimin luftarak, andaj ky kryeministër izraelit, një lëkurësertë që nuk respekton as Fjalët e Urta të Solomonit (Sulejmanit a.s.), aktualisht është shembulli më ekstrem i krimit dhe dehumanizimit më të madh, (që nga periudha kur populli i tij vuante nga mohimi, nga mizoria e nxitjes për gjenocid), kini parasysh, duke vrarë me pamëshirë njerëz të pafajshëm ndër to edhe gra e fëmijë, që përbëjnë dukshëm numrin më të madh të vdekjeve. E gjithë kjo luftë është e tmerrshme. E gjithë ndërhyrja është marrëzi. Më në thellësi, tarifat a do shfuqizohen, a do kthehen apo jo, ekonomia do funksionojë, por martirët nuk kthehen më. Ndërkaq, sa u përket luftërave, asnjë luftë s’i arrin kurrë qëllimet që synon, thotë gazetari dhe eseisti italian Tiziano Terzani, i cili vlerësohet për njohuritë e gjëra për Azinë Lindore të shekullit 20-të dhe pastaj shton atë se: sa pula ka parë të ngrohin vezët dhe asnjëra nuk ka çelur.
Sigurisht, nga vështrimi jonë aktual: “Sot, përballë nesh, parashtrohen dy dilema: e para nëse duhet të jemi me të drejtën apo duhet të jemi me interesin. Meqë kemi qenë vetë të persekutuar, domosdo duhet t’ia mbajmë krahun të drejtës, fundja e kemi për detyrim edhe si parim hyjnor. Por, kështu nuk mendon lidershipi “pushtetar” shqiptar. Kalvari i fëmijëve palestinezë në përmasa gjenocidi, për këtë nomenklaturë pushtetarësh, duhet vrojtuar nga këndi i interesit tonë kombëtar?! Gjithsesi se kjo qasje është paradoksale, por ca gjëra më së miri i dëshmon koha”. (Israilitë dhe Filistinë; Ismail Sinani; kryeredaktor i revistës “Shenja”, dhjetor 2023).
Nuk ka asnjë dyshim si në kohët e mëparshme,… të vegjël, të mëdhenj, ç’rëndësi ka, ne jemi popull, jemi komb. Duhet kuptuar qartë, nuk flasim këtu për mirënjohjen e hebrenjve ndaj shqiptarëve, atë e dinë dhe duhet ta dinë të gjithë, flasim për mosmirënjohjen dhe besë prerjen e hebrenjve ndaj palestinezëve që kur u vendosën në ato territore me krijimin e shtetit hebre, duke u mbajtur nga familjet palestineze nëpër vatan, njëjtë siç i mbajtën dhe mbrojtën shqiptarët, hebrenjtë, gjatë Holokaustit.
Gjersa nata matet me orë, nata e gjatë Kafkiane e palestinezëve zgjat jo vetëm këto një vit e gjysmë, por ajo zgjat më shumë së shtatëdhjetë vite. S’duhet t’ia lejojmë vetes të na mbulojë turpi njerëzor po qe se heshtja jonë vazhdon të jetë sistematike, ndërsa heshtja konsiderohet po ashtu krim në vetvete, madje krim shumë i rëndë derisa shikojmë e nuk ndermirët asgjë, ndërkohë që ditë për ditë po rritet numri i të vrarëve pas sulmeve ajrore të pandërprera të ushtrisë izraelite në Gaza, respektivisht në Rripin e Gazës. Një Popull, një komb zemërgjerë që mbrojti njerëzimin, që doli në mbrojtje e kujdes të hebrenjve, përgjatë Luftës së Dytë Botërore, nuk ka si të veprojë e sillet më ndryshe apo të qëndrojë indiferent për atë pamje të pasqyrës me copëzat e saja të thyera, që e njeh tashmë e gjithë bota; se njerëzit vriten pa mëshirë në mënyrë të organizuar sipas një plani në tokën e premtuar.
Historitë e vjetra, të eksodit dhe krimeve të përsëritura me dhjetëra e qindra herë, neve shqiptarëve na janë goxha të njohura. Ato ndoshta nuk na lidhin në asgjë me palestinezët e as me hebrenjtë, por është aspekti njerëzor. Në fund të fundit, nuk është këtu as çështja e palestinezëve myslimanë as e hebrenjve sionistë. Është çështja e njerëzimit, njeriut, e të qenit njeri. Mbase nuk paska qenë e lehtë të jesh njeri! Është ky, pushteti represiv, izraelit që vendos si të jetojë e veprojë një palestinez, që rraskapitet nën diellin e nxehtë! – Po Palestina është vetë populli, ajo duhet të vendos për fatin saj. Dhe, në këtë pjesë, për të përfituar nga ky rast, për të mos mbetur mangët, edhe palestinezët bëjnë mirë të zgjedhin e përzgjedhin udhëheqës të rinj e më të denjë. Të gjithë sprovën e tmerrshme që po kalojnë këto një vit e gjysmë në Gaza, respektivisht Rripin e Gazës… është edhe me faj dhe të papërgjegjësisë së udhëheqësve që qeverisin me atë pjesë të vendit. Pastaj, respektimi i të drejtave të çdo populli, kombi, është një e mirë e përgjithshme. S’ka gjë më të fortë se sa e drejta. Ky është parimi i një bote më njerëzore. Ata nuk janë aq të fuqishëm sa Izraeli, por janë të fuqishëm (të fortë), sepse drejtësia është në anën tyre. Si një paqësor deri në fund të jetës, pyes se çfarë mund të bëj diçka edhe më shumë? Vërtet pyes veten. Nuk është e lehtë për mua, por është ajo që është. A e di dikush, vërtet, ta thotë se çfarë është e palestinezëve dhe çfarë e hebrenjve? Nuk di se ka ndonjë që e di ose do ta shpjegojë vërtet e drejtë dhe ashtu siç i takon peshores. As edhe i ndjeri, ish kryeministri dhe ish presidenti izraelit Shimon Peres, nuk dinte “apo nuk donte” t’i japë të paktën një drejtim, edhe pse gjithnjë kumtonte për paqe, sidomos vargjet e poezisë së tij Rrezja e Shpresës, tregon shumë për këtë;
…Oh Zoti im, është koha për t’u lutur,…
…
Thirrni oqeanet kripa të shkrihet,…
Dhe bekoni përrenjtë me luhatjen e dashurisë
Jepi armikut dhe mikut tim një ditë pa gjak
Ftoni djemtë dhe vajzat për paqen të luten, O Po
Pastaj dërgoni një rreze shprese për një rrugë të re…
…Atë, duke e besuar (përtej ndjesive e situatës nëse më lejohet ta them me kujdes e vëmendjen më të madhe, sepse njeriu nuk është aspak e lehtë të përpiqet t’i zdris çështjet shumë të ndjeshme, njëkohësisht dhe të ndërlikuara), mund ta tregojnë më mirë e më drejtë vetëm profetët dhe njerëzit e parimit të shenjtërisë, ku ngjizet zanafilla e historisë së dytë të njerëzimit, si Nuhi (a.s.), Sem-i (i biri i Nuhit) si dhe Ibrahimi (a.s.). Ndërkaq edhe më pastër, më prekës, më me përcaktim e përmallim, na e tregon Muhammedi (a.s.) nga qielli i gjashtë dhe i shtatë. Dhe do jem i lumtur të flas edhe për këtë temë, kur të vjen fjala më e thukët, më tërësore sa herë që e do nevoja.
Në fjalën e fundit, për të cilën dua të flas akoma më shumë, për t’iu kthyer sërish Kafkës, që vendosi të vetëvritej dhe askush nuk mund ta ndalonte. Ajo që po ndodh sot pikërisht është ajo rrugë. Një rrugë drejt shkatërrimit dhe vetëshkatërrimit. Rrugë e gjendjes së rëndë dhe tmerruese që e shkakton njeriu i djallëzuar në një rend e drejtim të mallkuar. Derisa revistat tjera botërore shkruajnë dhe situatat ekstreme kërkojnë masa ekstreme, unë nuk do të ndalem këtu. Tingulli i paqes është tek të qenit njeri, jo tek djalli ose djallëzimi i njeriut. Të jesh njeri është një përvojë tërësore dhe e bukur, që do të thotë të ndjesh një gamë të gjerë emocionesh si nga gëzimi dhe dashuria ashtu te trishtimi dhe zemërimi. Do të thotë të përjetojmë botën mes përmes shqisave tona dhe të gjejmë kuptimin e jetës.
Megjithëqë, deri në këto momente asgjë nuk është e qartë e në vijë. Tetëdhjetë ose shumë vite më pas do të flitet për shumë gjëra, zhvillime, dashtë Zoti jo edhe për mëkate të tjera. Por, po e ripërmend. Në këtë botë e keqja shpesh del fitimtare mbi të mirën. Edhe ne si shqiptarë e kemi përjetuar atë. Por, gjithmonë, ka kohë për ta pritur fundin. Duhet përpjekje për durim e dashuri për një çështje të drejtë e të vërtetë, sepse e vërteta e nëpërkëmbur do të ngrihet sërish! Nëse ne nuk mund të bëjmë asgjë për ta ndaluar një të keqe, shpresat nuk duhet shkëputur. Çfarëdo që të ndodh, t’i nënshtrohemi ligjit të Zotit. Si mëshira, ashtu dhe ndëshkimi i takon vetëm Tij.
Dhe, pjesët e detit u bashkuan sërish. Faraoni me ushtri u mbyt në det. “E, ne e nxorëm trupin e tij (Faraonit) nga deti, pas mbytjes për ta lënë si shembull për brezat e atëhershëm dhe brezat që vijnë më pas.” (ajet kKuranor). Radha e mallkimit prapëseprapë do kthehet, prapë do të vijë. Ajo radhë e mallkimit për secilin që mendon se është një “Faraon”.
[i] (Conclusions of the Estonian International Commission for the Investigation of Crimes Against Humanity, 22 August 2001-25 February 2005)
[ii] (Epstein, Scarlett. 07.07.2010, Albanian’s remarkable philo-Semitism;)