loader image
December 4, 2024

Disa të përkohshme antikomuniste të diasporës shqiptare

Një tjetër problem i pranishëm prej kohësh ka qenë zëri i diasporës dhe i të gjithë atyre, që kanë dalë në pah për të ndihmuar sadopak pjesën myslimane dhe kjo ka dalë në pah në fillimvitet 1980-të, kur shqiptarët e parë filluan të flasin shqip në “Radio Kairo”.

Roald A. HYSA, Tiranë

Në këtë artikull do të gjeni titujt e disa të përkoshmeve antikomuniste të botuara nga grupe të ndryshme shqiptarësh, që emigruan në Europë dhe Amerikë për t’i shpëtuar persekutimit të egër të regjimit komunist të Tiranës. Qysh në çastet e para, kur u vërejt se brigadat partizane po fusnin nën kontroll rregullisht zona të tëra, duke nisur nga jugu i Shqipërisë e duke përparuar drejt Shqipërisë së mesme për të vazhduar në veri të vendit, një pjesë e ndjeshme e parisë nacionaliste, që i përkiste Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe disa afiliacioneve të tjera, ndërmorën rrugën e mërgimit drejt Italisë së afërme. Ata u drejtuan për në Greqi, e më pas edhe Francë, Gjermani, e deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e Kanada. Shumë shpejt atje u organizuan në grupime të ndryshme politike dhe filluan të botojnë edhe organe të përkohshme, si zëdhënëse të këtyre grupimeve.

“Vatra” dhe “Dielli” janë të lidhura ngushtë me disa emra të mëdhenj të diasporës, ku spikat ndër to emri i Faik Konicës, apolinerit të fjalës së lirë. “Lidhja Shqiptare e Prizrenit” ka qenë një e përkohshme e diasporës shqiptaro-amerikane, e cila shpërndahej edhe në Kanada dhe në Amerikë, e cila me frymën e saj i mbajti lidhjet shpirtërore të shqiptaro-amerikanëve me tokën e origjinës. Faik Konica, kjo figurë e shquar shqiptaro-amerikane, militoi rregullisht në Federatën Panshqiptare “Vatra” dhe konfigurimi i tij duhet parë krejtësisht në kontekstin e qëndrimit të tij filoamerikan ndaj një ëndrre nacionaliste të pikturuar me lahuta e me martina.

“Besa” është një emër tjetër i këtyre të përkohshmeve të lira, që po marrim në shqyrtim me këtë shkrim. E veçanta e kësaj gazete është se ajo botohet nga një grusht emigrantësh politikë shqiptarë, ku në këtë diasporë dallon emri i Tahir Kolgjinit. Ish prefekt e kryetar bashkie, Kolgjini ka dhënë një kontribut të madh me tekstet e tij në revistën “Shejzat” dhe në të përkoshme të tjera, që dilnin jo vetëm në Turqi, por edhe në të gjithë diasporën turko-shqiptare. “Kombi” është një tjetër gazetë, e cila ka luajtur një rol të rëndësishëm për opozitën shqiptare të vendosur në Perëndim, si një e përkohshme nacionaliste.

“L’Albanie Libre – Shqipërija e Lirë” është një tjetër e përkohshme opozitare dygjuhëshe në italisht dhe anglisht, që nis botimin më 1947 në Romë. Kjo i shtohet numrit të gazetave të pavarura, që botoheshin në Perëndim dhe që i jepnin zë diasporës shqiptare me botues të tillë, si Ernest Koliqi, që jetoi në Itali, ose nga diaspora myslimane e Brukselit, e cila përfshinte në gjirin e saj Muharrem Bajraktarin, si dhe ndonjë tjetër e përkohshme myslimane, si “Përpjekja e Jonë”, që dilte në Nju Jork.

Ahmet Zogu një mbret me origjinë myslimane, i cili jetoi derisa vdiq në mërgim, gjatë jetës së tij opozitare, i shëtiti kryeqytetet kryesore europiane (Londrën, Parisin dhe Brukselin), por edhe Kajron. Ai ishte ikona e opozitarizmit politik të diasporës shqiptare, e cila ishte e vendosur si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Kështu pavarësia e Shqipërisë festohej së bashku nga myslimanë e të krishterë, indipendentistë dhe të tjerë nga të gjitha pikëpamjet politike. Mbreti Zog u shërbeu si një ikonë myslimane të gjithëve me titullin e tij Mbret i Shqiptarëve dhe, veçanërisht, diasporës sonë amerikane, ku si figurë fetare atje dallon Salih Efendi Myftija me origjinë nga Shkodra. Gjithë ideja që e përshkon fillin e opozitarizmit politik në mërgim gjatë kësaj periudhe të errët për Shqipërinë e mbajti gjallë gjithë diasporën shqiptare, e cila nuk hoqi dorë për asnjë çast nga kjo ndjesi, që përbënte identitetin e vet themelor. Nga kjo ndjesi u nxitën edhe grupet e ndryshme të diversantëve, ku dallojnë Alush Lleshanaku, Hamit Matjani, Abaz Tonuzi etj. Kjo gjë i shtyu ata të thyenin kufirin zyrtar të Shqipërisë për më shumë se disa herë. Vetëm njëri prej tyre, Abaz Tonuzi, e ka thyer mbi 30 herë, duke ma dëshmuar këtë gjë në biseda të afërta. Identiteti i tyre merrte një theks të veçantë sidomos në ditët e festave zyrtare 28 nëntori, ku me krenari shpreheshin duke organizuar tubime jo vetëm në Prizren, por më pas vazhdojnë ta shprehin këtë identitet edhe sot në Lugano, në Nju Jork, Romë, Sarajevë e gjetkë përmes ngjyrave kuq e zi.

Antikomunizmi dhe ngjyrat e kombëtares janë të ngulitura thellë në psiken e myslimanit të thjeshtë, të cilët edhe për nga shifrat përbëjnë pjesën më të madhe ku mbizotëron shprehja e tyre. Censusi i vitit 2023 është një tregues i mirëfilltë se identiteti fetar është i rëndësishëm për të gjithë myslimanët, të cilët me këmbëngulje janë deklaruar për të gjithë pyetësorin si myslimanë sunitë praktikantë, duke përjashtuar çdolloj denominacioni tjetër.

Një tjetër problem i pranishëm prej kohësh ka qenë zëri i diasporës dhe i të gjithë atyre që kanë dalë në pah për ta ndihmuar sadopak pjesën myslimane dhe kjo ka dalë në pah në fillimvitet 1980-të, kur shqiptarët e parë filluan të flasin shqip në “Radio Kairo”. Përmes këtij kanali zyrtar egjiptian, u bë e mundur për të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, nën regjimin komunist, të merrej vesh fillimi dhe mbarimi i muajit të Ramazanit.

Një falënderim i veçantë për këto të dhëna i takon koleksionistit Eugen Shehu, i cili me ndihmën e tij të pakursyer më ndihmoi me disa nga emrat e këtyre të përkohshmeve opozitare, që e kanë parë dritën e botimit në disa qytete europiane, si Roma, Brukseli, Athina ose edhe të tjera, si Stambolli, Ankaraja dhe Kairo.

Më poshtë po i rreshtojmë disa tituj të këtyre të përkohshmeve të pavarura, të cilat me vështirësi do t’i gjeje të përmendura në historiografinë zyrtare ose në shkrimet studimore të shkruesve të regjimit komunist të Tiranës.

Pason lista e tyre:

LIDHJA E PRIZRENIT – organ i pavarur; e përkohshme politike letrare e shoqnore, Viti I i botimit 1963, Canada & USA, SHBA.

BESA – organ i Grupit Shqiptar Demokrat-Indipendent në Turqi, Taksim – Stamboll, Turqi.

KOMBI – organ i Komitetit Ekzekutiv Provizor; shqiptare, politike, nacionaliste në mërgim.

LAJMTARI I TË MËRGUEMIT – organ i Bllokut Kombëtar Indipendent në SHBA; politike, nacionaliste.

L’ALBANIE LIBRE – SHQIPERIJA E LIRE – e përkohshme nacionaliste opozitare dygjuhëshe, italisht-anglisht; botimi i saj nis më 1947 në Romë, në Itali.

VARDAR – e përkohshme nacionaliste opozitare në shqip; viti I 1954, Turqi.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X