loader image
November 21, 2024

Detyrat e intelektualit dhe akademikut

Mendimi më i vyer mbi intelektualin dhe akademikun, që duhet të vlejë për çdo kohë, është ai i profesorit palestinezo-amerikan të letërsisë në Universitetin e Kolumbias, intelektualit publik dhe themeluesit të fushës akademike të studimeve postkoloniale, Eduard Said, i cili thekson “Intelektuali nuk duhet të nënshtrohet, sepse përulja është kërcënim ndaj jetës morale dhe intelektuale”.

Shkruan: Ardian RAMADANI, Kumanovë

Rajmond Aron, filozof, sociolog, shkencëtar politik, historian dhe gazetar francez, një nga mendimtarët më të shquar të shekullit të 20-të, ka shpalosur shumë hipoteza në lidhje me natyrën e intelektualit, gjegjësisht të atij në politikë, duke ofruar përcaktime të shumta, por nuk ka gjetur një term të saktë lidhur me këtë figurë. Por, sipas tij, përkufizimi më i saktë është se intelektuali është një njeri i devotshëm ndaj ideve, njohurive dhe vlerave.

Javë më parë, Akademia e Shkencave dhe e Arteve të Kosovës, një akademi kjo e njohur për mbylljen e saj hermetike, si dhe për faktin se pjesa dërmuese e saj janë ish anëtarë të partisë (partive) politike atje, shpalosi një pamflet, që në dukje përmbante qasje shkencore. Pasi që kishim rastin ta lexonim e të informoheshim e këndelleshim, po i njëjti pamflet, pas disa ditësh, u retushua dhe u përmirësua. Kjo krijoi huti dhe habi, duke e vënë në dyshim punën dhe vërtetësinë e këtij pamfleti. Cilës akademi duhej besuar në këtë rast? Titullarët e kësaj akademie dhe kryetari i saj, të cilët qëndronin pas këtij pamfleti, sa ishin të sinqertë ndaj ideve, njohurive dhe vlerave? Kjo lë për të dëshiruar.

Pa mos qenë fare i interesuar të bëj demantimin apo pohimin e këtij pamfleti, përmes analizimit se cilat janë detyrat e intelektualit, akademisë dhe njerëzve të dijes dhe penës, mendoj se do të jepnim një kontribut më lucid dhe më dobiprurës.

Kur në vitin 1635, kardinali francez, që ishte edhe ish kryeministër, Rishelje, do të themelonte Akademinë Diplomatike Franceze, shtete të tjera përreth nuk ia kishin idenë fare se çfarë ishte ajo. Misioni që iu besua asaj nga shtetarët francezë të asaj kohe ishte vendosja e rregullave dhe normave, si dhe e pastërtisë së gjuhës, përcjellë kjo me një mprehtësi dhe me detyrën e vetme, fisnikërimin e kombit, afirmimin e dijes dhe shkencës, si dhe shpalosjen e së vërtetës.

Ndërkaq, jemi në vitin 2023, e në akademitë tona, ende gëlon dhe gufon mendimi partiak, politik dhe konjuktural. Ende, ajo që shpaloset në mëngjes, demantohet në mbrëmje, për t’u demantuar kjo e fundit nesër në mëngjes. Mungon kohezioni, mungon vijueshmëria dhe e vërteta. Ende, akademitë tonë, janë të stërngarkuara me mite, ende provincializmi është udhërrëfyes, e ndërkaq modeli më i mirë i heronjve që na ofrohen nga këto qendra janë cubat.

Ndonëse mendimtarë të shquar të ndryshëm ofrojnë përcaktime dhe përkufizime të shumta mbi intelektualin dhe njeriun e dijes, unë përzgjodha të ndaj mendimet e Zygmunt Bauman-it, i cili kishte thënë se “intelektuali është bartës dhe propagandues i arsyes dhe moralit njerëzor”, e po ashtu edhe të Collins-it se “intelektuali prodhon ide të pakontekstualizuara, të vlefshme për çdo vend dhe në çdo kohë”.

Vlen të përmendet edhe mendimi i sociologut amerikan Seymoir Martin Lipset mbi intelektualin, që sipas tij duhet të merret me krijimin e përhershëm të dijes dhe zbatimin e saj dhe kulturës.

Mendimi më i vyer mbi intelektualin dhe akademikun, që duhet të vlejë për çdo kohë, është ai i profesorit palestinezo-amerikan të letërsisë në Universitetin e Kolumbias, intelektualit publik dhe themeluesit të fushës akademike të studimeve postkoloniale, Eduard Said, i cili thekson “Intelektuali nuk duhet të nënshtrohet, sepse përulja është kërcënim ndaj jetës morale dhe intelektuale”.

Duke qëndruar këtu, mund të themi se intelektuali është diç më shumë, është njeri i mbërthyer nga vlerat, qëllimet dhe detyrimet që e kërkojnë nevojat e tij praktike të patjetërsueshme. Intelektuali duhet të veprojë si në fushën e ideve analitike, ashtu edhe më atë të ideve normative. Intelektualët dhe akademikët nuk duhen kundruar si disa njerëz të cilët duhet të jetojnë të pahetuar, të strukur në rehatinë e tyre e të bëzajnë kohë pas kohe, vetëm kur u cenohet kredoja politike e partiake ideologjike. Ata nuk duhet të sillen si oborrtarë të mbretit (pushtetit), por si shërbëtorë të dijes dhe propagandimit të arsyes dhe moralit. Intelektualët dhe akademikët nuk duhet të qëndrojnë jashtë shoqërisë, sepse ata janë edhe përgjegjës për nevojat e saj. Intelektualët dhe akademikët në shoqëritë e zhvilluara tregojnë gjithmonë se cila është e keqja, dhe të kahëzojnë se si duhet shmangur prej saj. Koncepti i EPIFANISË (ballafaqimit me të vërtetën) duhet të jetë udhërrëfyes dhe mision për akademikët dhe intelektualët edhe në akademitë tona. Duke pasur numër të madh të të diplomuarve, të magjistrave, doktorëve, akademikëve…, është turp të lajthitemi e të gabojmë, të kemi mendim të çorientuar, pa drejtim.

Sipas disa statistikave Gjermania prodhon 7000 doktorë shkencash në vit, ndërkaq SHBA-ja jep në vit mesatarisht 50 000 PhD, ku gjysma e tyre jepen nga 50 universitete kërkimore. E tërë ajo ushtri e këtyre njerëzve të dijes dhe penës kanë kontribuuar e kontribuojnë që këto shtete të sipërcituara të jenë destinacion i preferuar i çdo njeriu, ndërkaq kombet e tyre i kanë ngritur në piedestal.

Akademitë dhe intelektualët tanë duhet të kenë guxim, intuitë dhe fantazi (pse jo), për të folur publikisht, të bëjnë luftë idesh si parim themelor. Në akademitë tona kemi intelektualë dhe akademikë që janë të izoluar krejtësisht nga realiteti shoqëror. Për akademikët dhe intelektualët nuk ka asgjë më të keqe sesa izolimi apo vet(izolimi). Ata duhet të freskojnë dhe përditësojnë idetë, për të ndihmuar të tjerët që të përndriten nga dija e tyre. Nëse marrim përvojën britanike, ku intelektualët dhe akademikët vëmendjen më të madhe e kanë të përqendruar tek mbrojtja e lirisë ndaj pushtetit të qeverisë, duke rrezatuar jo vetëm në mbrojtjen e lirisë në vendin e tyre, por në çdo skaj të botës, mendoj se nuk kemi se çka të shtojmë më tepër, se çfarë modeli duhen ndjekur akademitë tona. Thjesht, receta e duhur për akademikët dhe intelektualët duhet të jetë konflikti i vazhdueshëm me natyrën e injorancës dhe antivlerave, duke shmangur shndërrimin e tyre në militantë të çështjeve që paraqesin dhe e mbrojnë. Akademikët dhe intelektualët e kanë për detyrë të jenë fanar ndriçues i kombit dhe misionarë të përndritjes së tij, duke qenë bartës të risive, duke mos pasur thjesht mëshirë në predikimin e dijes.

Më tërhoqi shumë thënia e Gandit, i cili duke folur në një rast për disa të krishterë kishte thënë se “do të bëhesha i krishterë, nëse ata që i kam njohur do të ishin të tillë për 24 orë në ditë”. Mendoj se nuk do të duhej të vijmë deri aty sa të themi se “do të bëhesha intelektual, nëse ata që i kam njohur do të ishin të tillë për 24 orë në ditë”, ngase duke i njohur disa intelektualë dhe akademikë tanë, që thjesht nuk kanë kredo të mirëfilltë shkencore, por që si tregtarë të diplomave shquhen me vogëlsinë dhe gagaçërinë e tyre, me animet dhe qëndrime konjukturale, të neverisin dhe të acarojnë. Misioni i intelektualëve dhe akademikëve është i “dënuar” të jetë historik, nuk ka as fillim e as fund. Intelektual është kushdo që merr pjesë në debatin e shoqërisë së tij, apo edhe të shoqërive të tjera, duke e vënë në qendër të interesit të ardhmen e burrave dhe grave (njerëzve). Intelektuali e dëgjon shoqërinë e tij, i heton thellësitë e saj greminore dhe i kthen të këqijat e saj në kontestim.

Të armatosur me arsye dhe mendim të lirë e demokratik, atyre duhet t`u kërkohet vazhdimisht dhe fuqimisht ta luajnë me nder rolin e tyre historik: të përballen me marrëzinë, ta sfidojnë atë, ta flakin tutje dhe të kahëzojnë pushtetin dhe shoqërinë në rrugën e duhur…

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X