Takimi, gjithashtu thuhet, se mbulon një spektër të gjerë formatesh për ndërveprim dhe mësim, duke u dhënë pjesëmarrësve mjetet e nevojshme për të adresuar kompleksitetin aktual dhe atë të së ardhmes. Dialogu për të krijuar mirëkuptim dhe përafrim dhe për të shkëmbyer njohuri si dhe për të nxitur veprime të prekshme për çështjet kryesore globale janë dy nga tre arketipet kryesorë që rrotullohen në diskutim.
Driton Demiri
Në një janar dhe jo aq shumë të ftohtë, por në sfond të mbuluar përplot dëborë Grupi i ashtuquajtur i “Davosit” rikthehet në resortin e alpeve zvicerane. Forumi Ekonomik Global ka mbledhur sërish elitën globale. Mijëra njerëz, ndër të cilët lider ekonomik e politik, të sipërmarrjes, medias, akademisë si dhe aktivist të shoqërisë civile diskutojnë, trajtojnë dhe përcaktojnë prioritetet dhe parashikimet për vitin 2023. Por jo gjithmonë trajta lëviz ashtu siç duhet. Si çdoherë, thelbi, esenca është larg realitetit. “Bashkëpunimi në një glob të fragmentuar” është tema e takimit të 53-të vjetor të Forumit. Dhe gjithçka është e qartë se në ç’ situatë e në ç’ trajtë është dhe lëviz globi. Krejtësisht në tjetër kahje nga diskutimet e përcaktimet e një viti më parë. Ndodhi e vorbull krizash. Ashtu që, çdo gabim në deklarata, diskutime e përgjigje në panel ka çmim; Kohë e “harmonisë” dhe bashkëjetesës së krizës energjetike, inflacionit galopant si dhe nën-varianteve të reja të Omicron-it. Një glob që vazhdon të jetë i fragmentuar, me solidaritet të cunguar global, si dhe formësimin e aleancave të reja jo vetëm se ekonomike, veçse dhe politike e ushtarake. Në tërësi, situatë e cila askush nuk mund të parasheh saktë se sa do zgjasë e kur do të përfundojë. Prandaj, jo të gjithë besojnë se Davosi është vendi ku mund të gjenden zgjidhje konkrete e të konsiderueshme. Ndonëse nga Forumi thuan se, “edhe takimi i sivjetmë vazhdon të ketë set-up kornizë për të riafirmuar vlerën dhe imperativin e dialogut dhe bashkëpunimit publiko-privat, jo vetëm për të lundruar në krizat aktuale, por, më e rëndësishmja, për të nxitur ndryshime pozitive për një afat të gjatë.”
“Krizat ekonomike, mjedisore, sociale dhe gjeopolitike po konvergjojnë dhe po bashkohen, duke krijuar një të ardhme jashtëzakonisht të gjithanshme dhe të pasigurt”, u tha mediave para fillimit të takimit themeluesi i Forumit Klaus Schwab. “Takimi vjetor do të përpiqet të sigurojë që liderët të mos mbeten të bllokuar në këtë mentalitet krize”, shtoi ndër të tjerat ai.
Takimi, gjithashtu thuhet, se mbulon një spektër të gjerë formatesh për ndërveprim dhe mësim, duke u dhënë pjesëmarrësve mjetet e nevojshme për të adresuar kompleksitetin aktual dhe atë të së ardhmes. Dialogu për të krijuar mirëkuptim dhe përafrim dhe për të shkëmbyer njohuri si dhe për të nxitur veprime të prekshme për çështjet kryesore globale janë dy nga tre arketipet kryesorë që rrotullohen në diskutim.
Sidoqoftë; Gjërat kanë shkuar keq. Ekonomia është përsëri në rënie. Nëse kohët nuk janë të ”errëta”, atëherë të hirta janë gjithsesi. Rritja ekonomike globale po ngec, me një ndërkohje që po kalon nga rritja e çmimeve bazë të produkteve të ushqimit ashtu edhe të energjive. Varfëria ekstreme shtohet edhe më tej. Pandemia COVID-19 dhe agresioni rus në Ukrainë duke marrë epitetin e ‘shkaktarëve binjak’, kanë ndryshuar perspektivat globale dhe kanë tronditur një sistem tashmë gjithëpërfshirës të brishtë. Edhe pse bluzi dhe infoargëtimi është rikthyer korridoreve e atelieve, takimi zhvillohet në kohë kur ekonomia globale është në proces të dyanshëm. Atë të inflacionit dhe recesionit, që teoria ekonomike e quan stagflacion. Një gjendje më e keqe në të cilën mund të bjerë ekonomia. Gjendje kjo e paparashikueshme dhe e papërsëritshme për më shumë se gjysmë shekulli me një çekuilibër të rritjes ekonomike dhe inflacionit. Në këtë ndjesi, shqetësimi dhe stresi qëndron në atë se ky hall nuk ka më veprim të përbashkët. Secili “lufton” në mënyrën e vet.
Pra, kështu fillon viti 2023 në rrafshin gjithëpërfshirës, gjeo-ekonomik e gjeo-politik. Që do të thotë; Në fokus, pikat kryesore të diskutimit janë e mbeten të njëjtat. Agresioni rus në Ukrainë si dhe pasojat ekonomike nga lufta që zënë qendër vëmendjen (dominojnë axhendën). Edhe pse çështjet klimatike, mjedisore, ekonomia e karbonit zero, revolucioni 4.0, mungesa e ushqimit, pabarazia, migracioni janë tema të përhershme nga se Forumi merret me ato të së ardhmes po aq sa me ato aktuale. Dhe në këtë domethënie përshkallëzimi i trazirave ekonomike përbën një kërcënim të mëtejshëm. Trendet globale vazhdojnë të jenë të pasigurta. Në këtë kontekst, ajo që veçmë dihet, gjersa i gjithë agresioni rus mbi Ukrainën është një veprim irracional, dëmet më të mëdha i pësojnë po ato dy vende, sidomos në çdo aspekt Ukraina, theksi i veçantë humbje jetë njerëzish dhe infrastrukturë. Taktika e re e sulmeve të Rusisë tregon për një vazhdimësi të agresionit në Ukrainë. Përgatitja e rekrutimit dhe mobilizimit të radhës prej të 1,5 milion ushtarëve nga ana e ushtrisë ruse me këmbëngulje të presidentit rus Putin, duke mashtruar veten, pa mëdyshje është një dëshpërim vijues për Perëndimin, posaçërisht për të gjithë fuqitë globale që artikulojnë me zë të lartë ndërhapësirën gjeopolitike të agresionit. Kryesisht në aspektin ekonomik për Europën; E cila është drejtpërsëdrejti më e cenuar, duke lënguar edhe më shumë në krahasim me pjesën tjetër të globit.
Gjer më tani, në këtë ngatërresë përçarjeje gjeopolitike dhe një “pikë krize” kur merret parasysh dhe rritja e normave referente të interesit në “luftë” kundrejt inflacionit, për fat të mirë, aktualisht, një morri zhvillimesh ogur bardhë:
-Dimër relativisht “i ngrohtë”.
-Magazinat e naftës dhe të gazit nuk janë shterur.
-Çmimet e gazit rikthehen në nivelin e dy viteve më parë.
-Energji elektrike “mjaftueshëm” në dispozicion.
Megjithëqë asgjë nuk ka mbaruar. Procesi nuk ndalon. Siç ka shkruar Tolkieni tek “Zoti i Unazave”:
Rruga vazhdon gjithnjë më tutje
Poshtë nga dera ku ka filluar.