Shkruan: Ismail SINANI
Closed Balkan – Open Berlin, kjo si duket do të jetë epiqendra e debatit politik në vjeshtë në përgjithësi në Ballkan, krahas krizës në Kosovë dhe rritjes së tensionit politik brenda në Maqedoni të Veriut. Ideja lindi nga deklarata e papritur e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, i cili tha se kjo nismë tashmë ka marrë fund dhe se të gjitha energjitë tani e tutje do të përqendrohen drejt Procesit të Berlinit. Natyrisht, kjo deklaratë e tij, nuk do të përbënte aspak lajm po qe se ai bashkë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk do të ishin “baballarët” e “Ballkanit të Hapur”. Dhe, kur gjithë kësaj t’ia shtojmë edhe rezervat që herë-herë janë shfaqur edhe nga shumë diplomatë perëndimorë lidhur me “Ballkanin e Hapur”, detyrimisht shtrohet pyetja se ç’e gjeti Ramën që pa pritur e pa kujtuar e ndryshoi qasjen?! Rrjedhimisht, në këtë sfond duhet analizuar edhe impaktin që e ka lufta mes Rusisë dhe Ukrainës në Ballkan, pastaj çështja e Kosovës, e cila tashmë po duhet analizuar nga prizmi i qasjes serbe, ndërkombëtare, në përgjithësi, e amerikane, në veçanti, dhe, natyrisht, edhe nga prizmi i kryeministrit Rama, i cili tashmë nuk po e fsheh përplasjen e tij me kryeministrin Kurti.
Po kështu, në këtë “pako” problemesh që ndërlidhen me Ballkanin, duhet parë edhe kontestin e hapur që e ka Maqedonia e Veriut me Bullgarinë për shkak se nuk po arrin t’i bëjë ndryshimet kushtetuese që erdhën si imponim nga Sofja, por edhe rishfaqjen e radikalizmit serb në Bosnjë.
Kur i shohim të gjitha këto probleme të përnjëhershme në rajon, mes Kosovës dhe Serbisë (shto këtu edhe ato me ndërkombëtarët), mes Kosovës dhe Shqipërisë, përplasjet tani për tani politike brenda Bosnjës, që po u ngjajnë atyre të fillimit të viteve të ’90-ta të shekullit të kaluar, atyre mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, mes Rusisë dhe Ukrainës…, parashtrohet pyetja se a mund të bëjmë një shpjegim më konkret se çfarë parashihet të ndodhë në gjeopolitikë në një periudhë të afërt? A mund të zhytet rajoni gradualisht në kriza edhe më të thella apo edhe kjo fazë është vetëm një kryqëzim i radhës, të cilin medoemos duhet ta kapërcejmë? Apo, a po bëhen shqiptarët viktima të luftës ruso-ukrainase? Dhe, pa dyshim, që duhet ta parashtrojmë pyetjen nëse Perëndimi, me apo pa fajin tonë, po tallet edhe një herë me fatin e shqiptarëve, siç ka ndodhur disa herë në periudhën mes shekullit të XIX deri në vitin 1999, kur edhe u bë ndërhyrja e NATO-s për ta ndihmuar popullin shqiptar kundër okupimit serb? Me një fjalë, apo bëheni ne, shqiptarët, pak edhe me fajin tonë, si mjet për të larë kusuret në gjithë këtë mishmash gjeopolitik?
Dilemat janë të shumta e shpresat të pakta. Në fakt, ky pesimizëm do të duhej të dukej paradoksal tani kur Shqipëria është e rreshtuar në NATO, kurse këndej kufirit të shtetit amë shqiptarët në Kosovë ta kenë frikën se çfarë mund të ndodhë po qe se Serbia e fillon ndonjë ekspeditë ushtarake, ndonëse për momentin një gjë e tillë duket e pamundur. Por, kjo vetvetiu flet se sa jemi të ndarë dhe sa jemi bërë ndryshe. Folkloristët nuk duan ta pranojnë këtë realitet, por ata që i analizojnë veprat dhe jo fjalët, qartë do ta kuptojnë se “diçka nuk po shkon”.
Ndonëse asnjë nismë nuk duhet parë apriori si diçka e keqe, “Ballkani i Hapur” që në fillim do të duhej të merrej me rezervë, aq më tepër që u pa se e gëzonte mbështetjen e Serbisë, por edhe të Rusisë. Madje, edhe pse mbështetja ruso-serbe për të ishte e hapur, thellë në shpirt, të gjithë kishim dëshirë ta bindnim vetveten se kryeministri shqiptar “di diçka që po i jep kaq shumë zor”. E sot, pasi u humb shumë kohë me të, po shihet se nuk paska ditur gjë ose-ose dikush u detyrua t’i thotë: “mjaft më, kthehu këndej!”. Kjo mbetet enigmë për ta zbardhur historia. Natyrisht, neve, shqiptarëve këndej kufirit, “idetë e mira serbe” na kanë kushtuar të paktën një shekull robëri brutale, me përmasa gjenocidale.
Analet e historisë i kemi përplot të mbushura me veprime shfarosëse serbe. Dikush mund ta parashtrojë pyetjen nëse mund të jetohet dhe ecet përpara duke e mbajtur kokën prapa?! Përgjigjja naive do të duhej të tingëllonte përafërsisht kështu: “Ne e duam Europën, jemi kundër kufijve, ndërsa e kaluara i takon historisë”. Por, kur i dëgjojmë fjalët e lidershipit serb se si flet, shohim se nuk ka asnjë dallim nga e kaluara.
Millan Millovanoviq, kryeministër i Serbisë në vitin 1912, në një paraqitje të tij në Parlamentin e Serbisë, mes tjerash, i thotë këto fjalë: “Situata e përgjithshme në Ballkan sot për sot është shumë e vështirë dhe serioze, dhe askush nuk mundet të dijë çka do të sjellë pranvera”. (Gazeta Shkupi, 27 janar 1912, Viti II, numri 17, faqe 1-2). Ky citim mund të gjendet në librin “Bullgarët dhe serbet në artikujt e Gazetës Shkupi, 1911-1912” të autorëve Ardian Limani dhe Anton Pançev.
Pra, siç shihet, diskursi politik serb i para 111 vjetëve është po ai i vitit 2023, i Vuçiqit sot, e Millosheviqit dje – “askush nuk mundet të dijë çka do të sjellë pranvera”.
Rama mund mos t’i ketë lexuar këto të bëma serbe, shumë diplomatë mund edhe mos t’i dinë, por shqiptarët i kanë ndjerë në lëkurën e tyre, si para 100 vjetëve, ashtu edhe sot.
Paqja në rajon është e domosdoshme, por ajo mund të arrihet vetëm atëherë kur Serbia do të përballet me vetveten. Gjithçka e ndërmjetme është vetëm një zgjidhje paliative, sa për ta kapërcyer një krizë që gjendet si ndonjë gur që e pengon rrugën.
(Editoriali i Revistës SHENJA)