loader image
November 21, 2024

Çka i mungon demokracisë shqiptare, keqkuptimi apo kuptimi i shekullarizimit?

Athina vetë nuk u bë perandori, ajo mbeti qytet-shtet, por filozofia që prodhoi, u shpërnda gjithandej mbi vlerat e së cilës u ngritën perandori. Qytete shteti u zhbë, bashkë me të edhe demokracia, si mënyrë e sundimit, por filozofia që u bart nga Leka i Madh në Azi, pas shumë shekujsh, u kthye në kontinentin e vjetër, për ta zhbërë shtetin hyjnor dhe për ta rilindur shtetin racional dhe demokracinë.

Rizvan SULEJMANI, Shkup

Si ndjehem për momentin në vendin demokratik ku jetoj? “Zgjohem si shqiptar mysliman, besoj në Amerikën, mendoj si europian, ëndërrojë integrimin, përjetoj getoizimin”. Pse kjo katrahurë në perceptim, çka nuk funksionin? Si ta kuptojmë? Sigurisht se mund të numërohen shumë faktorë për këtë konfuzion, por të gjithë këta përmblidhen në një fjalë – mungesë e demokracisë. Nëse demokracia është kryefjala për zgjidhjen e gjitha problemeve, atëherë çka është ajo dhe pse të gjitha shpresat i kemi varur në të? Pse gjithë fatin e lidhim në këtë fjalë? Ku e ka burimin dhe cili është kuptimi i saj?

Demokracia, si pushtet i popullit të lirë, u paraqit para më shumë se 25 shekujsh në Athinën e vjetër, në një qytet-shtet, jo si krijim hyjnor, por racional, ku ligjet nuk ishin prodhim i zotave, por i mjeshtërve të këtij zanati. Nën këtë sistem politik, unik për kohën që u paraqit, më shumë se kudo tjetër lulëzoi filozofia, arti, drama e skulptura, saqë edhe sot e kësaj dite mbetemi gojëhapur para këtij thesari të mendimit njerëzor. Ndodhi një moment kur ajo u rrezikua nga një perandori që nuk i dihej as fillimi e as fundi, siç ishte Persia, të cilën e mposhti bile edhe poshtëroi, madje shumëkush këtë moment e merr si shkak që sot e kemi civilizimin europian. Lufta u përshkrua si luftë e demokracisë kundër tiranisë, lufta e njeriut të lirë kundrejt njeriut që nuk gëzon lirinë, gjegjësisht demokracia triumfoi karshi tiranisë dhe liria karshi robërisë.

Athina vetë nuk u bë perandori, ajo mbeti qytet-shtet, por filozofia që prodhoi, u shpërnda gjithandej mbi vlerat e së cilës u ngritën perandori. Qytete shteti u zhbë, bashkë me të edhe demokracia, si mënyrë e sundimit, por filozofia që u bart nga Leka i Madh në Azi, pas shumë shekujsh, u kthye në kontinentin e vjetër, për ta zhbërë shtetin hyjnor dhe për ta rilindur shtetin racional dhe demokracinë. Falë saj, sot Europa i ka kap majat e lulëzimit si dikur Athina demokratike.

Për ta kuptuar rilindjen e mendimit racional dhe të demokracisë në Europë pas shumë shekujsh harresë, pikësëpari do të mundohemi të sqarojmë si humbi liria në mesjetën e njohur si koha e errësirës. Për këtë së pari duhet të reflektojmë mbi Krishterimin, ate që njihet si Krishterim i Palit, se si ai arriti ta ndrydhë aq shumë mendimin dhe lirinë njeriut si parakusht për eliminimin e demokracisë. Shpjegim më elementar është se idesë së komunitetit hebre, ngritur mbi premisën “populli i zgjedhur” prej Zotit, Shën Pali ia dha dy dimensione shtesë që lanë pasoja të pashlyera. E para, e çliroi nga kthetrat etnike për ta bërë universale, duke e krijuar bashkësinë e krishterë egalitare – të gjithë jemi vëllezër “mëkatarë” – si trashëgimi nga mëkati i njeriut të parë Adamit (Ademit). Dimensioni i dytë ishte personaliteti që fitoi njeriu përskaj identitetit, që bëri që qasja kolektivi, “zoti Ynë”, të kalojë në individualen, “zoti Im”. Kjo kthesë ndodhi kur shpjegimit hebraik për mëkatin e trashëguar nga njeriu i parë, pa mundësi zgjedhjeje “o shpëtim o dënim”, Pali, me rrëfimin që zhvilloi për vdekjen e Krishtit, ia shtoi dimensionin e tretë – vuajtjen – si mundësi për t’u çliruar nga ky mëkat. Meqë çlirimin nuk mund ta bënte një njeri i lindur prej babai dhe nëne, që e kanë trashëguar mëkatin, Pali “shpiku” një “Njeri Zot”, siç e paraqiste Krishtin, i lindur nga virgjëresha me frymën e Zotit, i cili do t’i përjetonte vuajtjet për t’ia shpaguar mëkatet njeriut.

Zoti i mishëruar në njeri, me shpirt hyjnor, i shpalosi mrekullitë, si ngjallja e të vdekurve, shërimi i të verbërve, por e errësoi arsyen, e ndryshoi kuptimin për botën, shoqërinë dhe shpjegimin për fenomenet natyrore. Mrekullitë i kapluan zemrat, por i turbulluan mendjet e njerëzve. Duke i parë fenomenet si rastësi, pa lidhshmëri logjike shkak-pasojë, ai e tjetërsoi njeriun nga subjekt aktiv në objekt pasiv. Kështu ai pa hamendesim i pranon ngjarjet si rastësi, mrekulli, pa bërë përpjekje t’i kuptojë, logjikojë, e më së paku t’i filozofojë. Si i tillë, ai pranon të vuajë, të durojë, bile në të të gjejë kënaqësi, sepse vetë shpëtimtari, Krishti, përjetoi vuajtje për t’ua mundësuar njerëzve shpëtimin.

Me një fjalë, shteti papal kishte vendosur kontroll religjioz e metafizik mbi arsyen dhe të shprehurit e njeriut dhe me të e kishte mbytur filozofinë, mendimin logjik dhe aftësinë për gjykim racional. Një njeri i tillë, i robëruar brenda kësaj mendësie, nuk kishte liri individuale andaj nuk mund të kishte as demokraci.

Për t’u çliruar nga prangat misticizmit duhej shumë angazhim, përkushtim e sakrificë, që do të kulmoj me lëvizjen intelektuale të njohur si iluminizëm, e cila ndau historinë perëndimore në kohën e errësirës prej kohës së dritës – shekullarizimit. Çka nënkuptonte shekullarizimi? Sociologu Shiner thotë se: “Shekullarizimi është çshenjtërizimi i tokës (botës), që do të thotë, toka, humb karakterin e shenjtë, ajo dhe njeriu bëhen çështje e shpjegimit racional që funksionon në bazë shkak-pasojë, ku nuk ka më vend për mbinatyroren”.

Berger-i mendon se këtij procesi i parapriu protestantizmi, i cili hodhi poshtë kungimet dhe elementet rituale të Krishterimit dhe kështu njeriu u lirua nga forcat e fshehta dhe çudirat e magjisë. Nëse iluministët hedhën dritën, Revolucionit Francez ishte kthesa e madhe që e zëvendësoi sovranin hyjnor me atë tokësor. Sovrani në tokë u bë njeriu me votën e lirë, e drejtë që do të shtrihet deri tek njeriu i rëndomtë dhe kjo vazhdon edhe sot kësaj dite ta zgjerojë gamën e lirive, duke u çliruar nga çdo kufizim socio-kulturor, fetar, kombëtar, familjar e gjinor.

Nëse ky ishte rrugëtimi i demokracisë në botën krishtere çka bëjmë ne që deklarohemi si shqiptarë mysliman? Si e kuptojmë shekullarizimin, sa jemi shekullarë, demokratë?

El-Atass-i mendon se Kurani ka bërë shekullarizimin që me shpallje në tre sferat kryesore; deziluzionomi i natyrës, çshenjtërimin e politikës dhe flakja e sistemeve të vlerave të vjetra. Sipas tij, Islami e ka “deziluzionuar” natyrën, në kuptimin që ka të bëjë me ndalimin e bestytnive animiste dhe magjike, si dhe besimet në zotat e rremë të natyrës, pa implementimin e shekullarizimit në kuptimin perëndimor.

Shekullarizimi, në kuptimin islam, është transformimi nga kultura beduine (arabe) – “injorancës, errësirës” – në kulturën islame – dritës. Kjo nënkupton ndërrimin e mentalitetit të vjetër të të menduarit mbi baza të diturisë gojore, retorikës, jologjikes, mitologjikes, mrekullive, për të filluar të mbështetet në dituri të shkruara, logjika, kuptimësi, soditje dhe lidhshmëri të ngjarjeve në vargun shkak pasojë.

Nëse këtë e marrim si të mirëqenë dhe vendosim në kontekstin historik, del se kjo ishte vërtet koha e dritës, pasi arabët beduinë, vetëm pas disa viteve, me këtë botëkuptim pushtuan dy perandoritë më të fuqishme të kohës, Persinë dhe Bizantin. Në pellgun e këtyre civilizimeve takuan filozofinë simotër greke, të bartur nga Leka i Madh, dhe pas vetëm një shekulli arritën në Europë, nga ku do të fillojë debati i deiluzionimit të politikës dhe shtetit papal.

Mendimtari turk Mustafa Ismailoglu thotë se bashkësia e re Islame, që shkëputet nga e vjetra klanore e fisnore, është bashkësi njerëzve që identifikohen si komunitet me përgjegjësi. Një profet si Muhammedi, njeri vdekatar, që nuk ofron mrekulli për ta besuar, as shpallet për hyjnor e engjëll, por e ofron Kuranin për ta lexuar dhe kuptuar se ekziston vetëm një Zot transcendent, Allahu, të zhveshur nga elemente antropologjike, nuk kërkon vetëm arsye të pastër dhe përgjegjësi dhe më së paku të jetë kufizues në mendime, përveçse çlirues dhe motivues për ta njohur Atë përmes studimit. Rrjedhimisht, nuk mund të kesh bashkësi me përgjegjësi nëse nuk ke liri, nuk ka liri pa mundësi për zgjedhje dhe nuk ka zgjedhje pa alternativë, që e shtron vetëm një logjikë me arsye të pastër. Ashiqare, parakushte të ngjashme me kohën kur lulëzoi demokracia në Athinë.

Por, si gjithmonë shkopi i ka dy skaje: Islamiт “shekullar”, siç e përshkruan El-Atassi, në ecje e sipër iu injektuan kultura dhe tradita të popujve që futi nën kontroll, përfshi ata të ithtarëve të librit, siç njiheshin të krishterët e konvertuar në islam. Në një moment kur islami nga elitar u bë popullor, pra u përkap nga masat, për ta ishte e vështirë të përligjet një qasje racionale filozofike e Islamit siç e shpjegon Mustafa Ismailoglu. Ata më tepër preferonin shpjegime gojore të njerëzve për jetën e profetit që njihen si hadithe, që shumë nga ngjarjet nga jeta e Profetit i mbështillnin me petkun e kulturës nga vinin ata. Përfaqësuesit e librit që e pranuan islamin, të njohur me mrekullitë e Krishtit, Isait dhe me vetitë hyjnore që i përshkruan atij, filluan me të njëjtat veti ta përshkruanin edhe profetin Muhammed, duke e tejsublimuar atë si person, në përmasa të hyjnizimit dhe i përshkruanin mrekulli, për të cilat vështirë gjenden prova relevante, në vend se ta potenconin mrekullinë e vetme, Kuranin. Me riaktualizimin e mrekullive, “zbritjen” e hyjnores në tokë, ata i deformuan parimet bazë të mendimit racional, duke i trajtuar fenomenet si rastësi, pa lidhje logjike shkak-pasojë dhe të mos i marrin parasysh vrojtimet e kushteve dhe rrethanave që ndikojnë në paraqitjen e tyre, duke e devalvuar mendimin logjik. Në këtë mënyrë, për një pjesë të madhe të njerëzve, veçanërisht ata të klasave të ulëta, u bë më e afërt një kulturë e mendimit shumë e ngjashme me atë të kohës së Mesjetës në Europë, për ta lënë në margjina kulturën islame të Kuranit. Kjo solli stagnim në shoqëritë myslimane, të cilat që edhe sot e kësaj dite vështirë gjejnë rrugëdalje prej situatës.

Çka ndodhë sot ndër shqiptarët, veçanërisht me shqiptarët myslimanë në Maqedoni, por edhe më gjerë në Kosovë e Shqipëri? Falë komunikimit masiv përmes internetit, ata vunë kontakt me këto kultura, që për masat janë më të kapshme së të kuptuarit e Kuranit mbi parimet e ligjeve racionale dhe logjikës. Një shkak serioz për t’u përkapur kjo formë e të kuptuarit të Islamit është niveli i ulët i ligjërimeve fetare dhe mjerimi që e përjeton arsimi shqip.

Pjesa më e madhe e besimtarëve sot nuk e dallon kulturën arabe, që është veçori e një vendi, regjioni, prej Islamit, si vlerë universale që i tejkalon barrierat kulturore, racore, klasore e gjinore. Ai shumë më tepër dëshiron ta dëgjojë Kuranin në arabisht, ta ndjejë bukurinë e këndimit me mekam, t’i zbatojë ritualet fetare, që është më afër kulturës së një populli të caktuar, sesa vlerat universale të Islamit. Ta lexosh Kuranin në gjuhën që e kupton, të meditosh e reflektosh mbi parimet dhe duke e përdor logjikën t’i identifikosh lidhjen shkak-pasojë në veprimet që ndërmerr, është vlerë universale dhe obligim për çdo mysliman. Me këtë vjen në vend thënia e Profetit në pyetjen se “kush është më i vlefshmi i njerëzve?”, me ç’rst ai përgjigjet:“Ata që në kohën e injorancës kanë zhvilluar aftësinë e të menduarit,…» (po aty, f. 91)

E kundërta e kësaj është pasivizimi i mendjes racionale, me qëllim që të çlirohesh nga ankthi i vendimmarrjes me alternativa, që do të thotë të futesh në humnerën e injorancës, që është e kundërta e urdhrave islame. Fatkeqësisht, një qasje të tillë të praktikimit të urdhrave islame ndër shqiptarët e gjejmë me bollëk, që është shkak për ngushtimin e lirisë dhe demokracisë.

Në këtë gufatje të mendimit kritik predikuesit fetarë aleatë më të sinqertë e kanë sistemin arsimorë dhe politikën. Arsimi që nuk zhvillon mendim kritik, kreativitet dhe, më së paku, shkencë, që nuk zhvillon logjikë dhe nuk i trajton fenomenet dhe rrethanat në lidhshmërinë shkak-pasojë, vetëm e zgjeron hapësirën për rastësinë dhe mrekullinë.

Këtë mentalitet e shfrytëzon politika, e cila organizon zgjedhje, por nuk ofron zgjidhje, krijon iluzion, por nuk shfaq vizion, promovon demokracinë, por e adhuron tiraninë, flet për liri, por përdorë trysni. Rrethi virtuoz i destrukcionit vazhdon, pa bërë përpjekje që fenomenet të shpjegohen e kuptohen në vend se të mitoligjizohen e të trajtohen si mrekulli. Në këtë mënyrë nuk ndodh shekullarizimi as te myslimanët as te të krishterët, nuk ka liri e përgjegjësi, andaj nuk mund të ketë as demokraci. Se sa verbërisht e ndjek politika këtë mendësi injorante, kjo shihet nga shpjegimet që i jep për çlirimin e Kosovës, që e ndihmën e Amerikës për të e karakterizon si mrekulli, e trajton si mit, Europën e sheh si magji, kurse integrimet si fat dhe jo si përpjekje e përkushtim për demokratizim.

Ky është shkaku që Europa na qorton për mungesë demokracie, Amerika na akuzon për joseriozitet, kurse ne frustrohemi dhe në vend që të përpiqemi ta ndërrojmë gjendjen, kërkojmë fat, kurse të jetosh me fat, kjo do të thotë të mos kesh liri, ndërsa të mos kesh liri, kjo do të thotë të mos kesh demokraci. Andaj zgjohemi në mëngjes “si shqiptarë myslimanë, që beson në Amerikën, mendon si europian, ëndërron integrimin, por përjeton getoizimin”. Dalja prej kësaj situate është demokratizimi, që nuk e akuzon, por e kupton shekullarizimin.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X