loader image
June 13, 2024

A e duam demokracinë?

Shkruan: Ismail SINANI

“Demokracia dhe/ndër shqiptarët” është tema kujdestare që zhvillohet me vite prej te kafenetë më provinciale, e deri te institutet dhe akademitë shqiptare. Ndonëse si debat është i kahershëm, ai asnjëherë nuk po arrin të shteret. A ka demokraci në trojet shqiptare? A e kemi kuptuar drejt demokracinë? A e duam demokracinë? A kemi problem me demokracinë? Këto janë disa ndër pyetjet më të shpeshta që dëgjohen.

Nga shpallja e pavarësisë së Shqipërisë e këndej, shqiptarët duket se janë përballur me shumë probleme në ndërtimin e sistemit shoqëror. Botërisht është e ditur që deri në fillim të Luftës së Dytë Botërore, më saktë deri para okupimit italian, shqiptarët në Shqipëri nuk kanë bërë ndonjë jetë të rehatshme politike e, aq më pak, demokratike. Përjashtuar këtu periudhën e kohës së Ahmet Zogut, pjesa tjetër e asaj historie ka qenë shumë e ndërlikuar dhe e ngarkuar me shumë rrëzime e emërime të qeverive të ndryshme. Pas periudhës dyzetepesëvjeçare të komunizmit, Shqipëria përsëri po përballet me “sëmundjet e vjetra” të fillimishekullit të kaluar. Plot 33 vjet, “dhëmbëzorët politikë” nuk po gjejnë ujdi mes vete.

Pas “ardhjes së demokracisë”, një situatë e ngjashme po mbretëron edhe në Maqedoni të Veriut. Edhe në këtë vend, sidomos në kampin politik shqiptar, pushtetarët ose pushtetmbajtësit, nuk janë të prirë të heqin dorë nga pozicionet. Parashtrohet pyetja: vallë ku po qëndron problemi?

Ndërkohë, në Kosovë, ndonëse shteti më i ri në Europë, po shihet se pavarësisht “tensioneve politike”, sistemi demokratik megjithatë po funksionon më mirë. Ata që pretendohej se ishin “të përjetshmit e politikës” i braktisën postet. Pa dyshim që këtu ka rol edhe Gjykata Speciale, por marrë në përgjithësi, në Kosovë proceset zgjedhore, sidomos pas vitit 2008 e këndej, kanë qenë shumë më “skandinave” sesa në pjesën tjetër të Ballkanit në përgjithësi dhe në trojet tjera shqiptare në veçanti.

Pra, siç edhe mund të shihet, këtu është parashtruar një dilemë që në fillim, por që e njëjta mund të trajtohet ndaras për secilin “territor” shqiptar me specifikat e veta. Po kështu, çështja mund të trajtohet edhe në kontekst të historisë politike, duke marrë shembuj të jetës demokratike te shqiptarët. Por, ajo që është thelbësorja, është problemi i shqiptarëve me demokracinë. E ky fakt i pamohueshëm, është shumë i dhimbshëm.

Ndryshe nga popujt e tjerë, në këto 100 vjetët e fundit, ne nuk arritëm të zhvillohemi si një trup me të njëjtat paradigma shoqërore.

Shqiptarët e Shqipërisë, duke qenë të sunduar nga forma më brutale e komunizmit, kishin ndërtuar një narracion krejt ndryshe. Nëse për shqiptarin e Shqipërisë demokraci nënkuptonte më shumë bukë, për shqiptarin këndej kufirit nënkuptonte çlirim nga Serbia. Nëse për shqiptarin e Shqipërisë demokracia nënkuptonte arratisje drejt Italisë, për shqiptarin e ish Jugosllavisë demokracia nënkuptonte përgatitje për luftë… Dualizma të këtillë ka pa fund, por ajo që është emërues i përbashkët, është se as të parët e as të dytët nuk e kishin fort idenë se ç’është në të vërtetë demokracia. Ndryshe nga parafytyrimi se ky koncept politik është një paradhomë e parajsës së kësaj bote, ata nuk e dinin se tani po futeshin në një fazë krejt të re të ndërtimit të konceptit shtet, atdhe…

Ata nuk e kishin imagjinuar dot se “shteti i thellë”, i përbërë kryesisht nga të regjurit e ish sistemit, do të inkuadrohet në sistemin e ri, por në forma të ndryshme. Fillimisht e nisën me privatizimin e pronës, e gradualisht pastaj e “gllabëruan” politikën. Kurse gjyqësori, përmes prokurorëve që dikur i kishin shërbyer regjimit të vjetër, u rikthye në “formë” pa dhënë llogari për të bëmat e veta në të kaluarën. S’do mend se nuk mund t’i anashkalojmë edhe shumë nga “analistët” dhe “ekspertët” televizivë, që ndërtojnë narracionin e sotëm për demokracinë perëndimore, të cilët si andej kufirit, ashtu edhe këndej kufirit, zakonisht vijnë nga familje “shërbëtore” të ish regjimit.

Sikur e gjithë kjo nuk ka mjaftuar, në këtë proces, një rol të veçantë e kanë luajtur edhe “demokracitë perëndimore”, të cilat duke mos qenë të prekura emocionalisht nga e kaluara jonë antidemokratike, nuk kanë ngurruar që të bashkëpunojnë me bijtë dhe bijat e atyre që i kanë duartrokitur regjimit apo regjimeve të vjetra.

I futur në një rreth vicioz, sot shqiptari e ka shumë të vështirë ta kuptojë se çfarë në të vërtetë është të jesh demokrat.

Arma e fundit, media(t), e cila ndoshta do të mund të përdorej për ta mbrojtur dhe zhvilluar demokracinë, përmes oligarkëve, kaloi në duart e partive që u shërbejnë kauzave ekonomiko-kriminale. Kështu, përmes zhurmës mediatike, sot bëhen shumë muhabete për, gjoja, mbrojtjen e demokracisë, e në fakt luftohet për rikthimin ose mbajtjen në pushtet të atyre që e kontrollojnë paranë. Kështu është gjendja prej vitesh në Shqipëri. Kështu është edhe në Kosovë dhe, së fundmi, e kësaj natyre ishte dhe është në Maqedoni të Veriut.

Realisht, ne, si shqiptarë, nuk është se nuk e duam ndërtimin e shtetit. Atë e kemi përdëftuar që nga Lidhja e Prizrenit më 1878 e këndej. Defekti na paraqitet pasi ta ndërtojmë. Nga ai çast, si shumë herë, e kemi harruar shtetin dhe kemi vrapuar pas pushtetit (lexo: parasë).

Në këto 33 vjetët e fundit, për fat të keq, partitë politike si celulat bazë për mbajtjen gjallë të demokracisë, me përjashtime, kryesisht i janë qepur pas Bashkimit Europian, duke e ndërlidhur procesin demokratik me reformat që vijnë nga Brukseli. Miti i krijuar për BE-në, sot na ka sjellë në një fazë kur shumëkush ka nisur ta parashtrojë pyetjen nëse Perëndimi është aq i sinqertë sa edhe shprehet në deklarata. Dilemat e shumta janë paraqitur kur shihet se koncepti demokratik për Serbinë dhe Republikën Sërpskan është krejt ndryshe nga ai që u kërkohet Kosovës apo Maqedonisë së Veriut.

Këto padrejtësi njerëzore, të interpretuara si padrejtësi politike në emër të demokracisë, detyrimisht do të duhet të ngjallin debatin e munguar deri më tani, nëse demokracinë duhet ta kopjojmë apo ta ndërtojmë vetë. A kanë vullnet shqiptarët? Gjithsesi se po. Pastaj ne nuk kemi nevojë ta përbuzim veten deri në shkallë të mohimit të qenies sonë. Një popull që ka dhënë me dhjetëra kryeministra, ministra, gjeneralë e guvernatorë për një perandori për më se 500 vjet, nuk e ka problem edhe të konsolidohet.

Ata që i vendosën themelet e shtetit shqiptar nuk ishin të huaj, por ishin bashkëkombësit tanë. Dhe, po ata bashkëkombës e kuptuan menjëherë se “një satelit”, siç ishte Princ Vidi, nuk mund t’i dijë hallet tona më mirë se vetë ne.

Sot princat, sikurse Vidi, i kemi gjithandej nëpër Tiranë, Prishtinë e Shkup. Ata si mysafirë e të deleguar që janë, e kemi borxh edhe t’i respektojmë. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që ne gjithë konceptin tonë duhet ta ndërtojmë sipas tekeve të tyre. Europa duhet të jetë qëllim, por nuk mund të jetë gjithçka. Duhet ditur se demokracia në Europë nuk ka shkuar nga Norvegjia, por nga Ballkani, nga Athina. Prandaj pse gjithë ky kompleks inferioriteti?

Telashet janë këtu, përballë nesh. Problemet nuk zgjidhen nga lart poshtë. Shqiptarët, sikurse të gjithë popujt e tjerë, e kanë patjetër të përballen me vetveten. Ndryshimi në perceptimin e demokracisë domosdo do të vijë, në mos pastë ardhur. Oligarkët gjithkund janë të zhurmshëm. Ata nuk e duan lirinë, e duan fuqinë. A do të fitojnë? Vise-vise kanë filluar ta humbin fuqinë… A do të zhduken? Jo. Çfarë do të bëjnë? Do të rigrupohen? E pastaj? Pastaj do ta rifillojnë luftën në emër të demokracisë, për ta vendosur regjimin. Cikli vazhdon… lufta për demokraci vazhdon… e njerëzit e mençur nuk dorëzohen.

(Editoriali i Revistës SHENJA)

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X