loader image
October 5, 2024

Çështja maqedone mes Rusisë dhe NATO-s

Në vitin 2008 Gruevski u bë kryeministër me ndihmën e Ali Ahmetit dhe vazhduan bashkë deri në 2016. Sipas shumë studimeve të publikuara ndërkombëtarisht, gjatë qeverisjes së tyre Maqedonia ndryshoi qëndrim gjeopolitik, prej një vendi proeuropian dhe pro-NATO u bë një vend prorus, proserb dhe antiperëndimor.

 

Arbër ZAIMI, Tiranë

 

“’Çështja Maqedone’ nuk vdes kurrë.”, shkruante një analist i CIA-s amerikane në vitin 1968. Në fakt, kjo çështje prezantohet si temë kyçe sa herë që diskutohet për Ballkanin në kancelaritë europiane e jo vetëm, qysh prej shekullit XIX, kur u bë e qartë se Perandoria Osmane nuk do të mund të vazhdonte gjatë. Në këtë shkrim nuk do të trajtojmë argumentet e zakonshme mbi të drejtën historike të maqedonëve, serbëve, grekëve, bullgarëve, shqiptarëve ose edhe vllahëve e rumunëve. Pra, nuk do të shkojmë në thellësitë e mesjetës, kur sllavët u dyndën në Ballkan, e as në diskutim të politikave bizantine e postbizantine. As nuk do të flasim për politikat moderne, konfliktet mes bullgarëve e serbëve prej Traktatit të Shën Stefanit e deri në Luftën e Dytë Botërore ose për krijimin e identitetit nacional maqedonas me përkujdesjen e veçantë të Titos e për inat të komunistëve bullgarë. As nuk do të flasim për diskriminimin e vazhdueshëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, herë të regjistruar si turq e të përzënë për në Turqi, herë të deterritorializuar e të shpërngulur prej tërmeteve të mëdha që shfrytëzoheshin më pas për të ndryshuar raportet etnike, e herë të getoizuar në lagje, qytete e fshatra që liheshin me qëllim të prapambetur. Pra, nuk do të flasim për këto gjëra. As për luftën e shqiptarëve në fillim të shek. XXI nuk do të flasim, e cila mbase ka qenë e vetmja luftë, që edhe pse prodhoi fitore për njërën palë, nuk prodhoi asnjë rezultat territorial. Pra, fitorja na u llogarit si barazim.

Do të flasim për diçka që ka ndodhur disa vjet pas luftës. Në vitin 2004 shteti i Ballkanit Lindor, Bullgaria, hyri në NATO. Një prej efekteve më pak të diskutuara të këtij eventi, ishte një “revolucion” brenda partisë nacionaliste maqedone, VMRO. Pikërisht në vitin 2004 kryeministri i dikurshëm dhe kryetari e themeluesi i asaj partie, Lubço Gjeorgievski, u përjashtua dhe u detyrua të krijojë një parti të re e shumë më të vogël. Arsyeja e përjashtimit: fakti që ishte filobullgar.

Me hyrjen e Bullgarisë në NATO, Rusia më nuk mund të ndërhynte lehtë në politikën maqedone përmes atij Sofjes. Duhej gjetur një vend tjetër prej nga do të mund të ushtrohej drejtpërdrejt ndikimi rus në këtë vend kaq delikat në qendër të Ballkanit. Fqinji jugor, Greqia, ishte prej kohësh anëtar i NATO-s, ndërsa në perëndim e në veriperëndim të Maqedonisë ishin Shqipëria e Kosova, të cilat ndoshta janë vendet më pro-NATO në gjithë kontinentin.

E vetmja rrugë për interesat ruse në Ballkan mbetej Serbia. Një vit përpara se Bullgaria të futej në NATO, edhe në Serbi ishte një kryeministër me prirje properëndimore dhe pro-NATO. Ai ishte Zoran Xhingjiqi, të cilin e vranë teksa po hynte në ndërtesën e qeverisë në mars të 2003. Vrasësi ishte një ish komandant i policisë speciale me nofkën “Gjarpri”, urdhëruesi ishte një mafioz paramilitar me nofkën “Legia” i përfshirë në krimet dhe gjenocidet që Serbia kishte bërë gjatë viteve ´90 në gjithë Ballkanin Perëndimor. Pas vrasjes së Xhingjiqit, të gjithë drejtuesit e Serbisë ishin me këmbëngulje anti-NATO. Prandaj në 2004, kur Bullgaria hyri në NATO, nga pikëpamja ruse ishte e kuptueshme që nacionalizmi maqedonas nuk mund të vazhdonte të qëndronte i lidhur me Bullgarinë, por duhej të lidhej me Serbinë. Prandaj u përzu nga VMRO Lubço Gjeorgievski dhe u ngrit lart Nikolla Gruevski.

Që nga ajo kohë, pjesa etnike maqedone është dominuar nga VMRO-ja e nga LSDM-ja, me një numër në mos të barabartë, të krahasueshëm votash. Në vitin 2008 Gruevski u bë kryeministër me ndihmën e Ali Ahmetit, dhe vazhduan bashkë deri në 2016. Sipas shumë studimeve të publikuara ndërkombëtarisht, gjatë qeverisjes së tyre Maqedonia ndryshoi qëndrim gjeopolitik, prej një vendi proeuropian dhe pro-NATO, u bë një vend prorus, proserb dhe antiperëndimor. Në vitin 2017 Gruevski, tashmë në opozitë, e kundërshtoi traktatin e Maqedonisë me Bullgarinë, ndërsa në vitin 2018 e kundërshtoi edhe Marrëveshjen e Prespës. Arsyeja është e qartë – këto dy marrëveshje e hapën rrugën integrimit të Maqedonisë në NATO dhe e vunë në rrezik ndikimin serb e rus në Maqedoni. Po në vitin 2018 Nikolla Gruevski u dënua nga gjykata për korrupsion dhe u arratis për në Hungari, ku mori azil e mbrojtje nga udhëheqësi i atij vendi, Viktor Orbani, që konsiderohet si lideri më prorus brenda Bashkimit Europian dhe NATO-s. Në vitin 2020 Maqedonia e Veriut u fut në NATO, ndërsa në vitin 2022 Gruevski u sanksionua edhe nga SHBA.

Por çfarë ka ndodhur? Ndikimi serb e rus, përmes medias dhe bizneseve, por edhe përmes taktikave hibride të dezinformimit, përmes manipulimeve politike, nacionaliste e fetare, krijoi në pjesën e maqedonasve etnikë polarizim ekstrem. Në zgjedhjet që do të mbahen në muajin maj të vitit 2024, sondazhet dhe studimet e opinionit tregojnë se ekzistojnë gjasa të mëdha që LSDM-ja ta arrijë minimumin e vet historik, teksa votuesi maqedon ka shkuar në masë të madhe drejt VMRO-së. Shqetësues është fakti se është rritur edhe një parti dikur e vogël e me tendenca fashisto-staliniste, e quajtur LEVICA. Sondazhet thonë se ekziston mundësia teorike që kjo parti, e shquar për qëndrimet e saj të ashpra antishqiptare, të dalë e dyta tek votuesi etnik maqedonas, duke lënë LSDM-në në vendin e tretë. Skema duket e ngjashme me atë që kanë përdorur shumë parti të së djathtës ekstreme, të cilat kanë nxjerrë një subjekt edhe më radikal se vetja për të normalizuar vetveten. Millosheviqi dikur thoshte se unë jam normal po të më krahasoni me Sheshelin (Shesheli dhe partia e tij luan të njëjtin rol edhe sot si normalizues i Vuçiqit). Viktor Orbani, që përmendëm më lart, e përdori partinë e ashpër nacionaliste JOBBIK si normalizuese të forcimit të pushtetit të tij dhe të partisë FIDESZ. Pra, skema është e njëjtë. Opinioni etnik maqedonas i hegjemonizuar prej Beogradit tashmë duket se po ndjek rrugën e Vuçiqit, të cilën e përcakton Putini.

Perëndimorët, me në krye amerikanët, natyrisht janë të shqetësuar nga këto ndodhi. Shqetësimi është i arsyeshëm, sidomos parë nga këndvështrimi ynë si shqiptarë. Por, zgjidhja që perëndimorët këshillojnë është e diskutueshme. Ata duket sikur propozojnë që partitë etnike shqiptare të bëhen bashkë për ta shpëtuar LSDM-në, pra të gjithë bashkë kundër VMRO-së. Por, një lëvizje e tillë ç´efekt do të prodhonte? A nuk do të barrikadoheshin edhe më shumë votuesit maqedonas në pozicionin e tyre antiperëndimor? A nuk do të zvogëlohej edhe më shumë LSDM-ja? A nuk do të prodhoheshin edhe më shumë tensione të brendshme në Maqedoni? Kushdo që e njeh sadopak historinë dhe antropologjinë sociale të Ballkanit, e di se përgjigjja fatkeqësisht është po.

Zgjidhja nuk mund të jetë kjo, sepse nëse dikur ekuilibri politik në Maqedoni ka qenë 30% VMRO, 30% LSDM, 30% shqiptarët dhe 10% parti të tjera, sot ky ekuilibër ka ndryshuar shumë për shkak të rritjes së VMRO-së dhe zvogëlimit të LSDM-së. Një aleancë e madhe kundër VMRO-së do të sillte bashkimin e VMRO-së me LEVICA-n dhe do të mund të shkaktonte edhe fitoren e atyre kundër gjithë të tjerëve. Por, edhe po të humbte zgjedhjet VMRO-ja e LEVICA, do të kishim një qeveri të paqëndrueshme, pasi në opozitë do të mbetej një shumicë e konsiderueshme e maqedonasve etnikë.

Nëse duam të jemi krejt të sinqertë në analizat tona, zgjidhjet nuk mund të jenë ad hoc, as nuk mund të jenë të diktuara nga urgjenca e nga ankthi. Problemi i politikës maqedonase rrënjën e ka në Moskë, ndërsa rruga kalon nga Beogradi. Nëse perëndimorët dëshirojnë të ruajnë Maqedoninë si vend demokratik e prej ndikimit rus, atëherë duhet të ndërpresin ndikimin serb. Por, është e pamundur të ruhet në të njëjtën kohë edhe drejtimi properëndimor i Maqedonisë, edhe të përkëdhelet Vuçiqi e regjimi i tij në Beograd. E pamë në vitin e shkuar në Mal të Zi se si hezitimi perëndimor për t´i ndërprerë fijet dhe rrugët që çonin në Beograd, sollën në pushtet forca proruse në atë vend të NATO-s. Nëse nuk trajtohet si shqetësim serioz rritja e planifikuar e ndikimit të Vuçiqit e të Beogradit, atëherë nuk ka as adresim serioz të rritjes së ndikimit rus në rajonin e Ballkanit.

Nga ana tjetër, ndryshe nga Mali i Zi, në Maqedoni ka faktorë të cilët do të mund ta kufizonin pushtetin e Beogradit. Të gjitha partitë e mëdha opozitare shqiptare, të cilat aktualisht drejtojnë komunat më të mëdha shqiptare, Tetovën, Gostivarin e Çairin, po dalin të bashkuara në këto zgjedhje. Ato nuk i mbështet BDI-ja e Ali Ahmetit, subjekti i cili ka qenë në pushtet për 22 vitet e shkuara e që, megjithatë, nuk e ka ndalur rritjen e ndikimit serb e rus në Maqedoni. Opozita e bashkuar shqiptare, koalicioni VLEN, shprehet se do të veprojë në koordinim të plotë më SHBA-në dhe BE-në, por edhe me Tiranën e Prishtinën. Ndoshta mund të jetë ky mekanizmi i duhur për t´i ndërtuar digë hegjemonisë ruso-serbe në Maqedoninë e Veriut.

Vesna Pusiq, ish ministre e jashtme e Kroacisë, kohët e fundit ka dhënë perspektivë interesante për problemet e anëve tona. Ajo nuk është dakord me politikën që perëndimi po ndjek ndaj Serbisë, me butësi e ledhatim për Vuçiqin.

Znj. Pusiq thotë kështu: “Për ta marrë Serbinë në anën e perëndimit, duhet ta rrethojnë atë me shtete të suksesshme. Në vend se të plotësohen tekat e paarsyeshme të saj, duhen forcuar vendet fqinje. Nga kjo konkurrencë Serbia do të detyrohet që t’i afrohet perëndimit”. Duket sugjerim i arsyeshëm.

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X