loader image
December 4, 2024

Bektashistani, çallmat misterioze

Shkruan: Ismail SINANI

Teksa po zhvillohet lufta shfarosëse në Gaza, por edhe në Liban, në njërën prej ditëve vritet një epror i lartë ushtarak, komandanti i brigadës tankiste 401, koloneli Ehsan Daxa. Kjo vrasje e këtij eprori, në shikim të parë, u ngjante qindra të tjerave me shumë foto “lavdëruese” të shkrepura nga ana e tij para se të vritej, duke hedhur në ajër shtëpitë e palestinezëve, duke torturuar shumë civilë e, gjithsesi, duke vrarë shumë prej tyre.

Në një kohë kur për këtë pjesë të botës është bërë normale të shohësh trupa civilësh të shkallmuar, binte në sy nderi i madh që i bëhej këtij (ish) koloneli, tashmë i shpallur “Hero i Izraelit”, binte në sy ceremonia e varrimit të tij… binte në sy “safi” i pari i “xhematlinjve” prej te ministri i Mbrojtjes, që më 7 tetor 2023 tha se “Gazën duhet fshirë nga sipërfaqja e dheut, pasi që palestinezët nuk janë njerëz.”, e deri te shumë prijës fetarë me çallma në kokë, që dukeshin edhe se janë muslimanë, edhe se s’janë muslimanë. Shikuar nga çallmat, dukeshin dervishlerë, por shikuar nga mjekrat, më shumë dukeshin rabinë, jo prej atyre që janë ortodoksë e antisionistë, por prej atyre që me “versete fetare” e argumentojnë se “është hallall të vriten fëmijët palestinezë”. Vetvetiu para një pamje të tillë “të larmishme”, parashtrohet pyetja se ç’janë këta njerëz që duken se janë muslimanë e në fakt s’janë?!

Ata janë druzët, në sekt i krijuar në shekullin e njëmbëdhjetë. Në gjithë botën flitet se janë diku rreth dy milionë e gjysmë. Ca janë të vendosur në Liban, ca në Siri, ca në Irak, ca të shkapërderdhur nëpër botë dhe mbi 100 mijë gjenden në Izraelin e sotëm. Të gjithë e flasin arabishten, por edhe gjuhën vendëse, varësisht se ku gjenden. Nuk u besojnë profetëve Isa dhe Muhamed, besojnë në Zot, thonë se i njëjti është shfaqur nëntë herë në tokë, e kanë një person që thonë se është trupëzim i Zotit mbi tokë, porse i njëjti ka vdekur para një mijë vjetësh. Nuk kanë tempuj, ithtarët e tyre nuk i lënë të kenë kontakt me “letrat e shenjta”, madje i quajnë edhe “xhahilë”, ndërsa prijësit fetarë zhvillojnë ca ceremoni lutjesh në fshehtësi të plotë, pak a shumë të ngjashme me ato të masonëve. Kanë ca shenja me të cilat e njohin njëri-tjetrin, kuptohet këtë privilegj e kanë vetëm prijësit fetarë. Nuk parapëlqejnë të bëjnë martesa me të tjerët, ama kohëve të fundit për shkak se është shtuar numri i kushërinjve, dalin edhe “n’derë t’huaj”. Nuk hanë mish derri, nuk pinë alkool, ama nuk e respektojnë Ramazanin, nuk falen dhe nuk shkojnë në haxh. Emrat i kanë muslimanë, ama janë besnikë të Izraelit…

S’ka më keq kur dikush hedh gurë në bunarin nga i cili të gjithë pinë ujë.

21 shtatori i vitit 2024 për Shqipërinë dhe gjithë shqiptarët do të ishte një datë e rëndomtë sikurse çdo ditë tjetër, me hallet e dertet e zakonshme, po të mos ishte një artikull bombastik në gazetën amerikane “The New York Times”: “Shqipëria planifikon një shtet të ri musliman brenda kryeqytetit të saj”. Pa pasur nevojë për të hyrë në brendi të tekstit, vetëm titulli në vetvete ishte dhe vazhdon të jetë shokues! Nuk kalojnë disa orë, kur me të njëjtin ton shokues del para opinionit edhe Edmond Brahimaj, alias Baba Mondi, dhe thotë hapur para botës se ai dëshiron një shtet bektashi, në të cilin do të promovohej islami liberal, ku gratë do të mund të ecnin sipas qejfit, me çfarëdo veshjesh që të donin, dhe do të mund të pihej alkool. Mes tjerash, ai tha se do ta kenë edhe shërbimin e vet sekret!

Ideja për themelimin e “Shtetit Bektashi”, erdhi si rrufe në qarqet politike, mediatike dhe intelektuale shqiptare. Siç u tha, fillimisht përmes gazetës amerikane “The New York Times”, e më pas përmes fjalimit të kryeministrit shqiptar Edi Rama në OKB, i zuri të gjithë në befasi.

Ndonëse tashmë kanë kaluar disa javë, askush nuk po arrin të japë një përgjigje të saktë se ç’është ajo që e shtyri kryeministrin të dalë më një ide të këtillë kaq atipike. Dilemat janë të shumta, që prej atyre konspirative, e deri tek ato që mundohen në të të gjejnë një këllëf se pse Shqipëria duhet të gjejë pak tokë nga hapësira e saj për të lejuar themelimin e një shteti shtesë në tokat arbërore.

Pavarësisht kësaj, nuk janë të paktë edhe ata që druajnë se kjo ide mund të ndikojë drejtpërdrejtë në harmoninë fetare ndër shqiptarët, të kultivuar ndër shekuj.

Megjithatë, ne si revistë jemi përpjekur që, përmes analizave dhe eseve të shumta, ta shpjegojmë idenë në fjalë: çfarë u sjell shqiptarëve e çfarë shtetit shqiptar?; a mund të ketë dorë në këtë projekt ndonjë apo disa fuqi të huaja?; a rrezikohet stabiliteti intrashqiptar?; a mund të shërbejë kjo ide për krijimin e shteteve të tjera fetare në kuadër të Shqipërisë?; një shtet i tillë a mund të rrezatojë tolerancë?; a cenohet sovraniteti, që sipas kushtetutës është i pacenueshëm… etj., etj.

Në vazhdën e këtyre dilemave janë edhe këto:

– Si mund të reflektojë precendenca e krijimit të një shteti teokratik në një shtet demokratik në kushte kur prej më shumë se dyqind vjetësh, që prej Revolucionit Francez e këndej, të gjitha shoqëritë europiane janë stimuluar në forma më të ndryshme për ta krijuar shtetin sekular si supervlerë?;

– Krijimi i një shteti teokratik në Europë (Ballkan) a e hap mundësinë për shtete të reja teokratike, pasi që në këtë rast këto kërkesa nuk do të ishin të paimagjinueshme?;

– Tërheqja e vullnetshme nga sovraniteti shtetëror si precendencë, përveç interpretimit si tradhti në kuptimin politik, e hap edhe dilemën se a i lejohet këtë ta bëjë edhe dikush tjetër nesër?;

– Krijimi i një religjioni të ri (që nuk përmbush asnjë kriter teologjik për të qenë religjion) legjitimon që secili ta mbledhë një “xhemat” dhe të shpallë një fe dhe pastaj, përmes akrobacioneve (gjeo)politike, ta krijojë edhe një shtet;

– Bektashizmi është fe pa teologji – nuk ia njohim medresetë, fakultetet, shkrimet… cila është doktrina që të shpallet fe më vete?;

– Një komb që duhet bashkuar mbi sekularizmin e projektuar nga rilindësit (edhe bektashinj) sot po ndahet nga sekularistët, duke i amputuar shtet teokratik në zemër të kombit.

Këto dhe të tilla dilema do të mund të lexohen në shumë analiza në vijim. Dhe, vijmë te fillimi…

Për çudinë e të gjithëve, në një kohë kur bota si kurrë më parë gjendet para një udhëkryqi të madh, përballë Luftës së Tretë Botërore, me epiqendër në Jerusalem, gazeta e djathtë hebraike me po këtë emër “The Jerusalem Post”, tani kur shteti i tyre është më në rrezik se kurrë më parë që nga themelimi e këndej, gjen kohë të zhvillojë një intervistë me Baba Mondin. Intervista është me tone shumë të buta, tejet të buta dhe me një titull bombastik: “Religious leader of Albania: ‘I consider myself a brother of the people of Israel’ – exclusive” (Lideri religjioz nga Shqipëria: ‘Unë e konsideroj veten vëlla të popullit të Izraelit’ – ekskluzive”…

Në vend të mbylljes, edhe tri pyetje të tjera: si ndodhi që “The New York Times” të merret me një ide kaq të madhe të një populli kaq të vogël?; pse ndodhi pikërisht një ditë para se Rama të mbante fjalim (22 shtator) në OKB, kur para liderëve të botës u tha se “shteti i tij, përmes bektashinjve, promovon një Islam modern”, sikur Islami i shqiptarëve dhe i muslimanëve të botës qenka antimodern; dhe si ndodhi që n’kohë t’luftës gazeta hebraike “The Jerusalem Post” të ndajë kohë për një “çështje islame”?

Edhe udhëheqësit e druzëve mbajnë çallma. Edhe ata duken sufistë, ama në realitet janë misteriozë. Jo mistikë!

(Editoriali i revistës “Shenja”)

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X