Çështja që ka ngjallur debate në opinionin publik dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës është ajo që përcakton se lejohen bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me gjini të njëjtë dhe se kushtet dhe procedura rregullohen me ligj të veçantë (neni 1138/2).
Ditar KABASHI, Prizren
Martesa është institucion juridik, por edhe shoqëror. Kushtetuta e Kosovës e garanton të drejtën e martesës dhe të familjes dhe afirmon që, në bazë të pëlqimit të lirë, çdokush gëzon të drejtën të martohet dhe të drejtën që të krijojë familje në pajtim me ligjin; që martesa dhe zgjidhja e saj rregullohen me ligj dhe bazohen në barazinë e bashkëshortëve; dhe se familja gëzon mbrojtje të veçantë të shtetit, në mënyrën e rregulluar me ligj (neni 37).
Sikundër që vihet re, kushtetuta udhëzon për te ligji saktësimin e temave që kanë të bëjnë më martesën dhe familjen. Ndërkaq, Ligji për Familjen në Kosovë është relativisht i vjetër, i nxjerrë në vitin 2004, para shpalljes së pavarësisë, dhe i ndryshuar një herë në vitin 2019. Prej vitesh, përflitet hartimi i një kodi civil, dokument i cili do t’i kodifikonte në mënyrë të përmbledhur dhe do t’i harmonizonte dispozitat juridike që rregullojnë marrëdhënie të natyrës civile (detyrimet, martesa, trashëgimia, e drejta sendore), duke i dhënë fund legjislacionit të hapërdarë të kësaj fushe. Në vitin 2022 në Kuvendin e Kosovës është votuar për projektkodin civil, por nuk është miratuar në mungesë votash të duhura.
Parimet e përgjithshme për familjen
Libri i katërt i projektkodit civil ka paraparë rregullimin e çështjeve bazike nga e drejta familjare.
I frymëzuar nga neni 24 i kushtetutës, që e specifikon barazinë para ligjit, projektkodi civil sanksionon trajtimin e barabartë për të gjithë personat, duke theksuar se nuk ka diskriminim të drejtpërdrejtë apo të tërthortë[i] ndaj asnjë personi apo personave në bazë të gjinisë, moshës, gjendjes martesore, gjuhës, paaftësisë për të gjykuar apo fizike, orientimit seksual, përkatësisë apo bindjeve politike, prejardhjes etnike, kombësisë, religjionit apo besimit, racës, prejardhjes shoqërore, pronës, lindjes apo gjendjes tjetër (neni 1128). Të drejtat e barabarta vlejnë për çiftin bashkëshortor meqenëse neni 1127 potencon se burri dhe gruaja kanë të drejta të barabarta. Ata i detyrohen njëri-tjetrit për respekt dhe ndihmë të ndërsjellë. Kjo vlen edhe për bashkëjetesën e një burri dhe një gruaje. Burri dhe gruaja bartin të drejtat dhe detyrimet e njëjta ndërmjet vete në të gjitha marrëdhëniet juridiko-familjare, e veçanërisht lidhur me kujdesin prindëror.
Përkufizimi ligjor i martesës
Projektkodi civil e definon martesën si “bashkësi e regjistruar ligjërisht ndërmjet dy bashkëshortëve të sekseve të ndryshme, me anë të së cilës ata lirshëm vendosin që të jetojnë së bashku si burrë e grua. Martesa është bashkësi jetësore e vazhdueshme e burrit dhe gruas, ligjërisht e rregulluar. Martesa lidhet me dhënien e pëlqimit të burrit dhe gruas dhe nënshkrimin e tyre para zyrtarit të gjendjes civile.“ (neni 1138/1). Nga kjo dispozitë nxirren dy kuptime elementare: së pari, martesa, me të gjitha tiparet dhe efektet juridike që i bart, konsiderohet legale vetëm nëse lidhet midis dy personave me gjini të kundërt dhe, së dyti, vlefshmëria e martesës vjen në shprehje kur ka pëlqim të dyanshëm të çiftit dhe formalizim para ofiqarit zyrtar.
Në paragrafin e tretë të nenit të sipërpërmendur mbrohet e drejta e bashkëshortëve që të lidhin martesë dhe të formojnë familje pa ndonjë kufizim në bazë të racës, kombësisë ose religjionit dhe se, po kështu, ata janë të barabartë gjatë lidhjes së martesës, vazhdimit të martesës dhe zgjidhjes së saj.
Në anën tjetër, çështja që ka ngjallur debate në opinionin publik dhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës është ajo që e përcakton se lejohen bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me gjini të njëjtë dhe se kushtet dhe procedura rregullohen me ligj të veçantë (neni 1138/2).
Bashkësitë e regjistruara
Praktikat krahasuese mbi bashkësitë e regjistruara shfaqin diversitetin e këtij institucioni të ri juridik. Disa shtete nuk e njohin fare këtë institucion, disa të tjerë po, mirëpo jo në formë krejtësisht të njëjtë për nga kushtet dhe pasojat ligjore që rezultojnë. Duke pasur parasysh këtë divergjencë, nuk mund të jetë i lehtë përkufizimi i tij dhe i faktorëve që përcaktojnë një bashkësi të tillë në një rend juridik.
Vështruar në të drejtën krahasimtare, ekzistojnë disa kritere formale që e saktësojnë domenin e bashkësive të regjistruara.
Kushti themelor për vlefshmërinë e bashkësisë së regjistruar është që palët nuk mund të jenë të përfshira aktualisht në asnjë status tjetër bashkimi, qoftë martesë a formë tjetër.
Një kusht tjetër për bashkësi të regjistruar ka të bëjë me gjininë. Gjersa disa shtete e njohin këtë formë të bashkësisë vetëm për çiftet homoseksuale, disa të tjera ua njohin këtë të drejtë edhe çifteve heteroseksuale.
Një kriter që vendoset në rendet juridike është vendosja e moshës minimale për bashkësi të regjistruar, që rëndom konsiston të jetë e njëjtë me moshën e lejuar për martesë.
Kusht kufizues mund të jetë edhe krushqia, përkatësisht afërsia familjare në bazë të gjakut deri në një shkallë të caktuar, siç janë rastet në martesë.
Efektet juridike të bashkësive të regjistruara
Statusi i bashkësisë së regjistruar ndikon në të drejtat reale të çiftit. Disa shtete u njohin çifteve në bashkësi të regjistruar tagrin për të lidhur kontrata në lidhje me pronën e tyre.
Një efekt juridik i përfitimit të statusit të bashkësisë së regjistruar shfaqet në çështjet financiare. Ndonëse secili shtet nuk zbaton rregulla të njëjta, ata që gëzojnë statusin e bashkësisë së regjistruar i nënshtrohen disa trajtimeve të veçanta në çështjet financiare, si p.sh. në Holandë, ku çiftet në bashkësi të regjistruar përfitojnë nga lehtësirat tatimore dhe financiare, njëjtë sikurse përfitojnë çiftet e martuara. Ngjashëm edhe në Francë, personat në bashkësi të regjistruar trajtohen barabartë me çiftet e martuara në çështjet financiare, si: puna dhe pagat, sigurimi shëndetësor, të drejtat e lehonisë, etj.
Efekt juridik në bashkësinë e regjistruar do të kenë edhe të drejtat dhe detyrimet që rrjedhin nga e drejta familjare dhe njëra ndër to është çështja e adoptimit të fëmijëve, sidomos kur bëhet fjalë për bashkësitë e regjistruara të çifteve homoseksuale. Në të drejtën krahasuese shihet se ka dispozita që ua ndalojnë çifteve të tilla të adoptojnë fëmijë. Fjala vjen, në Danimarkë e Zvicër, çifteve me gjini të njëjtë në bashkësi të regjistruar u ndalohet të adoptojnë fëmijë bashkërisht. Një tjetër qasje ndaj adoptimit shfaqet në të drejtën gjermane, ku edhe pse çiftet në bashkësi të regjistruar nuk kanë të drejtë të adoptojnë bashkërisht, njëri prej çifteve ka të drejtë ta adoptojë fëmijën e tjetrit.[ii] Bashkësia e regjistruar, duke qenë një institucion juridik edhe në të drejtën hungareze, u njeh të drejta çifteve homoseksuale dhe heteroseksuale në bashkësi të regjistruar, përfshirë pasojat pasurore, porse çifti i tillë nuk mund ta mbajë mbiemrin e njëri-tjetrit dhe as të adoptojë bashkërisht një fëmijë.[iii] Shteti holandez lejon adoptimin e fëmijëve nga ana e çifteve me gjini të njëjtë. Në një studim analitik të bërë mbi efektet e martesave me gjini të njëjtë në Holandë, është konstatuar se bashkësia e regjistruar është krijuar për të qenë pothuajse identike me martesën. Bazuar në pasojat juridike në këtë shtet, dalin në pah tri dallime midis çifteve heteroseksuale dhe atyre homoseksuale. Së pari, p.sh. një burrë i martuar njihet automatikisht si babai i një fëmije të lindur në atë martesë, ndërsa një burrë në një bashkësi të regjistruar duhet të kërkojë në mënyrë eksplicite adoptimin e fëmijës. Së dyti, të dyja lidhjet mund të zgjidhen në gjykatë, por bashkësitë e regjistruara mund të zgjidhen në zyrën e gjendjes civile me marrëveshje reciproke. Së fundmi, çifteve në bashkësi të regjistruara u ndalohet përfshirja në adoptim me element të huaj. Megjithatë, ky kufizim mund të anashkalohet nga një partner që adopton fëmijën si një individ i vetëm dhe partneri tjetër e adopton më pas fëmijën si partner i prindit adoptues.[iv]
Quo vadis e drejta familjare?
E drejta familjare, si disiplinë shkencore dhe si e drejtë pozitive që bën pjesë në sistemin juridik të secilit shtet, ka përjetuar transformime për shkak se vetë familja ka pësuar zhvillime të ndryshme përgjatë historisë.
Dukuritë si bashkëjetesa dhe marrëdhëniet bazuar në lirinë e orientimit seksual, në kohët e sotme janë përhapur dhe janë kthyer në platforma publike. Kur fenomenet e caktuara gjejnë zbatim të gjerë dhe prodhojnë komunitete të caktuara, atëherë lind nevoja e rregullimit normativ për zbatimin e atyre fenomeneve. Kjo është detyrë e shtetit. Ndërkaq forma se si rregullohen dhe cilët do të jenë kufijtë e ushtrimit të një të drejte është shprehje e vullnetit politik të shumicës qeverisëse.
U tha që projektkodi civil parasheh që çështjet përkitazi me bashkësitë e regjistruara civile ndërmjet personave me gjini të njëjtë do të rregullohen me ligj të veçantë (neni 1138/2). Deri më tani (janar 2024) nuk është parë ndonjë version i draft-ligjit që do ta rregullonte këtë sferë. Gjithsesi, ligji duhet të jetë tejet konciz, i qartë dhe larg ambiguiteteve juridike. Para së gjithash, kjo ka të bëjë me transparencën para qytetarëve dhe me sigurinë juridike. Çdokush duhet ta dijë saktësisht se çfarë të drejtash i takojnë.
Modelet e aplikuara në disa vende të botës mund të shërbejnë si udhërrëfyes, por nuk duhet kopjuar dispozitat duke shpërfillur strukturën sociale të vendit. Edhe ashtu nuk ekziston një model i vetëm i rregullimit të bashkësive të regjistruara, madje as në truallin europian, mes shteteve fqinje.
Bashkësia e regjistruar, si institucion i ri juridik, kërkon vëmendje të shtuar për njohjen potenciale në rendin juridik të Kosovës dhe – meqenëse e afekton të drejtën familjare – duhet t’i nënshtrohet debatit të gjerë, por veçanërisht diskutimeve në nivel profesional të juristëve, sociologëve, psikologëve dhe palëve të interesuara. Përfshirja ose refuzimi i bashkësisë së regjistruar në strukturën normative (bashkë me gamën e saj) duhet bërë pas shterjes së analizave dhe argumenteve nga të gjitha aspektet dhe assesi në formë arbitrare, qoftë edhe përmes legalizimit me numra në Kuvend.
[i]Sipas Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi (Nr. 05/L -021), diskriminim i drejtpërdrejtë konsiderohet kur një person trajtohet në mënyrë më pak të favorshme sesa trajtohet një person tjetër në një situatë të krahasueshme, ndërsa diskriminim i tërthortë konsiderohet kur një dispozitë, kriter apo praktikë e paanshme në dukje e vë personin në pozitë të pabarabartë krahasuar me të tjerët, përveç në rastet kur këto mund të arsyetohen në pikëpamje objektive me një qëllim dhe mjete legjitime, të përshtatshme dhe të domosdoshme (neni 4/1).
[ii]Sirmen, Kâzım Sedat. “Eş Cinsel Birliktelikler ve Bunların Kanunlar İhtilafı Hukukunda Düzenlenişi”. Ankara Üniversitesi Hukuk Fakültesi Dergisi, 2009, C: 58 S: 4, 825 – 880, f. 832-833.
[iii]Szeibert-Erdős, Orsolya. “Same-sex partners in Hungary Cohabitation and registered partnership”. Utrecht Law Review, 2008, Vol. 4, Issue 2, f. 219.
[iv]Më hollësisht, shih: Trandafir, Mircea. “The Effect of Same-Sex Marriage Laws on Different-Sex Marriage: Evidence From the Netherlands”. Demography, Vol. 51, No. 1, 2014, Duke University Press, pp. 317-340.