loader image
December 12, 2024

Familja, “institucioni” më i rëndësishëm për ruajtjen e shqipes në diasporë

Mësimi i gjuhës amtare nuk është thjesht çështje patriotizmi, por nënkupton shumë më tepër. Kjo gjuhë është mjeti realitet-formues që vetëm e zhvillon fëmijën, sepse mësimi i çdo gjuhe e pasuron kulturën. Po ashtu, njohja e shqipes ndikon për krijimin e një lidhjeje më të fortë emocionale me rrënjët dhe i bën anëtarët e familjes më solidarë edhe në realitetin e huaj, duke ua mbajtur të pacenuar vetëdijen kombëtare.

Jolanda LILA, Tiranë

Gjatë tre dekadave të fundit, gjithnjë e më tepër, në vendin tonë po zbehen marrëdhëniet ndërfamiljare dhe ndërfisnore. Shkaqet e këtij fenomeni lidhen me një shumësi faktorësh, por faktori kryesor qëndron në kalimin nga një shoqëri me tipare kolektive tek një shoqëri moderne ose, e thënë ndryshe, nga një shoqëri ku gjithnjë ka një autoritet dhe një person të parë në familje, zakonisht mashkulli i parë i familjes, tek një shoqëri ku të gjithë anëtarët e familjes shestojnë të kenë të drejta të barabarta dhe pavarësi e liri veprimi dhe mendimi. Zbehja e autoritetit prindëror në emër të lirisë individuale, ndryshimi i stilit të të jetuarit, zhvillimi i jashtëzakonshëm i mjeteve teknologjike, por edhe distancat e largëta fizike, të cilat kanë ardhur si rrjedhojë e përhapjes së emigracionit të shqiptarëve, anekënd botës, e kanë shembur në mënyrë të parikuperueshme murin mbajtës të familjes tradicionale shqiptare.

Edhe në vitin 2023, sipas Eurostat-it, Shqipëria vijon të renditet në listën e vendeve me nivelin më të lartë të emigracionit të popullsisë. Kjo braktisje masive sjell pasoja të rënda jo vetëm për të ardhmen e vendit tonë, por veçanërisht për strukturën e familjes shqiptare, e cila e vuan drejtpërdrejt këtë plagë shoqërore, që mahiset dita-ditës.

Ata që ikin në kërkim të një jete më të mirë, në të shumtën e herëve, u duhen vite të tëra për ta gjetur atë që aspirojnë, sepse kalojnë jo pak peripeci e vështirësi përshtatjeje me vendin pritës, si në planin socio-ekonomik, po ashtu edhe në atë psikologjik. Ngarendja për të siguruar të ardhura më të mira ekonomike dhe për t’u familjarizuar me gjuhën dhe kulturën e vendit ku kanë emigruar ndikon edhe në formësimin e identitetit të tyre, i cili rimodelohet sipas kulturës pritëse, duke e parë shpesh me inferioritet identitetin kombëtar prej nga vijnë. Kjo prirje e “mbivlerësimit” ose “dhënies përparësi” të kulturës pritëse në raport me kulturën amtare reflektohet më së pari në gjuhë, që është një nga tiparet kryesore të komunikimit. Më të rrezikuar ndaj këtij fenomeni janë brezi i dytë dhe sidomos brezi i tretë, pra fëmijët që lindin në vend të huaj. Këta fëmijë, edhe pse mund t’i kenë të dy prindërit shqiptarë, e mësojnë gjuhën e vendit ku kanë shkuar dhe gjuhën shqipe e mësojnë pak ose aspak. Në këto kushte cenohet lidhja emocionale me degët e familjes në vendin amë.

Fëmija nuk arrin të komunikojë siç duhet me gjyshërit ose pjesëtarë të tjerë të familjes në Shqipëri dhe e anasjelltas. Ky komunikim është i belbët përderisa ndjenjat dhe emocionet nuk shprehen në shqip. Ashtu si ekrani i akullt i telefonit, ashtu vjen edhe komunikimi mes palëve, tejet i sforcuar, me një fjalor të varfër e të kufizuar dhe shpesh, me pauza të gjata heshtjeje, përsëritje lodhëse dhe gjestikulacion, që mëton më kot t’i zëvendësojë fjalët. Tek këta fëmijë nuk mungon dashuria për gjyshërit ose për pjesëtarët e tjerë të familjes, por mungon mjeti kryesor për ta komunikuar ndjenjën e tyre dhe për ta shprehur këtë dashuri. Kjo pamundësi komunikimi, gradualisht, e zvetënon raportin ndërfamiljar dhe e bën gjithnjë e më të largët. Kur këtë fenomen e ndeshim me këtë brez, imagjino çfarë do të ndodhë me brezat që do të vijnë?!

Është e vetëkuptueshme që emigrantët duhet t’u mësojnë fëmijëve gjuhën e mbijetesës, pra gjuhën e huaj, në mënyrë që ata të mos kalojnë nëpër të njëjtat vështirësi si prindërit e tyre për t’u përshtatur në kulturën e huaj, por njëherësh është përgjegjësi e plotë që këtyre fëmijëve t’u transmetohet edhe gjuha mëmë. Nëpër tavolinat familjare duhet që çdo emocion e ndjesi të shprehet në gjuhën shqipe dhe jo në atë të huaj, sepse familja është “institucioni” i parë dhe më i rëndësishmi për edukimin e fëmijës. Të folurit në gjuhë mikse, gjysmë shqip-gjysmë anglisht ose gjuhë të tjera të huaja, prodhon një folës të dobët të shqipes, i cili gjithnjë do ta preferojë trajtën e huaj në vend të asaj shqipe, për shkak të familjaritetit dhe afërsisë që ka me të.

Të folurit me gjuhë mikse, e ndeshim si fenomen edhe tek gjyshërit në mëmëdhe, të cilët u drejtohen nipërve e mbesave me shprehje të tipit: “Do vish të bësh xhiro te horsi (që nënkupton kalin)”, “do shkojmë në parko xhoko (park lodrash)” etj. Ky lloj të foluri nuk tregon se gjyshërit kanë mësuar gjuhët e huaja me themeli, por duke qenë të ndikuar nga nevoja për komunikim, përpiqen t’u përshtaten fëmijëve me një diskurs hibrid, tërësisht mekanik.

Të gjithë jemi dëshmitarë të faktit se ky lloj diskursi zgjatohet edhe në trajta të tjera dhe është mbizotërues jo vetëm përmes komunikimit në internet, por edhe kur takohen drejtpërdrejt me njëri-tjetrin. Kur shqiptarët vijnë me pushime në Shqipëri, vijojnë t’u flasin fëmijëve në mënyrë mikse (në rastin më të mirë) ose tërësisht në gjuhë të huaj (në rastet më të shumta). Pra, fëmija nuk ka hapësirë të zgjedhë në raste të tilla, sepse gjuha i modelohet dhe imponohet nga prindi. Fëmija do të imitojë prindërit dhe jo kushërinjtë, gjyshërit, etj., të cilët i takon mesatarisht një herë në vit. Në këtë pikëpamje, çdo emigrant shqiptar, qofshin edhe ata që lidhin jetën me partnerë të huaj, duhet të ndërgjegjësohet për rolin e madh që ka vatra familjare në transmetimin e edukimit gjuhësor. Historitë familjare, kujtimet, dhimbjet, dështimet e sukseset duhet t’u transmetohen në gjuhën shqipe fëmijëve.

Mësimi i gjuhës amtare nuk është thjesht çështje patriotizmi, por nënkupton shumë më tepër. Kjo gjuhë është mjeti realitet-formues që vetëm e zhvillon fëmijën, sepse mësimi i çdo gjuhe e pasuron kulturën. Po ashtu, njohja e shqipes ndikon për krijimin e një lidhjeje më të fortë emocionale me rrënjët dhe i bën anëtarët e familjes më solidarë edhe në realitetin e huaj, duke ua mbajtur të pacenuar vetëdijen kombëtare.

Diaspora e sotme e ka një model të mrekullueshëm referencial, pikërisht arbëreshët, të cilët edhe pas gjashtë shekujsh nën presionin e asimilimit nga vendi i huaj ku janë vendosur, sidomos arbëreshët e Italisë së Jugut, sërish e kanë ruajtur të pashuar dashurinë për atdheun dhe për gjuhën shqipe. Sekreti i kësaj jetëgjatësie qëndron në vetëdijesimin e tyre për identitetin kombëtar dhe për gjuhën, si një nga mjetet kryesore të shprehisë së këtij identiteti. Familjet arbëreshe u flasin vetëm shqip fëmijëve të tyre. Deri para gjysmë shekulli, shumica e fëmijëve arbëreshë nuk dinin asnjë fjalë italisht derisa regjistroheshin në klasë të parë. Pavarësisht këtij fakti, arbëreshët kanë arritur të integrohen në nivelet më të larta dhe në sfera të ndryshme të veprimtarisë shoqërore në shtetin italian. Mësimi i shqipes në familje dhe i italishtes në shkollë e ka pasuruar kulturën e tyre njohëse dhe nuk është bërë aspak pengesë për arritjet e tyre. Sot, kur familja arbëreshe ka nisur të shpërbëhet dhe të rinjtë të mos jetojnë më me prindërit ose me gjyshërit, ka nisur të dalë në pah edhe rreziku i zhdukjes së gjuhës amtare. Ky shembull e tregon më së miri rolin e madh që ka familja në transmetimin e gjuhës tek fëmija dhe ne mund të mësojmë prej modeleve që na i ofron diaspora historike.

Sot ekzistojnë mjete e mundësi të pafundme, të cilat duhen shfrytëzuar që fëmijët të rriten me dashurinë për gjuhën e kulturën shqiptare, por sidomos me dashurinë për familjen dhe me kureshtinë për t’i njohur rrënjët. “Nëse nuk njeh historinë tënde, atëherë ti nuk di asgjë. Je porsi një gjethe, që nuk e di se është pjesë e një peme.” – thotë shkrimtari amerikan Michael Crichton, si për të na kujtuar rikthimin e vëmendjes ndaj rrënjëve tona, të cilat gjatë ngjitjes e lulëzimit mund të lihen padrejtësisht në harresë, ndonëse themeli i secilit naltohet pikërisht mbi to. Prandaj, gjuha është elementi kryesor që të mos shkrëndet e të mos tjetërsohet thellë e pakthyeshmërisht trashëgimia jonë shpirtërore, ndërsa familja është burimi kryesor që mund ta përcjellë gjuhën shqipe në vend të huaj. Siç thotë edhe profesor Xhevat Lloshi, “Kini kujdes me fëmijët, sepse ju ikni për fëmijët, por edhe fëmijët do të ikin nga ju. Kjo shpëtohet vetëm duke mbajtur lidhjet me Shqipërinë”.

 

 

 

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X