loader image
November 23, 2024

Ballkanizimi nuk mund të na shitet si europianizim

Synimi për europianizim të rajonit po vazhdon të pluskojë edhe më tej, duke hasur në sfida të ndryshme. Kriteret e Kopenhagës, që po vazhdojnë edhe më tej të jenë larg zbatimit nga shtetet e Ballkanit, tërësia e atyre ligjeve juridike “acquis communitaire”, po vijon edhe më tej të jetë vite drite larg zbatimit, por edhe në anën e trajtësimit ligjor-juridik dhe materializimit të saj si duhet.

Shkruan: Ardian RAMADANI, Kumanovë

Pa dyshim që vokacioni më i madh i shqiptarëve, në të gjitha trevat kudo që jetojnë ata, ishte dhe është integrimi në familjen europiane. Britmat e para pas rrëzimit të sistemit komunist në Shqipëri ishin “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Ky kushtrim edhe sot e kësaj dite vazhdon të kumbojë, por nuk po arrin të materializohet sa e si duhet.

Integrimi në familjen europiane shërbeu dhe po shërben si karrem për shqiptarët edhe për t`i zmbrapsur ata nga kërkesa për bashkim kombëtar. Zaten, nëse i shohim zhvillimet më të fundit mes Shqipërisë dhe Kosovës, e kuptojmë shumë qartë se çapitja edhe më e vogël për ndonjë përafrim mes tyre krijon kokëçarje në Bruksel e gjetiu. Me sa duket, paria politike shqiptare, kudo që gjendet, e ka pranuar si të qenë faktin se alternativa e bashkimit kombëtar për shqiptarët është zëvendësimi me integrimin në familjen e madhe europiane, ku kufijtë nuk e kanë peshën e rëndësishme e ku gjithsecili bredh nga njëri vend në tjetrin, pa mos e pasur as më të voglin dert se ku shkon e ku gjendet. Përveç parisë së tyre, vërehet qartë se edhe shqiptarët si komb(e) janë pajtuar lehtazi me këtë ide, pra kanë hequr dorë nga një ide e tyre sublime dhe e kamotshme shekullore, për të përqafuar një ide tjetër, e cila me sa duket është bërë e favorshme për ta, e jo edhe vetëm….

Synimi për europianizim të rajonit po vazhdon të pluskojë edhe më tej, duke hasur në sfida të ndryshme. Kriteret e Kopenhagës, që po vazhdojnë edhe më tej të jenë larg zbatimit nga shtetet e Ballkanit, tërësia e atyre ligjeve juridike “acquis communitaire”, po vijon edhe më tej të jetë vite drite larg zbatimit, por edhe në anën e trajtësimit ligjor-juridik dhe materializimit të saj si duhet. Në shtetet e Ballkanit, edhe më tej qeverisja e shumicës nuk po mjafton për t`i bërë demokratike ato shtete. Ende po haset mungesa e pluralizmit të mirëfilltë dhe tolerancës, qoftë kjo ndaj bashkësive etnike me numër më të madh që jetojnë në një shtet tjetër nga shteti amë, apo edhe ndaj pakicave. Kjo gjë ka të ngjarë që të shpie demokracinë në tirani.

Mungesa e kulturës demokratike, po prodhon udhëheqës nacionalistë ekstremë, udhëheqës që ushqejnë armiqësi ndërmjet popujve dhe kombeve. Është këtu shembulli më i mirë i Serbisë. Po të përcillen udhëheqësit e saj në çdo deklaratë e veprim, ato janë në fakt antieuropianiste, e duke qenë të tilla duhet të dënohen, por me sa duket kur është në pyetje Serbia, për të po vlen OMERTA – kodi i heshtjes.

Serbia, e cila në vitin 1999 u penalizua nga bombat e NATO-s, sot po shihet si e etabluar mirëfilli, e cila edhe pse është duke qëndruar shumë qartë në dy karrige, në karrigen e Perëndimit duke përthithur paratë e kapitalin e saj, e në anën tjetër në karrigen e Rusisë duke qëndruar shumë afër saj, duke blerë armatim nga ajo, e po ashtu edhe nga Kina, nuk po ia prek askujt sedrën në Bruksel.

Me gjithë përpjekjet e shumta për të shpjeguar se si ndodhi kjo, që nga një e dënuar Serbia të kthehet në një të përkëdhelur, mendoj se do të duhet edhe shumë e shumë kohë që të nxirret në pah e vërteta. Një gjë është e sigurt – sot, Serbia, po përpiqet që nga disa emisarë të kundrohet si kujdestare e Ballkanit e po mëtohet të miklohet, kjo jo edhe pa fajin e shqiptarëve dhe udhëheqësve të tyre, të cilët fill pas luftërave, filluan të ndërtojnë një narrativë antihistorike me mitizime e me hiperbolizime, ndërkaq në Shqipëri korrupsioni dhe krimi gëloi si rrokaqiejt e Tiranës, duke i shastisur edhe vet aleatët e duke na e zbehur atë simpati që e kishim para syve të perëndimorëve.

Megjithatë, perëndimorët, duke i bërë përllogaritjet e tyre të ftohta, e duke mos gjykuar me përshpejtime, udhëhiqen nga parimi se “interesat janë të përjetshme, por jo edhe aleancat”. Ata, për ta larguar Serbinë nga përqafimi i ariut rus, po e shtyjnë Kosovën në një skaj, nga i cili ajo nuk do të ketë mundësi të dalë pa bërë kompromis në kompromise ose pa shkuar në kokëthyerje. Pra, thënë troç, ballkanizimi edhe më tej po sfidon europianizimin.

Ballkanizimi, që do të thotë ndarje e një shteti të madh në shtete më të vogla, të dobëta dhe pak të mëvetësishme, që ushqejnë armiqësi ndaj njëri-tjetrit, model ky tipik serb, nuk mund të jetë modeli që duhet promovuar, përkundrazi ky model duhet të luftohet.

Mosnjohja e Kosovës nga Serbia dhe 5 shtetet e BE-së, mungesa e mekanizmave detyrues për të pranuar Kosovën si shtet, nuk fton në asgjë tjetër përpos në ballkanizim të mëtutjeshëm të Ballkanit, e bile-bile edhe të Europës. Në kohën kur bota po përballet me agresionin rus në Ukrainë, në kohën kur kemi një zgjim të hatashëm të Kinës, e cila në 35 vitet e fundit ka rritje rapide ekonomike, duke ia dalë që t`i nxjerrë nga varfëria 600 milionë kinezë, mendoj se aparatura e BE-së, me 33 000 të punësuar në Komisionin Europian, me 7 500 persona të punësuar në Parlamentin Europian, me Këshillin e saj me 3 500 të punësuar, me 4 300 përkthyes dhe 800 interpretë… duhet të bëjë përllogaritjet e duhura, ta flakë e ta dënojë mendësinë e llojit të disa emisarëve dhe të dërguarve të tipit të një politikani norvegjez me emrin Thorvald Stoltenberg, i cili gjatë luftës në Bosnjë kishte deklaruar “që të gjithë në Bosnjë janë në të vërtetë serbë”, duke e shpërfaqur injorancën e pranishme edhe në nivel elitash.

Na kujtohet shumë mirë Ukraina, e cila duke e pasur ndihmën e Perëndimit, u përfshi në luftë me Rusinë, duke e humbur gadishullin e Krimesë në vitin 2014 e tani është duke e përjetuar agresionin e Rusisë në vitin e dytë me radhë. Në këto shembuj Rusia tregoi forcë, ndërsa Perëndimi dobësi.

A do të vazhdojë që Perëndimi të tregohet kaq i “mëshirshëm” ndaj satelitit të Rusisë e shqiptarëve t’u kërkojë kompromise në kompromise? Mbetet të shohim. Duke pritur ndërkohë për të parë, druaj mos po kalojmë në fazën e atyre që “Kur ata të ngjiten lart, ne do të zbresim”. Kjo gjë mund të na ndodhë. Historia na e mëson këtë. E nëse nuk arrijmë të mësojmë nga historia, do ta pësojmë edhe më keq.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X