Për nacionalizmin shqiptar, narrativat e mëdha që e gatisin ideologjinë kombëtare përqendrohen tek gjuha, autoktonia, prejardhja, lashtësia, përkatësia perëndimore etj., e që të gjitha këto pretendojnë të jenë të përhershme dhe përjetshme, dalluese e diferencuese prej kombeve të tjera. Të tilla narrativa mes shqiptarësh janë trashëguar qysh nga Rilindja, ndërkaq jetësimi i tyre, në aspektin kohor, zakonisht yshtet prej elitave politike dhe intelektuale, të cilat ndërtojnë platforma ideologjike e programe politike duke i përdorur narrativat e sipërpërmendura si mjete për përqendrim e legjitimim pushteti.
Fjolla SPANCA, Mitrovicë
Bac, (s) u kry!
Thonë se dëshmitarët e vërtetë të luftës janë ata që mungojnë mes të gjallëve. Pra, ata që me trupa s’janë më mes nesh; Ata që s’frymojnë më mbi Dhe; por gjallnojnë tejpërtej Tokës. Ata, të cilët Atdheun e dashtën më fortë sesa Jetën e katandinë; Ata që njihnin Amanetin dhe Historinë.
Në Prekaz është një Konak ku nuk soset kurrë Kandili i Lirisë së qëndisun me ojnat e Dashnisë. Aty, përkundet një copë Toke e larë në kujtimet e Shpresës së fjetun butë-butë mbi gjakun e dëshmonjësve të Lirisë. Andej pari, përkundet një grusht Shpirti i dorëzuar Naltueshëm, flijuar pa oh e boh, që ne sot me gëzu pakëz Kosovë!
Në Prekazin e Ëndrrave të pakryera, njerëzimin e pret kulla e Bacës Adem edhe sofra e Nanë Zahidesë; nanës zemër-qiell që kaherë mendjet e familjes i kishte arnuar sojshëm, me fisnikëri të pashoqe! Sofra e asaj Nane që dha Shpirt prej Shpirtit të vet kallzon ndër hjeka e derte se Njeriu nuk meremetohet prej hiçit.
Në të vërtetë, Kulla e Jasharajve është Zani i atyre që shtegtuan për të dëftu në heshtje dhe pa zhurmë se sa e shenjtë është Fryma e mbledhur me dinjitet! Muret gjithë nishane granatash rrotull kullave të Lavdisë, kallëzojnë përditë se Njeriu që e njohu vetveten; i priti xeheroret për ta çliruar jetën! Dhe, s’do mend që nuk ka qenë kurrë e lehtë me i dal ballëhapur hasmit e dushmanit veç për hatër të Vatanit.
Atëherë, ç’mbanin, ndryshe, në kraharor, dëshmitarët pa kurorë, por me kohë të përkorë?
… gur themeli i identitetit kombëtar
Në zallamahinë e një kohe të turbulluar prej mendimeve që hapërdahen kah t’i fryjë era e elitave politike është krejt e pritshme që shqiptarët të kacavaren në dilema tërësisht esenciale të cilat thellë-thellë tregojnë për fatin e një populli që është mbrujtur duke e harruar, keqlexuar ose duke mos e përpunuar mjaftueshëm, të kaluarën.
Në rrethana pak më normale, lundrimi nëpër kohën e shkuar ndër tjerash do duhej t’i kishte hapur portat e pyetjeve të mëdha rreth identitetit kombëtar; narracionet e së cilit zakonisht, janë bojatisur për hesap të interesave të ngushtë politikë ose në shërbim të ndezjes së tifozerisë që kujton së çdo gjë në dhe me kohë mund a duhet të tjetërsohet.
Për hir të së vërtetës, identitetin kombëtar si term në ligjërimin shqiptar e hasim relativisht vonë, meqë deri në fillim të viteve 1990 gjeti përhapje të gjerë nocioni “karakter kombëtar” – term ky i hasur gjerësisht në literaturën ruso-sovjetike. Ndërkaq, “identiteti kombëtar”, asokohe i lëvruar në imtësi si produkt historik, buronte nga literatura perëndimore dhe, për shumë studiues, ky term shpaloste një tërësi tiparesh objektive që derdheshin nga realiteti historik prej së cilit më pas përcaktohej vetëdija, sjellja, krijimtaria, ceremonialet e një sërë veprimesh të tjera kombëtare.
Historikisht, debatet mbi identitetin kombëtar kanë përplasur modernistët e etnosimbolistët të cilët vërtiteshin nga Historia tek Teoria; duke i krijuar hapësirë zhvillimi edhe qasjeve të tjera që kombin dhe nacionalizmin i shikonin si praktika sociale a dukuri komplekse të ndërtuara nga ndërveprimi i narrativave të mëdha kombëtare; jetësimi i tyre në projekte politike si dhe zbatimi në praktikë i këtyre projekteve ose, thënë ndryshe, pranimi i tyre masiv prej popullit.
Për nacionalizmin shqiptar, narrativat e mëdha që e gatisin ideologjinë kombëtare përqendrohen tek gjuha, autoktonia, prejardhja, lashtësia, përkatësia perëndimore, etj., e që të gjitha këto pretendojnë të jenë të përhershme dhe përjetshme, dalluese e diferencuese prej kombeve të tjera. Të tilla narrativa mes shqiptarësh janë trashëguar qysh nga Rilindja, ndërkaq jetësimi i tyre, në aspektin kohor, zakonisht yshtet prej elitave politike dhe intelektuale, të cilat ndërtojnë platforma ideologjike e programe politike, duke i përdorur narrativat e sipërpërmendura si mjete për përqendrim e legjitimim pushteti.
Përndryshe, zbritja prej ideve ose tokëzimi i narrativave dhe platformave politike në praktikë sociale nënkupton përjetësimin e qëllimeve kombëtare përmes praktikave shoqërore, ligjërimit publik, teksteve shkollore, mas-mediave, etj. Fundja, kombi nuk mund të ekzistojë nëse populli nuk e përjeton atë si të tillë në mendjen dhe përfytyrimin e vet andaj ballafaqimi i identitetit horizontal me identitetin vertikal vë edhe më në pah rëndësinë e komunikimit dhe transmetimit të ndjesive dhe informacioneve identitare.
Shqipja, në konceptin e një mjeti komunikimi, si kusht për ekzistencën e shoqërisë shqiptare, por edhe si mjet për ruajtjen dhe përcjelljen e informacionit brez pas brezi, përfaqëson rrethprerjen e identitetit horizontal dhe identitetit vertikal të shqiptarit sipas Ardian Vehbiut, i cili e konsideron gjuhën kriter themelor (por jo unik) të identitetit meqë të gjitha kriteret e tjera me peshë në përcaktimin e tij përcillen po nëpërmjet gjuhës, e cila në mungesë traditash të shkruara ose historie të përbashkët, lehtësisht do shndërrohej në vetëdijen e shqiptarit të ndryshëm prej të tjerëve.
Mbështetur tek gjuha dhe rëndesa e saj por shkëputur nga kërthiza dhe endur rrotull Ballkanit të tensionuar, sot shqiptarët a gëzojnë më shumë Konvergjencë apo Divergjencë kombëtare?
Shqiptarët në përfytyrimet e tyre më romantike, identitetin kombëtar e shtrojnë si produktin final të një ecejakeje sfilitëse prej shtigjeve të ngjeshura të historisë pellazgo-ilire tek rezistenca sypatrembur arbnore, e më pas deri në konsolidimin shpotitës të idealeve rilindëse – trashëgimi kjo e mbytur në shpata e dragonjë, beteja e stuhi, në gjak e lavdi. Njëmend, rilindësit kanë lënë gjurmë të thella në ndërtimin e identitetit kombëtar shqiptar por nëse mbajmë parasysh rrethanat politike, ekonomike e historike kuptojmë më në gjenezë pamundësinë për ta tëholluar çështjen shqiptare si një tërësi ideale aspiratash politike; e cila e përkthyer në instrumente formale e nocionale gjendet e hapërdarë tejpërtej kufinjve të shtetit zyrtarisht shqipfolës. Ky shtet jo gjithmonë ka pasë përputhje me mendimet e veprimet e shqipfolësve që jetonin me Shpresën e Bashkimit! Divergjencat ideologjike, të ngjeshura fort mbas skënderbejadës së përkthyer në qëndresë e sakrificë përgjatë sistemit totalitar, i shërbyen veç vetizolimit të Shqipërisë – duke mohuar e përçudnuar secilin që në pamje mund të dukej pak i tjetërsojshëm prej “shqiptarit amë”.
Rrufetë e transformimeve të serta post-komunizëm, përkrah dehjes ndjellëse të liberalizmit e kanë tkurrur konsiderueshëm ndjeshmërinë e shqiptarëve kundrejt identitetit të tyre. Nëse flasim për sallonet e Tiranës zyrtare, ndër të cilat matanë diskursit cliché për Shqipërinë prej “nëne që pret e përcjell evlatin e tretur rrugëve të kurbetit” gjejmë një diskurs pragmatik & nihilist – si prag për të kapërcyer tej përgjegjësive (minimalisht) kombëtare. Pompoziteti i qëndrimeve të qeverisë shqiptare sa herë gozhda ngec në kryeneçësinë vetëvendosëse të Prishtinës së zbehur balancohet pa shije prej një qëndrimi disi më babaxhan në raport me shqiptarët e Malit të Zi apo ata të Luginës së Preshevës, për ta nxjerrë lakuriq pastaj shpërfilljen e Tiranës ndaj shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut dhe diasporës shqipfolëse nëpër Botë.
Pra, falë elitave me mendësi të korruptuar konvergjencat kombëtare ngadalë, por sigurt, kanë filluar të vyshken dhe ngulmimi i Kadaresë për t’u fshehur poshtë dimiave nga ku duhet të trumbetohet vizioni i tij i ngurtë për indentitetin e “pandryshuar” dhe “të pamodifikueshëm” tashmë as ka shije e as nxë hije.
Të. Dashurosh. Pa. harruar.
Pasi e ke kënduar me ndjesi pështjelluese një nga librat e Milan Kunderës, në palcë ndjen copa akulli që ethshëm derdhen në ty; veçmas kur e provon ndjesinë e mosnjohjes së personit që ke pranë; pra kur krejt papritun identiteti i njeriut që ti dashunon më fortë se vetën fshihet si me dorë; fshihet asisojshëm, saqë ne të përhumbur nisim të dyshojmë edhe për identitetin tonë. Njëmend kjo shkundje vë në plan të parë forcën e papërthekueshme të dashurisë, sepse fundja vetëm të dashuruarit i tremben humbjes së të dashurit më shumë sesa gjithçkaje tjetër.
Hesht për pak dhe mendohem:
• Vallë e tillë duhet të ketë qenë Dashnia e bacës Adem për Atdheun? Aq e ëmbël ish Kosova e Shqipëria, sa me çdo kush duhej kërkue Liria? A mos vallë ata ishin shqiptarët e fundit që e ëndërronin Vatanin, duke e falur për të edhe jetën e xhanin? Ç’dimensione kishin Mendimi dhe Gjuha për gratë e burrat që dhanë gjithë çfarë patën për një grusht liri?! A jemi ne sot më pak shqiptarë sesa ata që ikën më peng se s’panë Shqipëri?
• mos nuk e njohim më vetën ne? mos ndoshta kemi harruar se Njeriu nuk bëhet njeri pa menduar?
Është akoma Mars. Në Palestinë, vazhdon gjenocidi. Bota i ka verbnuar Fjalët. Por, palestinezët nuk po ia kthejnë kurrizin Tokës së tyre. Prej Dashnisë lindin, me Dashni ikin. Dashni tjetër ajo. Dashni që ta përvlon Shpirtin nga pamundësia për t’ua fikun flakadanët e vuajtjeve.
• Së shpejti çelet Prilli. Lajmëtarët alarmojnë për trazira e tensione në Veri të Kosovës. Në Maqedoninë e Veriut priten zgjidhje për zgjedhje! Diaspora me ngulm lyp të drejtën e votës. Askund nuk ka qetësi. Qytetet po vyshken pa rini.
Shqiptarët kur mbledhën në shtëpi?