loader image
December 14, 2024

Antiislamizmi si vizion politik identitar i shqiptarëve: pa bereqet

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar? Përtej dominimit, gati tërësor, të tezës se identifikimi me Islamin bie ndesh me interesin kombëtar, përtej edhe sekularizimit militant gjatë Luftës së Ftohtë ose edhe faktit se edhe në izolimin e Shqipërisë komuniste elitat kulturore dhe profesionale u shkolluan dhe mbajtën kontaktet me Europën, ndërkohë që humbi çdo lidhje me kulturën islame, persistenca e Islamit tek një masë kritike e shqiptarëve është fakt i pakontestueshëm social. Jo vetëm mbi 50% e qytetarëve të Shqipërisë, por edhe shumicat dërmuese të shqiptarëve në Mal të Zi, Maqedoni, Shqipëri e Kosovë identifikohen si myslimanë. 

Besnik SINANI, Tiranë

Para disa muajsh, ish-trajneri i KF “Prishtina”, Ejup Mehmeti, njoftoi ndërrimin e mbiemrit dhe të besimit fetar nga musliman në katolik. “Jo se feja katolike asht ma e mirë”, shkroi ai me të gjitha germat kapitale në rrjetet sociale, “por perhir të interesave kombtare. Ftoj vllazerve qe ta ndrojm fenë masovikisht”. Pak muaj më vonë, një grup i mbledhur në Deçan njoftoi iniciativën për abandonimin – gjithashtu masovikisht – të Islamit, e më vonë është përmendur edhe konvertimi i mundshëm në katolicizëm. Ky artikull nuk është i preokupuar me zgjedhjet fetare apo antifetare të individëve ose grupeve të caktuara. Në polemikat në rrjete sociale, oponentët muslimanë i kanë etiketuar promovuesit e këtyre iniciativave si anonimë të parëndësishëm, njerëz që nuk gëzonin asnjë profil të shënuar publik përpara vëmendjes mediatike që solli iniciativa në fjalë.

Anonimë ose jo, shqetësimi që ata shprehin nuk është as i ri dhe as i mungon prominenca në ligjërimin shqiptar. Bindja për shumë syresh se identifikimi i shumicës së shqiptarëve fetarisht si muslimanë bie ndesh me interesat kombëtare është e mirënjohur. Një nga rilindësit më të hershëm si Kristoforidhi, siç vë në dukje historiania franceze, Nathalie Clayer, e konsideronte muslimanizmin e shqiptarëve si një problem që do duhej në një moment të caktuar tejkaluar. Naimi iu vu punës për të shkruar katekizma të kredos fetare dhe ofroi dhe një përkthim të disa pjesëve të Kuranit që dukeshin të propozonin një variant të sterilizuar të Islamit për muslimanët shqiptarë. Vitet ’20-’30-të shënuan si një nga veçoritë dalluese të disa prej intelektualëve më prominentë shqiptarë problematizimin e marrëdhënies së Islamit me modernizmin europian.

Është e mirënjohur deklarata e Kadaresë për “të mirën që kish sjellë komunizmi”, në kontekstin e largimit të shqiptarëve nga Islami, në mënyrë që të mund t’i kthehen familjes europiane, shembull që ai besonte se do pasohej në kohë edhe nga shqiptarët e Kosovës. Politikanë të rëndësishëm te Shqipërisë dhe Kosovës, si ish presidenti Moisiu ose ishkryeministri Haradinaj, kanë distancuar publikisht shqiptarët nga Islami kur kanë folur përballë audiencash ndërkombëtare. “Po të gërvishtet pak sipërfaqja”, do të thoshte Moisiu në Oxford, “në thelb jemi të krishterë”. Mjetet dhe thellësinë e gërvishtjes Moisiu nuk e përcaktoi. “Disa na quajnë muslimanë të lehtë.”, do thoshte Haradinaj në Universitetin Columbia, “por as të tillë s’jemi…”. Tymnaja rreth një figure si Rugova, i etiketuar nga disa si “mysliman simbolik” e i përfolur nga të tjerë se kinse mund të ketë qenë pagëzuar, janë po aq simptomatike sa investimi i tij personal në ndërtimin e katedrales së Prishtinës, e cila u promovua si “projekt mbarëkombëtar”. Janë bërë 18 vjet ndërkaq nga debati në 2006 midis Kadaresë dhe Rexhep Qoses rreth identitetit të shqiptarëve, debat që kishte në thelb marrëdhënien midis aspiratave politike të shqiptarëve dhe vendit të Islamit në identitetin kombëtar, debat për të cilin u prononcua gati çdo figurë publike në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, shumica syresh në mbështetje të Kadaresë.

Qartazi, pra, edhe pse u mungon sofistikimi dhe korrektësia politike minimaliste me të cilat këto teza nganjëherë vishen, shembujt që cituam në krye të këtij artikulli nuk janë pa precedentë të rëndësishëm në ligjërimin publik shqiptar. Ato shprehin një nocion të mirënjohur të shqetësimit kolektiv kombëtar, pretendim që nuk është pa meritë. Në librin e saj Ballkani Imagjinar, Maria Todorova lavdëron nuhatjen politike të politikanëve shqiptarë, si Gramoz Pashko, të cilët nuk u besonin pretendimeve të politikanëve europianë se kinse Europa e Bashkuar është një projekt që i ka tejkaluar partikularitetet religjioze. Gjatë viteve kur debatohej liberalizimi i vizave të Shqipërisë, nuk ka rëndësi sa herë politikanë në Bruksel theksonin se arsyet e vonesës së liberalizimit reflektonin progresin e ngadaltë të Shqipërisë në reforma dhe korrupsionin galopant. Politikanë si ish presidenti Meta ngulmonin se ishte muslimanizmi i shqiptarëve ai që sillte refuzimin e europianëve. Tre vendet në Europë që u ishte mohuar liberalizmi i vizave në atë kohë ishin Shqipëria, Kosova dhe Bosnja. Ka mjaftueshëm indikues në qëndrimet europiane që të justifikojnë ankthet identitare shqiptare.

Në esenë e tij Identiteti Europian i Shqiptarëve (2006), Kadare paraqiti një sulm frontal ndaj Rexhep Qoses. Ai ngriti pretendimin e një kontrasti dramatik mes hapave të parë drejt integrimit, të ndërmarra nga funksionarë të BE-së, dhe afirmimit të një identiteti musliman të shqiptarëve. Nuk ka pse të na kushtëzohet identiteti nga pushtimet – thotë Kadare – duke iu referuar edhe shembullit të fqinjëve tanë. Por, fqinjët nuk kanë përjetuar dyzimin fetar që vetë Kadareja e problematizon dhe fqinjët njëkohësisht thjesht ndërmorën t’i zhdukin minoritetet fetare. “Një identitet i ndarë.”, shkruan Kadare, “do të thotë një komb i ndarë”. Akuza ishte realisht e rëndë, pasi Kadareja po e akuzonte Qosen – një nga intelektualët më prominentë kosovarë – se po riciklonte tezat e atyre që kanë ideuar përzënien e shqiptarëve, si Vasa Çubrilloviqi. Ndërkohë që Qosja në përgjigjen e tij me titull Realiteti i Shpërfillur (2006) i problematizon pikërisht “thirrësit për kthimin e shqiptarëve myslimanë në “fenë e të parëve”, si gjoja kusht për pranimin më të shpejtuar të Shqipërisë shtetërore dhe të Kosovës në Bashkimin Europian”. Për arsye politike, ky debat ka humbur nxehtësinë e dikurshme në Shqipëri, por nuk është as i harruar e as i neglizhuar. Në Kosovë, ankthi në zemër të këtij debati vazhdon të duket më i ndjeshëm.

A do ishte një luftë kulturore antifetare në interesin kombëtar? Përtej dominimit, gati tërësor, të tezës se identifikimi me Islamin bie ndesh me interesin kombëtar, përtej edhe sekularizimit militant gjatë Luftës së Ftohtë ose edhe faktit se edhe në izolimin e Shqipërisë komuniste elitat kulturore dhe profesionale u shkolluan dhe mbajtën kontaktet me Europën, ndërkohë që humbi çdo lidhje me kulturën islame, persistenca e Islamit tek një masë kritike e shqiptarëve është fakt i pakontestueshëm social. Jo vetëm mbi 50% e qytetarëve të Shqipërisë, por edhe shumicat dërmuese të shqiptarëve në Mal të Zi, Maqedoni, Shqipëri e Kosovë identifikohen si myslimanë.

Përtej identifikimit kulturor dhe të origjinave është gjithashtu e pakontestueshme se, në dinamikat e praktikës fetare, muslimanët përbëjnë numrin më të madh të praktikantëve aktivë të të gjitha feve. Për rrjedhojë, edhe nëse mund të imagjinohet se një publik gjithnjë e më i distancuar nga feja do të mund të drejtohej për hir të interesit kombëtar drejt një divorci masiv nga Islami, ky projekt, me gjasa shtetëror, i mbështetur nga sistemi arsimor dhe nga elitat kulturore, nuk do mund të ndodhte pa krijuar tensione shoqërore. Kjo lloj lufte kulturore nuk ka si mos rezultojë në thellimin e çarjeve sociale brenda shoqërive shqiptare. Pyetja atëherë do mund të ngrihej se edhe nëse ky lloj inxhinjerimi social bëhet për hir të interesit kombëtar, a nuk gjendet në të një kontradiktë thelbësore, pasi do thellonte çarje që nuk ka se si t’i shërbejë interesit kombëtar? Ky projekt nuk është vetëm i supozuar, por ka qenë prej më shumë se tre dekadash aktiv në përshkallëzime të ndryshme, në varësi kontekstesh dhe prioritetesh politike. Por, kufizimet e tij janë gjithashtu evidente.

Jo shumë kohë më parë pyesja një figurë fetare të impenjuar me misionarizmin islam në Shqipëri se çfarë e shpjegonte rritjen e dukshme të praktikimit fetar, sidomos nga një gjeneratë e re. Ai m’u përgjigj ndershmërisht se nuk e dinte si t’i jepte përgjigje kësaj pyetjeje. Miq të mi me të cilët së pari eksploruam besimin fetar në vitet e ’90-ta nuk i njohin referencat fetare të fëmijëve të tyre sot adoleshentë, pjesë e një kulture mediatike globale, një lloj ligjërimi religjioz që është i panjohur dhe i pakontrolluar nga asnjë autoritet fetar, prindëror ose social. Një pjesë e tensionit diskursiv, që identifikohet në Kosovë, nuk e fsheh fare irritimin me masivitetin rinor në praktika të rregullta fetare. Edhe në eksperiencën si diasporë në Perëndim, shqiptarët kanë vazhduar të ngrenë komunitete dinamike dhe të suksesshme fetare. Shpesh lloji i fetarizmit që është popullarizuar mes shqiptarëve këto vite i ka të gjitha gjasat që të tëhuajëzojë shumë njerëz që kanë një lidhje identitare, origjinash, ose edhe fetarizmi të lehtë me Islamin. Kjo ka qenë një veti fatkeqe dhe vetëndëshkuese e ligjërimit musliman shqiptar. Por, paralelisht është parë edhe me një impenjim më serioz religjioziteti të një gjenerate të re, në forma religjioziteti që janë të panjohura nga gjeneratat më të hershme.

Pyetja, për rrjedhojë, do mund të ngrihej nëse interesi kombëtar do mund të artikulohej duke transhenduar problematizimin historik të Islamit nga paritë politike dhe elitat kulturore. Historiani Eric Hobsbawm e përmend protonacionalizmin shqiptar si një rast që sfidon nevojën e lidhjes së formatimit kombëtar me një fe të vetme. Narrativa përjashtuese të kombëtarizmit shqiptar gjer më sot, me hierarkinë e preferencave fetare, është sa arkaike po aq edhe kontradiktore. E ngritur mbi premisat dominante aktuale, kërkimi për interesin kombëtar, duke nisur një luftë ideologjike dhe kulturore kundra Islamit, duke hapur llogore identitare brenda vetë shoqërive shqiptare, do të ishte në dëm të vetë interesit kombëtar.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X