loader image
May 31, 2025

Ashtu si dikur u ndihmuan hebrenjtë, sot duhet ndihmuar palestinezët!

Shqipëria, shqiptarët dhe mbarë bota demokratike, ashtu siç ishin në krah të viktimave hebraike 80 vjet më parë, edhe tani do të duhej të ishin në anën e viktimave, që sot kanë qëlluar të jenë palestinezë myslimanë. Jo për të ligjësuar veprimtarinë ekstremiste të Hamasit, por për të mbrojtur të drejtën e cenuar të jetës së mijëra fëmijëve, grave e pleqve palestinezë, viktima të aparatit shtetëror izraelit.

Sevdail DEMIRI, Kumanovë

Tetë dekada më parë, atëherë kur raca hebraike nëpër Europën e krishterë perëndimore ndiqej në çdo skutë e kërcënuar me asgjësim të plotë fizik, nëpër territoret shqiptare, kryesisht myslimane, po ndodhnin mrekullitë! Aty po rritej përqendrimi i popullsisë hebraike që vinte nga të gjitha anët e Ballkanit dhe Europës, meqë ishte bërë e ditur botërisht se Besa e shqiptarit ishte institucion mbi institucione, ishte shtet mbi shtet! Aty ku shqiptari jepte besën – fjalën e nderit, ishte në gjendje që asaj t’i dilte zot qoftë edhe duke sakrifikuar gjënë më të shtrenjtë që kishte – familjen dhe jetën e tij.

Që nga ajo periudhë lemeritëse, e njohur si Holokausti, pas përmbysjes së fashizmit në Europë, hebrenjtë – duke fituar aleatë të fuqishëm në mbarë botën – e krijuan shtetin e tyre të ri në tokat e Palestinës, në llogari të popullsisë vendase palestineze. Që nga viti 1948, shteti i fuqishëm i Izraelit ndoqi një politikë të ashpër kundër vendasve, duke tkurrur territoret e tyre dhe duke i shtypur ata në mënyrë sistematike.

Bota demokratike duhet t’i mbrojë viktimat

Situata e atjeshme eskaloi përçudnueshëm pas sulmit të përgjakshëm të Hamasit më 7 tetor 2023, kur u vranë afër 1,200 hebrenj. Revanshi i shtetit izraelit ishte me përmasa të paimagjinueshme, duke shkaktuar afër 60,000 viktima palestineze në Rripin e Gazës, përmes një akti të turpshëm gjenocidi para syve të botës. Në Gazë realisht po ndodh një nga tragjeditë më të mëdha të historisë moderne të njerëzimit, një lloj Holokausti, i cili – si për ironi të fatit – po shkaktohet pikërisht nga pasardhësit e viktimave të dikurshme të Holokaustit!

Dhe, derisa bota demokratike hesht para gjenocidit izraelit në Rripin e Gazës, një kualifikim ky i bërë edhe nga vetë OKB-ja, është krejt i habitshëm pozicionimi i Shqipërisë në anën e shkaktarëve të këtij gjenocidi. Madje, për shkak të atij qëndrimi, më 7 prill 2025, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, u nderua me Medaljen Presidenciale të Nderit nga Presidenti i Izraelit, Isaac Herzog.

Shqipëria, shqiptarët dhe mbarë bota demokratike, ashtu siç ishin në krah të viktimave hebraike 80 vjet më parë, edhe tani do të duhej të ishin në anën e viktimave, që sot kanë qëlluar të jenë palestinezë myslimanë. Jo për të ligjësuar veprimtarinë ekstremiste të Hamasit, por për të mbrojtur të drejtën e cenuar të jetës së mijëra fëmijëve, grave e pleqve palestinezë, viktima të aparatit shtetëror izraelit. Është e ditur që konflikti i gjatë izraelito-palestinez ka natyrë kryesisht politike, por tragjeditë e përditshme njerëzore, që po ndodhin në Rripin e Gazës, e cenojnë çdo ligj ndërkombëtar dhe të drejtë humanitare.

Komisioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Hetimin e Konfliktit në Izrael dhe Territoret e Pushtuara ka identifikuar prova të qarta që tregojnë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF). Organizatat prestigjioze ndërkombëtare, si “Human Rights Watch” dhe “Amnesty International”, gjithashtu e kanë akuzuar Izraelin për akte gjenocidiale në Rripin e Gazës. Ndërkaq, Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) ka lëshuar urdhër arresti për kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe ministrin e Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për përgjegjësi penale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Të gjitha këto janë prova të mjaftueshme për çdo njeri normal dhe çdo burrështetas të përgjegjshëm, për të pasur një qasje më të drejtë dhe më të ekuilibruar në raport me tragjedinë e madhe njerëzore që po ngjet sot në Palestinën e pushtuar.

Veli Meliqi, shpëtimtari i 17 hebrenjve gjatë holokaustit

Dhe, derisa po flasim për Holokaustin më të ri të kohës, më vjen të risjell para vëmendjes së lexuesve një shembull të një familjeje shqiptare nga Shkupi – familjes Meliqi, e cila tetë dekada më parë kishte shpëtuar nga vdekja e sigurt 17 hebrenj dhe kurrë nuk kishte marrë asnjë mirënjohje!

Heroi i heshtur quhej Veli Meliqi (1912-1995), nga Rezhanca e Hanit të Elezit-Kaçanikut, aty ku asokohe ndodhej kufiri mes zonës pushtuese bullgare dhe asaj italiane (shqiptare) andej kufirit. Përmes tregtisë që zhvillonte në relacionin Shkup-Kaçanik, ai ishte njohur me njerëz të feve dhe etnive të ndryshme, pa kurrfarë paragjykimesh. Duke qenë njeri filantrop, i guximshëm, por edhe burrë i besës, nëpër duart e tij kishin shpëtuar shumë hebrenj, duke i kaluar drejt Shqipërisë, derisa regjimet fashiste po i ndiqnin të gjithë qytetarët me origjinë hebraike, për t’i asgjësuar në kampet e përqendrimit.

Një rast tjetër shumë i kthjellët është ai i familjes pesanëtarëshe hebraike Frances nga Shkupi, për të cilën vite më parë na ka rrëfyer Ramadan Meliqi (i lindur më 1936, djali i Veli Meliqit), në një intervistë të gjatë që e kisha zhvilluar me të për qëllime hulumtuese në vitin 2017 në Shkup. Ai, gjatë periudhës së luftës, kishte qenë fëmijë diku shtatëvjeçar, por që tani mjaft mirë i kujtonte ato ngjarje të rrufeshme që kishin ndodhur pas urdhrit të autoriteteve naziste bullgare, e njohur si “Obznana” (11 mars 1943), për grumbullimin dhe deportimin e të gjithë hebrenjve drejt kampit famëkeq Treblinka, ku ishin shuar gjithsej 7.148 hebrenj nga territori i sotëm i Maqedonisë.

Ramadan Meliqi e ka përcjell në origjinal tregimin e babait të tij, Veliut, gjatë shpëtimit shumë të mundimshëm të familjes Frances. Konkretisht, bëhej fjalë për kryefamiljarin Mois, nënën e tij Ester, gruan Vinka, djalin Marsel dhe vajzën Eni (Ester). Ramadani ka shpjeguar se si fillimisht ishte takuar Todor Haxhi-Mitkov me Veli Meliqin, në dyqanin e njohur të esnafit Mahmut Idrizi në Çarshinë e Vjetër të Shkupit. Haxhi-Mitkovi iu ishte lutur Meliqit që t’i gjejë qare familjes mike hebraike Frances, të cilën disa ditë e kishte strehuar në shtëpi, por tani më nuk mund ta mbante nga frika se mos zbulohej nga ana e autoriteteve bullgare. Atëherë Veli Meliqi ia kishte dhënë besën se, me lejen e Zotit, atë familje të rrezikuar do ta përcillte andej kufirit drejt Shqipërisë.

Në mbrëmje, pesë hebrenjtë ishin ngarkuar në kuaj, ndërsa gratë ishin mbuluar me veshje myslimane. Gjatë asaj rruge të gjatë dhe shumë të mundimshme, një pengesë të madhe e kishin pasur edhe gjatë kalimit të lumit të Lepencit, i cili ishte trazuar shumë. Në atë gjendje, Veli Meliqi me shoqëruesin i kishin marrë në krah dy fëmijët dhe nënën e Mois Frances, duke i kaluar nëpër ujë andej lumit. Qëndrojnë dy orë në fshatin Nigishtan, pastaj stacionohen në shtëpitë e Meliqve në Han të Elezit, ku qëndrojnë dy ditë e një natë. Më vonë, në mbrëmje, e vazhdojnë udhëtimin drejt pjesës kufitare. Në zonën e kufirit ndërmjet fshatrave Gajre dhe Gerlicë, Veli Meliqi, me kuajt e mbushur me hebrenj, takohet me ruajtësit e kufirit, fshatarë shqiptarë që kishin marrë obligim në atë shteg të mos lejonin kalime ilegale. Meliqi fjaloset rëndë me “ruajtësit e kufirit”, të cilët kërkonin kthimin mbrapa se do t’i lajmëronin forcat bullgare. Derisa zgjat fjalimi i ashpër, Meliqi i kishte bërë me shenjë shoqëruesit të karvanit që të vazhdonte rrugën… Ndërkohë që penguesit zmbrapsen, hebrenjtë ishin larguar nga zona e rrezikut. Posa kalojnë në fshatin e Meliqve, aty stacionohen derisa gjejnë lidhjen tjetër drejt brendisë së Shqipërisë. Familja e shpëtuar hebraike, Frances, përfundoi te familja shqiptare Kasapi në Tiranë, ku qëndroi derisa ndryshoi situata politike.

Në fund të vitit 1945, familja Frances kthehet në Shkup, ku e kishte vizituar edhe Veli Meliqin me familjen dhe e kishte falënderuar për gjithë kontributin e dhënë në shpëtimin e jetëve të tyre. Në vitin 1948, pas themelimit të shtetit izraelit, familja Frances kishte emigruar në Izrael.

Emri i Veli Meliqit sot nuk gjendet në memorialin e njohur të Jad Vashemit në Jerusalem, dhe kjo ka një shpjegim të thjeshtë – për shumicën e shoqërisë konservatore shqiptare  myslimane të asaj kohe lavdërimi publik se ke shpëtuar hebrenj nuk të sillte ndonjë imazh shumë pozitiv. Por, e vërteta tjetër është se për karakterin e shqiptarit nuk ishte i pëlqyeshëm lavdërimi i mirësisë ndaj dikujt, meqë ajo shihej si një vlerë shumë humane dhe intime njëkohësisht, shpërblimi i së cilës mund të bëhej vetëm nga mëshira e Zotit. Prandaj, deri në vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar nuk ishte shpalosur kjo e vërtetë.

Mirënjohja e munguar

Për herë të parë, vetë Veli Meliqi ishte rrëfyer para një gazetarit shqiptar (Shih: Fadil Curri, “A(h) fati(h) ynë në peshojë”, Shkup, 1994), pasi që familja hebraike Frances e kishte vizituar familjen Meliqi në Shkup në vitin 1989. Madje, sipas rrëfimit të Ramadan Meliqit, vetë znj. Eni (Ester), gjatë kësaj vizite i kishte nënshkruar një kujtim në fotografinë e përbashkët, në gjuhën hebraike, por fatkeqësisht, ajo fotografi dëshmi kishte humbur.

Takimi i dytë i ngrohtë ndodhi pas shumë dekadave, në Pogradec të Shqipërisë, në prill të vitit 2017, ku me ndërmjetësimin e drejtorit të ITShKSh-së, Skender Asani, u takuan Ramadan Meliqi (djali i Veli Meliqit) dhe Eni (Ester) Frances, e shoqëruar nga vajza e saj Michael Kaplan. Ato kishin ardhur nga Izraeli me ftesë të një stacioni televiziv italian, për ta rrëfyet historinë e shpëtimit të tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Megjithatë, në regjistrin e “Të drejtëve midis kombeve”, në Qendrën Përkujtimore Botërore të Holokaustit “Yad Vashem” në Jerusalem, ende figurojnë vetëm emrat e gjashtë familjeve maqedonase (me 10 anëtarë), konkretisht familjet: Altiparmak, Cekada, Siljanovski, Todorov, Ribarev dhe Haxhi-Mitkov. Dy të fundit (Ribarev dhe Haxhi-Mitkov), në vitin 1976 janë dekoruar për rastin e shpëtimit të familjes së lartpërmendur Frances nga Shkupi.

Madje, Ramadan Meliqi kujton një moment kur vjen një delegacion nga Izraeli në Shkup, për t’i sjellë dekorata Haxhi-Mitkovit. Ky i fundit, kur e pranon mirënjohjen, para masës së tubuar çohet në këmbë dhe me gishtin drejtuar Veli Meliqit, i pranishëm në sallë, thotë “Këtë mirënjohje ia dedikoj atij mikut tim, Veliut, që është në fund të sallës. Ai është heroi i shpëtimit të hebrenjve”!

Objektivisht, derisa dihet fakti se të gjithë të mbijetuarit e Holokaustit kanë shpëtuar pikërisht duke e kaluar kufirin drejt Shqipërisë, e që në fakt ai kufi nga të dyja anët popullohej nga qytetarë shqiptarë myslimanë, shtrohet pyetja se a ka qenë e mundur që një joshqiptar e jomysliman ta kalojë atë kufi?! Pra, logjikisht, të gjithë hebrenjtë e shpëtuar nga Maqedonia kanë kaluar në Shqipëri falë guximit të shqiptarëve myslimanë, të cilët e kanë njohur mirë terrenin dhe i kanë pasur lidhjet miqësore dhe farefisnore me pjesën e Kosovës/Shqipërisë, gjë që ka bërë të mundur të kalonin pa probleme dhjetëra familje hebraike në kohën kritike.

Pak kohë më parë mësova edhe një lajm tjetër intrigues, të panjohur deri më tani për publikun, se dy fëmijë hebrenj (vëlla e motër) ishin strehuar në një fshat të Komunës së Likovës, deri pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Pasi ishin kthyer në Izrael, kishin dërguar disa letra e kartolina te familja që i kishte strehuar, por të gjitha ato kanë humbur, sikurse ka humbur edhe çdo kanal tjetër komunikimi me ta, po ashtu për arsyet që i përmendëm më lart.

Gjithsesi, çdo jetë njeriu është e shtrenjtë dhe për të duhet të kujdeset çdonjëri, pavarësisht bindjeve politike, ideologjike, religjioze ose përkatësive etnike. Dikur ishte në rrezik të shfarosjes populli hebre, ndërsa tani është në rrezik të shfarosjes populli palestinez. Ashtu si dikur u ndihmuan hebrenjtë, sot duhet ndihmuar palestinezët!

Intervista e autorit me Ramadan Veli Meliqin

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X