Kryeministri shqiptar, në vend që të gjejë zgjidhje për situatën në të cilën gjendet vendi, ai vazhdon të sillet si politikan ndërkombëtar, i cili është i ngarkuar për të rregulluar punët e botës. Pasi njoftoi fundin e nismës “Ballkani i Hapur”, tani po harxhon kohë me Procesin e Berlinit. Angazhimi i Shqipërisë në projektet ndërkombëtare nuk është gabim, por duhet të ketë një minimum etik – Tirana nuk mund të sillet sikur është vendi model për të bashkëpunuar me vendet e tjera.
Shkruan: Çelo HOXHA, Tiranë
Në Shqipëri, prej vitit 2013 qeveris e njëjta parti. Kjo është e hera e parë, që nga rënia e komunizmit (1991), që një parti qeveris për tre mandate rresht. Për ironi, partia në pushtet prej tre mandatesh është po ajo parti, por me emër tjetër, e cila ka pasur kryeministrin më jetëgjatë në historinë e Shqipërisë, 27 vjet në detyrë. Vitin tjetër, kryeministri i dytë më jetëgjatë në detyrë do të jetë kryeministri aktual i Shqipërisë, Edi Rama, i cili do të hyjë në vitin 11 të pushtetit. Me 10 vjet si kryeministër (2013-2023), ai ka barazuar tashmë Enver Hoxhën (1944-1954).
Për të rinjtë, të cilët mund të mos kenë shumë njohje për të shkuarën (sepse dhe tekstet shkollore nuk ndihmojnë shumë) kujtojmë se në periudhën 1944-1991 në Shqipëri u vendos regjimi komunist, një nga tiparet themelore të të cilit ishte mosndërrimi i qeverisjes me zgjedhje. Në krye të piramidës së pushtetit qëndronte një klikë e pandryshueshme, e cila zhvillonte zgjedhje që nuk sillnin ndryshim. Në 47 vjet, komunistët patën 3 kryeministra: Enver Hoxha (1944-1954), Mehmet Shehu (1954-1981) dhe Adil Çarçani (1982-1991). I pari e la postin e kryeministrit me kërkesën e udhëheqjes komuniste sovjetike, sepse asokohe Shqipëria ishte satelit i Bashkimit Sovjetik. I dyti u largua nga jeta dhe nga detyra njëkohësisht, e vetëvrau partia e tij. I treti e la postin në fillim të vitit 1991, si taktikë e manovrave të PPSH-së për të ruajtur pushtetin dhe për të demokratizuar vendin njëkohësisht. Askush nuk largohej nga pushteti pasi humbte në zgjedhje. Zyrtarët e niveleve të larta largoheshin nga detyra për një arsye: kur e kishin humbur mbështetjen e zotëruesit real të pushtetit, që ishte Enver Hoxha (deri më 1985) e Ramiz Alia pas tij, ose të njerëzve rreth tyre, të cilët kishin ndikim te ata. Pushteti komunist ishte një pushtet që bashkëjetoi me krimin dhe ky tipar i tij duket i trashëguar edhe nga pasardhësit politikë të tij.
Problemi kryesor i qeverisjes socialiste, që në fillim (2013) ka qenë lidhja e saj me botën e krimit. Si zgjidhje për këtë problem, opozita pozoi në vitin 2015 një ligj për pastrimin e politikës nga elementët kriminalë. Për të kuptuar sa e rëndë ishte gjendja mjafton të citojmë një fragment nga ligji i miratuar (Ligji nr. 138/2015, neni 2): “Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërië, kryetar bashkie apo këshilltar në këshillin bashkiak, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funskionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat të cilët janë dënuar me burgim me vendim të formës së prerë, brenda ose jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë…”
Krimi kishte depërtuar deri në nivelet më të larta të vendimmarrjes. Karshi kësaj gjendjeje alarmante kanë reaguar dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian, apo Britania e Madhe. SHBA dhe Britania kanë shpallur nongrata për vendet e tyre disa politikanë të lartë shqiptarë, deputetë, kryetarë bashkie, biznesmenë etj., të akuzuar për veprimtari kriminale, kryesisht korrupsion. Mes tyre është dhe ish-kryeministri Sali Berisha, i vetmi politikan i lartë i opozitës i akuzuar deri tani. Pjesa tjetër e nongratave i përkasin partisë në pushtet. Shpallja nongrata nuk ka efekte juridike, por është një dënim moral, duke pasur parasysh që vendimet e SHBA-së dhe BE-së kanë ndikim në Shqipëri, e cila është anëtare e NATO-s dhe aspirante për anëtarësim në BE.
Gjatë viteve të fundit, me mbështetjen e pakushtëzuar të SHBA-së, kanë përmirësuar performansën e tyre edhe organet e prokuorisë dhe të sistemit gjyqësor, pas një reforme ligjore të miratuar me mbështetjen e SHBA-së. Rezultatet janë të dukshme – tashmë kanë filluar të arrestohen dhe dënohen politikanë të të gjitha nivele, deri deputetë, ministra e zëvendësministra, gjë që para disa vitesh ishte e pamendueshme.
Në vijim po japim disa shembuj:
– Më 14 dhjetor 2021 u arrestua ish-ministri Mjedisit në qeverinë e Ramës, 2013-2017. Akuza, sipas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ishte kjo: “Në cilësinë e ish-ministrit të Mjedisit, ka kërkuar, ka pranuar dhe ka marrë nga shoqëritë tregtare që janë përfitueset e kontratës së koncesionit, përfitimet e parregullta monetare, në mënyrë të tërthortë, nëpërmjet krijimit të një skeme fiktive për kryerjen e punimeve në shoqërinë koncensionare, duke përdorur disa shoqëri tregtare të tjera të kontrolluara në mënyrë të tërthortë prej tij, të kontrolluara prej personave familjarë të tij, si dhe të kontrolluara prej subjekteve tregtare në zotërim të tij.”
– Më 4 shkurt 2022, u dënua me 3 vjet e 4 muaj ish-ministri i Brendshëm në qeverinë e Edi Ramës, 2013-2017. Akuza, sipas vendimit të gjykatës ishte: Shpërdorim detyre, bashkëpunim me grupe kriminale, përfitime të padrejta nga grupet kriminale, etj.
– Arben Ahmetaj, zëvendëskryeministër 2021-2022, dhe deputet 2009-2023, gjendet në arrati, pasi Kuvendi i hoqi imunitetin më 14 korrik 2023, me kërkesën e SPAK-ut, që kërkon arrestimin e tij.
Ish-zëvendëskryeministri pretendon se gjendet jashtë vendit për “arsye familjare serioze” dhe jo në arrati. Në një postim të gjatë në Facebook, më 14 korrik, ditën e heqjes mandatit të deputetit, ai kishte futur dhe këtë “thënie të vjetër nga Franca”, të cilën avokati i tij e kishte cituar në Këshillin e Mandateve të Kuvendit: “E shoh që dy zgjidhje të mundshme ka në tavolinë, ose do të bjerë koka e mbretit, ose ju do të duhet të pranoni dështimin e revolucionit.” Ky duket si një mesazh fajësimi për veten dhe kërcënimi për zyrtarë më të lartë se ai.
Kryeministri sa herë që është pyetur për ministrat e tij të akuzuar ose të dënuar ka deklaruar të njëjtën gjë, që përgjegjësia është personale. Në mesazhin e datës 14 korrik, Ahmetaj kishte dhe këtë frazë: “I falënderoj të gjithë kolegët e mi, të mazhorancës dhe opozitës që do të votojnë sot, dhe ata që vrapojnë dhe thonë që përgjegjësia është personale. Poooo, personale është, kur e shkel. Sidomos për ata të hershëm, sot në opozitë, e të rinj që firmosin për punë e projekte….”
Këta që përmenden janë tre zyrtarët më të lartë të arrestuar ose të dënuar nga organet e prokurorisë, por lista e zyrtarëve të kësaj qeverie, të cilët janë dënuar ose arrestuar, është e gjatë. Në të përfshihen deputetë, kryetarë bashkie, këshilltarë bashkish, sekretarë institucionesh, etj.
Përballë këtij niveli kriminalizimi të institucioneve, Komisioni Europian vendosi të pezullojë programin e ndihmës për Shqipërinë, me vlerë 112 milionë euro për bujqësinë, muajin e kaluar. Më 19 korrik 2023, zyra e BE-së në Tiranë deklaroi se “Komisioni Europian ka informuar qeverinë shqiptare se ka marrë masa paraprake bazuar në informacionin fillestar të dhënë nga Zyra Europiane Kundër Mashtrimit [OLAF], pas një hetimi mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e programit “IPARD II”. Si masë parandaluese për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Europian, Komisioni Europian ka ndërprerë përkohësisht rimbursimet ndaj autoriteteve shqiptare për shpenzimet e kryera në kuadër të programit ‘IPARD II’”.
Kryeministri shqiptar, në vend që të gjejë zgjidhje për situatën në të cilën gjendet vendi, ai vazhdon të sillet si politikan ndërkombëtar, i cili është i ngarkuar për të rregulluar punët e botës. Pasi njoftoi fundin e nismës “Ballkani i Hapur”, tani po harxhon kohë me Procesin e Berlinit. Angazhimi i Shqipërisë në projektet ndërkombëtare nuk është gabim, por duhet të ketë një minimum etik – Tirana nuk mund të sillet sikur është vendi model për të bashkëpunuar me vendet e tjera.
Pasi harxhoi disa vite duke propaganduar krijimin e “Ballkanit të Hapur”, muajin e kaluar Rama shpalli fundin e “Ballkanit të Hapur” dhe promovoi një nismë tjetër, të quajtur Procesi i Berlinit. S’ka politikan që të prezantojë punën e tij si një dështim, kurrë, në asnjë vend të botës nuk gjen të tillë, andaj edhe Rama nuk mund ta prezantonte ndryshe dështimin e “Ballkanit të Hapur” veç si një sukses, me rezultate “fantastike”. E vërteta është se “Ballkani i Hapur” dështoi sepse Kosova, Mali i Zi dhe Bosnja nuk u bënë pjesë e tij, nuk pranuan të ktheheshin nën tutelën serbe, si dikur në ish-Jugosllavi. Nga e kuptojmë këtë? Nga deklarata e vetë Ramës, kur flet “për domosdoshmërinë që të gjithë [vendet e Ballkanit Perëndimor] së bashku të futemi nën ombrellën e Procesit të Berlinit.”
Si përfundim, mund të themi që çdo lloj nisme ndërkombëtare do të jetë e dështuar ose pa përfitime, kur protagonistë të saj janë politikanë që kanë dështuar totalisht në politikat e brendshme të vendit ose vendeve të tyre. Nisma të tilla shërbejnë veç si vendstrehim, për t’u arratisur nga përballja me dështimet e brendshme. Një vendsstrehim i përkohshëm, ama. Herët a vonë, realiteti të përplaset në fytyrë. Pa kompromis.