Në mungesë të një diskutimi mbi ekspertizën dhe fenomenin që po synohet të parandalohet, bëhet shumë e thjesht që zhargoni “ad hominem” të prevalojë, duke krijuar vija demarkacioni ndërmjet bashkëbiseduesve. Në njërën anë qëndrojnë të mirët, të ndershmit, punëtorët, të përkushtuarit, teksa nga ana tjetër qëndrojnë përherë të korruptuarit, dembelët, mashtruesit dhe egoistët.
Shkruan: Lulzim HOXHA, Tiranë
Gjatë një projekti të shoqërisë civile, që kishte si synim mbrojtjen e jetës së egër dhe specieve në rrezik zhdukjeje në Shqipëri, ishin ftuar në një workshop organizata të ndryshme ambientaliste të shoqërisë civile. Workshopi qe organizuar në kuadër të finalizimit të projektit “Kundër helmimit të shkabave në Shqipëri” dhe kishte fituar mbështetjen financiare nga programet e Bashkimit Europian për mbrojtjen e natyrës së egër në Ballkan. Pasi u komunikuan rezultatet e projektit nga organizata lider dhe përfaqësues të organizatës partnere në projekt, fjalën e morën disa përfaqësues të organizatave të tjera ambientaliste, të cilët u shfaqën shumë skeptikë mbi punën e kryer në terren nga fituesit e projektit. Diskutimi mbi fenomenin e mbrojtjes së natyrës së egër gradualisht nisi të spostohej mbi çështje të tilla si: ku shkoi shuma e majme e akorduar nga programet e Bashkimit Europian për fituesit e projektit? Si është shpenzuar i gjithë ky fond vetëm për 2 fushata ndërgjegjësimi apo ku është raporti përfundimtar i punës së zhvilluar në terren nga organizatat fituese? Siç ndodh shpesh në të tilla aktivitete, organizatat e ftuara përfunduan duke akuzuar njëra tjetrën si organizata fantazmë, që fitojnë projektet dhe marrin fondet pa realizuar asnjë nga objektivat e deklaruara në projekt. Nga fundi i workshopit, fjalën e merr Drejtori Ekzekutiv i organizatës partnere në projekt, i cili mes të tjerash deklaron se “Shkaba është ndër banoret më të vjetra të Ballkanit, madje edhe më e vjetër se shtetet ballkanike, institucionet apo asfalti i rrugëve. E nëse mjedisi në shtetet ballkanase nis të transformohet me një ritëm të shpejtë, të parët që do largohen do të jenë banorët më të vjetër të tij; simbolet e vendit, që jo vetëm janë pjesë e folklorit, por edhe simbolika të të jetuarit në zonat malore të këtij gadishulli.” Mandej shton se “sa i takon fondeve të projektit, dua t’ju them se ne jemi përfaqësues të shoqërisë civile dhe shoqëria civile ka shumë pak vite që ekziston në vendin tonë. Prandaj, shembulli më i mirë që duhet të marrim është ai i partive politike, të cilat janë më të hershme se ne dhe kanë më tepër impakt te njerëzit.” Vazhdimi i diskutimit të kujtonte ato debatet në televizion gjatë fushatave elektorale të viteve 2000’ ku kandidatët e partive politike rivale akuzonin vazhdimisht njëri-tjetrin se kush kishte grabitur më shumë fonde dhe cili nga të dy kandidatët qe më i ndershëm në mbajtjen e premtimeve të deklaruara dhe cili ishte më i korruptuari dhe më mashtruesi. Në mungesë të një diskutimi mbi ekspertizën dhe fenomenin që po synohet të parandalohet, bëhet shumë e thjesht që zhargoni “ad hominem” të prevalojë duke krijuar vija demarkacioni ndërmjet bashkëbiseduesve. Në njërën anë qëndrojnë të mirët, të ndershmit, punëtorët, të përkushtuarit, teksa nga ana tjetër qëndrojnë përherë të korruptuarit, dembelët, mashtruesit dhe egoistët. Po aq karakteristik është fakti se ndarja në këto linja fillon sapo tema e diskutimit lidhet me fondet. E nëse fondet jepen nga donatorët e Bashkimit Europian, i perceptuar rëndom si një entitet i huaj nga “mënyrat tona” të të vepruarit, shfajësimi bëhet më i lehtë dhe vija e dihotomisë mes të ndershmit dhe të korruptuarit bëhet më e lehtë për t’u kapërcyer. Por, ndërsa organizatat (qofshin partiake apo OJQ) prej më shumë se 30 vjetësh dhe prej gati dy brezash vijojnë të akuzojnë armikun imagjinar – i cili as në gjysmë shekulli komunizëm nuk arriti të identifikohej – konteksti (kokëfortë si ngaherë) vijon të riprodhojë të njëjtën problematikë, por sakaq narrativa duket e salduar hermetikisht në të tashmen e përjetësuar: Bashkimi Europian ofron fondet (siç bënte dikur Bashkimi Sovjetik), organizatat ofrojnë ekspertizën, organizatat akuzojnë njëra-tjetrën mbi mungesën e ekspertizës, fondet merren dhe jepen por realiteti mbetet po njësoj. Mërgimi i shkabave vijon, ashtu sikurse edhe mërgimi i atyre të rinjve të cilët nuk i besuan spektaklit të madh të fondeve europiane për zhvillimin (si p.sh projekti “Tirana Kryeqyteti Europian i Rinisë”) të sajuar nga shoqëria civile.
Pas rënies së komunizmit në vitet e ’90-ta, kur liderët e sistemit të ri politik kthyen sytë nga perëndimi për rimëkëmbjen e ekonomive shtetërore tashmë të falimentuara, Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara i prezantuan me “butonin magjik”, që do t’i jepte fund të shkuarës komuniste: forcimi i shoqërisë civile. Por, çfarë përfaqëson dhe çfarë roli luan shoqëria civile në një shoqëri si e jona? Ernest Gellner-i shkruan se “Shoqëria civile është një formë organizimi mbi baza pragmatiste dhe jo ideologjike. Në shoqërinë civile nuk ka një parajsë që të thërret e ta bën me dorë. Kisha dhe shteti janë të ndara; kurrfarë feje civile nuk imponohet dhe as nuk mbështetet. Të mbrojtur nga një rrjet institucionesh reciprokisht frenuese, individët janë të lirë t’i kërkojnë vetë vizionet e tyre private të parajsës.” Në këtë kuptim, organizatat e shoqërisë civile janë të bashkëshkrira me të gjitha idealet e Bashkimit Europian në vendet e Ballkanit: ato janë të pavarura nga shteti dhe nga bizneset, pavarësisht se mund të bashkëpunojnë edhe me shtetin edhe me bizneset; janë të zhveshura nga traditat vendase dhe e shkuara, por para së gjithash shërbejnë si agjentë socialë të liberalizmit në çdo vend ku ato kryejnë aktivitetin e tyre. Në fund të viteve ’90-të, kur flitej për politikat e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit, Komisioni Europian theksonte se “integrimi në BE do të vijë vetëm nëpërmjet forcimit të kapaciteteve të shoqërisë civile”. Në fillimin e viteve 2000 qe krijuar përshtypja se promovimi i politikave neoliberale (dhe jo strategjia e politikave shtetërore!), nëpërmjet iniciativave “të lira” të shoqërisë civile, do të ishin “çelësi i suksesit” për integrimin në BE. Shumëfishimi i numrit të organizatave të shoqërisë civile të regjistruara gjatë dekadës së fundit në Tiranë është tregues i suksesit të këtij ideali të ri, që ka zënë vend në Shqipëri. Sot kemi arritur në momentin ku shkrimi i projekteve për organizatat e shoqërisë civile ka fituar prioritet edhe mbi kërkimin shkencor. Madje, edhe artikujt shkencorë po marrin gjithnjë e më tepër trajtat e projekteve, ku “hipoteza” po zëvendësohet me “objektivat”, “korniza teorike” me “aktivitetet” dhe “përfundimet” me “rekomandimet”. Në tetor të vitit 2022, kryeministri Rama (ish-anëtar i shoqërisë civile në fillimvitet ’90-të), gjatë një interviste në media mbi protestat e pedagogëve të Universitetit të Tiranës për rritjen e fondeve të kërkimit shkencor, deklaronte se: “Pedagogët duhet t’u mësojmë të shkruajnë projekte, në mënyrë që pagën e fakultetit ta përdorin vetëm për shpenzime të vogla”.
Aktualisht, buxheti i shtetit shqiptar për kërkimin shkencor është afërsisht 0.05 për qind e GDP-së, shifra më e ulët në rajon dhe shumë larg rekomandimeve të BE. Nisur ky angazhim i ulët i shtetit në mbështetjen e kërkimit shkencor dhe veçanërisht instituteve kërkimore, bëhet e qartë se ato pak studime mbi Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare u mbeten veç iniciativave të lira të pedagogëve të fakulteteve ose të studiuesve jashtë vendit. Në “Paketën e Zgjerimit”, që u miratua nga Komisioni Europian në tetor të vitit 2022 për vendet e Ballkanit Perëndimor, kapitulli 25 thekson reformat që duhet të ndërmarrin këto vende në fushën e shkencës dhe kërkimit shkencor. Në paragrafin për Shqipërinë rekomandohet që “të rriten investimet në kërkimin shkencor në mënyrë që të forcohen kapacitetet kërkimore dhe inovacioni në shkallë kombëtare për të përshpejtuar zhvillimin ekonomik të vendit dhe reduktimin e dëmeve që ka sjellë fenomeni brain drain i emigrimit masiv të kërkuesve shkencorë dhe profesionistëve të rinj.” Pavarësisht rekomandimeve të BE, siç u pa në rastin e protestës së pedagogëve në Tiranë, për strategjinë politike të qeverisë shqiptare, kërkimi shkencor nuk është pjesë e prioriteteve. Nga ana tjetër, ende nuk është ndërmarrë ndonjë nismë me iniciativë shtetërore si kundërpërgjigje ndaj largimit masiv të të rinjve të kualifikuar. Madje, nga qëndrimet zyrtare të qeverisë të krijohet përshtypja se ky fenomen nuk përbën as shqetësim. Teksa ekzistojnë me dhjetëra nisma të ndërmarra nga donatorë të shoqërisë civile për t’u përballur me fenomenin brain drain dhe organizata të ndryshme në Ballkanin Perëndimor kanë marrë përsipër implementimin e projekteve për “kthimin e trurit”, impakti në realitet ende nuk është materializuar. E në gjithë këtë sfond, në universitetet private ku numri i studentëve po ulet nga viti në vit, kanë nisur të ofrojnë kurse gjermanishteje falas për t’u ardhur në ndihmë të rinjve që nuk e shohin të ardhmen e tyre në Shqipëri. E tepërt të thuhet që kërkimi shkencor nuk ka impakt rajonal, përderisa impakti i tij nuk mbërrin as në shkallë lokale. Në fakt, më tepër impakt kanë gafat e studimeve të akademikëve si në rastin e Pamfletit të famshëm sesa aktivitetet shkencore në fakultete, pjesa dërrmuese e të cilave zhyten në harresë dhe arkivohen në pluhurin e bibliotekës vetëm pak kohë pasi kanë parë dritën. Për më tepër, në kushtet e një ekonomie të paqëndrueshme, kërkimi shkencor në Shqipëri paraqet një sipërmarrje afatgjatë dhe shpeshherë të kushtueshme, kurse projektet e OJQ-ve mundësojnë një angazhim më afatshkurtër, të atypëratyshëm dhe më tepër fitimprurës. Kësisoj, kur e ardhmja për brezat e rinj të profesionistëve bëhet e paqartë (ndoshta edhe më shumë se në të shkuarën), premtimet e vogla, të përditshme dhe të përkohshme të shoqërisë civile, nisin ta kompensojnë mungesën e një strategjie shtetërore afatgjatë në promovimin e kërkimit shkencor.