loader image
October 11, 2024

Antishqiptarizmi që frymëzohet nga intelektualët serbë

Përse pas çdo ngjarjeje, vrasjeje e masakre, që serbët kanë kryer ndaj shqiptarëve, shoqëria serbe dhe, veçanërisht, media nuk ka reaguar kurrë. Kështu ndodhi edhe në ngjarjen e fundit në Banjskë dhe kështu kanë ndodhur edhe në shumë ngjarje ndër dekada e shekuj. Një “guidë” e zezë me katër antishqiptarët më të mëdhenj serbë – që nga mjeku Vlladan Gjeorgjeviq, ushtaraku Peter Mishiq, profesori Vaso Çubrilloviq, e deri te nobelisti i letërsisë Ivo Andriq, që e frymëzuan Serbinë me shkrime, studime, libra dhe platforma për të shfarosur popullsinë shqiptare. Por, që jo vetëm nuk ia dolën, por sot janë kthyer në turpin të historisë së Europës.

Roland QAFOKU, Tiranë

Në numrin e 3 prillit të vitit 1999 të gazetës “Koha Jonë” publikova një nga ngjarjet më çnjerëzore, më makabre, më të rënda e, njëkohësisht, më të trishta. Në dosjet e prokurorëve të Tiranës, që po përgatisnin me fakte për gjenocidin serb dhe që do të dorëzoheshin në Gjykatën e Hagës, zbulova se ndodhej edhe dëshmia e një mesoburri nga Kosova që ndodhej në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit për t’u mjekuar si i mbijetuar nga dhuna. Teksa e kishin marrë në pyetje, prokurorët dëgjuan nga goja e tij një krim përtej imagjinatës dhe skenarëve të filmave horror të regjisorit Hollywood-ian Quentin Tarantino. Një skuadrilje ushtarakësh serbë kishte hyrë në banesën e tij në një fshat pranë Prishtinës dhe teksa i godisnin me ç’të mundnin, i lidhën të gjithë pjesëtarët e familjes, ndërkohë që i biri, një foshnjë 6-muajshe, qante pa pushim në krevatin e tij. “Të bezdisur” nga të qarat, në këtë moment, dy prej serbëve i prenë kokën foshnjës në sy të prindërve dhe më pas e hodhën në tenxheren e supës dhe me normalitetin e kanibalëve e urdhëruan të atin me fjalët: “haje”! (Qafoku Roland, Foshnje e therur në tenxheren e supës, gazeta “Koha Jonë”, 3 prill 1999). Ç’mund të ndjejë një gazetar që e raporton këtë krim monstruoz dhe ç’mund të ndjejë një lexues kur këtë lajm e lexon në gazetë? Mes 13.500 shqiptarëve të Kosovës, që u vranë dhe u zhdukën gjatë atij operacioni shfarosës, pa dyshim ky është krimi më i rëndë. Sigurisht që asnjë gazetar serb nuk ka shkruar deri tani asnjë rresht për këtë krim. Asnjë gazetar serb nuk ka shkruar asnjë rresht as për ndonjë nga vrasjet e shqiptarëve të Kosovës. Asnjë shkrimtar, intelektual ose akademik nga Serbia nuk ka shkruar asnjë radhë për atë që ndodhi gjatë shkurt-mars 1999 dhe që cilësohet si gjenocidi më i madh në Europë pas atij të hebrenjve pas Luftës së Dytë Botërore. Asnjë personalitet me influencë në shoqërinë serbe nuk ka shkruar për asnjë nga masakrat që serbët kanë kryer ndaj popullsisë shqiptare përgjatë shekullit të 19-të dhe 20-të dhe asnjë historian serb nuk ka shkruar ose përmendur, në studimet e tij, ndonjë krim të bërë nga serbët ndaj shqiptarëve. Por, ata nuk janë mjaftuar vetëm me indiferencë, edhe pse kjo do të ishte mjaftueshëm për ta cilësuar kriminale. Për intelektualët serbë ka ndodhur një fenomen akoma më i rëndë. Në mënyrë të rregullt, studiues, historianë, akademikë dhe personalitete të jetës publike kanë shkrirë energjitë e tyre duke hartuar platforma për t’i zhdukur nga faqja e dheut shqiptarët. E dokumentuar tashmë, kjo e vulos gjithë atë që ka ndodhur mes dy popujve. Serbët janë treguar gjakatarë duke kryer masakra të vazhdueshme ndaj shqiptarëve, ndërsa shqiptarët kanë qenë përherë viktimat e terrorit serb. Mbështetur në këto, kinse, studime historia e raporteve serbe dhe shqiptare është shkruar prej tyre si një përrallë dhe përrallat janë shkruar si histori.

Platformat antishqiptare të intelektualëve që kanë frymëzuar shoqërinë serbe

Për botën mbarë të gjitha platformat antishqiptare kanë përfunduar në kosh. Por, kur i lexojmë sot, e kuptojmë akoma më qartë se çfarë synimi ekstrem kanë paSur serbët dhe, njëkohësisht, çfarë vitaliteti kanë treguar shqiptarët, duke ia dalë t’i mbijetojnë këtij gjenocidi në mes të Europës. Po sjellim si shembull vetëm disa personazhe të njohura nga Beogradi se çfarë kanë shkruar ata për shqiptarët. I pari është Vlladan Gjeorgjeviq, një mjek dhe shkrimtar i njohur nga Beogradi, që jetoi në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të dhe që pas angazhimit në politikë u bë kryeministër dhe ministër i Jashtëm. Në vitin 1913 ai publikoi, në fillim në gjermanisht dhe më pas në frëngjisht, librin më të zi të shkruar ndonjëherë për shqiptarët me titull “Shqiptarët dhe fuqitë e mëdha”. Poshtërimi dhe shpifja pa kufi ndaj shqiptarëve e përshkon gjithë librin, duke shkuar deri në etiketime ofenduese si: thatikë të vegjël, i shëmbëllejnë jevgut, parahistorikë që prej frikës së shtazëve flinin në pemë e deri te cilësime si njerëz me bisht. (Gjerogjeviq Vladan, Shqiptarët e Fuqitë e mëdha, Klubi i poezisë, Tiranë, 2015, Përktheu: Mustafa Kruja, faqja 29). Kështu shkruante, mes tjerash, Vlladan Gjeorgjeviq:

“Serbia kërkon vetëm një pjesë të vocërr të Shqipnis, një copëz të vogël nga bregu i detit, prej Leshit e deri në Durrës. Nëqoftëse Austria ngul këmbë që vetëm me nji Shqipni autonome mund të sigurojë interesat e saj në këtë vend, e nëqoftëse tue u mbështetun në fuqinë e armëvet edhe ia mbërrin këtij qëllimi, atëherë Serbisë do ti pritej çdo udhë për të dalë në det dhe serbët do të ishin të shtrënguem me qenë armiq të vërtetë për vdekje të Austrisë. Shqiptarët duke qenë inferior, duhej që dikush në jetën e tyre politike ti edukojë dhe po të jetë nevoja edhe ti ndryshojë. Pra, si popull ma i kulturuem, na kemi më shumë të drejtë me sundue mbi shqiptarët e me u pri atyre”. (Gjorgjeviq Vladan, Shqiptarët e Fuqitë e mëdha, Klubi i poezisë, Tiranë 2015, Përktheu Mustafa Kruja, faqja 24)

I dyti është Peter Mishiq, komandant i ushtrisë serbe me gradën kolonel, që besohet se është mbreti Petër Karagjorgjeviq, që luftoi dhe kaloi në Shqipëri gjatë Luftës së Parë Botërore. Më 20 maj 1915, nga Ohri, ku ai ndodhej, lëshoi një thirrje për shqiptarët, një dokument që sot gjendet në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë. E shkruar në serbisht, shqip dhe arabisht, ky ushtarak, që madje u ndihmua nga shqiptarët teksa kalonte repartet e tij nëpër tokën tonë, ka lënë me shkrim mendimet e tij të zeza si pjesë e një platforme shfarosëse që kishte shteti serb ndaj shqiptarëve, si dhe të përmbysjes së historisë. Shkruante me nënshkrimin Peter Mishiq, mbreti i serbëve:

“Dëgjoni dorëzimet tanë dhe këshillat tona. Serbët e shqiptarët rrojnë në fqinjë e bashkë, më tepër se 1300 vjet. Juve shqiptarët, as nuk mundi as nuk kini ku të largoheni prej nesh. Edhe ne serbërit, nuk duam e as dëshirojmë ta lëmë vendin tonë. Kemi rrojtur kaq kohë bashkë dhe jemi të shtrënguar edhe pas kësajthi, bashkë të rrojmë. Juve për mëse 800 vjet keni rrojtur ndënë hijet e mbretërve t’anë gjer ndër kohë që erdhën turqit edhe pushtuan si vendin tonë kështu edhe tuajnë. Shumë serbë dhe shqiptarë ndërruan edhe fenë. Po le të besojë secili si të dojë edhe le ti falet Zotit si i duket mirë se do t’i pritet të luturit. Erdhi kohë me emrin e Zotit, turqit të kthehen prapë ndër vendet që prej të cilëve erdhën 500 vjet më parë. Juve shqiptarët mbretërinë e turqve as ta mbani e as ta shpëtoni nuk mundni. Kundër shrembërisë dhe tiranisë janë ngriturt englezët, frëngjët, rusët dhe italianët. Edhe bashkë me ta edhe serbët dhe belgjianët. Edhe si duket pas pak kohë bashkë, me ata do të jenë edhe të tjerë. Juve kur punoni pas intrigave të të huajve punoni kundër vetes tuaj. Edhe vini në rrezik edhe jetën, edhe pasjen tuaj. Juve nuk mundi të shpëtoni as Tyrqinë as Austrinë kur tërë Europa është kundër atyre. Shikoni shtëpinë tuaj dhe dhenë tuaj. Neve tani bijmë kundër atyre që nuk na lënë në paqtim, kundër atyre që prapa krahëve tuaj punojnë për llogari të Turqisë dhe Austrisë, edhe kundër të rrojturit tanë edhe ndë paqtim dhe kundër miqësisë sonë. Bashkohini pra bashkë me neve që të pasotrojmë vendin tuaj nga njerëzit e liq. Edhe të sigurojmë paqtimin ndë shtëpitë tuaja dhe ndë kujfijtë tonë. Gjithashtu, edhe ju serbët ortodoksë që keni mbetur jashtë nga vendi ynë bashkohuni me ne. Sepse po u sjellmë juve ndihmë si vëllezër të vërtetë dhe siguri të fesë dhe të gjuhës tuaj. Neve nuk vijmë Shqipërisë sepse fati i saj është ndë dorë të Europës, por vijmë kundër atyre të huajve që që punojnë për llogari të Turqisë e të Austrisë që tërheqnë ndonjë ushtar të Serbisë nga kufiri i luftës. Përzutë Princin Wied se nuk ishte shqiptar edhe nga kombi juaj. Dhe tashti jeni ngritur te-patit shqiptar Esat Pashë, i cili njeh kombin tuaj sepse është far e fis shqiptar. edhe i cili dëshironte të ruante Shqipërinë për shqiptarët. Si ti zëmë dhe ti dënojmë kryengritësit, neve do të kthehemi prapë. Edhe qeverinë tuaj do ta lëmë në dorë të birit të Shqipërisë Esat Pashë. I cili dëshiron ndë paqtim e ndë miqësi me kombin fqinjë, të cilin vetë Zoti e ka vënë ndë dhetë, ndë të cilët bashkë rrojmë që ndë jetë të jetëve edhe ndë të cilët do rrojmë për jetë. Atij që është bashkë me ne, po i sjellmë paqtim dhe dashuri, po atij që është kundër nesh, kordhë (shpatë). Bëhuni të urtë dhe ruani vendin, edhe kombi tuaj edhe mos dëgoni intrigantët e Stambollit dhe Vjenës”.

I treti është Vaso Çubrilloviq, profesor në universitetin e Beogradit, i cili në vitin 1937 u bë ideatori i spastrimit të shqiptarëve nga Jugosllavia. Këtë ai e ktheu në një platformë të shkruar më 3 nëntor 1944 me titull “Problemi i pakicave kombëtare në Jugosllavinë e re” dhe që ia dorëzoi Josif Broz Titos, në atë kohë kryeministër i Jugosllavisë. Nëpërmjet saj synimi kryesor ishte zhdukja, shfarosja dhe spastrimi i shqiptarëve në Kosovë, në Luginën e Preshevës, në Republikën e Malit të Zi dhe në Republikën e Maqedonisë. Kështu shkruante Vaso Çubrilloviq:

“Shqiptartë që rrojnë përjashta kufijve të kësaj Shqipnie të vërtetë janë të shpërndarë nëpër Serbi të vjetër e Maqedoni si ishuj mbrenda ndër grumbuj serbësh e bullgarësh pa ndonjë lidhje me vendin e tyre. … Peja, Gjakova, Podrimja, Gora, Podgora, Sharri, Istogu e Drenica në veriu të maleve të Sharrit, pastaj Dibra e Epërme e të dy Pllogët në jug të këtyre maleve si qarqe kufitare mes Shqipërisë duhen boshatosur me çdo kusht”.

I katërti është Ivo Andriq, një shkrimtar nga më të njohurit serb dhe fitues i çmimit Nobel në letërsi, i cili ishte në një gjatësi vale me Çubrilloviq. Vetëm 2 vjet më vonë nga ideimi që bëri Çubrolliviqi, Andriqi hartoi edhe ai një projekt konkret për zhdukjen e shqiptarëve. Në 10 kapitujt të këtij projekti ai sillte në mënyrë kronologjike të shtrembëruar fund e krye historinë e shqiptarëve e deri te sugjerimet ogurzeza ndaj idesë së spastrimit. Kështu shkruante Ivo Andriqi:

“Me ndarjen e Shqipërisë do të eliminohej qendra tërheqëse për pakicën shqiptare në Kosovë, e cila, në situatë të re, do të asimilohej më lehtë. Ne do të merrnim edhe nja 200.000 deri 300.000 shqiptarë, por shumica e tyre janë të krishterë të besimit katolik, marrëdhëniet e të cilëve me Shqiptarët myslimanë kurrë nuk kanë qenë të mira. Kështu, edhe çështja e shpërnguljes së Shqiptarëve myslimanë për në Turqi do të zhvillohej në kushte të reja, pa ndonjë aksion të fortë për të na penguar”.

Pasi lexon këto pasazhe, i kupton edhe më qartë krimet që serbët kanë bërë me shqiptarët e Kosovës dhe jo vetëm. Janë krime as rastësore, as thjesht një mllef i akumuluar për kushedi se çfarë arsye. Janë zbatim dhe ekzekutim pikë për pikë i një platforme të qartë që studiues, historianë dhe akademikë të asaj shoqërie kanë pasur ndaj shqiptarëve. Gadishulli dramatik i Ballkanit sot i ka 12 shtete. Mes popujve të këtyre shteteve ka më shumë histori të ndera dhe luftë se sa paqe. Por asnjë prej këtyre popujve dhe shteteve nuk ka marrëdhëniet më të ndera, më të rënda dhe më me pasoja sa çfarë kanë bërë serbët ndaj shqiptarëve aq sa gazeta amerikane “New York Times”, e 31 dhjetorit 1912, i quante ekzekutimet e serbëve ndaj shqiptarëve si një sport ditor që ata ushtronin në atë kohë. (Serbian army left a trial of blood, Executions a daily sport, New York Times, December 31, 1912). Klubet intelektuale serbe kanë qenë çerdhe nepërkash për popullin shqiptar. Aty janë hartuar platformat më të errëta dhe më të zeza për një popull dhe komb si për shqiptarët. Prandaj edhe krimet që kanë kryer nuk kanë pasur limit. Kanë vrarë, përdhunuar në mënyrë shtazore dhe nuk kanë ndjerë të ngopur. Por, çudia është se serbët dhe shteti i Serbisë nuk kanë mësuar asgjë nga historia. Ajo është një shoqëri që ende nuk ka reflektuar, ende nuk ka kërkuar falje dhe ende lexon libra të Çubrilloviqit dhe Andriqit. Kjo është arsyeja që ndodhin ngjarje si ajo në Banjskë dhe mendja u rri ende te platformat se si t’i shfarosin shqiptarët. Shoqëria serbe vazhdon të frymëzohet nga intelektualët që hartuan këto lloj platforma edhe pse ato sot mbeten turpi më i madh i Serbisë.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X