loader image
July 6, 2024

A është Serbia në pritje të misionit të saj të hershëm

Me këtë qasje të gabueshme, sidomos në Kosovë, Perëndimi ka dhënë sinjale se nuk e ka mbyllur përgjithmonë opsionin që Serbia t’i kthehet misionit të saj të hershëm – çrrënjosjes së myslimanëve nga Ballkani. 

Milazim KRASNIQI, Prishtinë 

A është Srebrenica maja e Ajsbergut e gjenocidit serb kundër myslimanëve, për arsye të aftësisë së shtetit serb që ta riinterpretojë e ta rikualifikojë krimin e gjenocidit, duke qenë shtet brenda standardeve “demokratike”, siç ishin shtetet kolonizatore europiane, Britania e Madhe, Franca, Holanda, Spanja, Belgjika, Gjermania e Italia, të cilat i kanë fshehur me sukses seritë e gjenocideve që i kanë kryer kundër popujve të kolonizuar? Apo mos Serbia ka pasur fuqi arrogante, që e ka detyruar botën ta mbyllë gojën para fakteve, siç ka bërë Rusia cariste e bolshevike në disa raste? Përgjigja është e prerë: as njëra as tjetra.

Serbia u formua si shtet për të qenë gjenocidal sepse u formua në tokat e huaja 

Pra, ka një arsye të tretë, të cilën Dimitrije Tucoviqi në një rast, teksa ishte ushtar i mobilizuar në ushtrinë serbe në kuadër të Luftës së Parë Ballkanike, e ka shpjeguar me këto fjalë: “Dhe, vërtet, shkaku themelor i të gjitha të këqijave nga të cilat vuajmë sot dhe nga të cilat do të vuajmë edhe në të ardhmen shumë është se kemi hyrë në tokën e huaj.” Serbia jo vetëm që ka hyrë në tokat e huaja e është formuar si shtet në tokat e huaja, por edhe ka marrë si barrë që t’i zhdukë popujt që kanë jetuar në ato toka, në rastin kur kanë qenë me përkatësi fetare islame.

Në lojërat e Fuqive të Mëdha kundër njëra-tjetrës (Austro-Hungarisë, Perandorisë Osmane, Francës, Rusisë, Britanisë së Madhe), që në krye të herës Serbisë i është dhënë rol i shtetit mercenar, që kryen punë me porosi e me pagesë. Austro-Hungaria e ka përkrahur në fillim, si kreaturë kundër shtetit osman. Mandej Rusia e ka përdorë kundër Austro-Hungarisë, brenda ideologjisë së pansllavizmit. Franca në Luftën e Parë Botërore e fill pas saj e ka përdor Serbinë e Mbretërinë SKS kundër germanizmi, etj. Në mesin e gjithë atyre detyrimeve që i ka marrë Serbia si shtet mercenar, një angazhim e ka pasur në mënyrë pothuajse konsensuale: çrrënjosjen e myslimanëve nga Ballkani. Për rolin që e ka luajtur në këtë projekt, Serbisë i është fshehur edhe krimi monstruoz i vrasjes së Franc Ferdinandit, që shkaktoi shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Marrja e Bosnjës nga zotërimi austro-hungarez dhe çrrënjosja e myslimanëve të saj, gjë që nuk mund të realizohej derisa ata ishin nën sundimin austro-hungarez, ishte njëri nga qëllimet e atij plani ogurzi.

Në numrin e kaluar të Shenjës atë rol të Serbisë e kemi zbërthyer me këto fjalë: “Që nga kongresi i Berlinit dhe luftërat ballkanike, Serbia e ka pasur rolin e shtetit që disiplinon dhe zhbën me terror e me gjenocid myslimanët e Ballkanit. Atë detyrë ia kanë ngarkuar disa nga Fuqitë e Mëdha të asaj kohe dhe Serbia ka bërë përpjekje ta zbatojë në tërësi. Me atë rol, si shtet vrasës dhe çrrënjosës i myslimanëve të Ballkanit, Serbia ka bërë spastrim etnik në vitet 1878-1879 në sanxhakun e Nishit dhe gjenocid në dy luftërat ballkanike. Për të gjitha ato krime që i ka bërë shteti serb, ajo është shpërblyer me territore e me aleanca të forta në konferencat e mëdha ndërkombëtare (Kongresi i Berlinit, Konferenca e Londrës, Konferenca e Versajit.)” Si argumentim me të dhëna na shërben ajo që thotë edhe historiani amerikan, Justin McCarthy, në studimin e tij “Vdekje dhe dëbim – spastrimi etnik i mysli­ma­nëve osmanë, 1821-1922”: Ai pohon se “të dhënat e Luftë­ra­ve Ballkanike tregojnë se në Ballkanin Qendror dhe Perëndimor, 27 për qind e myslimanëve kanë vdekur dhe 35 për qind e tyre kanë marrë arra­tinë. Shqiptarët pësuan një vdekshmëri që ishte, të paktën, po aq e madhe.”(f. 16) Për ta fshehur gjenocidin me etiketa fetare ortodoske, tokat e pushtuara të shqiptarëve elitat serbe i shpallën “tokë e shenjtë serbe”, “Jerusalem serb”. Fuqitë e mëdha të asaj kohe nuk e luajtën veshin për atë shkatërrim dhe as për atë falsifikim. Në fakt, Serbia e kishte mbaruar punën që i ishte lejuar prej tyre. Kjo nuk duhet të shmanget kurrë nga vëmendja. Prandaj krimet e gjenocidit i janë fshehur vazhdimisht, deri në rastin e Srebrenicës. Për paradoks, mund të thuhet se krimi i gjenocidit në Srebrenicë është pakrahasimisht më i vogël se krimet e gjenocidit që Serbia ka kryer në dy luftërat ballkanike e dy luftërat botërore, po edhe në paqe, si edhe brenda Mbretërisë SKS dhe katër kreaturave të quajtura Jugosllavi. Dallimi është se krimi i gjenocidit në Srebrenicë u krye në vendin ku OKB-ja kishte mandate për mbrojtjen e civilëve. Pra, aty Serbia e ka kaluar vijën e kuqe.

Serbia nuk mund të sigurojë licencë të re për krimin e gjenocidit

Vrasjet masive të myslimanëve të Ballkanit nga shteti serb, ndonëse kanë qenë të lejuara nga Fuqitë e Mëdha, ato kanë qenë të planifikuara e të projektuara nga elitat intelektuale, politike, fetare, shtetërore e kombëtare të vetë Serbisë. Pra, nuk kanë qenë thjesht “marshime ushtarake” në luftë me shtete rivale, por kanë qenë të hartuara me qëllime qartësisht gjenocidale. Që nga “Naçertanie” e Ilija Garashanit (1844), ku u projektua krijimi i Serbisë së Madhe mbi ideologjinë e nacionalizmit me pak tharm pansllavist, elitat serbe kanë mbajtur të njëjtin kurs të krijimit të Serbisë së Madhe, me pasojë direkte çrrënjosjen e myslimanëve nga Ballkani, shqiptarëve e boshnjakëve në rend të parë. Projektet dhe elaboratet gjenocidale, si dy Elaboratet e Vaso Çubrilloviqit, Projekti i Ivo Andriqit për copëtimin e Shqipërisë, Elaborati i Stevan Moleviqit, Projekti i Drazha Mihajlloviqit, terrori i Aleksandër Rankoviqit, Marrëveshja Tito-Kyprili, Memorandumi i Akademisë Serbe të Shkencave dhe të Arteve, Memorandumi 2, e deri të Kuvendi Gjithëserb i qershorit 2024, kanë të njëjtën linjë ideologjike: lirimin e “hapësirës jetësore” me anën e spastrimit etnik dhe gjenocidit nga ata “elementë të huaj” që ua kanë zënë “hapësirën jetësore.” Të gjitha ato projekte e ndërmarrje gjenocidale ose janë lejuar nga Fuqitë e Mëdha, në kuadër të rivaliteteve që ato i kishin mes vete ose thjesht janë mbyllur sytë për arsye se ishte fjala për një element që konsiderohej i huaj në tokën europiane. Për herë të parë krimet serbe të gjenociodit kundër myslimanëve të Ballkanit janë denoncuar e janë ndëshkuar pjesërisht në fundin e shekullit XX, me Konferencën e Dejtonit (1995) me bombardimet e NATO-s kundër caqeve ushtarake jugosllave (serbe) në vitin 1999. Si rezultat i atij denoncimi dhe intervenimi, ka ardhur edhe dënimi i krimit të gjenocidit në Srebrenicë, i cili tashmë zyrtarisht ka si ditë reflektimit datën 11 korrik. Denoncimi i krimit të gjenocidit në Srebrenicë mund të jetë njëra nga arsyet se pse Serbia po tenton ta modifikojë politikën e saj në drejtim të Kosovës e të BeH-së, duke tentuar që destabilizimin dhe konfliktin ta kalojë në serbët që jetojnë në këto dy shtete e duke tentuar ta mbajë Serbinë jashtë konflikteve të reja të ardhshme që Serbia po i planifikon. Pra, tash, kur nuk e ka më licencën, si shtet vrasës i myslimanëve të Ballkanit, po detyrohet të kërkojë rrugë të reja për politikën e saj të vjetër, nga e cila nuk ka hequr dorë. “Bota serbe” është metaforë për projektin Serbia e Madhe.

Tentativa për modifikim të politikave po shihet sidomos në rastin e Kosovës, meqë prezenca ushtarake e NATO-s këtu e pamundëson çfarëdo ndërhyrjeje ushtarake të shtetit serb brenda Kosovës. Mandati i KFOR-it dhe, në prapavijë të tij, Marrëveshja Ushtarake-Teknike ndërmjet NATO-s dhe Jugosllavisë (Serbisë) është eksplicit në këtë aspekt. Prandaj, aksioni terrorist në Banjskë, i 24 shtatorit 2023, është tentativë për modifikimin e ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë. Por, projekti është shumë më ambicioz sesa sulmi terrorist.

Rrugët alternative të politikës serbe

Në fakt, politika e Serbisë në drejtim të Kosovës pas vitit 1999, kur u vendos këtu KFOR-i, ka trasuar me tri rrugë alternative. E para është destabilizimi i vazhdueshëm në pjesën veriore të Kosovës. Destabilizimi është shkaktuar me anën e nxitjeve dhe ndërhyrjeve të fshehta të shtetit serb e të realizuara nga popullsia vendase. Që nga formimi i grupit paramilitar “Rojat e Urës”, dhuna e marsit 2004, djegia e doganave në vitin 2008, nisja e “trenit rus” drejt Mitrovicës, ngritja e murit në qytetin e Mitrovicës, shndërrimi i Urës së Ibrit në lulishte, ngritja e herëpashershme e barrikadave nëpër rrugë, marrja peng e policëve të Kosovës, largimi nga institucionet, e deri te sulmi terrorist në Banjskë më 24 shtator 2023, ka pasur një strategji të përpunuar. Pjesëmarrja në këto provokime e popullsisë vendase ka pamundësuar stabilizimin e plotë të Kosovës dhe ka penguar pranimin e saj në organizata ndërkombëtare.

Në fazën e tashme ka një tërheqje të qëllimshme nga aksionet, për ta luajtur qytetarët serbë të veriut rolin e viktimës në raport me veprimet policore të qeverisë së Kosovës në veri. Synimi është që të nxitet sa më shumë presioni ndërkombëtar mbi qeverinë e Kosovës, për ta formuar bashkësinë e Komunave me Shumicë Serbe. Pra, është një kalkulim politik, e jo ndonjë tërheqje e Serbisë dhe e serbëve lokalë nga synimet destabilizuese në drejtim të Kosovës. Qeveria e re e Serbisë, e udhëhequr nga Millosh Vuçeviqi, në fakt është edhe më shumë luftënxitëse sesa qeveria e ish kryeministres Ana Bërnabiq. Bile edhe lidhjet e saj me Moskën janë edhe më të dukshme sesa më parë. Prandaj duhet të mbahet në vëmendje rreziku i eskalimit në momentin që Serbia konsideron se është më i favorshëm për synimet e saj. Meqë aktualisht pretendimet e Serbisë janë koncentruar në Bosnjë, veçmas pas miratimit të rezolutës së AP të OKB-së për gjenocidin në Srebrenicë, mund të llogaritet se planet destabilizuese në drejtim të Kosovës janë lënë për më vonë. Meqë më 11 korrik 2024 pritet që për herë të parë të shënohet dita e përkujtimit të gjenocidit në Srebrenicë, Serbia dhe “bota serbe” janë në ankth dhe në defansivë diplomatike. Mbajtja e Kuvendit Gjithëserb në Beograd, më 8 qershor 2024 më shumë është shenjë e atij ankthi dhe e asaj defansive sesa një projekt ofensiv. Sidoqoftë, veriu i Kosovës mbetet fushëveprimi i Serbisë për destabilizimin e Kosovës 24/7. Ndaj atij pretendimi nuk ka një përgjigje adekuate vetëm me mjete policore. Pa një projekt politik atraktiv e të pranueshëm për serbët në komunat e Veriut, nuk mund të largohet influenca dhe diktati i Serbisë në atë rajon.

Rruga e dytë ka qenë dhe ka mbetur integrimi i serbëve që jetojnë në brendi të Kosovës, për të mos u shpërngulur. Atyre u janë dhënë udhëzime që ta marrin pushtetin lokal e ta shfrytëzojnë në maksimum, pra të integrohen në një shkallë të caktuar brenda shteti e shoqërisë së Kosovës. Rruga e tretë ka qenë dhe është edhe më tutje roli panserb i Kishës Ortodokse Serbe, si faktor i unifikimit të të gjithë serbëve, meqë Serbia si shtet nuk ka mundësi të ndërhyrjes direkte, për shkak të Marrëveshjes Ushtarake-Teknike, përkatësisht mandatit të KFOR-it. Pra, këto janë rrugët që ndjek aktualisht politika serbe për ta mbajtur Kosovën në jostalilitet permanent, për ta izoluar nga bota, si një vatër krize dhe për të pritur një kohë të përshtatshme për agresion ushtarak.

Gabimet e Perëndimit

Si janë sjellë ndaj kësaj politike faktorët ndërkombëtarë, SHBA, BE e OKB? Duke parë ëndrra me syhapur se mund ta demokratizojnë Serbinë dhe se mund ta shkëpusin nga orbita pansllaviste rusofile, faktorët ndërkombëtarë e kanë mbajtur në agjendë vetëm çështjen e integrimit të serbëve, duke menduar naivisht se modeli i integrimit të serbëve në komunat në brendi të Kosovës mund të zbatohet edhe në veri. Ka qenë gabim trashanik. Ka ndodhur krejt e kundërta e asaj që është synuar: Serbia është rifashistizuar. Kuvendi Gjithëserb, i mbajtur në Beograd më qershor 2024, e konfirmon rifashistizmin e plotë të Serbisë, duke e rikthyer projektin e krijimit të Serbisë së Madhe. “Ajo që duhet ta bëjmë është që t’i fuqizojmë ekonomikisht serbët e Kosovës dhe të ofrojmë rezistencë civile që lejohet”, ka deklaruar kryeministri i ri i Serbisë, Millosh Vuçeviq. Ndërsa vizitat e Dodikut e Vulinit në Moskë janë vetëm mëlmesa të rritjes së vasalitetit të Serbisë ndaj Moskës. Gabimi edhe më i madh i SHBA-së, BE-së e OKB-së është se qasjen e tyre ua kanë imponuar edhe qeverive të Kosovës. I kanë detyruar të futën në dialog, me ndërmjetësimin e BE-së, duke shpresuar se arrihet edhe integrimi i serbëve të veriut me anën e dialogut. Në fakt, ose ka qenë naivitet ose djallëzi. Dështimi i dialogut është evident. Mbi atë platformë që mbahet në Bruksel kurrë nuk mund të integrohen serbët e komunave veriore. Për atë territor do të duhej të zbatohej me kohë, ndoshta mundet edhe në të ardhmen, precedenti që është zbatuar në Kroaci, në rajonet e banuara me serbë, Baranja, Sllavonia dhe Sremi Perëndimor. Aty një periudhë kalimtare ishte administrator gjenerali amerikan Zhak Kllajni. Me atë proces u realizua eliminimi i influencës së Serbisë dhe u realizua riintegrimi i serbëve në shtetin kroat. Ndërkaq, sa i përket Kishës Ortodokse Serbe (KOS), ajo që i është dhënë në Planin e Ahtisarit dhe që është inkorporuar në Kushtetutën e Kosovës është përtej çdo privilegji logjik që mund t’i jepej një institucioni fetar në një shtet shekullar. Me Planin e Ahtisarit KOS-i është shndërruar në shtet brenda shtetit. Për më keq, në Planin Franko-Gjerman privilegjet janë zgjeruar edhe më shumë, duke i dhënë KOS-it autonomi funksionale. Prandaj me këtë qasje të gabueshme, sidomos në Kosovë, Perëndimi ka dhënë sinjale se nuk e ka mbyllur përgjithmonë opsionin që Serbia t’i kthehet misionit të saj të hershëm – çrrënjosjes së myslimanëve nga Ballkani.

Author

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

X